Kishte kohë që mësuesit veteran dhe filatelistit të njohur shkodran Luigj Shabani i kishim kërkuar të na shkruante rreth figurës së Gjergj Shabanit, ungjit të tij, emrin e të cilit e kishim hasur dendur në revistën e mirënjohur “Kumbona e së Dielles”, në vitet ‘30-’40 të shekullit të kaluar, si mbledhës i folklorit të Mirditës (nga e kishte dhe vetë origjinën e largët), kur ai kishte qenë mësues në Konviktin “Mirdita” të Oroshit, duke nisur nga viti i largët 1929. Kontributi i tij i spikatur si folklorist lidhet me këngët e mbledhura prej tij nëpër Mirditë, të përfshira dhe në serinë “Visaret e Kombit”, botuar në Tiranë, nga viti 1937 e në vijim. Zoti Luigj, që i ka kaluar të 85-at, është i pasionuar pas filatelisë dhe studimit të saj, fotografisë dhe relikteve të tjera të vjetra shkodrane. Organizator i palodhur eventesh në lëmin e filatelisë, tri vite më parë, qe kthyer nga Torinoja ku jeton, në Shkodër, për të çelur një ekspozitë filatelike.
Ai nuk e kishte pasur të lehtë, prej andej (Itali), të gjurmonte të dhëna dhe dokumente rreth jetës dhe veprimtarisë së ungjit të tij artist dhe folklorist, çka kohët e fundit ishte mundësuar nga kërkimet e familjarëve të afërt të Gjergj Shabanit në Shkodër.
Shkodra është një minierë thesaresh kulturore të pashoqe dhe lypet shumë punë për t’i nxjerrë nga harresa, përmes publikimesh kësodore etj. E themi këtë dhe për një fakt; ne kërkonim të zbulonin profilin e Gjergj Shabanit si folklorist, kurse shënimet e tij të intervistës dhënë kompozitorit të njohur Zef Çoba, një çerek shekulli më parë, për “Radio Shkodrën”, zbulojnë jo vetëm pasionin e tij për muzikën popullore si mjeshtër i mandolçelit, por dhe shumëçka nga ahengu i papërsëritshëm shkodran, traditën e karnavaleve në Shkodër etj.
Ndue Dedaj
Fëmijëria e Gjergjit, mes Prizrenit dhe Shkodrës
Gjergj Shabani u lind në Prizren me 19 prill 1910. Ishte fëmija i tretë i Gjok Markut dhe i Tereze Palucës, e motra e profesor Ndue Palucës. Gjergji ishte djalë i vetëm, mbas dy vajzave. Paraardhësit e Gjokës kishin shkuar në Kosovë nga Xhuxha e Fandit (Mirditë). Ndërkohë në Mirditë, kishin mbetë dy degë të fisit: Karaçët dhe Begu. Gjoka, baba i Gjergjit, ka lind në Brekoc, ndërsa Tereze Paluca ka lindë në Smaç. Nuk dihet saktësisht koha dhe shkaku i vërtetë i këtij emigrimi në Kosovë, pse e tanë familja e përbame prej dy degësh, ajo e Ndue Shabanit dhe ajo e Gjok Markut, kanë emigrue së pari në krahinën e Gjakovës dhe ma vonë janë vendos në Prizren. Shtëpinë e kanë pasë afër Kishës dhe komshi kanë pasë familjen e Nanë Terezës. Në vitin 1921, apo në fillimet e vitit 1922, Gjok Marku asht detyrue të emigrojë në Shkodër, në Shqipni. Shkaku kryesor që Gjoka emigroi familjarisht nga Prizreni në Shkodër ishte ishte se policia serbe e kishte cilësue si nji ndër bashkëpunëtorët kryesorë që transportonte me pajtonin e tij ilegalisht shumë atdhetarë të Kosovës në rrethina dhe jashtë Prizrenit, përherë të sigurtë në çdo kohë të ditës dhe të natës. Serbët ranë në gjurmët e Gjokës, e arrestojnë dhe pa gjyq e denojnë me pushkatim. Falë aftësive, guximit të tij, në nji moment të përshtashëm, gjatë një përballje për jetë a vdekje, si njohës i mirë i terrenit, hidhet guximshëm në nji rrgadhe dhe fatmirësisht u pështon batareve serbe dhe del kaçak në mal për disa kohë, gjersa ilegalisht arrin të kthehet në Prizren.
Rifillon veprimtarinë me patriotët e vendit. Shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e tij e njoftojnë se urgjentisht duhet të lanë Prizrenin, sepse kësaj rradhe dënimi ishte me varje, me rrezikshmeri të naltë. Gjoka del në mal kaçak, ndërsa Terezja, me ndihmën e miqve të familjes në mësheftësi të plotë përgatitet për largim familjar të mënjehershëm. Përcillet prej miqve të familjes dhe në errësinën e natës fillon ikja. Në dalje të Prizrenit, Gjoka bashkohet me pjesëtarët e familjes dhe fillon udhëtimi pa e njoftë terrenin, malesh, pyjesh të pafund me tre fëmijët dhe gruen. Udhëtim shumë i vështirë, i lodhshëm i mundshëm dhe me të papritunat e çasteve e sigurimin e ushqimit.
Mbas shumë vuejtjesh mbërrijnë në Shkodër. Strehën e parë e gjejnë tek Ndue Paluca. Famullia e Shkodrës me interesimin e profesorit të njohur i sistemon në nji shtëpi Kishe.
Në Prizren Gjergji mbaroi disa klasa të shkollës fillore.
Në Shkodër ndjek shkollën plotore të françeskanëve. Dokumenti me Nr. Amze 927, nr. i regjistrit 26, vërteton se Gjergj Shabani ka ndjekë rregullisht këtë shkollë. Ai u asht nënshtrue provimeve të lirimit me rezultate shumë të mira. Dokumenti i datës 8 korrik 1926 mban firmën e drejtorit të shkollës P. Anton Harapi.
Gjergj Shabani, në rendin e IV, ka ndjekë rregullisht mësimet prej datës 10. 10. 1928 deri me12. 2. 1929. Dukumenti nr. 81, Elbasan, më1. 3. 1931, firmosë nga zv. drejtori A. Gashi.
Mësues në Orosh të Mirditës dhe folklorist i pasionuar
Me mbarimin e kësaj shkolle, Ministria e Arsimit, me dekretin nr. 41 Tiranë, 24. IX. 1929, e emnon Gjergj Shabanin mësues në shkollën e Konviktit “Mirdita” në Orosh, me rrogë mujore 120 franga ari. I emnuemi porositet me u gjetë në krye të detyrës më 15 të atij muej, pse me 20 do të fillojnë mësimet rregullisht. Dokumenti nr. 1/1. Drejtori i Konviktit: Ejell Ndoca.
Tërheqin vemendjen dy shkresa të firmosuna prej drejtorit Ndoca.
E para: Z. Gjergj Shabani dha fjalën e besës në mënyrë të ligjës së nëpunësavet. Orosh më 10 tetuer 1929.
E dyta. I emnuemi prej Ministrisë s’Arsimit, me qarkoren nr. 4433, dt. 18. IX.1929, mësues në Fand, me rrogën mujore franga ar 120, u transferue mësues në Konviktin “Mirdita” po me atë rrogë, me shkresën e Ministrisë në fjalë, nr. 4247, dt. 21. IX.1929, për mungesë personelit në këtë konvikt.
Në kohën që Gjergj Shabani shërbeu mësues në Mirditë, vullnetarisht hapi dhe drejtoi vetë dy kurse për të mësuar shkrim e këndim, një për burra e një për gra, rreth 16 vetë. Me lejen e Drejtorit kursin burrave e zhvilloi në shkollë, ndërsa atë të femnave radhazi në dy shtëpi të katundit. Kursi vazhdoi për dy vite mësimore. Qëllimit iu arrit dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë kurs u aftësuen në shkrim dhe lexim. Me shumë sukses Gjergji e realizoi këtë mision të tij. Gjergj Shabani ka meritën se është mësuesi i parë që njohim që punoi për zhdukjen e analfabetizmit në fshat.
Në kohen e lirë, Gjergji i kushtoi nji randësi të veçantë mbledhjes së folkorit në Mirditë. Ai, mblodhi doke, zakone, proverba, kangë të vendit, ato të vajit, të gjamve. Ai kishte aftësi të veçantë me shkrue shpejt e saktë fjalët e kangëtarit apo të vajtojcës në gjamen e nji të vdekuni. Materialin e mbedhun e rishikonte për saktësinë e shkrimit dhe e sistemonte në arshivë. Në Shkodër Gjergji ka botue në disa revista lokale të kohës, si: “Zani Shna Ndout”, “Kumona e së Djelës” etj. “Visaret e Kombit”, ndër të tjera, botojnë nji elegji të bukur të marrun drejtpërdrejt nga vajtojca mirditore. Në fund të materialit ka shënue inicialet e emrit të tij: Gj. Sh.
Unë nuk kam pasë mundësi me hulumtue e me mbledhë shkrimet e Gjergjit në shtypin e atyre viteve të largëta. Baba em dhe agja Gjergji krenoheshin për bibliotekat e tyne familjare. Fatkeqësisht u damtuem më 1945. Në bazë të nji urdhëni të pushtetit të asaj kohë, shumë prej materialeve që kishin ata në bibliotekat e tyne duheshin dorëzue. Për me e zbatue urdhnin e pushtetit, me dy karroca të mbushura me libra, revista të ndalueme, apo materiale të tjera të kësaj natyre duhej me i dorëzue në pikën e grumbullimit të tyne. Baba dhe Axha (Gjergji) u kthyen në shtëpi të randuem shprtnisht e të lodhun moralisht, po edhe të zhgënjyem shumë. E gjithë kjo pasuni nuk u ba pronë e bibliotekës së qytetit, por së bashku me shumë libra, revista e botime të tjera të dorëzueme prej qytetarëve, familjeve të mirënjohura shkodrane, iu vunë zjarrin e i dogjen me ceremoni në oborrin e Gjimnazit të Shtetit. Ky ishte aksioni i parë zyrtar i vendosjes së diktaturës së proletariatit.
Krenaria e dy familjeve Shabani për bibliotekat e tyne u fashit. Por nuk mbaroi me kaq. I vdekuri e kishte lanë litarin jashta. Pak muej ma mbrapa u përhap lajmi i kobshëm, i frikshëm se nji gjamë e madhe e pret popullin e Shkodrës. Nji kontroll i befasishëm, i rreptë, i pamëshirshëm do të ushtrohej në qytet. Ankthi, tmera, pasiguria qe jo vetëm për pronarët e bibliotekave private, por të gjithëve u kishte hymë frika në palcë. Në Shkodër kishte shumë intelektualë, familje të mirënjohura që kishin fonde të mira botimesh me vlera të mëdha dhe të trashigume ndër breza.
Në prag të këtij “cunami” të rrezikshëm për prindin dhe axhën tim, çka duhej ba për shumë materiale që nuk i kishin dorëzue simbas urdhnit të parë?! Të gjitha shtigjet ishin të mbylluna dhe pa rrugë dalje. Atyne u kishin mbet dy rrugë për zgjedhje: ose jeta e tyne e matejshme pa travlajë, ose shkatrrimi dhe zhdukja e çdo materiali që rrezikonte burgun?!.. Zgjodhen të dytën. Gjithshka tjeter u shkatrrue, u dogj dhe u tret në tokë. Ata dolën nga ajo “betejë” me humbje të mëdha materialesh unikale që nuk zëvendësoheshin kurrë ma. Stuhia revolucionare bolshevike mundet që ka përla shumë dokumenta shkrimore të Gjergj Shabanit, që nuk gjenden ma përjetë të jetës. Si e pa besueshme më duket të mund të ketë shpëtue ndonji shkrim, mbetë në ndonji skutë.
Gjergj Shabani dhe ahengu shkodran
(Sipas një interviste të tij të vitit 1944 dhënë kompozitorit Zef Çoba për “Radio Shkodrën”)
Vendosja e Gjergjit me punë në Shkodër ishte me randësi për ahengun shkodran, që i kushtoi vite të tana të jetës së tij. U lidhë ngusht dhe bashkëpunoi fuqimisht me të ahengxhijt ma të vjetër në moshë se ai. Ai ishte i vetmi muzikant që zotnonte shkëlqyshëm 5 instrumenta, të cilët përdoreshin në grupin e ahengut popullor. Virtuoz ishte në përdorimin e mandolçelit dhe të mandolinës.
Ai ka lanë në dorëshkrim15 fletë të formatit A/4, intervistë me profesor Zef Çobën, i ftuem në Radio Shkodra, më 23 Maj 1994. Intervista asht e ndame në 3 tri pjesë. Në pjesën e parë tregohet për formacionin e grupit të ahengxhijve, që përbëhej prej 4-5 instrumentave, si qemale, saze, fyell, dajre, pare të vogla dhe dy kangëtarë. Veshja e ahengxhijve ishte me kostum kombëtar. Në përgjithësi ata ishin artizanë, marangosa, rrobaqepës, këpucarë etj. Rreshtohshin kambëkryq përpara nji safrabezi të endun bukur në tezgjah, ku vendoseshin shishet e rakisë mezet e të tjera. Programi çelej me kangën “Nji tubë drandofile ta çova për dashni”. Ahengu mbaronte tue zbardh drita e ditës së re dhe mbyllej me kangën “Kur fillon drita me dalë”. Provat parapërgatitore basheshin në shtëpitë e ahengxhijve. Përparësi kishin shtëpitë me oborr të madh dhe me hajat. Shpenzimet e pijeve e të tjera i përpjesëtonin në mes tyne. Banorët e rrugicave përreth ishin spektatorë të rregullt të tyne deri edhe në mbarim të programit. Ata ishin njiheri dhe vlerësusit e tyne.
Gjergji kujtonte me nderim të ndjerin Mark Hil Mosi, me të cilin kishin oborrin e përbashkët në përdorim. Nësa po bashim aheng na afrohet e na thotë: “Sa mirë do të ishte me qenë në maje të Taraboshit dhe mi i ra veglave tueja e flladi me i marr dhe me i shpërnda kangët mbi Shkodër dhe me i ndigjue populli! Ju këndoftë gjithmon shpirti dhe zemra e juej se na jepni kënaqësi shumë…”
Në intervistë, Gjergji, njohës i mirë i muzikës popullore, i ban nji analizë të hollësishme evolucionit që pësoi ndër vite grupi i ahengut shkodran me të rejat e kohës tue hy instrumentat e dorës. Formacionet e reja që linden apo u krijuen, zgjanuen dhe zbukuruen në mënyra të ndryshme orkestracionin e kangëve e tjera… Synimet e Gjergjit ishin: perfeksionimi i matejshëm në zotnimin e artit të muzikës,vlerësimi, çmimi i kolegëve të aftë dhe dëshira me luejt në grup me ata, të cilët i kanë njoftë mirë kangët popullore të ahengut shkodran. Ndër shumë të tjerë kolegë ai përmend: Paulin e Karlo Palin, Ndoc e Kin Kumrinë, Latif Çokun me violinë, Kolë Lufin virtuozin e violinës, Xhevat Boriçin me klarinetë, Adem Manin artistin e dajres, Dush Topçin, Pjetër Tafilin me saze, mjeshtrin e mjeshtrave të kangës popullor, si dhe kangëtarët: Shuk Prifti, Nush e Pjetër Bushati, Kolë Mati Tukja, Imer Garuci, Pjeter Tafili dhe në veçanti me shumë nderim Kolë Gurashin.
Muzika e grupit popullor, ahengu, ishte muzika e kohës shumë e kërkume në masën e popullsisë. Në mungesë lokalesh, grupe – grupe, artistët mlidheshin simbas rradhe në shtëpitë e tyne, ditëve të shtuna dhe të dielave. Ata e fillonin në muzgun e mbramjes dhe programi mbyllej me zbardhjen e dritës. Në këto takime të rregullta javore, rregulli ishte me u njoftë me kangët e reja që delshin, dhe që i përshtateshin ahengut, ato hynin në programin e tyne. Së dyti, kangët e ahengut pastroheshin prej fjalëve të hueja, kryesisht prej orientalizmave, po ashtu tematika e kangëve, tashti subjekti kryesor u ba dashunia ndaj vajzës e përshkrume nga ana figurative me figura si lulja, karajfili, vjollca, sheboja, marangjyli, molla, dardha, ftoni, shega etj. Këtu u ba ndryshimi i madh i subjektit arkaik oriental. Tashti i këndohet vajzës dhe jo djalit. Në ditët e pranverës grupet e ahengxhijve organizonin me familjet e tyne pikniqe në katundet rreth Shkodres, si në: Bardhaj, Rrenx, Ura e Mesit etj. po edhe jashta Shkodres, në Pukë, Lezhë, Tiranë, Durrës (seicili në xhep të vet). Gjatë gjithë vitit, ahengxhijt ftoheshin në familjet qytetare për raste gëzimesh familjare, fejesa, dasma e vlen me u theksue dhe vu në dukje me të madhe, se askush prej ahengxhijve nuk pranonte shpërblim financiar!
Dy pika kulminante të grupeve muzikore ishin: karnavalet dhe shtregullat madhshtore të vetmet në Shkodër.
Karnavalet në Shkodër. E martja e të lidhunave. Kremtimi i karnavaleve në këtë ditë ishte bashkudhëtare e jetës kulturore në qytetin tonë shumë vjet ma para. Kemi edhe dokumenta e fotografi të vitit 1919 të organizueme prej Kolë Idromenos dhe mikut të tij Zef Simon Dajçi. Nga vjeti në vjet organizimi dhe kremtimi i kësaj feste tradicionale kishte përparime cilësore në çdo drejtim. Ky ishte nji manifestim shumë i bukur i kangës dhe “ahengut” shkodran. E kishim ba rregull që në çdo fillim vjeti me nis organizimin e manifestimit të karnavaleve në Shkodër. Së parit shënonim të gjitha kangët që do të këndoheshin atë ditë. Caktonin intenerarin e qarkullimit, pikëndalesat e karnavalev ku do të jepej nji program me kangë rreth 30′. Çdo muzikant e kishte për detyrë me sigurue rekuizitën personale, pronotimin e pajtoneve të hapun dhe likujdimin e shërbimit, e fundit ishte dalja e a grupit muzikor prej bansës së nji muzikanti. Këtu fillonte kremtimi i karnavaleve në drejtim të qendrës së qytetit prej ku bahej shpërndamja simbas grafikut të paracaktuem. Shkodra, në këtë ditë kremtonte me aheng kangët e bukura të saj. Jehona e ahengut shperndahej kudo në qytet. Madhështor ishte shoqnimi i karvanit të ahengut prej banorëve. Në çdo rrugë, në çdo pikë ndalese mikpritja, nderimi qytetar ishte tejet i veçantë prej banorëve, të cilët sa ndigjoshim tingujt dhe kangët, na delnin para me vrap, me sahana plot me petulla, me pije. Aty bahej nji koncert madhështor ku s’bashku këndonim plot gëzim e hare. Ky ishte nderim, mirënjohje dhe vlerësimi i madh qytetar që na frymëzote dhe na gëzonte të gjithëve!
Me keqardhje, kjo veprimtari, ky manifestim i madh kulturor në qytetin tonë filloi të venitet gjatë Luftes së Dytë Botënore. Fundi apo prendimi i këtij manifesmi madhështor të muzikës dhe të kangëve përla të ahengut popullor shkodran erdhi me “cunamin” komunist të fillim vitit 1945. Nuk bahej fjalë ma me marr guximin me organizue këtë manifestim të bukur kulturor në Shkodër! Përfundimi dih ej prej të gjithëve!
Manifestimi i dytë i radhës të ahengut të këngës popullore shkodrane ishin: “Shtregullat”. Me mbarimin e festes madhështore të Karnavaleve, radhën e kishin “Shtregullat”, nji rast i dytë i nji manifestimi madhështor të muzikës dhe e kangës popullore shkodrane. Shtregullat organizoheshin në bazë rrugësh, lagjesh. Shumë familjarë që kishin oborre të mëdha me pemë si manin, binin dakord me organizue “Shtregullat” në oborret e tyne. Koha e “Shtregullave” ishte data 22 prill e çdo viti. Rregulla apo parimi i këto manifestimi ishte i bukur e frymëzues në veçanti për brezin e ri. Në shtregull hyp nji femën, zakonisht vajzë dhe nji djalë i ri e lëkundte litarin ku curulatej sa andej këndej vajza. Grupi i ahengut shoqnonte kangëtarin dhe masën e spektatorëve pjesëmarrës në këtë veprimtari të bukur muzikore dhe argëtimi të masave popullore. Ky aktivitet muzikor zgjaste disa orë të mira të kësaj nate. Edhe kjo traditë e bukur e nji manifestimi popullor, me keqardhje mori fund me ardhjen e “cunamit” komunist në Shkodër!
Radio Shkodra. Event historik për qytetin tonë shenon data 28 qershor 1945, datë kjo që na kujton ditën e parë që në Shkodër u krijue ky instucion me randësi të veçantë historike. Drejtori i parë i këti institucioni ishte Lec Angjelin Luka, spikër Tef Gjoni, teknikët Mati Jubani dhe nji ushtarak i mbetun rob lufte në Shkodër. Nji ndër nismëtarët e shumtë isha edhe unë me shokët e grupit të kangës popullore shkodrane. Muzikantat ishin: Kolë Lufi violinë, unë Gjergj Shabani mandolçel, Ndoc Bedeni braç, Tish Fishta bugari, Tom Prela bas perde, Adem Mani dajre. Kangëtarë ishin Kolec Marpali dhe Pina Hilmar Pali Deda. Ahengu u transmetue direkt me autoparlanta të vendosun në rrugët e qytetit tonë. Gëzimi i të gjithve ishte shum i madh.
Grupi ynë i ahengut shkodran hyni i pari në historin e Radio Shkodrës. Vullnetarisht pa pagesë kena vazhdue me dhanë programe të ahengut popullor me perlat e kangëve të Shkodrës tonë. Në Radio Shkodra kena inçizue komplet kangët perla të ahengut shkodran, inçizimi asht ba në shirita. Ma vonë me keqardhje mësuem nji lajm të hidht se shiritat u zhdukën. Përsëri nji lajm u përhap në Shkodër se inçizimet e ahengut tonë u prishën për të inçizue fjalën e Krushovit në mitingun e Shkodrës, gjatë vizitës së tij në këtë qytet në vitin 1959. Nuk i di sa këto kanë qenë të vërteta. Në qoftë se po, atëherë me keqardhje të madhe tham se kjo asht nji fatkeqësi dhe humbje e madhe e pariparueshme kurrma. Për këto arsye ahengu i kangëve mbetet i padokumentuem. Në RadioTirana dhe në Institutin e Folklorit në Tiranë ka inçizime të ahengut shkodran. Mendoj se ndonji studiues i ahengut do t’i shërbente shumë kulturës në Shkodër me arritë me shkrue nji libër posaçerisht me kangët e ahengut tonë, që për shum e shum vite banë që Shkodra jonë të ishte krenare për perlat e kangëve qytetare shkodrane.
Gjergji për artistin popullor Kolë Gurashi
Ky burrë i moshuem, i lindun me 14.01.1880, i ka lanë Shkodrës tonë nji trashigimi kulturore shumë të pasun si studiues, krijues, kangëtar, muzikant, piktor dhe etnograf. Për Kolën viti 1900 asht fillimi i rrugës së gja të të kangës popullor re. Ai si mjeshter, njiheri edhe si organizator i ahengut shkodran, u lidh miqësisht me Kasem Xhurin, Markun e Krajanes, Palok Kurtin, Sait Hoxhën. Bashkëpunimi i tyne shërbeu ma së miri për të njohun kangën popullore shkodrane dhe interpretimin e saj. Ai ishte shoku, miku, mësuesi i të gjithë ahengëxhijve shkodrane,deri në diten e fund të jetës së tij me 7 Mars 1971, kur u shua në moshën 92 – vjeçare.
Gjergji me ahengëxhijt e mbetun kishin mendue me i kremtue mësuesit të tyne 90 – vjetorin e jetës së tij. Fatkeqësisht, të gjithë ishin shue dhe kishin mbetë vetëm Kola dhe Gjergji. Në një rreth të ngushtë familjarësh, shokësh Kola këndonte me armoni këngët e jetës së tij dhe e shoqnonte me mandolçel Gjergji. Në harenë e këtij gëzimi familjar, Gjergji, uron mikun dhe mësuesin e madh të ahengut shkodran: “Me gjithë se tash jemi pleq, jemi plakë, por jo rrenue, vdeksh o Kolë mbi 100 vjeç. Se kurr kanga s’të ka mungue”.
Ky event historik në nderim të Kolë Gurashit, artistit të madh të muzikës dhe ahengut të kangëve popullore shkodrane, shënoi edhe fundin e këtij brezi të madh të këtyne artistëve ahengëxhij të kangës popullore shkodrane, që Kolë Gurashi e pagëzoi “Shkodra e Baballarëve”.Gjergj Shabani me këte rast ia dorëzoi stafetën e kësaj veprimtarie disavjeçare kushtue ahengut shkodran të kangës popullore të përlave të muzikës shqiptare, Rafaelit, profesor në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova”.
Në shenj mirënjohjeje, nderimi për Gjergjin, babën e vet në përjetësimin e traditave të familjes “Shabani”, Rafaeli ka sajue nji “mikromuzeum”. Aty janë sistemue të gjithë instrumentat që ka përdor Gjergji në grupin e ahengut popullor shkodran, disa veshje të përdorura për festën e madhe popullore në Shkodër “Karnavalet”, disqe, gramafoni me pllaka, fotografi të ahengut në Shkodër e të tjera. Mendoj se asht nji relike unikale e kësaj natyre. Nji kënaqësi dhe krenari për brezat pasardhës të familjeve tona.
Komentet