Kriza më e fundit e emigracionit e Europës duket se është qetësuar, të paktën përkohësisht sot, pasi Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do të zhvillonte bisedime me vendet fqinjë për çështje të imigracionit, pasi u përball me pengesa nga aleatët e saj politikë për praktikën e saj të dyerve të hapura për refugjatët. Elementët konservatorë i dhanë asaj dy javë afat që t’i forcojë rregullat për azilkërkuesit.
Merkel tha se ajo nuk do që Gjemania t’i kthejë në mënyrë të njëanshme imigrantët në kufi, por Ministri i Brendshëm Horst Seehofer ka mbështetur politikat për ndalimin e emigrantëve, duke e sfiduar zonjën Merkel. Ky qëndrim i tij mund të rrezikjë një aleancë thuajse 70-vjeçare mes dy partive konservatore të Gjermanisë.
Zonja Merkel tha se kthimi në mënyrë të pajustifikueshme i imigrantëve në kufirin gjerman mund të ketë një efekt domino në vende të tjera europiane.
Ajo pranoi një ofertë nga Bashkimi Kristian Social i Konservatorëve (CSU), të zotit Seehofer, për ta shtyrë deri në në korrik ndalimin e hyrjes së imigrantëve në kufirin gjerman, të cilët janë regjistruar më parë në vende të tjera të BE.
Në vitin 2015, Merkel tha se Gjermania ishte e hapur për njerëzit që iknin nga luftërat dhe kërkonin jetë më të mirë.Që atëherë, një milion azilkërkues janë pranuar në Gjermani.
BE po përpiqet të ndalë fluksin masiv të refugjatëve që kërkojnë jetë më të mirë.
Situata migruese e Evropës tërhoqi vëmendjen në mbarë botën javën e shkuar kur Italia dhe Malta refuzuan të lejonin një anije me qindra emigrantë të hynte në portet italiane
Spanja ndërhyri dhe i pranoi emigrantët.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez tha: “Është detyra jonë për të ndihmuar në shmangien e një katastrofe humanitare dhe të ofrojmë një port të sigurt për këta njerëz për të përmbushur detyrimet tona për të drejtat e njeriut”.
Komentet