VOAL

VOAL

Gjermania gati të presë pacientë italianë të prekur me COVID-19, shteti i parë në botë që e bën

March 23, 2020

Komentet

Mbi 10.000 emigrantë u mbytën këtë vit në tentim për të shkuar në Spanjë

Emigrantë në një varkë druri duke lundruar për në portin La Restinga në Ishujt Kanari, Spanjë, 9 gusht 2024.

 

Më shumë se 10.000 emigrantë humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në Spanjë përmes detit, sipas një raporti të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e imigrantëve.

Kjo shifër nënkupton se 30 imigrantë kanë vdekur mesatarisht çdo ditë në vitin 2024 në tentim për të shkuar në Spanjë përmes anijeve, tha grupi Caminando Fronteras.

Numri i të vdekurve u rrit për 58 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, thuhet në raport.

Dhjetëra mijëra imigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore më 2024 në drejtim të Ishujve Kanarie të Spanjës, të cilët ndodhen në afërsi të bregdetit afrikan, që është përdorur bujshëm si pikënisje drejt kontinentit të Evropës.

Caminando Fronteras tha se shumica e 10.457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë të ashtuquajturës rruga atlantike, e cila cilësohet si njëra prej më të rrezikshmeve në botë.

Kjo organizatë i mbledh shifrat nga familjet e imigrantëve dhe nga të dhënat zyrtare të atyre që shpëtohen.

Në mesin e të vdekurve ishin 1.538 fëmijë dhe 421 gra. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, sipas raportit.

Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” më 2024 të imigrantëve që nisen nga Mauritania, e cila është bërë pikënisja kryesore në rrugën drejt Ishujve Kanari.

Në shkurt, Spanja ia dha Mauritanisë 210 milionë euro për ta ndihmuar t’i luftojë trafikantët me imigrantë dhe të mos i lejojë anijet me imigrantë të nisen drejt ishujve të saj.

Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57.700 imigrantë mbërritën në Spanjë përmes anijes deri më 15 dhjetor këtë vit, që është një rritje prej rreth 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica e tyre erdhën përmes rrugës atlantike. REL

Rusia sulmon Ukrainë për Krishtlindje, Zelensky: Plan i mirëpërgatitur! Zgjedhje e ndërgjegjshme e Putinit

Ukrainasit u përballën me sulme të reja me dronë dhe raketa ruse në infrastrukturën energjetike në mbarë vendin në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjes.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkroi në Telegram se ky ka qenë një plan i mirëmenduar që të ndodhte pikërisht në këtë ditë.

“Çdo sulm masiv rus kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Është një zgjedhje e ndërgjegjshme jo vetëm e objektivave, por edhe e kohës dhe datës. Presidenti rus Vladimir Putin qëllimisht zgjodhi Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore? Më shumë se 70 raketa, duke përfshirë ato balistike, dhe më shumë se njëqind drone sulmuese. Objektivat janë sektori ynë energjetik”, shkruan ai.

Zelensky u shpreh se forcat mbrojtëse kanë arritur të rrëzojë më shumë se 50 prej raketave të nisura nga Rusia, ndërsa janë goditur dhe një pjesë e madhe e dronëve.

“Sipas të dhënave paraprake, mbrojtësit tanë arritën të rrëzonin më shumë se 50 raketa dhe një pjesë të konsiderueshme të dronëve. Për fat të keq, ka goditje. Deri tani, ka ndërprerje në disa rajone. Punëtorët e energjisë po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai.

Ky është viti i dytë në të cilin Ukraina do të festojë zyrtarisht Krishtlindjet më 25 dhjetor. Më parë, shumë ukrainas festonin Krishtlindjet në janar sipas kalendarit ortodoks, siç bëjnë ende pasuesit ortodoksë rusë.

“Për herë të dytë, ne festojmë Krishtlindjet në të njëjtën datë me një familje të madhe, një vend. Për herë të dytë në historinë moderne, Krishtlindjet bashkojnë të gjithë ukrainasit. Sot qëndrojmë krah për krah dhe nuk do të humbasim. Personalisht, nga larg, ose në zemrat tona, ukrainasit janë bashkë sot. Dhe për sa kohë që ne e bëjmë këtë, e keqja nuk ka asnjë shans”, shkroi Zelenskyy në Telegram të martën. bw

U shkrumbua nga zjarri i 2019- “Notre-Dame de Paris” pret meshën e parë të Krishtlindjeve

Për herë të parë që nga zjarri i vitit 2019, katedralja ”Notre-Dame de Paris” po feston sot sërish Krishtlindjet, me ceremonitë tradicionale të Lindjes së Krishtit, të cilat pritet të tërheqin mijëra besimtarë.

“Tani jemi kthyer në Notre-Dame, e cila sapo na është rikthyer për ta adhuruar dhe vizitorët po festojnë!”, tha kryepeshkopi i Parisit, Laurent Ulrich në një mesazh për Krishtlindje.

Ai nderoi talentet e restaurimit që lejuan që ”dhimbja e zjarrit dhe pesë vitet e ndarjes të fshiheshin për të lënë vetëm gëzimin e ribashkimit, gëzimin e të jetuarit përsëri së bashku këtë shtëpi të përbashkët, shtëpinë e Zotit”.

Katedralja u shkatërrua nga flakët më 15 prill 2019 dhe, që atëherë, nuk i kishte pritur më këto masa të Lindjes së Krishtit që festonin, për të krishterët, lindjen e Jezusit.

Kryepeshkopi i Parisit do të kryesojë sot meshën në orën 11:00.

Qasja në katedrale mbetet subjekt i një kufiri të rreptë prej 2 700 personash, ndërsa entuziazmi mbetet i fortë për hyrjen në këtë ndërtesë, të zmadhuar nga Victor Hugo dhe të festuar në filma, romane dhe muzikalë të ndryshëm.

Pas pesë vitesh punë kolosale, në një projekt që kushton afro 700 milionë euro, ”Notre-Dame de Paris” u rihap në fillim të dhjetorit, me një ceremoni në prani të disa personaliteteve, përfshirë presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump dhe liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

”Ky moment Krishtlindjesh është një moment për të shprehur dashurinë dhe bujarinë, por edhe shpresën që Zoti të mos na braktisë”, nënvizoi Laurent Ulrich në një intervistë radiofonike.

“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë dhe kompleksitetin në të cilin jetojmë”, shtoi ai.

Për katolikët, këto Krishtlindje shënojnë edhe fillimin e Jubileut, Viti i Shenjtë 2025 i Kishës Katolike, i cili u prezantua dje në mbrëmje nga papa Françesku. bw

Ministri gjerman i Mbrojtjes ngre alarmin: “Të përgatitemi për t’iu kundërvënë çdo sulmi hibrid nga Rusia”

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë të dielën se Gjermania duhet të jetë e përgatitur për t’iu kundërvënë çdo sulmi hibrid nga Rusia, që përfshin fushata të mediave sociale të dizajnuara për të ndihmuar partitë e ekstremit të djathtë dhe populiste.

“Putini po angazhohet në sulme hibride dhe Gjermania është veçanërisht në fokus”, ka thënë Pistorius për gazetat Funke Mediengruppe në komentet e publikuara të dielën, shkruajnë mediat e huaja.

“Ai na njeh mirë,…”, shtoi ministri i mbrojtjes, një socialdemokrat.

“Injorimi i këtij kërcënimi,… nuk do ta bëjë atë më të vogël, por më të madh”.

Ai theksoi se sulmet kanë të bëjnë me infrastrukturën e Gjermanisë, furnizimin me energji, aktivitetet në Detet e Veriut dhe Baltik, si dhe shkeljet e hapësirës ajrore.

Një pjesë e strategjisë së Putinit është të shqetësojë dhe përçajë shoqërinë tonë, paralajmëruar Pistorius.

Ndërsa kur u pyet nëse Gjermania është aty ku duhet të jetë ushtarakisht, Pistorius tha: “Ne jemi në një rrugë të mirë”.

Siç kujtojnë mediat, vetëm këtë vit janë nisur 97 projekte të mëdha me vlerë 58 miliardë euro (60.5 miliardë dollarë), duke tejkaluar rekordin e vitit të kaluar.

Por ai mendon se ka vend për përmirësim.

“Ne kemi transferuar shumë materiale në Ukrainë. Përveç kësaj, industria ka nevojë për kohë për të rritur kapacitetet e prodhimit për të prodhuar armë dhe municione”. bw

Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lindor të NATO-s

VOA Myroslava Gongadze

Shtetet e Bashkuara hapën zyrtarisht muajin e kaluar një bazë të përhershme ushtarake në Poloni, pjesë e sistemit të mbrojtjes nga raketat të NATO-s, mes tensioneve në rritje me Rusinë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadge, Ministri polak i mbrojtjes thotë se baza është gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit polako-amerikan.

Një bazë e re ushtarake e SHBA-së në Poloninë veriore po bëhet një pjesë kyçe e sistemit të NATO-s për mbrojtjen nga raketat, i njohur si Aegis Ashore. E vendosur në Redzikowo pranë Detit Baltik dhe pranë rajonit të Kaliningradit të Rusisë, baza është e pajisur me tre paisje, secila e aftë të mbajë tetë raketa interceptuese.

Ajo është krijuar për të mbrojtur aleancën e NATO-s dhe Evropën nga kërcënimet e mundshme me raketa balistike.

Kapiteni Michael Dwan, komandant i Task Forcës SIX FOUR të Marinës së SHBA, që fokusohet tek misionet e mbrojtjes nga raketat, shpjegon se raketahedhësit funksionojnë në mënyrë autonome, pa pasur nevojë për ndërhyrje manuale.

“Pasi diktohet një kërcënim, sistemi ynë e automatizon reagimin duke zgjedhur një nga raketat e disponueshme në cilindo nga tre raketahedhësit tanë për të përballuar atë kërcënim.”

Baza, së bashku me një objekt të ngjashëm në Rumani, destrojerët e marinës amerikane të stacionuar në portin spanjoll Rota dhe një radar i paralajmërimit të hershëm në Turqi, përbën një pjesë jetike të mbrojtjes nga raketat të NATO-s Aegis Ashore në Evropë, projektuar për t’u bërë ballë kërcënimeve të raketave balistike me rreze të mesme veprimi.

Sistemi e demonstroi kohët e fundit efektivitetin e tij në mbrojtjen e Izraelit, thotë komandanti i Aegis Ashore në Poloni, Matthew Plant.

“Sistemi Aegis dhe misioni i mbrojtjes nga raketat balistike u testuan në Detin Mesdhe në mbrojtje të Izraelit. Pra, ato sisteme e kaluan provën. Ishte një goditje iraniane kundër Izraelit”, thotë ai.

Në një qendër komandimi dhe kontrolli, personeli ushtarak amerikan monitoron gjatë gjithë kohës për çdo kërcënim të mundshëm. Misioni i tyre është të diktojnë dhe t’u përgjigjen sulmeve me raketa, duke përdorur të dhënat e radarit për të orientuar interceptorët për neutralizimin e raketave.

Zyrtarët theksojnë se baza është vetëm për mbrojtje.

“Nuk ka asnjë eksploziv apo mbushje për goditje në asnjë prej raketave tona këtu”, thotë Kapiteni Michael Dwan.

Kremlini reagoi ndaj hapjes së bazës amerikane në Redzikowo, duke thënë se Rusia do të merrte “masat e duhura për të siguruar të njëjtin nivel gatishmërie”.

Për Poloninë, një anëtar kyç i NATO-s në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, baza është një pjesë jetike e strategjisë së saj të mbrojtjes. Ministri polak i Mbrojtjes Wladysław Kosiniak-Kamysz e quan bazën një moment historik për parandalimin dhe mbrojtjen.

“Baza e Redzikowos nuk mund të evakuohet brenda disa orësh. Kjo mbron Evropën, por edhe SHBA-në dhe Kanadanë, të gjithë aleatët e NATO-s. Është një nga projektet kyçe dhe kundërshtimi i fortë i Rusisë, tregon se sa projekt i rëndësishëm është.”

Baza menaxhohet nën Komandën Ajrore të Aleatëve të NATO-s në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, e cila mbikëqyr komandën dhe kontrollin e sistemeve të mbrojtjes së bllokut nga raketat balistike.

Reagime në Gjermani pasi Elon Musku shpreh mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë AfD

VOA Henry Ridgwell

Elon Musk, aleati miliarder i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shprehu vlerësimin për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë. Komentet e tij vijnë para zgjedhjeve në vendin evropian në fillim të vitit të ardhshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, partia gjermane AfD dëshiron t’i japë fund mbështetjes perëndimore për Ukrainën në luftën e saj kundër agresorit rus.

Sondazhet në Gjermani tregojnë se partia Alternativa për Gjermaninë radhitet në vend të dytë në prag të zgjedhjeve të 23 shkurtit. Kjo forcë politike dëshiron të dalë nga Bashkimi Evropian dhe t’i japë fund mbështetjes për Ukrainën.

Hetuesit federalë e kanë etiketuar atë si një organizatë të dyshuar të së djathtës ekstreme, çka hidhet poshtë nga AfD-ja.

Të premten, miliarderi amerikan Elon Musk dhe aleat i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shkroi në rrjetin X se: “vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Udhëheqësja e AfD-së, Alice Weidel, reagoi.

“I dashur Elon. Faleminderit shumë për komentin tuaj. Alternativa për Gjermaninë, AfD, është me të vërtetë alternativa e vetme për vendin tonë – alternativa jonë e fundit, nëse më pyet mua”.

Komentet e zotit Musk vijnë disa ditë pasi ai u takua me ligjvënësin britanik, Nigel Farage, për të diskutuar mbështetjen financiare për partinë populiste të politikanit anglez.

Disa ligjvënës gjermanë e kritikuan shprehjen e mbështetjes së miliarderit amerikan për AfD-në. Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha të premten se shprehja e opinioneve është pjesë e demokracisë.

“Liria e fjalës vlen edhe për multi-miliarderët. Liria e fjalës të mundëson gjithashtu që të thuash gjëra që nuk janë të drejta dhe që nuk përmbajnë këshilla të mira politike”, tha zoti Scholz.

Partitë kryesore gjermane e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me AfD-në. Por partia e ekstremit të djathtë e ka ndryshuar debatin për Ukrainën, thotë analist Mattia Nelles.

“Në kuptimin që partitë kryesore janë më pak të gatshme ose në gjendje që të flasin në favor të më shumë ndihmave për Ukrainën, duke qenë se AfD po bën fushatë kundër”.

Gjermania i ka dhënë Ukrainës armatime që kapin vlerën e rreth 11 miliardë dollarëve që nga fillimi i agresionit rus në vitin 2022. Trysnia ekonomike ka bërë që shpenzimet qeveritare të jenë një pikë e rëndësishme e fushatave elektorale.

Partia Social Demokrate e Kancelarit Scholz kërkon të rrisë tavanin e borxheve qeveritare, pjesërisht për të financuar ndihmat për Ukrainën.

Kristian Demokratët nën udhëheqjen e zotit Friedrich Merz, të cilët kryesojnë anketat, janë kundër huamarrjes së qeverisë.

“Nuk do ta përqendroj politikën ekonomike të vendit tonë tek borxhi i ri, taksat e larta dhe më shumë rishpërndarje”.

Në Evropë ekziston frika se Presidenti i zgjedhur Trump do t’i japë fund mbështetjes amerikane për Kievin.

“Duke patur parasysh rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të duhet një udhëheqje dhe financa më të fuqishme nga Gjermania. Pa marrë borxhe, druhem se kjo nuk do të jetë e mundur”.

Zoti Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Ndërsa buxheti i qeverisë ndodhet nën trysni, analistët thonë se udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë do të përballet me sfida të vështira si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

‘Ju garantoj 100 përqind se hakmarrja ndaj Gjermanisë do të vijë së shpejti’

Nga Laura Meinfelder, BILD

Këto fjali shqetësuese, shoferi i vdekjes së Magdeburgut, Taleb A., i shpërndau në internet. Ai kërcënoi hapur me dhunë. Shumë herë. A e shpalli atentatori aktin e tij të tmerrshëm? A duhej ta dinin ata që e rrethonin dhe autoritetet se çfarë po bënte?

Mjeku që vrau katër persona dhe plagosi shumë të tjerë me një BMË të premten në mbrëmje, ndau qindra postime të çuditshme në llogarinë e tij në X.

Ai pretendoi se kishte një komplot nga autoritetet gjermane kundër refugjatëve sauditë. Flitet edhe për operacione sekrete. Kryesisht ka të bëjë me urrejtjen kundër Islamit. Dhe hakmarrje për faktin se Gjermania, siç pretendonte ai, donte të islamizonte Evropën.

Më 13 gusht, ai postoi në arabisht: “Ju siguroj: Nëse Gjermania dëshiron luftë, do ta ketë atë. Nëse Gjermania dëshiron të na vrasë, ne do t’i therim ata, do të vdesim ose do të shkojmë me krenari në burg”.

Aty vazhdon: “Për shkak se i kemi shteruar të gjitha mjetet paqësore, kemi hasur vetëm në krime të tjera nga policia, sigurimi i shtetit, prokuroria publike, gjyqësori dhe Ministria e Brendshme. Paqja nuk u sjell dobi atyre”.

Në maj, ai postoi se priste të vdiste këtë vit. Më tej ai pretendon se autoritetet gjermane janë të korruptuara. “Do të kërkoj drejtësi me çdo kusht”, shkroi ai.

Në postimet e mëtejshme ai foli për hakmarrje.

“Ju siguroj, 100 për qind, hakmarrja do të vijë së shpejti. Edhe nëse më kushton jetën”.

“Gjermania do të duhet të paguajë çmimin. Një çmim i madh.” Postimi është fshirë që atëherë.

Një burim i brendshëm nga Arabia Saudite pretendon, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, se mbretëria paralajmëroi autoritetet gjermane për sulmuesin dhe pikëpamjet e tij ekstremiste.

Taleb A. është shfaqur vazhdimisht në media vitet e fundit. Sipas deklaratave të tij, ai u përpoq të ndihmonte gratë në Arabinë Saudite të arratiseshin. Në një intervistë me FAZ në vitin 2019, ai tha se e urrente Islamin dhe kishte humbur miqtë dhe familjen për shkak të tij.

“Kur isha jashtë me të njohur të largët ose me të huaj, gjithmonë shkoja në lutje dhe pretendoja se isha ende mysliman,” tha Taleb A. për FAZ.

Por pasi kërkesa e tij për azil u miratua në vitin 2016, ai e bëri publike heqjen dorë. Taleb A.: “Familja ime më urren sot vetëm sepse nuk mund ta besoj se një hajduti duhet t’i pritet dora.”

Në Gjermani, gjithashtu, ai u ndje i refuzuar nga të njohurit dhe kolegët e punës: “Myslimanët këtu i trajtojnë njerëzit si unë, të cilët kanë prejardhje islame, por nuk janë më fetarë, pa mirëkuptim dhe tolerancë”.

Sa i izoluar ishte ai? Edhe atëherë ai tha: “Do t’i humbasim miqtë tanë nëse u themi se kemi lënë Islamin”.

Edhe azilkërkuesit, me të cilët vinte në kontakt përmes punës së tij si mjek, e konsideronin atë një person të keq për shkak të mungesës së besimit të tij. sn

Arabia Saudite e kishte paralajmëruar tri herë Gjermaninë për autorin e sulmit

Revista gjermane Spiegel raporton se Arabia Saudite e kishte paralajmëruar tre herë Gjermaninë për autorin e sulmit të mbrëmshëm në Magdeburg.

Sipas kësaj reviste, paralajmërimet janë bërë në një të kaluar jo shumë të largët.

Se çfarë përmbajtje specifike kanë pasur këto paralajmërime, kjo nuk dihet.

Edhe më herët, agjencia Reuters kishte raportuar se ka pasur një paralajmërim nga Arabia Saudite.

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën pasi një mjek me origjinë nga Arabia Saudite u fut me makinën e tij me shpejtësi në një treg Krishtlindjesh.

Mbi 200 persona janë plagosur, ndërsa autori 50-vjeçar thuhet se ka vepruar vetëm.

Ai është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. sn

Profil- Psikiatër, ateist, urrente islamin, kush është autori i sulmit terrorist në Gjermani?

Psikiatër, ateist, urrente islamin, lindur në Arabinë Saudite, mendonte të shpëtonte Gjermaninë nga islamizimi…ja makina që kreu sulmin -kush është i dyshuari për sulmin në tregun e krishtlindjeve dje në Magdeburg?

Sioas informacioneve të para, Taleb A. , i dyshuari i arrestuar për sulmin në Magdeburg ishte mjek 50-vjeçar i psikiatrisë dhe psikoterapisë në Bernburg. I lindur në Arabinë Saudite, qytetin Hufuf, erdhi në vitin 2006 në Gjermani për shkollim. Në vitin 2016 iu njoh azili politik  Ai ka qenë prej vitesh aktivist, me një faqe interneti ku ofronte informacione për azilin në Gjermani dhe këshillonte gratë nga Arabia Saudite, si të largoheshin nga vendi.

Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e quante veten “kritikun më agresiv të islamit në histori”. I dyshuari shprehte simpati për partinë, AfD në Gjermani, që në pjesë të saj është e provuar si ekstremiste e djathtë. Taleb A. ëndërronte për një projekt të përbashkët me AfD, të ngrinte një akademi për ish-myslimanët, dhe shkruante në platformën X: “Kush tjetër e lufton islamin në Gjermani?”. Po në platformën X ai shkruante se “Gjermania do të islamizojë Europën”. Në një intervistë para 8 ditësh në një blog amerikan armiqësor ndaj islamit, ai ka përhapur teza konspirative. Shteti gjerman po zhvillon një “operacion të fshehtë sekret” për të përndjekur ish-myslimanët sauditë dhe për të shkatërruar jetën e tyre. Në të njëjtën kohë xhihadistët sirianë kanë marrë azil në Gjermani, sipas Taleb A. Nuk ka qenë i njohur për autoritetet si ekstremist./DW/

Gjermani, të paktën 2 të vdekur, dhjetëra të plagosur në tregun e Krishtlindjes, makina godet kalimtarët

VOA Marrë nga Associated Press

Dy persona humbën jetën dhe të paktën 60 të tjerë u plagosën kur një automjet u përplas me turmën e kalimtarëve të mbledhur në një treg Krishtlindjeje në qytetin lindor gjerman Madgeburg, në një akt që autoritetet dyshojnë se ishte një sulm i qëllimshëm.

Shoferi i makinës u arrestua pak pasi makina hyri mes njerëzve të shumtë që ndodheshin në treg për të blerë dhe festuar në fillim të fundjavës rreth orës 19:00.

I dyshuari është një mjek saudit 50-vjeçar që ishte vendosur në Gjermani në vitin 2006, tha në një konferencë shtypi ministrja e brendshme e rajonit Saksoni-Anhalt, Tamara Zieschang.

“Nga informacioni që kemi deri tani, ai është i vetmi autor, kështu që me sa dimë nuk ka asnjë rrezik të mëtejshëm për qytetin,” u tha gazetarëve guvernatori i Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff.

Pesëmbëdhjetë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, sipas zyrtarëve qeveritarë dhe faqes së internetit të bashkisë së qytetit.

Zoti Haseloff tha se dy personat që u konfirmuan se kishin vdekur ishin një i rritur dhe një fëmijë i vogl, por shtoi se nuk mund të përjashtonte mundësinë e vdekjeve të tjera.

“Por ky është spekulim tani. Çdo jetë njerëzore që u bë viktimë e këtij sulmi është një tragjedi e tmerrshme”, tha ai.

Spitali Universitar i Magdeburgut tha se po kujdeset për 10 deri në 20 pacientë, por se numri i tyre mund të shtohet, njoftoi agjencia dpa.

Kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu shqetësimin për incidentin, duke thënë se “njoftimet nga Magdeburg sugjerojnë se bëhet fjalë për diçka të keqe”.

“Lutjet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi ai në platformën X.

Magdeburgu, qytet në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti i rajonit Saxony-Anhalt, me rreth 240,000 banorë.

Zëdhënësi Reif tha se bëhet fjalë për “një numër të plagosurish” por nuk dha ndonjë shifër të saktë, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.

“Pamjet janë të tmerrshme”, tha ai. “Sipas informacionit që kam, një makinë është përplasur me njerëzit që po vizitonin tregun e Krishtlindjes, por ende nuk mund të them nga cili drejtim apo sa larg”.

Në videoregjistrimet nga vendi i ngjarjes shihet një pjesë e izoluar e tregut, me mbeturina nëpër tokë.

Shumë pjesëtarë të policisë dhe shërbimeve të ndërhyrjes së shpejtë ishin në vendin e ngjarjes. Menaxheri i tregut u tha vizitorëve të largohen nga qendra e qytetit.

Dëshmitarët i thanë televizionit gjerman se makina u fut drejt në turmën e njerëzve në treg, në drejtim të bashkisë.

Sulmi i dyshuar vjen një ditë pas përvjetorit të tetë të sulmit ndaj një tregu Krishtlindjeje në Berlin. Më 19 dhjetor të vitit 2016, një ekstremist islamist e përplasi kamionin e tij me turmën e vizitorëve të tregut, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Sulmuesi u vra disa ditë më vonë gjatë një shkëmbimi zjarri në Itali.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser deklaroi muajin e kaluar se nuk ka shenja konkrete se ka rrezik ndaj tregjeve festive këtë vit, por bëri thirrje për vigjilencë të shtuar.

Macron falenderon Gisele Pelicotin për kurajën në gjyqin e dhunimeve masive: Dinjiteti i saj ka inspiruar Francën dhe botën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka nderuar figurën e Gisele Pelicotit për forcën që ka shfaqur në gjyqin e dhunimeve masive, të inciuara nga burri i saj dhe të kryera nga 50 burra tjerë.

 

Duke e përshkruar atë si pioniere për gratë, ai ka thënë se “dinjiteti i saj dhe kuraja e kanë inspiruar Francën dhe botën”.

Ish-burri i saj, Dominique Pelicot, 72-vjeçar, është dënuar me 20 vjet burgim për dhunim, pasi e ka pranuar se e ka droguar Giselen për pothuajse një dekadë dhe se ka rekrutuar burra tjerë për ta dhunuar atë, teksa ajo ka qenë në gjendje kome në shtrat. Të 50 burrave tjerë u janë dhënë dënime më të vogla.

Gisele Pelicot ka thënë se procesi gjyqësor ka qenë i vështirë, mirëpo beson në një të ardhmen kur burrat dhe gratë mund të jetojnë “në harmoni dhe me mirëkuptim”.

Ajo pati marrë vendim që procesi të mos jetë anonim dhe e ka bërë rastin publik, i cili ka marrë vëmendje globale.

Gjyqtarët në jug të Francës kanë thënë se 51 burrat që janë paditur, të moshave prej 27 deri në 74-vjeçare, janë fajtorë dhe janë dënuar, mirëpo avokati i Giseles ka thënë të premten se “asnjë vendim nuk do t’ia kthejë mbrapsht jetën që i është shkatërruar”.

Tre fëmijët e saj kanë dhënë se janë të zhgënjyer me disa dënime që u janë shqiptuar disa burrave, të cilat dallojnë prej tre deri në 15 vjet.

Sipas raportimeve, 41 burra janë dërguar menjëherë në burg.

Avokati i Dominique Pelicotit ka thënë se është “tronditur” nga dënimi ndaj klientit të tij dhe do të vendosë në ditët në vijim nëse duhet apeluar atë.

Aktivistët kundër dhunës seksuale e kanë ndjekur nga afër procesin gjyqësor, me shpresën se do të nxisë reforma në ligjet e Francës dhe të ndryshohet kultura e debatit për dhunimet dhe dhunën seksuale që përfshin edhe abuzim me drogën./rel

Von der Leyen: Po e shqyrtojmë aplikimin e Kosovës dhe jemi gati t’i heqim masat

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur gatishmërinë që institucioni që ajo drejton të nisë punën në trajtimin e aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit.

Megjithatë, ajo theksoi se për këtë proces është i nevojshëm një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së.

“Jemi të gatshëm të nisim procesin, por na duhet një ftesë për të dalë me opinion. Po punojmë që ta marrim këtë dhe ne jemi gati”, ka thënë Von der Leyen gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Bruksel.

Kosova ka aplikuar në vitin 2022 për statusin e kandidatit, por deri tani nuk është trajtuar nga Këshilli i BE-së.

Për të mandatuar Komisionin Evropian të punojë në opinionin përkatës, kërkohet një vendim unanim nga të gjitha shtetet anëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian tha se edhe çështja e masave ndaj Kosovës është në duar të shteteve anëtare, të cilat duhet të vendosin njëzëri për heqjen e tyre.

“E njëjta vlen edhe për masat. Ne jemi absolutisht gati t’i heqim masat, por edhe këtu na duhet unanimiteti i vendeve anëtare, të cilin tash nuk e kemi, por po punojmë shumë që ta marrim, sepse gjithsesi është me rëndësi që edhe Kosova të lëvizë”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se pavarësisht rrethanave, Kosova ka mbështetje të plotë nga institucionet evropiane. sn


Send this to a friend