Përmes procesit të jashtëzakonshëm, që ka parë thuajse një milionë refugjatë të mbërrijnë sivjet në Gjermani, kancelarja Angela Merkel ka patur një refren konstant: “Wir schaffen das” — “Ne mund t’ia dalim.” Aksioni në fjalë është akti më i jashtëzakonshëm shpëtimi i ndërmarrë nga ndonjë vend evropian gjatë viteve të fundit.
Gjermanët në tërësi e kanë kuptuar. Ata e kanë kuptuar se të lësh Sirinë përmes pikave të kontrollit të Shtetit Islamik, ta vendosësh familjen në gomone në ujërat e trazuar dhe të endesh nëpër Europë në kërkim të një shtëpie nuk është një vendim i dëshpëruar. Ky është një vendim i arsyeshëm nëse alternativa është t’i shohësh fëmijët e tu që të hidhen në erë nga një bombë thërrmuese ose vajzën tënde të përdhunohet nga xhihadistët. Gjermanët e pas-luftës janë njerëz të arsyeshëm.
Shtetet e Bashkuara duhet të kishin pritur 4 milionë refugjatë sivjet për të qenë në proporcion me popullsinë e tyre.
Shumica e refugjatëve në Gjermani janë nga Siria. Shtetet e Bashkuara kanë pranuar rreth 1,900 refugjatë nga Siria gjatë katër viteve të fundit. Po, e lexuat mirë. Presidenti Obama është angazhuar tani që të marrë 10,000 refugjatë sirianë, një vendim i cili është ndeshur me kundërshtitë e shumicës së guvernatorëve republikanë të cilët nuk kanë ngurruar t’i lidhin fjalët “Mysliman” dhe “Lindje e Mesme” me atë terrorist.
Ku ka përfunduar “shtëpia e guximtarëve”?
Po të merret si e mirëqenë se kriza siriane nuk mund të veçohet nga pasojat e luftës së Irakut, atëherë përgjegjësia direkte e Amerikës do të ishte e qartë. Të lëmë mënjanë faktin se Obama më 2011-n tha se presidenti Bashar al-Assad duhet të largohet, dhe përgjegjësia e Amerikës është e qartë. Të lëmë mënjanë “vijën e kuqe” të Presidentit që nuk u zbatua më 2013. Edhe në atë rast, përgjigja amerikane ndaj krizës siriane ka lënë për të dëshiruar.
Gjermania ndërhyri. Wir schaffen das — ne mund t’ia dalim. Fryma e “can-do-it” ka bërë një udhëtim trans-atlantik.
Vendi i Merkelit në librat e historisë është garantuar që tani. Ajo ka qenë gruaja që ka udhëhequr për një dekadë një Gjermani të Bashkuar të sigurtë në vetvete, kur vendi, në fillimin e shekullit të ri ishte ende i pasigurt nëse mund t’i lejonte vetes ndonjë thërrime lavdie. Por me vendimin e saj të sivjetëm për të pranuar refugjatë sirianë dhe të tjerë, ajo është kthyer në një figurë vigane evropiane, me siguri e barabartë me gjigandët e tjerë gjermanë të pas luftës si Konrad Adenauer, Helmut Schmidt dhe Helmut Kohl, ndoshta edhe duke i parakaluar ata sepse Gjermania e saj është vetë krijesa e saj ndërsa Gjermania e tyre ishte ende nën nivele të caktuara mbikëqyrjeje amerikane.
“Ajo nuk dëshiron të jetë — refuzon të jetë — personi që do të rrijë duke vëzhguar një frakturë serioze të Bashkimit Europian,”, më tha Julian Reichelt, kryeredaktori i Bild Online. “Ajo do të hedhë para për këtë problem, si me Greqinë. Do të pranojë një numër të pakufizuar të refugjatëve. Dhe do të hyjë në histori si një evropiane e madhe që e mbrojti bashkimin me çdo kusht”.
Kur Merkeli vendosi në verë që t’i pranonte refugjatët, ajo e shmangu dhunën që mund të kishte dalë jashtë kontrollit. Kritikët brenda vetë partisë së saj Kristiano-Demokrate e cilësojnë atë si emocionale. Por si një udhëheqëse e angazhuar në ruajtjen e idesë Europiane, vendimi i saj ishte racional.
E rritur në Gjermaninë Lindore, ajo sakrifikoi lirinë e saj që Europa të qëndrojë e bashkuar. Është çështje personale. Hera e fundit që Europa u dynd nga miliona refugjatë ishte më 1945 pas rënies së Rajhut të Tretë. Është çështje historie. Gjermania nuk mund të kthejë shpinën. Megjithatë vendimi lypste burrështetësi – një fjalë thuajse e harruar – dhe bindjen se çdo rrezik terrorizmi mund të menaxhohet.
Një milionë refugjatët e ndryshuan panoramën. Ata janë nëpër supermarkete. Ata janë nëpër spitale. Ata janë nëpër shkolla. Gjermanët janë treguar mikpritës, pavarësisht kostot së lartë. Ndonjë parti e ekstremit të djathtë mund të përfitojë, por konsensusi është që diçka e tillë të bëhet.
Për pasojë, në brezin e ardhshëm, Gjermania do të bëhet një vend më i fortë, me më tepër gjallëri, më dinamik dhe i hapur. Abdulfattah Jandali, një emigrant sirian që njihet si John, ka qenë babai biologjik i Steve Jobs. Ndoshta një Jobs siriano-gjerman sapo ka hyrë në shkollë.
Gjermania i ka turpëruar partnerët e saj europianë, përfshi Britaninë. Duhet një program evropian për refugjatët. Gjermania nuk mund të marrë edhe 1 milionë të tjerë në 2016-n. “Nuk ka një plan real që të përfitohet kohë për ta marrë edhe pjesën tjetër të Europës në bord”, tha Reichelt.
Në një vit të zymtë, Merkeli e ka ndrequr Europën që dikur i mbylli kufijtë e saj për hebrenjtë që largoheshin nga Gjermania. Kur Kohli përbashkues foli për një “panoramë të lulëzuar” në ish Gjermaninë Lindore, ai u përqesh. Por ja që ashtu ndodhi. Gjermania mund t’ia dalë mbanë. Sa për Amerikën e “can’t-do it”, kjo është punë tjetër. Frika dhe politikat zgjedhore përbëjnë një përzierje eksplozive.
Komentet