BILD
Gaz lotsjellës dhe topa uji kundër demonstruesve!
Mijëra njerëz demonstruan në Gjeorgji kundër një ligji të propozuar kundër ‘agjentëve të huaj’, i cili sipas tyre ka për qëllim të frikësojë median dhe organizatat joqeveritare.
Shumica e deputetëve votuan pro projektligjit me titull ‘Për transparencën e ndikimit të huaj’. Zyrtarisht ai synon të zbulojë flukset e parave nga jashtë.
Për shembull, ligji në të ardhmen do i klasifikojë mediat si ‘agjentë të huaj’ nëse financohen më shumë se 20 përqind nga jashtë. Ato duhet t’i nënshtrohet edhe mbikëqyrjes nga Ministria e Drejtësisë. Shkelësit i nënshtrohen gjobave drakoniane.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë frikë se ligji i ri- nëse hyn në fuqi- mund të rrezikojë perspektivën evropiane të Gjeorgjisë. Kritikët kanë frikë se dispozita gjeorgjiane mund të modelohet sipas një shembulli të ngjashëm në Rusi.
Në Rusi, media të shumta të pavarura- por edhe organizata joqeveritare- cilësohen si ‘agjentë të huaj’. Rregullorja është kritikuar ndërkombëtarisht si një masë e motivuar politikisht që synon stigmatizimin dhe heshtjen e kritikëve të Kremlinit.
Veçanërisht që pas luftës ruse në Ukrainë, Kremlini ka ndërmarrë veprime masive kundër tyre që mendojnë ndryshe.
Dhe kështu mijëra njerëz protestuan kundër projektit në rrugët e kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi deri në mbrëmje- ndonjëherë edhe me dhunë. Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës.
Sipas televizionit të pavarur, Pireli TV, protestat fillimisht ishin paqësore. Të paktën një pjesëmarrës hodhi një koktej molotov ndaj oficerëve të policisë. Sipas dëshmitarëve okularë, disa demonstrues thuhet se hodhën shishe plastike dhe fishekzjarre ndaj policëve.
Siç shihet edhe nga pamjet televizive, demonstruesit tentuan të shembin rrethimin e godinës së parlamentit.
“Erdha këtu sepse vendi im i përket Europës, por qeveria ime nuk e kupton këtë,” tha protestuesi Demetre Shanshiashvili. “Ne jemi këtu për të mbrojtur vendin tonë sepse nuk duam të jemi përsëri pjesë e Rusisë”.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili mbështeti protestuesit në Tbilisi. “Sot ju përfaqësoni një Gjeorgji të lirë, që e sheh të ardhmen e saj në Europë dhe nuk do të lejojë askënd ta grabisë atë të ardhme”, tha ajo gjatë një vizite shtetërore në Nju Jork.
Presidentja bëri thirrje që të braktiset ky projektligj dhe shpalli veton kundër tekstit. Meqenëse partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane ka një shumicë absolute në parlament, mund ta heqin veton. Të hënën pati edhe përplasje në parlament mes anëtarëve të partisë në pushtet dhe opozitës.