Paraardhësit e intelektualit dhe dëshmorit Ejup Shala në Konushevc të Podujevës, kanë ardhur rreth viteve 1900-1902 nga fshati Kovaçicë e Shalës së Bajgores.
Lagjia ku ata shtrihen nga të gjithë njihet si lagjia e Bajgorëve. Ruajtja me fanatizëm e këtij toponimi e tregon më së miri etnogjenezën e kësaj vëllazërie të madhe.
Kjo familje malësorësh e edukuar në odat e tipit shkollë dhe Kanunin e maleve edhe në vendbanimin e rinj do ta ruajë nderin, atdhedashurinë dhe mikpritjen.
Zgjerimi i kësaj familjeje më 1950 do t’i detyrojë Sherifin, Zenunin, Rexhepin, Hysenin dhe Shabanin të kalojnë në Prishtinë dhe Podujevë. Ndërkaq, Ramadani me gruan dhe fëmijët e tij, mbetet në Konushevc.
Ata të organizuar mirë dhe në raporte tamam vëllazërore me njëri-tjetrin, gjithçka do të orientojnë në shkollimin e fëmijëve të tyre.
Arsimimi dhe edukata e duhur prindërore do të bëjnë që djemtë e kësaj familje në momentet më kritike t’i dalin zot Kosovës.
Edhe pse ende i njomë në ballë të demonstratave të mbajtura më 27 Nëntor 1968, në Podujevë, do të jetë Hasan Shaban Shala . Ai nga regjimi i atëhershëm komunist i Titos, do të mbahet 1 muaj në burgun e Prishtinës.
Kurse i vëllai Behxhet Shaban Shala, në mars dhe prill të vitit 1981, si student i Fakultetit të Mjekësisë në Sarajevë, të Bosnjës dhe Hercegovinës, do t’i mbështesë haptas studentët e Universitetit të
Kosovës, që ato ditë nëpërmjet demonstratave paqësore po kërkonin të drejta të barabarta me popujt e tjerë të ish- Jugosllavisë.
Ai për mosrespektim të diktateve të serbo-sllavëve më 25 maj 1981, do të dënohet më tri vite burgim, të cilat do t’i vuajë në burgun e Sarajevës, Foçës dhe Mostarit.
Në burgun e Mostarit së bashku me Behxhetin, dënimin e vuan edhe heroi i kombit Rexhep Malaj.
Ai nga ky burg lirohet më 23 maj të vitit 1983,e dy ditë më vonë do të lirohet edhe Behxhet Shala, shok i të njëjtit ideal me Rexhën.
Vetëm 6 muaj pas lirimit nga burgu Behxheti, dërgohet në shërbimin e detyruar ushtarak të Jugosllavisë, në Ilirska-Bistricë të Sllovenisë.
Ai do të dënohet prapë në prill të vitit 1984,së bashku me Hysen Shuradhanin e Kaçanikut. Ata me nga 12 vite burgim të rëndë me një proces të montuar politik do t’i dënojë Gjykata Ushtarake e Zagrebit.
Nënpretekstin e njëjtë dhe akuzën se ishin organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave të mëdha studentore të 1 prillit të vitit1981,të mbajtura në Prishtinë, nga familja Shala, do të dënohen
vëllezërit Ejup dhe Ukshin Shala, si dhe kushëriri i tyre Mehmet Shaban Shala.
Kurse, Mustafë Rexhep Shala- Taki, teknik në Shtypshkronjën “Rilindja” të Prishtinës, do të keqtrajtohet rëndë nga policia serbe.
Në radhët e para të demonstratave gjithëpopullore të vitit 1989,do të jetë edhe bashkëshortja e Behxhet Shalës, Fexhrije Bilalli Shala.
Ajo vetëm pse ishte vënë në mbrojtje të kushtetutshmërisë së Kosovës mbahet në burgun e Mitrovicës, 12 muaj e pesë ditë.
Nga biseda e drejtpërdrejtë me zonjën Shala, mësojmë që gjatë qëndrimit në këtë burg,ajo rrahet deri në gjakosje nga disa UDB-ashë, shqipfolës shërbëtor të Serbisë.
Është për indinjatë dhe zemërim fakti që sot fëmijët e këtyre UDB-ashëve, janë të sistemuar për lakmi në institucionet e shtetit të Kosovës.
Në vitin 1989, derisa Behxhet Shaban Shala, po e vuante ende dënimin në llogoret e Stara Gradishkës së Kroacisë, policia serbe ia bastis shtëpinë në Podujevë.
Me ç ‘rast i keqtrajton dhe i arreston vëllezërit e tij, Hasanin dhe Ekremin . Ata pa kurrfarë shpjegimi paraprak do të mbahen të ngujuar nga 15 ditë në burgun e Prishtinës, gjegjësisht në atë të
Smrekonicës së Vushtrrisë.
Me fillimin e luftës frontale Sredoje Radojeviq i njohur me nofkën Cipiripi, dhe njëfarë Bosanaci i Madh, në dukje identik me një hipopotam, futën pa kurrfarë paralajmërimi në dyqanin “Vlora“ pronë e familjes Shala.
Këta dy policë serbë të njohur edhe më herët me agresivitetin e tyre ndaj banorëve duarthatë të Llapit, e keqtrajtojnë brutalisht Ekrem Shaban Shalën.
Veç kësaj edhe ia demolojnë lokalin që kohëpaskohe shfrytëzohej edhe si vendtakim i aktivistëve të KMDLNJ-së, Nënkëshilli në Podujevë.
Në dhomat aneks të këtij lokali me në krye Atdhetarin e njohur llapjan Xheladin Rekaliu, mbaheshin edhe konsultime, se si duhet vepruar në situata emergjente karshi Serbisë okupuese.
Shtëpia e bacës Shaban ishte e hapur në çdo kohë për Xhelën dhe veprimtarë të tjerë, që me ngulm synonin shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
Edhe pas kryerjes së burgut sistemi komunist i Jugosllavisë, burrave dhe grave të familjes Shala, do t’ua ndalojë punën në Arsim e Administratë.
Ata si të papërshtatshëm “moralo-politikisht“ do të bëjnë punë kuzhinieri, shitësi ambulator, rritësi të viçave etj, vetëm sa për të mbijetuar.
Kjo paperspektivë me mungesë të gjërave më elementare, ata do t’i përcjellë sikurse shumë familje të tjera, deri në çlirimin definitiv të Kosovës, nga shovinistët serbo–sllavë dhe bajgat e tyre.
Shaljanët në përgjithësi e kanë një të kaluar të dhimbshme. Djemtë e tyre vazhdimisht janë përndjekur dhe burgosur nga regjimet serbo-sllave.
Kësaj radhe lexuesin do ta njohim në pika të shkurta me jetën dhe veprën e Ejup Halim Shalës, mësimdhënës dhe drejtor i Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani “në Podujevë, vrarë më 5 maj 1999, nga
policë e grupe paramilitare të Serbisë.
Ejup Shala lindi më 19 prill 1951 në Konushevc të Llapit. Ai është fëmija i tretë nga gjithsej tetë fëmijët e Halimit dhe Hasimes.
Ejupi, katër klasat e para të fillores i përfundoi në shkollën e fshatit Sibovc i Epërm, paralele e ndarë e asaj “Ganimete Tërbeshi“ të Gllamnikut. Mësues i tij ishte Shefki Bahtir Duriqi nga Obrança e Podujevës.
Kurse, klasën e -V-,-VI-,-VII-dhe-VIII-, me shtim lëndësh dhe me 5-6,arsimtarë të rinj, të cilët në mungesë kuadri i jepnin nga dy-tri lëndë mësimore e kreu në Lluzhan.(fshat i regjionit të Llapit)
Meqenëse i takonte grupit më të mirë të nxënësve regjistrohet në gjimnazin “8 Nëntori “të Podujevës.
Edhe pse Ejupi me plot dëshirë dhe entuziazëm do t’i nisë mësimet në këtë gjimnaz, papritur do të hasë në një problem të pazakontë.
Përkundër, asaj që ai kishte nota shumë të mira, vitin e parë do t’ia humbë njëfarë Mile Paunoviq,i cili e jepte lëndën e Artit muzikor(Muzička umetnost).
Në mungesë kuadri kjo lëndë zhvillohej në gjuhën serbe. Paunoviq ishte një skile dhe nga brenda vlonte nga urrejtja ndaj shqiptarëve. Ai këtë akt të ultë e bënë duke qenë i sigurt që Ejupi, do ta
braktisë shkollimin.
Me veprimin e tij do të habiten të gjithë, ngaqë Ejupi në të gjitha lëndët e tjera kishte 4-she dhe 5-sha.
Kuptohet që ky rast do ta rëndojë Ejupin shpirtërisht, sepse klasa e tij si gjeneratë e gjashtë e gjimnazit “8 Nëntori “të Podujevës, kishte nxënës të sjellshëm dhe të dalluar, si në mësime ashtu
edhe në sport.
Ai shok klase e kishte edhe prof.dr.Fatmir Sejdiun, mësimdhënës shumëvjeçar i Historisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Prishtinës, dhe ish-President i vendit tonë gjatë viteve 2006- 2010 .
Zejnullah Zejnullahu–Zena, një shok tjetër klase i Ejup Shalës, sot 72 vjeç e kujton atë periudhë të erret, kur horri Mile Paunoviq, të gjithë ata që nuk e njihnin gjuhën serbe i fyente me fjalët më të
rënda.
Mirëpo, Ejupi një djalë i shkathët e plot gjallëri s’do të dorëzohet. Ai do të punojë sistematikisht dhe do të diplomohet në këtë gjimnaz me nota të larta.
Edhe pse posedonte njohuri të përgjithshme rasti me Paunoviçin, ishte një motiv dhe nxitje ma tepër që Ejup Shala, të studiojë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, drejtimi: Gjuhë shqipe dhe letërsi.
Ai më 1978 diplomohet në këtë Fakultet me notë të përgjithshme mbi 8 (tetë). Pastaj, 5-6 muaj punon së bashku me të vëllain Ukshinin, në shkollën 8 -vjeçare “Boro e Ramizi” tani “ Kongresi i
Manastirit“ në fshatin Gllamnik të Podujevës.
Në vjeshtën e vitit 1979 krijon marrëdhënie të rregullt pune në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës.
Ish-nxënësit e tij Hamdi Jaha dhe Florin Llugaliu, sot inxhinierë të ndërtimtarisë, përkatësisht të elektronikës e vlerësojnë lartë punën edukativo-arsimore të Ejup Shalës.
Ata thonë “profesor Ejupi, na këshillonte vazhdimisht për punë ekipore dhe mosnënshtrim, në asnjë mënyrë përpara shovinistëve serbë.”
Veprimtaria e Ejupit përcillej nga UDB-a, jugosllave çdo hap. Megjithatë, ai nuk zmbrapsej por vazhdonte aktivitetin kombëtar pa iu trembur syri.
Më 28 prill të vitit 1981 në orët e hershme të mëngjesit UDB-a, jugosllave dhe zagarët e saj, që ishin jo të paktë, e rrethojnë shtëpinë e Ejupit, në fshatin Konushevc dhe e arrestojnë atë, së bashku me vëllezërit e tij, Ukshinin dhe Enverin.
Ukshini dhe Enveri në mungesë provash do të lirohen nga burgu si të pafajshëm . Ndërkaq, Ejupi, i akuzuar sipas nenit 133,të LPJ-së, do të dënohet me 4-vjet burgim të rëndë.
Ai burgun do ta vuajë në Mitrovicë, Zenicë dhe Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Pas lirimit nga burgu Ejup Shala, do të angazhohet në LDK-së, dega në Podujevë.
Në këtë subjekt politik që për kohën ishte Lëvizje Mbarëpopullore, Ejupi do ta kryejë funksionin e kryetarit për Kulturë, Rini dhe Sport. Ai katër-pesë mandate do të jetë edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, dega në Podujevë.
Ejup Shala gjatë periudhës së okupimit ishte njëri nga organizatorët e përvjetorit të 25-të, të demonstratave studentore të vitit 1968.
Ky simpozium i mbajtur në nëntor të vitit 1993,në amfiteatrin e shkollës fillore “Naim Frashëri” të Podujevës, do të kujtohet gjatë.
Mbi këto ngjarje që sollën hapjen e Universitetit të Kosovës dhe zyrtarizmin e simboleve tona kombëtare, patën referuar bartësit e tyre, Xheladin Rekaliu, Selatin Novosella, Ilaz Pireva, Hakif
Sheholli etj.
Ejupi po ashtu ka ndihmuar edhe në organizimin e tryezave të ndryshme me temë nga historia e lavdishme e popullit tonë.
Rreshtat me stilolaps janë shkruar në mars të vitit 1993, me rastin e shënimit të katër vjetorit të rënies së dëshmorit Mehmet Maliq Ejupi.
Mehmeti, vritet më 27 mars 1989,nga policia gjakatare e Serbisë. Ai edhe mijëra llapjanë të tjerë atë të hëne kritike, po protestonin fuqishëm në qytetin e Podujevës, kundër suprimimit të Autonomisë së Kosovës.
Këta rreshta të shkruar nga dora magjike e profesorit Ejup Shala, sot me shumë mall e respekt ruhen nga autori i këtij shkrimi Arif Ejupi.
Ai gjatë gjithë jetës do të ndihet krenar që pati rastin të bashkëpunoj me eruditin dhe trimin e pakrahasueshëm, Ejup Halim Shala.
Ejup Shala krahas veprimtarisë atdhetare edhe në kohë okupimi nga Serbia, do ta bëjë punën e mësimdhënësit të Gjuhës Shqipe, në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani “ të Podujevës.
Mësimi zhvillohet në kushte jashtëzakonisht të rënda. Ai mbahet në shtëpi private dhe baraka të ndërtuara me pllaka tallashi.
Në vitin 1996 me votën unanime të mësimdhënësve dhe aprovimin e Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së komunës së Podujevës, z. Ejup Shala, emërohet Drejtor i përgjithshëm i
këtij gjimnazi.
Ai deri në vdekje do të mundohet që të japë gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që ky gjimnaz të zhvillohet, e të mos bije nën gërshërët e Pauno-viçve, që në kohën kur ai ishte nxënës ishin munduar
me ia nxirë jetën dhe me lënë sharrëxhi apo çoban.
Me ardhjen e bandave kriminale nga Serbia, popullata e Llapit, kishte filluar të largohej nga shtëpitë e veta, sidomos ajo e fshatrave që gjendej përreth rrugës Podujevë-Prishtinë.
Ejup Shala edhe pse e njihte më mirë se shumëkush barbarizmin mesjetar të ardhacakëve serbë, nuk kishte lëvizur dot nga shtëpia e tij. Ai kishte vendosur ta mbroj pragun e shtëpisë qoftë edhe me kokë.
Vendosmërinë e tij për të vdekur në mbrojtje të tokës dardane e shpreh edhe nëpërmjet këtyre vargjeve:
Nëse nuk vdes
Ku do të mbes
Nëse jetoj
Ku do të vdes.
Armiku duke parë që po i vije fundi në fillim të majit të vitit 1999, me tërë arsenalin që kishte në dispozicion i garanton fshatrat e Llapit.
Me gjithë sulmet e pandërprera profesor Ejup Shala, do të rezistojë në Kullën e tij prej guri.
Qerpikun pa e lëvizur. Gishtin pa e dridhur. Shpinën pa ia kthyer Atdheut.
Më 5 Maj 1999 forcat serbe të përforcuara me ushtarë, policë e paramilitarë e rrethojnë shtëpinë e tij, në Konushevc të Podujevës, dhe e vrasin Ejupin.
Kumtin mbi vrasjen e tij do ta japë Radio ”Kosova e Lirë“ Ky lajm i rëndë në Llap e më gjerë pritet me dhembje e lot.
Ejupi si çdoherë i çiltër dhe i gatshëm për të ndihmuar secilin respektohej nga farefisi, nxënësit, kolegët dhe miqtë.
Edhe pse në të katër anët dëgjoheshin krismat e armëve dhe kundërmonte erë baroti dhe gjaku, profesor Ejup Shala, ia del të mbaj Ditar lufte, mbi zhvillimet në Llap.
Familja e Ejupit në shtëpinë e bërë shoshë nga plumbat e armikut do t’i gjejë të shpërndara nën një llamarinë disa fletë me shënime dhe vjersha të shkruara nga ai.
Profesor Ejup Shala kishte nis të shkruaj shumë herët, mirëpo regjimi komunist nuk e kishte lejuar të botojë as edhe një varg të vetëm, ngase poezitë e tij, ishin thirrje për ndërgjegjësim dhe rritje të vetëdijes kombëtare.
Krijimtaria letrare e profesorit, Shala do ta shohë dritën e botimit vetëm pas Pavarësisë së Kosovës.
Në vitin 2012 Qendra e Kulturës e Podujevës, do ta botojë librin e tij me 110 poezi, me titull mjaft domethënës “ERDHA”
Shala, ishte i bindur që liria e Kosovës, do të vijë patjetër. Optimizmin e tij e shpreh edhe në këta rreshta:
Hë moj Vlorë
E tallaseve
E valëve
E bujës e rrëmujës
Ngrite me lart vetë më dorë
Flamurin e Krujës!
Kjo përmbledhje vargjesh me vlera dhe rënia në mbrojtje të Atdheut e bëjnë Ejup Shalën, pjesë të Historisë dhe Kulturës sonë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për profesorin Ejup dhe të gjitha ata që u flijuan për lirinë e Kosovës!
ARIF EJUPI