Dy truprojat e ish ministrit socialist të punëve të brendshme, Saimir Tahiri, u arrestuan sot në Gjermani dhe në Francë pak ditë pasi u shpallën në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.
Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se ka kërkuar ekstradimin drejt atdheut për të pandehurit Hekuran Marku i arrestuar në Gjermani dhe Agustin Deda në Francë.
Emrat e trup-rojave të ish-ministrit të brendshëm ishin në mesin e një liste prej 38 personash të arrestuar apo të kërkuar gjatë operacionit ndërkombëtar të antidrogës “Shqiprti”, mes të cilëve edhe zyrtarë të lartë të policisë dhe prokurorisë si dhe tregtarë e biznesmenë.
Hetuesit i akuzojnë Markun dhe Dedën se kanë kultivuar dhe trafikuar afro 1 ton bimë narkotike në bashkëpunim me një grup personash të tjerë shqiptarë dhe italianë.
Ata i kanë mohuar akuzat në median vendase përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, duke pretenduar se janë të pafajshëm dhe se emrat e tyre në përgjime janë ërmendur qëllimisht për t’i përzjerë në veprimtari kriminale.
Katër grupe kriminale u goditën më 2 korrik, gjatë një operacioni kur ranë në pranga zyrtarë të lartë shqiptarë, të dyshuar se janë përfshirë në trafikun e bimëve narkotike.
Disa nga emrat më të njohur janë prokurori i Vlorës Maksim Sota, ish nëndrejtori i policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, së fundi në sektorin e luftës kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, ish shef i Rendit në Fier dhe një periudhë kohe pjesë e sektorit të antidrogës, Festim Lelaj, i arrestuar më herët si i përfshirë në trafikimin e 2.5 tonë marijuanë drejt Italisë, oficeri i policisë në Portin e Durrësit Artur Krasniqi, si dhe Agustin Deda e Hekuran Marku, anëtarë të grupit të shoqërimit të ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri në periudhën për të cilët akuzohen se kishin role aktive në grupet kriminale.
Komentet