Pra, të gjithë flasin për Model Deutschland: për një Gjermani model i shtetit social, prosperitetit ekonomik dhe stabilitetit politik. Pikat e forta? Ekonomia sociale e tregut dhe Sozialpartnerschaft (partneriteti social dhe fuqia bashkë-vendimarrëse e sindikatës në kompani), federalizmi social, ndarja e pushteteve, e zbatuar rigorozisht dhe mbrojtur me xhelozi. Një parlament i formuar nga parti të përgjegjshme dhe një Gjykatë Kushtetuese e respektuar unanimisht, garanci e mbrojtjes së drejtësisë nga pushteti politik.
Gjermania është kryqi i historisë moderne europiane: një mister, një enigmë, një sfinks politik. Prej më shumë se një shekulli e gjysmë, përreth saj mbështillen pikëpyetje, dyshime. Pra, para se të jetë “über alles”, ky vend është për popujt e tjerë të Kontinentit të Vjetër, një dyshim i përjetshëm. Kështu është edhe sot, siç u vu re edhe gjatë ditëve plot konvulsione të krizës greke: “Gjermania që kish gënjyer veten, se kish bërë paqe me vetveten dhe me botën”, u gjend sërish, 25 vjet pas ribashkimit, në bankën e të akuzuarve. Dhe Europa, pre e një sindrome shqetësuese antigjermane. Një ankth i përhapur trazon opinionin publik: se mos Gjermania përpiqet të transformojë një fiksim historik për rreptësinë financiare dhe stabilitetin monetar, në konstitucion të zonës së euros, për t’i imponuar vendeve të tjerë vizionin e saj të ekonomisë dhe të shoqërisë. Gjermania do të mbante një monedhë të përbashkët, sipas modelit të saj: me qëllimin që të siguronte një avantazh të dukshëm financiar dhe një instrument shantazhi politik. Por, ka nga ata që mbështesin tezën e kundërt. Në pikëpyetje nuk është më Euro, por qëllimi i kultivuar fshehtësisht, i braktisjes së monedhës së përbashkët, për t’u rikthyer tek marka, monedha shumë e dashur e gjermanëve.
Kjo qasje kontradiktore konfirmon që europianët nuk dinë të vendosin, nëse kanë frikë nga dominimi gjerman, apo kanë frikë se mos Gjermania i braktis. Pastaj, kur një krizë trondit ekuilibrat europianë, historianë dhe politologë, në mënyrë alarmante, shpallin rrezikun e rikthimit të Deutsche Frage – çështjes gjermane: Një Gjermani që rikthehet “fuqi qendrore”, si në kohët e Bismarkut. Sipas një bindjeje shumë të përhapur, Gjermania nuk e do Europën, sepse shpirti dhe ekonomia e saj shohin nga Lindja: Më shumë nga Moska, se sa nga Parisi.
E megjithatë, është pikërisht kjo Gjermani kaq shumë e kritikuar, që vetëm deri disa javë më parë, ishte vendi më “cool” i Europës. Madje, edhe anglezët e mendonin kështu. Prova? Vendimi i British Museum për t’i dedikuar “Gjermanisë së re” një ekspozitë. Si dhe një investigim i BBC, i kryer në 25 shtete, sipas të cilit Gjermania është më e preferueshme për të jetuar dhe punuar, në krahasim me Kanadanë, Francën dhe vetë Anglinë. Pra, të gjithë flasin për Model Deutschland: për një Gjermani model i shtetit social, prosperitetit ekonomik dhe stabilitetit politik. Pikat e forta? Ekonomia sociale e tregut dhe Sozialpartnerschaft (partneriteti social dhe fuqia bashkë-vendimarrëse e sindikatës në kompani), federalizmi social, ndarja e pushteteve, e zbatuar rigorozisht dhe mbrojtur me xhelozi. Një parlament i formuar nga parti të përgjegjshme dhe një Gjykatë Kushtetuese e respektuar unanimisht, garanci e mbrojtjes së drejtësisë nga pushteti politik.
Gjermania ka sot (në fund të fundit ashtu si në Tetëqindën) numrin më të madh të teatrove në Europë, por edhe sistemin më të mirë arsimor të Kontinentit të Vjetër. Një jetë kulturore shumë të gjallërishme si dhe disa prej universiteteve më të mirë europianë. Një vend tejet tolerant dhe i hapur, mund të lëvdohet me integrimin e arrirë të imigrantëve të ardhur nga dhjetëra vende të botës. Vendi që dikur ishte kapur fort pas idesë etnocentike të nënshtetësisë (jus sanguinis), është sot një vend ku je nënshtetas nëse lind (ius soli). Si është e mundur që të rinjtë e vendeve të jugut të Europës dhe imigrantët e jugut të Mesdheut, ëndërrojnë Gjermaninë, ndërkohë që vetë ky vend është në mesin e një polemike shumë të dhunshme, dhe është vënë nën akuzë nga mediat e gjysmës së Europës?
Shpjegimi i parë tingëllon vërtetë paradoksal: europianët nuk e njohin aspak, ose e njohin në mënyrë shumë sipërfaqësore Gjermaninë. Arsyeja? Vështirësia e madhe e gjuhës gjermane. Bota, ka komentuar Financial Times, i sheh Gjermaninë dhe gjermanët “si do vetë”, dhe jo ashtu si janë. Nuk di atë që vërtetë mendojnë, thonë, diskutojnë sot gjermanët. Pra, në zemër të Europës ka një lloj “vrime të zezë” komunikuese, e cila është në origjinë të një keqkuptimi sistematik, i cili ka provokuar dhe provokon ekuivokë të shumtë. Jo vetëm semantikë dhe kulturorë, por edhe politikë. Një shembull? Të gjithë flasin për kursimin gjerman: por në gjuhën gjermane, kjo fjalë (austerity) nuk ekziston. Termi është importuar nga bota anglo-saksone, në vijim të polemikave mbi “teologjinë ekonomike” konservatore, ose e gjykuar si e tillë, nga Gjermania.
Kush e di se sa janë të vetëdijshëm që antikeinesianizmi i Schäubles, i vënë aq shumë në lojë nga Paul Krugman, e ka pikën e referimit teorik tek ajo shkollë “liberale”, e cila ka qenë një prej momenteve më zbulues të reflektimit gjerman, mbi shkaqet e katastrofës së viteve Tridhjetë? Thuhet se gjermanët janë të paaftë “të bëjnë politikë”, duke u kufizuar në një këmbëngulje të përpiktë tek respektimi i rregullave dhe parimeve të të drejtës. Eshtë e vërtetë: në Berlin sot janë kaq të vendosur, pikërisht sepse e dinë se në cilët rezultate të tmerrshëm ka çuar i ashtuquajturi primat i politikës mbi të drejtën. Askush nuk e ka harruar në Gjermani artikullin famëkeq, të shkruajtur në vitin 1934 nga Carl Schmitti, pas “natës së thikave të gjata”, me titull: “Fyhreri mbron të drejtën”. Në mos e drejta dhe respektimi i marrëveshjeve, çfarë do i mbajë në këmbë dhe do i bëjë të funksionojnë traktatet ndërkombëtare?
Pra, sot është legjitime të thuash se ekziston një “çështje gjermane”, por në një kuptim tërësisht të ndryshëm nga ai që ka patur historikisht kjo shprehje. Qoftë edhe për arsyen e thjeshtë, që historia nuk përsëritet kurrë. Dhe ajo që paraqitet politikisht si “rikthimi i identikut” (fytyra e Merkelit me mustaqet e Hitlerit), në realitet është vetëm një dredhi, për të shmangur, siç do të kish thënë Hegeli, “lodhjen nga koncepti”, pra bërja e hesapeve me realitetin.
Por arsyeja e vërtetë është një tjetër. Në fakt, ka një mospërputhje në diskursin europeist, që rrezikon të rezultojë fatale: Gustav Seibt ka shkruajtur se “në Gjermani flitet për Europën. Në vendet e tjerë diskutohet për Gjermaninë”. Ky është sot problemi. Por duhet që edhe europianët të vetëdijësohen se nuk ekziston vetëm Europa, pa dhe kundër Gjermanisë: vërtetë i mendojmë si të mundshme aleancat joreale mesdhetare antigjermane? Apo, a është e mundur të kundërvëmë “shpirtin jugor, me shpirtin protestant të kapitalizmit”, që europeizmi ka ëndërruar t’i bëjë të dialogojnë? Gjermania, të paktën pjesa më e madhe e klasës së saj drejtuese, e di që nuk ka të ardhme pa, dhe kundër Europës. Për këtë arsye, nuk ka më kuptim që të vazhdojmë të vëmë përballë, siç bënte Thomas Manni pas Luftës së Dytë, një Europë gjermanike dhe një Gjermani europiane. Madje, nëse shohim me vëmendje atë që ndodh në vendet europianë (Francë dhe Itali të parët), duhet në fakt të shqetësohemi që në të ardhmen të shohim një përmbysje paradoksale të roleve: një Europë me në qendër të saj një Gjermani europeiste, dhe pikërisht për këtë arsye, të rrethuar nga një ndjenjë armiqësie dhe mosbesimi të vendeve të tjerë./La Repubblica – Bota.al
Komentet