Dy persona humbën jetën dhe të paktën 60 të tjerë u plagosën kur një automjet u përplas me turmën e kalimtarëve të mbledhur në një treg Krishtlindjeje në qytetin lindor gjerman Madgeburg, në një akt që autoritetet dyshojnë se ishte një sulm i qëllimshëm.
Shoferi i makinës u arrestua pak pasi makina hyri mes njerëzve të shumtë që ndodheshin në treg për të blerë dhe festuar në fillim të fundjavës rreth orës 19:00.
I dyshuari është një mjek saudit 50-vjeçar që ishte vendosur në Gjermani në vitin 2006, tha në një konferencë shtypi ministrja e brendshme e rajonit Saksoni-Anhalt, Tamara Zieschang.
“Nga informacioni që kemi deri tani, ai është i vetmi autor, kështu që me sa dimë nuk ka asnjë rrezik të mëtejshëm për qytetin,” u tha gazetarëve guvernatori i Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff.
Pesëmbëdhjetë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, sipas zyrtarëve qeveritarë dhe faqes së internetit të bashkisë së qytetit.
Zoti Haseloff tha se dy personat që u konfirmuan se kishin vdekur ishin një i rritur dhe një fëmijë i vogl, por shtoi se nuk mund të përjashtonte mundësinë e vdekjeve të tjera.
“Por ky është spekulim tani. Çdo jetë njerëzore që u bë viktimë e këtij sulmi është një tragjedi e tmerrshme”, tha ai.
Spitali Universitar i Magdeburgut tha se po kujdeset për 10 deri në 20 pacientë, por se numri i tyre mund të shtohet, njoftoi agjencia dpa.
Kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu shqetësimin për incidentin, duke thënë se “njoftimet nga Magdeburg sugjerojnë se bëhet fjalë për diçka të keqe”.
“Lutjet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi ai në platformën X.
Magdeburgu, qytet në perëndim të Berlinit, është kryeqyteti i rajonit Saxony-Anhalt, me rreth 240,000 banorë.
Zëdhënësi Reif tha se bëhet fjalë për “një numër të plagosurish” por nuk dha ndonjë shifër të saktë, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.
“Pamjet janë të tmerrshme”, tha ai. “Sipas informacionit që kam, një makinë është përplasur me njerëzit që po vizitonin tregun e Krishtlindjes, por ende nuk mund të them nga cili drejtim apo sa larg”.
Në videoregjistrimet nga vendi i ngjarjes shihet një pjesë e izoluar e tregut, me mbeturina nëpër tokë.
Shumë pjesëtarë të policisë dhe shërbimeve të ndërhyrjes së shpejtë ishin në vendin e ngjarjes. Menaxheri i tregut u tha vizitorëve të largohen nga qendra e qytetit.
Dëshmitarët i thanë televizionit gjerman se makina u fut drejt në turmën e njerëzve në treg, në drejtim të bashkisë.
Sulmi i dyshuar vjen një ditë pas përvjetorit të tetë të sulmit ndaj një tregu Krishtlindjeje në Berlin. Më 19 dhjetor të vitit 2016, një ekstremist islamist e përplasi kamionin e tij me turmën e vizitorëve të tregut, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Sulmuesi u vra disa ditë më vonë gjatë një shkëmbimi zjarri në Itali.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser deklaroi muajin e kaluar se nuk ka shenja konkrete se ka rrezik ndaj tregjeve festive këtë vit, por bëri thirrje për vigjilencë të shtuar.