Voal – Në këtë qytet ka më shumë organizata joqeveritare krahasuar me çdo vend tjetër, 33 të tilla. Këtu kanë selitë Kryqi i Kuq dhe Kombet e Bashkuara dhe prania e kaq shumë identiteteve i jep atij një ndjesi globale. Më shumë se 40% e rezidentëve nuk janë zviceranë dhe vijnë nga 187 kombësi të ndryshme
Një parajsë për të ardhurit dhe shumë i dashur për vendasit, Gjeneva tërheq njerëz nga anembanë botës, sepse jep shumë mundësi ekonomike, pamja buzë liqenit është e mrekullueshme dhe peizazhi i Mont Blanc, i jashtëzakonshëm.
Në këtë qytet ka më shumë organizata joqeveritare krahasuar me çdo vend tjetër, 33 të tilla. Këtu kanë selitë Kryqi i Kuq dhe Kombet e Bashkuara dhe prania e kaq shumë identiteteve i jep atij një ndjesi globale. Më shumë se 40% e rezidentëve nuk janë zviceranë dhe vijnë nga 187 kombësi të ndryshme. Karakteristikë e këtij qyteti është siguria e madhe, neutraliteti dhe rehatia që u ofrohet personazheve të famshëm politikë dhe ekonomikë. Këto e kthejnë Gjenevën në magnet për institucionet e huaja që sjellin me vete edhe shumë punonjës nga pas.
Pavarësisht influencës ndërkombëtare, prapë Gjeneva nuk e humb karakterin e vet të veçantë dhe historinë. Në shekullin e 16, Xhon Kalvini, një reformator i madh protestant mbajti shumë prej ceremonive të tij revolucionare fetare këtu.
I linduri në këtë qytet, Henri Dunant, ndjekës i doktrinës kalviniste, ndihmoi në themelimin e Kryqit të Kuq në Gjenevë në vitin 1863 dhe këto ide humanitare frymëzuan Konventën e Parë të Gjenevës në vitin 1864.
Shpirti kalvinist ende i influencon banorët vendas dhe tradita e disiplinës morale dhe shpenzimi me kujdes, ndonjëherë përplasen me shijet ekstravagante të të ardhurve.
“Vendasit janë persona shumë të shpenguar, por mjaft tipa konservatorë që e konsiderojnë ndërveprimin me të ardhurit disi të vështirë”, shpjegon Niyazi Gunay, me origjinë nga Turqia, që ka jetuar në këtë qytet për 15 vite dhe punon për “Your Local Cousin”, një kompani që krijon lidhje mes të dashurve dhe banorëve vendas.
Cedric Viquerat, me origjinë nga ky qytet, që tani jeton në SHBA, e pranoi se gjenevasit janë mjaft të tërhequr dhe të vështirë për të afruar të ardhurit, e kjo ua bën shumë të vështirë këtyre të fundit që të rikrijojnë marrëdhënie miqësore. Nga ana tjetër, të huajt sjellin energji dhe entuziazëm që e bën lidhjen me të ardhurit e tjerë mjaft të lehtë.
Pavarësisht origjinës, të gjithë banorët e qytetit përzihen në verë buzë liqenit, ndërsa shatërvani aq i famshëm “Jet d’Eau” e hedh ujin në 140 metra lartë dhe tërheq me qindra njerëz në gadishullin e bërë vetë, që quhet “Les Bains des Paquis”.
“Ti mund të notosh në liqen, të darkosh në freski dhe të bëhesh njësh me vendasit, ndërsa shijon pamjet e mrekullueshme”, vazhdoi Viquerat.
Qyteti është i ndarë në dy zona, e majta dhe ajo e djathta nga lumi Rhone. “Qyteti i vjetër” mund të gjendet në anën e majtë të lumit, në të cilin janë vendosur mjaft bare dhe restorante të modës, për më tepër që është afër dyqaneve luksoze përfshirë edhe ato të orëve të famshme zvicerane, të vendosura buzë rrugës “Du Rhone”. Në anën e djathtë të lumit, ndodhen stacioni i trenit, si edhe lagjja me drita të kuqe. Këtu jeta e natës është mjaft e gjallë dhe më tepër përzgjedhëse sesa në zonat e tjera të mirërregulluara urbanistikisht.
Pothuajse shumica e banorëve jetojnë në apartamente këtu. Pjesa më e madhe e ndërtesave janë të vjetra, ndërkohë që ato të rejat janë të pakta dhe mjaft larg nga njëra-tjetra.
Ndërkohë, objektet në Qytetin e Vjetër dhe lagjet në zonën “Eaux Vives” kanë një sharm zviceran, me rrugë me kalldrëm dhe shtëpi që datojnë nga shekulli i 16 me gurë gëlqerorë. “Gjeneva nuk njihet shumë në botë për arkitekturën. Ndërtesat më shumë janë funksionale sesa të bukura, si brenda ashtu edhe jashtë”, tha András Barta, banor dhe ekspert për qytetin.
Megjithatë, rezidentët nuk e kanë luksin që të jenë përzgjedhës. Mungesa e godinave, sidomos të atyre që janë të përballueshme nga xhepi, bën që ata shpeshherë të futen në apartamentin e parë të lirë.
Aeroporti i Gjenevës është vetëm 6 km larg qendrës, e kjo ua bën të lehtë banorëve që të udhëtojnë në çdo qytet europian në pak orë.
Një nga kompanitë e avionëve me çmime mjaft të leverdishme e ka qendrën në Gjenevë, e kjo bën që çmimet për në qytete si Amsterdami, Londra, Parisi, Berlini, Roma dhe Barcelona të jenë të përballueshme dhe të lehta për t’u rezervuar.
Për më tepër që falë linjës hekurudhore është e lehtë që të shkosh në qytetet franceze të Lionit dhe Anesisë, si dhe ato zvicerane të Cyrihut dhe Bazelit, të gjitha mund të arrihen brenda tri orëve.
Kurse në dimër, skitë janë sporti më i preferuar dhe ai tradicional dhe resortet e Megeve-së, Port du Soleil-it, Verbier-it dhe Zermatt-it janë më të frekuentuarit.
Jo të gjithë e kanë të lehtë që të jetojnë në Gjenevë. Dhe kjo, sepse ky qytet është i treti me koston më të lartë të jetesës, pas Nju Jorkut dhe Zyrihut. “Por në Gjenevë, edhe rrogat janë ndër më të lartat në botë dhe punonjësit fitojnë shumë dhe kanë mjaft përfitime”, theksoi Viquerat.
Transporti publik është i lirë. Abonimi mujor kushton sa gjysma e shumës që duhet paguar në Nju Jork.
Kur bëhet fjalë për të ngrënë jashtë, çmimet janë të kripura. Por ka supermarket që bëjnë oferta të mira. Gjithsesi, për të huajt është mjaft e vështirë që të paguajnë për një kriko të madhe birre 9 euro. Gjithsesi, edhe kjo nuk i ka penguar banorët nga 187 shtete të botës, që ta thërrasin Gjenevën, shtëpi.
Komentet