Në garë kundër koronavirusit, Gjermania duket se varet nga rritja e numrit të testimeve dhe ashpërsimit të masave të karantinës për të thyer zinxhirin e infektimit, një strategji e huazuar nga Koreja Jugore, suksesin e së cilës kundër pandemisë, është duke e pasur zili e gjithë bota.
Aktualisht, Gjermania është duke kryer testime për koronavirus më shumë se secili vend tjetër evropian, me një shkallë prej 300 000 deri në 500 000 brenda një jave, kanë thënë zyrtarët.
Mirëpo, qeveria e kancelares gjermane, Angela Merkel synon të arrijë shifrën e të paktën 200 000 testimeve në ditë, kanë raportuar mediat gjermane, duke u bazuar në një dokument të Ministrisë së Brendshme.
Synimi është vënë në të testuarit e të dyshuarve me koronavirus, si dhe të të gjithë rrethit të personave që kanë qenë në kontakt me rastet e konfirmuara.
Aktualisht kriteret e testimit janë fokusuar në persona që kanë simptoma të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, apo në persona që kanë qenë në kontakt me rastet e konfirmuara.
Sipas dokumentit, ideja e strategjisë së re është kalimi nga testimet “që konfirmojnë situatën” në testimet “që shkojnë përtej”.
Një armë e fuqishme në këtë betejë do të ishte përdorimi i lokacionit përmes telefonave të mençur, ashtu që të vëzhgohen lëvizjet e pacientëve dhe potencialisht që të izolohen të njëjtit.
Vëzhgimi përmes telefonave
Ndonëse zyrtarë qeveritarë dhe epidemiologë kanë përkrahur idenë e vëzhgimit përmes telefonit, kjo ide vazhdon të jetë kontroverse për mendësinë që ekziston rreth privatësisë në Gjermani, një komb që ka në të kaluarën epokën naziste dhe policinë sekrete të periudhës komuniste.
Megjithatë planet e propozuara të Gjermanisë për strategjinë, “ndjekje, testim dhe trajtim” duket se kanë qenë të suksesshme për Korenë Jugore, e cila ka arritur të kontrollojë shpërthimin. Aty janë përfshirë kontrollet masive për pacientët potencialë si dhe është shfrytëzuar teknologji e madhe për të monitoruar pacientët.
Pavarësisht pse Gjermania dhe Koreja Jugore janë dy shtete të ndryshme, strategjia e kombit aziatik ndaj virusit “mund të jetë shembull”, ka thënë udhëheqësi i Institutit Robert Koch në Gjermani, Lothat Wieler.
“Pika kyçe qëndron në vëzhgimin e të dhënave përmes telefonit”, ka shtuar mes tjerash ai.
Në prag të stuhisë
Me një total prej 389 vdekjeve nga 52,000 raste të konfirmuara, Gjermania ka shkallë të mortalitetit vetëm 0.7 për qind – në krahasim me Italinë, 10 për qind dhe Spanjën tetë për qind.
Mirëpo ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka paralajmëruar se ky shtet mund të përballet me “stuhi” të rasteve të reja në javët në vijim.
Wieler ka paralajmëruar se skenat dramatike të spitaleve italiane mund të ndodhin edhe në Gjermani.
“Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë, që të kemi më shumë pacientë sesa ventilatorë”, ka thënë ai.
Me më shumë se 25,000 shtretër për kujdes intensiv, të pajisur me ventilatorë, Gjermania aktualisht është në pozicion më të mirë sesa shumë shtetet tjera, për t’u përballur me fluks të pacientëve.
Mirëpo si pasojë e mosfinancimit të duhur të sistemit shëndetësor në këtë shtet, Gjermania tani përballet me mungesë të stafit mjekësor.
“Në muajt e fundit, disa shtretër për kujdes intensiv është dashur të largohen për shkak të mungesës së stafit”, ka thënë Reinhard Busse, specialist për ekonomi shëndetësore, në Universitetin Teknik në Berlin.
Gjermania aktualisht ka rreth 17,000 pozita të lira për infermierë.
Si rezultat, shumë spitale kanë angazhuar mjekë të pensionuar apo studentë të mjekësisë për të qenë gati në rast të përshkallëzimit të situatës.
“Edhe para krizës me koronavirus, operacionet është dashur të anulohen për shkak të mungesës së stafit”, ka thënë Uwe Luebking, kryetar i politikave për tregun e punës në Asociacionin Gjerman të Komunave dhe Qyteteve, për agjencinë e lajmeve, AFP.
Ekspertët thonë se edhe pas sigurimit të personelit, infermierët duhet të kalojnë deri në katër orë në ditë duke rregulluar formularë, pasi Gjermania vazhdon të jetë mbrapa vendeve tjera në digjitalizim administrativ.
Për të përkeqësuar gjërat edhe më shumë, masat e kufizimit dhe kontrollet kufitare, mund të parandalojnë shkuarjen e punëtorëve të huaj në Gjermani.
Polonia duket të jetë prekur më së shumti nga kjo masë.
Komentet