Rusia është duke kryer shantazhe dhe po negocion shuma të mëdha parash për të angazhuar gjermanë për të spiunuar për të, pas goditjes që u është bërë shërbimeve të saj të inteligjencës, si pasojë e dëbimit të rreth 600 diplomatëve rusë në Evropë, kanë thënë shërbimet gjermane të sigurisë.
Zyra Federale për Mbrojtje të Kushtetutës në Gjermani, ka thënë se shërbimet ruse të inteligjencës janë duke shpenzuar shumë të mëdha parash për të rekrutuar agjentë në Gjermani, pavarësisht tentimeve të Perëndimit për t’i kufizuar operacionet e tyre, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
“Rusia është duke punuar shumë për të kompensuar zvogëlimin e numrit të agjentëve rusë në Gjemani”, ka thënë shefi i Zyrës Federale për Mbrojtje të Kushteutës, Thomas Haldenwang.
Dy shtetasit gjermanë, të cilët janë akuzuar gushtin e vitit të kaluar për tradhti të lartë, pasi kanë spiunuar për Rusinë, janë paguar secili rreth 400.000 euro për shërbimet e tyre, ka thënë Haldenwang.
“Këto shuma për agjentët tregojnë se shërbimet ruse vazhdojnë të kenë burime të jashtëzakonshme të të hyrave, përmes së cilave i përmbushin synimet e inteligjencës”, është thënë në raport.
Sipas autoriteteve, personat që kanë qenë më së shumti në rrezik të shënjestrimit prej shërbimeve ruse të sigurisë kanë qenë gjermanët që kanë jetuar në Rusi, ose kanë udhëtuar shpesh atje, përfshirë diplomatët gjermanë, të cilët do të mund të ishin pre e lehtë e tentimeve për shantazh.
“Në momentin që ekziston informacion komprometues për shënjestrat e tyre, shërbimet nuk turpërohen që të përdorin teknika agresive të rekrutimit”, kanë thënë autoritetet gjermane.
Më herët gjatë këtij muaji, NATO-ja i ka ripërsëritur shqetësimet për spiunazhin rus dhe ka bërë thirrje për masa më të ashpra ndaj atyre që i ka konsideruar aktivitete armiqësore, përfshirë aktet e sabotazhit dhe sulmet kibernetike.
Gjermania është njëra prej 32 vendeve anëtare të NATO-s. REL