Nga Gjet Kadeli
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit dhe ajo hetimore e gjyqësore ) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri-dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit, qëndroi disa kohë në male në arrati e më pas në vitin 1949, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe 35 vjeçare, që Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Relacioni i vitit 1959, me kërkesën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Krujës, nënkolonel, Muhedin Gërxhalliu, për të verifikuar emrin e Gjet Kadelit, në dokumentet e Kartotekës
I. Lutemi kontrolloni dhe na njoftoni nëse figurën i regjistroni në evidencën operative të agjenturës dhe elementit në përpunim, pra si i poshtë shënuari:
- Mbiemri – Kadeli
- Emri – Gjetë
- Atësia – Pjetër
- Datëlindja – 1940
- Vend lindja – Orosh
- Vend banimi – Katundi Bushnesh
- Vendi i punës – Bushnesh
- Profesioni – Bujk
- Kombësia – Shqiptare
- Shtetësia – Shqiptare
- Pjesëmarrja në parti – i pa organizuar
II. Qëllimi i kontrollit – Në se ndodhet i regjistruar në Kartotekë.
III. Çfarë kërkohet – Në se ndodhet i regjistruar
Punëtori Operative Kryetari i Degës P. Brendshme
Kapiten II-të N/Kolonel
Bajram Poçi Muhedin Gërxhalliu
Ju njoftojmë se i përndjekuri nuk figuron në evidencat operative.
Shefi i —–
Toger Demir Malaj
Datë 29.9.1959
Dokumenti me biografinë e Gjet Kadelit, i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Bajram Poçi
BIOGRAFIA E GJET KADELIT
GJET KADELI: I biri i Pjetrit dhe i Dilës, i datë-lindjes 1940, lindur në katundin Bulasharë (Orosh), të Rrethit Rrëshen dhe banues familjarisht në katundin Bushnesh të rrethit të Krujës, me profesion bujk, me arsim fillor, i besimit Katolik, i pamartuara, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, rrjedh nga një shtresë e mesme fshatare dhe në gjendje ekonomike të mirë.
Gjatë regjimit antipopullor të Zogut, qëndrimi i tij nuk ka qenë i mirë. Në këtë kohë, ai ka pasur axhën e tij, Marka Ndrec Kadelin, oficer me gradën N/Toger të Xhandarmërisë, po kështu edhe i ati, Pjetri, ka qenë N/Oficer në Xhandarmëri, me shërbim në vende të ndryshme dhe shërbimin në Xhandarmëri e ka bërë me të vëllanë, kështu që qëndrimi i tyre, nuk ka qenë i mirë, mbasi kanë simpatizuar këtë regjim dhe i kanë shërbyer vazhdimisht.
Me ardhjen e dy okupatorëve Italo-Gjerman në vendin tonë, qëndrimi i familjes së Gjetës, nuk ka qenë i mirë, në këtë kohë, ka pasur të atin në shërbim të këtij regjimi, me gradën N/Toger, në armën e Xhandarmërisë, shërbimin e ka kryer në Shkodër dhe në Pejë të Jugosllavisë, po kështu dhe axha i tij, ka qenë Toger, kështu që edhe gjatë kësaj kohe, qëndrimi i tyre ka qenë i keq, si Axha i Gjetës, si i ati, kanë pasur lidhje të ngushtë me Qark Komandantin e Shkodrës, Ndrec Preng Markun, që ka pasur gradën major, sot i vrarë.
Mbas çlirimit të Shqipërisë, familja e këtij nuk ka mbajtur qëndrim të mirë, kanë strehuar dhe furnizuar të arratisurit, si Mark Gjon Markun, Llesh Bajraktarin, etj., dhe për këtë janë arrestuar dy axhat e tij, Zef dhe Mark Kadeli dhe janë dënuar me nga tre vjet burg, ma vonë, i ati i Gjetës, Pjetri, ka mbajtur lidhje me diversantë, dhe ka strehuar kriminelët që bënë vrasjen e Bardhok Bibës, për këtë është arrestuar Pjetri dhe Mark Kadeli, që të dy vëllezër, Marku u internua, kurse Pjetri ishte në burg, akoma pa u dënuar Pjetri, del nga burgu dhe arratiset jashtë shtetit, me gjithë djalin e tij, Gjon Kadeli, ku dhe sot gjenden të arratisur.
Sot qëndrimi i familjes së tij, nuk është i mirë, ka të arratisur jashtë shtetit vëllanë dhe babën e tij, ka të burgosur axhën e tij, Zef Kadelin, të dënuar me 25 vjet burg, Gjeta sot mban korrespodencë, qoftë me të atin, qoftë dhe me të vëllanë e tij.
Rrethi familjar miqësor dhe shoqëror, është si më poshtë:
Në katundin Bushnesh, Gjeta ka nënën e tij, një motër dhe një vëlla më të vogël. Në Mirditë ka: 1. Mark Kadelin, axhën e tij, në katundin Bulasharë, 2. Ndrec Kadeli, kushëri i parë, 3. Nikoll Kadeli, kushëri i parë nga katundi Bulsharë, 4. Zef Kadeli, axha, sot në burg në Burrel, 5. Ndue Kaçorri, daja i tij, nga katundi Bushnesh, 6. Ndue Boci, mik i tij nga Fani, 7. Pashka Laska, shoqëri që me babën nga Bushneshi, 8. Nikoll Ndrec Prenga, Bushnesh, shoqëri, 9. Llesh Kola Gjeta, Orosh, shoqëri, 10. Gjok Preng Regji, Bulashar, shoqëri, 11. Dave e Nikoll Prenit, Thumanë, mbesë, 12. Gjet Ndrec Legisin, Thumanë, mik, 13. Preng Llesh Pjetrin, mik i dajës, Thumanë, 14. Gjet Çupi, Thumanë, mik.
Krujë, më dt. 1.IX.1959 Punëtori Operativ
Kapiten Bajram Poçi
Raporti sekret i hartuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit, kapiten Arshi Xhaferri, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Pisha”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm
Marrë Kapiteni Arshi Xhaferri
Dhënë Inf. “Pisha”
Datë 20.II.1960
R a p o r t
Me datën 19.II.1960, ai ka shkuar në katundin Bushnesh të lokalitetit Mamurras, dhe këtu ka shkuar në shtëpinë e të arratisurit në Belgjikë, Pjetër Kadeli, nga katundi Orosh i Mirditës dhe i rënë familja e tij në katundin Bushnesh, në vitin 1955, në këtë katund, Pjetri, ka gruan të quajtur Mrika, djalin, Gjetë, dhe një vajzë të vogël, që emri nuk i dihet.
Në shtëpi, ai ka gjetur vetëm të shoqen e Pjetrit, Mrikën dhe gjatë bisedave që bënë, ai me Mrikën, ajo i tregon se, nga burri ka marrë disa herë letra dhe më shkruan se, ndodhet në Belgjikë, me gjithë Ibrahim Bamin, nga katundi Mamurras. Vazhdon Mrika i thotë atij, se; burri gjatë vitit 1959, më ka dërguar katër herë dollar, por se sa dollar i ka çuar ai, nuk e ka pyetur Mrikën.
“Pisha”
Detyrë: Të mbani lidhje me Mrikën se çdo të bisedoj më gjatë në lidhje me burrin e saj, ose se çfarë i shkruan në letra.
Të shikoni se me cilët persona, mban lidhje Muharrem Dervishi, nga katundi Mamurras.
Punëtori Operativ
Kapiteni i Parë, Arshi Xhaferri
Raporti sekret i hartuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit, Bajram Poçi, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Manushaqja”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm
Marrë nga Punëtori Operativ Bajram Poçi
Dhënë nga B.p. “Manushaqja”
R a p o r t dt. 21.V.1960
Më datën 18.V.1960, në një bisedë që pati Gjet Kadeli me atë, u shpreh duke thënë se; po shkoj për 17-18 maj 1960, për shumë vjet e gëzuar e të gjetshim më mirë në mote. Gjeta, fjalën e kishte për prishjen e Konferencës së nivelit të lartë dhe ishte shumë i gëzuar. Gjeta është nga Oroshi i Mirditës, ka të arratisur në Belgjikë, babën dhe të vëllanë e tij.
“Manushqaja”
Detyrë: Takoju ndonjë ditë me Gjet Kadelin dhe gjatë bisedës, iu thuaj se juve Gjetë, një ditë më thatë një fjalë, por nuk e kam kuptuar, më thatë se me 17-18 maj, të gjetë më e mira në mote, unë këtë nuk e kuptova, shiko se çfarë do të thotë konkretisht, për atë që të ka thënë Gjeta dhe pse e ka thënë, meqenëse juve gëzoni besimin, bisedoni vazhdimisht me Gjetën dhe shiko se çfarë do të thotë, kundër partisë dhe qeverisë.
Punëtori Operativ
Kapiten Bajram Poçi
Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, toger Hasan Dani, me të dhënat e agjentit të Sigurimit, me pseudonimin “Beqari”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm
Marrë: Punëtori Operativ, Toger, Hasan Dani
Dhënë: Agjenti “Beqari”
Raport, dt. 9.VI.1961
Ai njofton se, Gjet Kadeli që ka babën e arratis, është larguar nga Kooperativa Bujqësore, mbasi e plotësoi lejen dhe tani nuk punon fare, gjatë bisedës që pata me të, më tha Gjeta, se unë nuk do të vij më në kooperativë, me punue. Se unë babën e kam në arrati, po të më japin triskat e Frontit, unë punoj dhe fundja tha Gjeta, mua s’kan se ç’të më bëjnë, se hyj në punë, në ndërmarrje. Ai njofton, se Gjeta, merret me matrapazllëqe, duke shitur streptomicina, nga 900 lekë copa, se ja dërgon i ati që ka në arrati.
“Beqari”
Punëtori Operativ, Toger, Hasan Dani
Raporti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Kapiten i Parë, Muço Ibro, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Mbrehja”, mbi ndjekjen dhe survejimin e Gjet Kadelit, e bisedat e tij me persona të ndryshëm
Marrë: Kapiten i Parë, M. Ibro
Dhënë: B.p. “Mbrehja”
Raport i dt, 11.10.1961
Me datën 3.10.1961, në kohë darkë, në shtëpinë e atij, ka shkuar i quajturi, Gjet Kadeli, i cili mbasi u përshëndet me të, i thotë: Mua më ka thënë daja im, Bib Kaçorri, nga Bushneshi, se ky kishte biseduar me një oficer, Kapiten i I-rë, që është komandant Batalioni në Mamurras, emrin e të cilit, nuk ja ka kallxuar, atij. Ky kapiten, i ka thënë Bib Kaçorrit, se para disa ditësh, këtu në Mamurras, ka kaluar me një veturë, gjeneral Gjin Marku, i cili kur kaloi, makina nuk kishte targë, ndërsa kur u kthye, i kishte vënë targë. Këtë gjë, Gjini e ka bërë me qëllim, për të mos u kuptuar, se brenda në makinë, kishte kriminelë të arratisur. Gjini, kaloi deri në Shkodër dhe u kthye. Gjini, i thotë kapiteni, Bib Kaçorrit, është udhëheqës i bandave të diversantëve, që vijnë në Shqipëri. Mandej, kapiteni, thotë se; në Shqipëri, tash kanë zbarkuar me parashuta, 40 kriminelë. Bib Kaçorri, është oficer rezervë dhe varet për stërvitje nga ky kapiten. Për Bib Kaçorrin, ky kapiten, është interesuar që t’i gjej punë të mirë në Fermë.
Gjet Kadeli, i thotë atij, se; unë këto ditë, kam qenë në Rrëshen dhe atje dëgjova në një vend, te një miku im, emisionet e huaja ku, flisnin shqip, se Gjermania Perëndimore, më 15 tetor, do t’i bjerë Rusisë, dhe do të shpërthej lufta.
“Mbrehja”
Detyrat: 1. Takohu urgjentisht me Gjet Kadelin, me pretekst të justifikuar dhe nëpërmjet bisedash të më thotë, se kush është me emër, kapiteni dhe në çfarë date ka kaluar për në Shkodër, Gjin Marku.
Kapiteni i Parë, Muço Ibro
Shtojcë detyre:
- Duke qenë se me Gjet Kadelin, njihesh prej kohësh dhe ai të vjen për miqësi në shtëpi, përpiqu të lidhesh më shumë me të, të forcosh akoma më tepër marrëdhëniet me Gjetën, në mënyrë që, ai të hapet plotësisht te ju dhe pa rezerva.
- Për t’ja mbërritur këtij qëllimi, ju me një pretekst të justifikuar, gjeni kohën dhe i ktheni atij vizitën, duke përgatitur njëkohësisht terrenin, që përsëri ai të vij tek ju, si radhën e parë.
- E gjithë kjo, duhet të konsistojë, më tepër për t’ja mbërritur, që ju të njiheni dhe të krijoni marrëdhënie direkt me Bib Kaçorrin, në mënyrë që këto gjëra, t’i merrni direkt prej tij dhe jo me anën e Gjetës.
- Përveç sa mësipërm, nëpërmjet Gjetës, të sqaroni edhe njëherë këtë informatë, duke i thënë se: Ore Gjetë, unë nuk e kuptova. Atë bisedën që neve bëmë lidhur me atë oficerin që është në Mamurras dhe kam frikë se, mos na bëj ndonjë të pabërë, se ai, po të merret me këto, Partia dhe qeveria, nuk mund t’i jepnin, një post të tillë. Prandaj, kini kujdes se, këto gjëra janë me zarar dhe merrni veten më qafë.
Vlerësimi i informatës:
- Megjithëse B.p., ka punuar mirë, dhe nuk kemi dyshime për të dhënat e tija, kjo informatë, është pak abstrakte. Prandaj, del për detyrë, që kjo të ndiqet deri në fund dhe të vërtetohet./Memorie.al
Shefi i Seksionit të Parë
Major Thoma Lango
Krujë, më 12.10.1961
Vijon