Në foto: I ndjeri Nikollë Mark Toma (Nik-Ulaj)
Jeta është e ndërtuar e tillë, që ka një fillim dhe një mbarim. Secili në jetën e tij, me mundësitë që krijohen, dëshiron që të bëjë gjëra të mira, që ti shërbejnë ecjes përpara për të mirën e fëmijëve, nipave dhe mbesave, brezave që do të vijnë. Vjen një çast dhe jeta e njeriut ndërpritet, duke lënë pas të dashurit e familjes dhe të njohurit, dhimbje dhe lot, por dhe kujtime të mira dhe të paharruara.
Njerëz të mirë dhe me reputacion shoqërorë po ikin nga kjo botë, ashtu në heshtje, siç qe dhe jeta e tyre. Punuan, u përpoqen, sakrifikuan, vuajtën, por pak fituan, fituan vetëm respektin e njerëzve për veprat e tyre të mira dhe me dinjitet që lanë pas. E kështu jeta ndërpritet e le pas tek njerëzit dhe shoqëria keqardhjen, dhimbjen, lotët dhe së bashku me to edhe kujtimin e mirë në shërbim të njerëzve në nevojë. Këto ditë u nda nga jeta, në moshen 93 – vjecare, burri i njohur i zonës së Balldrenit të Lezhës, njeriu me zë Nikoll Mark Toma (Nik – Ulaj). Familja e Nikollës pati ardhur në fillim të shekullit të kaluar nga Ducaj i Shkrelit të Malsisë së Madhe. Familja e tij pati emigruar për arsye ekonomike dhe qe vendosur në Ulsirën Perendimore për të ndërtuar më mirë jetën në të ardhmen. Në moshën 16 – vjeçare Nikolla mbetet jetim, por pjestarët e tjerë të familjes së tij, sakrifikuan shumë për ta rritur edukuar me traditat e shkëlqyera të shqiptarit. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi falë interesimit dhe prokurpimit të të afërmve të tij. Në rininë e hershme martohet me Gjysten, bashkëshorten e tij të ardhshme dhe krijon një familje të shëndoshë plot mirkuptim dhe harmoni. Ishin vite intensive dhe të vështira ekonomike, por të 6 fëmijet e tyre u rriten dhe u edukuan nën kujdesin prindëror të nënë Gjystes dhe babait të tyre Nikollë. Ata u rritën dhe u dalluan gjithnjë për zgjuarsi, bujari dhe si familje mjaft punëtore. Fatkeqsisht, bashkëshortja e Nikollës u nda nga jeta 17 vjet më parë. Ajo ishte dhe mbetët në kujtesën e brezave një grua malsore model, për punë, urtësi dhe bujari, që shembull i bashkëshortes së shkelqyer, që mbahet mend për cilësitë e saj të vyera në Balldre e më gjërë. Familja e Nikollës ka jetuar gjithmonë vetëm me djersen e ballit, me forcën e krahut dhe për këtë arsye familja dhe fisi i tij, shihej gjithnjë me atë syrin e mire nga sistemi i asaj kohe, ku dallohej për sjellje shembullore, punë të ndershme, fjalës së matur dhe sofër bujare.
Nikolla qe burrë i pjekur dhe me përvoje jete dhe punë të ndërgjegjshme për t’u patur zili, sepse kishte gjithmonë parasyshë zbatimin me rigorozitet të normave të sakta tradicionale dhe burrërore. Ai njihte këngët folklorike të burrave trima të Malsisë së Madhe, madje edhe i këndonte ato me zërin e tij melodioz dhe plot kolorit, shoqëruar me mjeshtri me lahutën e tij, duke u bërë i njohur në festivale të ndryshme lokale dhe kombëtare, duke u vlerësuar me shumë çmime dhe vlerësime të merituara. Dinte ngjarjet e ndryshme të trimërisë dhe besës, të ndodhura në periudha të ndryshme historike në trevat e Malësisë së Veriut, madje nga ato ngjarje heroike qe frymëzuar dhe pati krijuar këngë duke i intepretuar me shumë pasion në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Kudo që punoi si magazinier në Tale të Lezhës apo në ish – ndërmarrjen ushqimore, si financier pranë pushtetit vëndor, la gjurmë për korrektesë, profesionalizëm dhe përkujdesje të pandërprerë për njerëzit në nevojë. Përgatitej për një mbledhje, takim, bisedë a kuvend burrash me argumentin, fjalën e bukur, gdhëndur në granitin dhe duke e veshur mendimin me normat, dokët dhe zakonet e krahinës. Nikolla në fjalët e tij bindëse, thërriste gjithmonë për bashkëpunim, unitet e pajtim. Pra ishte njëri i vlerave dhe i kuvendit, i njohur në krahinë për fjalën, mendimin, faktin dhe oratorinë e pasur. Veçohej për punën e tij të palodhur dhe qëndrimin korrekt ndaj porblemeve që ndodhnin shpesh në zonë, problemet sociale duke ndërhyrë plot guxim për zgjidhjen ngatërresave, grindjeve dhe deri tek gjakmarrja, kjo plagë e hershme e shoqërisë shqiptare. Gjykimet e tij kishin vlera dhe fjala e tij kishte peshë, sepse kishte parasysh se gjykimi, fakti, mendimi, oratoria ishin një nga veprimtaritë shoqërore që kishin ekzistuar që në në lashtësi dhe ishin një nga treguesit kryesorë të zhvillimit dhe emancipimit njerëzor. Jo kushdo kishte këtë dhunti pozitive, por Nikolla e pati pjesë të jetës dhe të qënies se tij burrërore.
E kujtojnë sot me nostalgji banorët e bregut te Mates, Zejmenit, Kurbinit, Balldrenit dhe shumë fshatrave të Rrethit të Lezhës. Pati dhe shokë e miq të shumtë, burri i urtë dhe i matur Nikollë, i cili me buzëqeshjen e tij të cilter, me fjalën e tij të mençur, me shikimin e tij të butë e me normat njerëzore strikte të imponohej për ta dashur dhe respektuar në maksimum. Ai nuk pranonte kompromis në dëm të shoqërise dhe miqësise, por ishte gjithmonë i sakët dhe parimorë. Të njejtën gjë po e trashegojnë dhe djemtë e tij, ku me plot gojën do thoja se dhe ata sot po ecin në gjurmët e babait të tyre të dashur, nën ndikimin e vlerave dhe mësimeve të Tij. Në tërë udhëtimin e tij jetësor 93 – vjeçarë Nikollë Toma ka manifestuar dy cilësi kryesore jetësore, që ishin pjesë themelore e karakterit të tij, korrektësia në punë dhe shoqëri dhe ndershmëria në familje dhe komunitet. Mirësia dhe edukata e tij ishin tipare dalluese, që kanë gdhendur në memorien e tyre shumë shokë e miq të dashur dhe të respektuar të tij. Në jetën shoqërore dhe publike ishte dhe mbetët një njeri për t’u admiruar, qyetar dhe atdhetar shqiptar me zemër të madhe. Më ka rastisur shpesh të takohem e të bisedoj me të, kujtoj veçanërisht kur biseda binte te tema e ndryshimimeve në periudhën e tranzicionit të tejzgjatur. Ai ishte gjithnjë i hapur e më vështrimin e ëmbël e gjithë respek, bashkëbisedonte me pasion, logjikë e argument, për vlera alternative, për ide e mendime të dobishme për demokracine ende të brishte në Shqipëri.
Lumturia e tij nuk kishte cak. Këtë lumturi ja sillte ngrohtësia, respekti dhe njerëzia e nusëve dhe djmve të tij si Toma, Noshi, Rakja, Gjergji, Frani, Pjerini, si dhe respekti dhe dashuria e pafundme që kishte për nipat Ardianin, Dritanin, Benin, mbesat Flora, Natalja, Vjollca dhe Albana, që i deshi, i respektoi dhe i edukoi me ndjenjat më të mira të harmonisë, mirësisë dhe të bashkëpunimit familjar. I deshi shumë të gjithë dhe iku me merakun e madh për ta.
– “E patëm prind, shok dhe edukator”, – thotë i vrarë shpirtërisht i biri, Toma. Nuk do ta shohim më nën qiellin e kësaj bote, por kemi të skalitur porositë, mësimet dhe veprat e tij, për të qënë të ndershëm, punëtorë dhe për të kapërcyer me vullnet vështirësitë familjare që na dalin”. Ndërsa Frani, njeri nga djemtë e tij me lot malli në sy thotë: – “Jemi kurdoherë krenarë për babain tonë”. Për ne vllazërinë ai ka qënë e mbetet burim drite, që na ka ndriçuar që në fëmijërinë tonë të hershme, udhën tonë të jetës e të punës, ndaj mbetët burim frymzimi për ne dhe nipat e mbesat që vijnë pas nesh. Dhe siç duket, do të kalojnë plot vite të tjera dhe emri i të ndjerit Nikollë Toma do të mbetët në kujtesën e brezave, sepse sot është bërë shpirti dhe zemra e kujtdo. Kur bisedon me njerëz te profesioneve të ndryshme, vë re se e kujtojnë me dhimbje, sepse ai mbante një shtrirje të gjërë miqësie e shoqërie nga të gjitha trevat shqiptare e më gjërë, duke u skalitur me atë portetin e një malësori të vërtetë dhe krenar, që rrezatonte vetëm mirësi dhe frymë atdhedashurie. Kjo u vrejt në përcjelljen dhe lamtumirën e fundit të tij, ku morën pjesë qindra miq, shokë, kolegë, bashkëpunëtorë, por edhe deputetë të parlamentit shqiptar, ish – kryetarë komunash dhe bashkishë, përfaqësues të pushtetit lokal e plot të tjerë. Kishte një veçori të rrallë sa i takon respektit për njerëzit, kërkonte respekt, mirëkuptim dhe bashkëjetesë në mes religjoneve, nuk i dallonte kurrë sipas feve si katolikët e myslimanët i donte me shpirt, hynte e dilte si në shtëpinë e tij, si në ditë të mira ashtu dhe të vështira.
Toleranca dhe bashkëjetesa fetare, ishin për Nikollën tipari dallues që e bënte të rrezatonte mirësi e dashuri tek miqtë e shokët e shumtë të tij, me të cilët punonte e ndante me ta të mirën dhe fatkeqsitë njerëzore. I priste e i pëcillte njerëzit si vellezër dhe shokë në shtëpinë e tij, sepse dashuria dhe respekti i tij për mikun nuk i ka munguar kurrë. Sa punoi e jetoi, kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij edhe kur ishte përballë përfitimeve të mirave matëriale e famës shoqërore që ai kishte krijuar dhe konsoliduar ndër vite. Asnjëherë nuk diti të diferencojë njerëzit sipas shoqërisë e miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që i jepte niveli professional, edukimi familjar dhe kultura e tij qytetare. Mbeti deri në frymën e fundit i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësitë. Jeta bën punën e saj, por ky njëri i ngjan një mali, që sa më shumë ti largohesh, aq më i larte do të duket dhe sa më shumë ti afrohesh jetës dhe kontributit të tij, aq më i madhërishem do të shfaqet. Burri i njohur dhe mençur i zonës së Balldrenit të Lezhës Nikoll Mark Toma (Nik-Ulaj), mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë me lot në sy të afërmit, miqtë, shokët dhe gjithë banorët e zonës. Ai edhe i pajetë, shihte drejt lindjes, por tashmë ka shkuar drejt perendimit, për të mos u kthyer më kurrë, me atë shprehjen e butë të fytyrës, me atë buzëqeshjen e ëmbël që nuk i mungonte kurrë dhe sikur thoshte: ” Diell, lëshoma pak shpresë, vdekjen e prita krenar, sepse bëra çfarë duhej për atdheun, për shoqërinë dhe familjen. Endrra për lumturinë, që pata thurur me krahët e mij dhe familjës sime, u venit brenda qënies sime. Le të jetë e gjallë kjo ëndërr për brezat e ardhshëm…”.
Përjetësisht mirënjoheje kujtimit dhe veprës së tij të ndritur!