Partia në pushtet e Gjeorgjisë njoftoi të enjten tërheqjen e një projektligji mbi “agjentët e huaj” pas protestave masive gjatë dy ditëve të kaluara.
Masa ligjore do të kërkonte që mediat dhe organizatat joqeveritare që marrin më shumë se 20 për qind të fondeve të tyre nga burime të huaja, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.
Kundërshtarët e projektligjit e krahasuan atë me një ligj rus të vitit 2012, që është përdorur për të shtypur ose mbyllur organizatat që kritikonin qeverinë ruse.
Partia ‘Ëndrra gjeorgjiane’ në pushtet, tha të enjten se projektligji u interpretua në mënyrë negative dhe se një pjesë e publikut u mashtrua. Përfaqësues të partive opozitare, thanë ndërkaq protestat do të vazhdojnë derisa qeveria të distancohet zyrtarisht nga projektligji dhe të lirojë të gjithë të arrestuarit gjatë protestave.
Presidenti i Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, tha më herët se ajo do t’i vinte veton projektligjit nëse do të arrinte në tryezën e saj, ndërsa kundërshtarët e tjerë shprehën shqetësime se masa do të ndikonte në shpresat e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se projekt-ligji ishte një “zhvillim shumë negativ” për Gjeorgjinë dhe mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e vendit me BE-në.
Të enjten delegacioni i BE-së në Gjeorgji mirëpriti njoftimin për tërheqjen e projektligjit.
“Ne inkurajojmë të gjithë udhëheqësit politikë në Gjeorgji që të rifillojnë reformat evropiane në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive… që Gjeorgjia të sigurojë statusin e vendit kandidat”, për anëtarësim në bllok, thuhet në një postim në rrjetet sociale.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për këtë projekt-ligj që “do të shkelte disa nga të drejtat që janë thelbësore për aspiratat e popullit të Gjeorgjisë”.
Dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër projektligjit të martën dhe të mërkurën.
Disa demonstrues hodhën gurë dhe shishe me benzinë mbi forcat e policisë që përdorën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për të shpërndarë protestuesit.
Rusia shihet si një vend armik nga shumë gjeorgjianë, pasi Moska mbështeti separatistët në rajonet gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.
*Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.