Gjermanët më 26 shtator i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri apo Budestagun, në zgjedhjet që pritet ta formësojnë të ardhmen e Gjermanisë dhe Evropës.
Sondazhet sugjerojnë se do të jetë një garë e ngushtë për ta zëvendësuar kancelaren, Angela Merkel, e cila po tërhiqet nga politika pas 16 vjetësh në pushtet.
Blloku i Merkelit CDU/CSU gjendet afër Social Demokratëve (SPD) të qendrës së majtë – që janë partneri më i vogël në koalicionin aktual qeverisës.
Sondazhet e fundit thonë se dallimi ndërmjet partive kryesore është shumë i vogël, teksa shumë votues janë ende të pavendosur.
Armin Laschet është kandidati për kancelar i bllokut CSU/CSU. Ai u nominua për këtë post në janar, por që atëherë mbështetja ndaj tij ka rënë.
Ndërkaq, ndaj kandidatit të SPD-së, Olaf Scholz, që ka qenë ministër i Financave dhe zëvendës i Merkelit, është rritur mbështetja gjatë verës, kanë sugjeruar sondazhet.
Ai ka tentuar që ta portretizoi veten si “kandidat i vazhdimësisë” për ta zëvendësuar Merkelin në vend të Laschet.
Përderisa rezultati i zgjedhjeve është i paqartë, shumica e vëzhguesve presin që pas këtyre zgjedhjeve të formohet një koalicion ndërmjet tre partive, por ende është e paqartë se kush do të bëjë pjesë në qeverisjen e re.
Scholz ka thënë se ai në qeverinë e tij e do partinë e Gjelbër, por ai po ashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë që në ekzekutiv të bëjë pjesë edhe Die Linke (Partia e Majtë), nëse kjo parti e ekstremit të majtë kalon pragun prej 5 për qind dhe hyn në parlament.
Mundësia që Die Linke të hyjë në qeveri ka bërë që Laschet të paralajmëroi vazhdimisht gjermanët se shteti do të zhvendosej fuqishëm në të majtë nëse votuesit mbështesin SPD-në.
“Nëse dëshironi stabilitet në Gjermani CDU/CSU duhet të dalë e para nesër”, tha Laschet gjatë mbylljes së fushatës në Aachen më 25 shtator, ku ishte e pranishme edhe Merkel.
Merkel e përshkroi Laschetin si person që ndërton ura dhe që ka bërë shumë për të ndërtuar unitetin evropian.
Një koalicion tjetër i mundshëm është vazhdimi i koalicionit aktual CDU/CSU-SPD, ku ndoshta do të bënin pjesë edhe të Gjelbrit apo Demokratët e Lirë (FDP).
Megjithatë, për vite me radhë ka pasur pakënaqësi në mesin e krahut të të rinjve të majtë të SPD-së lidhur me partneritetin me konservatorët.
Të Gjelbrit, që aktualisht, sipas sondazheve janë partia e tretë, për kandidate për kancelare kanë Annalena Baerbock. Kjo parti pritet që ta rrisë numrin e ulëseve në parlament dhe të hyjë në qeveri për herë të parë.
Nëse fiton SPD, kjo parti mund të formojë koalicion me të Gjelbrit dhe FDP-në, që sipas sondazheve kanë 11 për qind, edhe pse analistët thonë se dallimet e mëdha ideologjike do ta bënin të vështirë arritjen e një koalicioni të tillë.
Alternativa për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë, nuk është përfshirë në asnjë opsion të koalicioneve, pavarësisht se sondazhet thonë se ka 11 për qind. Kjo për faktin se çdo parti ka refuzuar që të punojë me ta.
Zgjedhjet në Gjermani janë dominuar nga çështjet për ndryshimet klimatike, pensionet, taksat, rroga minimale, kujdesi shëndetësor, edukimi, migrimi dhe digjitalizimi.
Komentet