Gjenerali, kopertina e librit
Disa botime:
*– Prenk Pervizi: Shёnime pёr organizimin e Kombit pёr luftё,Sh.Usht., Tiranё 1935.
*– Prenk Pervizi, Intervistё mbi Luftёn Abisinisё, Besa, Tiranё, 1936.
*– Prenk Pervizi, Relacione mbi luftёn e Abisinisё, Buletini Ushtarak, Tiranё 1936.
*– Préenk Pervizi, Relacione mbi Manovrat e Mёdha tё Italisё, Buletini Ushtarak, Tiranё, 1936.
*– Prenk Pervizi, Lufta e Abisinisё, Lulu, NY, 2012
*– Idem, Bruksel, 2014
*– Gjeneral Prenk Pervizi nё shtypin shqiptar, Dorian, 2010
*– Idem, Lulu, NY, 2011
*– Julian Amery, Sons of the Eagle, London, 1946.
*– David Smiley, Assignemant in Albania, London, 1984.
*– Robert Elsie: The Tribes of Albania, Chapter 7, 2015
*– Robert Elsie, The Biografical Dictionary of Albanian History,
*– Walther Speinsipp: Das Folk der Schipetaren, Wien, 1985.
*– Hajrush Haliti-Akturk/: Gjeneral Prenk Pervizi shtigjёve tё nacionalizmit, Zeri, Prishtinё, 1995.
*– Lek Perviizi: Tingёllime tё Vona, Dorian, Bruksel, 2014
*– Wikipedia Prenk Pervizi, nё disa gjuhё tё hueja.
*– Gjenerali, Enti B. Gjergj Fishta, Lezhë, 217
*–Odiseja e pafajsisë, Enti B. Gjergj Fishta, Lezhë, 2017
GJENERAL PRENK PERVIZI
Skuraj 1897- Belgjikë 1977
Kushtuar një prindi shembullor,
ushtarak i lartӫ e patriot i shquar,
qӫ jetӫn dhe veprimtatinӫ e tij ia kushtoi
gjithӫ kohӫn Atdheut e Kombit shqiptar
Pse shkruhet ky libër
Patjetër se vjen pyetja, pse shkruhet ky libër. Pse me kaq vonesë, për një figurë ushtarake e patriote të njohun e të përmendun të botës shqiptare. Një pikëçuditëse për historianët e indroktinuem ose të paindroktinuem që nuk e kanë përfshi në faqet e librave te tyne. Njё e metё e gabim i pafalshёm nga ana tyne. Kur dihet botnisht se ai ka qene shoqnues aktiv i gjithe historisё shqiptare nga 1914 deri 1946, sa qёndroi nё Shqipni, dhe ma vonё nё mёrgim deri ditёn e fundit tё jetёs tij, 6 shtator 1977. Pra ka një arësye, dhe kjo asht ajo që lidhet me pushtimin italian dhe me diktaturën komuniste. Ma se një gjysmë shekulli, qё emni i Prenk Pervizit nuk mund të përmendej dhe jo ma të përfshihej ne faqet e librave, shtypit, botimёve, etjera forma. Nga ana tjetër ne, bijt e tij, ishim të mbyllun në burgjet e kampet e internimit, ku luftonim për vetë ekzistencën tonë. Në ato kushte nuk kishim as ma të voglën mundësi për të radhitë përshkrimin e jetës tij. Jo qё me tё gjet shkrime tё tilla e pagueje shtrejt. Fatmirёsisht ai na kishte lanё kujtimet e veta gojarisht. Çdo dokument i shruem prej dorës tij e te tjerë dokumentë kishin përfundue ne flakën që partizanët “çlirimtarë” u kishin kallë shtëpive tona në Laç e Sluraj. Si dhe tё konfiskimit tё shtëpisë në Tiranë. Kështu u zhduk gjithë ç’farë ruhej nga jeta e veprimtaria e t’im etit, dhe mbeti për t’u mbështetë kryesisht mbi rrёfimet e tij. Këto kujtime janë të përforcueme edhe prej njerëzve që e kishin njohun dhe shërbye nën urdhnat e tij. Pesë dekada heshtje grumbulluen mbi të pluhunin e harresës, që ne tashti kërkojmë ta shkundim pas kaq vitesh. Diktatura komuniste kundrejt figurave të tilla, megjithёse ua njihte shumë mirë jetёn, veprimtarinё e randёsinё intelektuale e patriotike, ndoqi politikën e asgjёsimit, mohimit, heshtjës e harresës. Kjo gjeti zbatim të mirëfilltë tek akademia e shkencave dhe historianet e saj, tё indoktrinuem plotёsisht. Ata e përmbysën dhe fallsifikuen fund e krye historinë e Shqipnisë me gjithë protagonistët e saj: përsonalitete ushtarake dhe të shoqërisë civile, që kishin dhanë kontribut të çmueshëm në krijimin e forcimin e shtetit shqiptar, të parin në historinё tonё, t’ Evropës e të botës, qё u krijue nё Kongresin e Lushnjёs mё 21 janar 1920.
Kështu unë i nënshkruemi, bir i tij, që i mbijetova mrekullishst përsekutimit komunist, u gjeta para problemit për ta ringjallë atё figurë, përmes kujtimeve që ai vetë na kishte trasmetue. Të cilëve u bashkangjitën ato personale të miat, të vllazënve, tё afёrmve e tё bashkёpuntorve qё ndanё jetёn e detyrat me tё. Kjo, qё jeta e veprimtaria e tij tё njihej jo vetëm nga publiku shqiptar, por që ta njihnim prindin tonë edhe ne vetë, njerëzit e tij, në përmasën sa ma të vërtetë. Qoftё në jetën familjare ashtu dhe në atë të detyrave si bashkëshoqnues i historisë shqiptare. Libri merr vlerё tё randёsishme pёr historianët, pse hedh dritё mbi ngjarje tё panjohuna ose tё nenfleftesueme deri tё injorueme e fallsifikueme qё do tё vlenin pёr njё radhitje tё drejtё tё historisё.
E thamё se ky liber po shkruhet sipas kujtimeve për një arësye logjike, sepse me djegёjen e shtёpijave u asgjesue gjithçka kishte brenda tyne. Ky asgjësim nuk mjaftoi me kaq, sepse edhe ma vonë pas vdekjës tij në mërgim, disa shqiptarë të pa ndërgjegje dhe pa principe humane, njerëz të pa burrni, deri dhe agjentë të regjimit komunist, vunë dorë mbi plaçkat e dokumentët e tij duke i zhdukë, pa i dhanë llogari askujt. Kjo e fundit ishte si një goditje e dytë vdekjeje, sepse kërkonte të zhdukte edhe atë çka kishte shpëtue prej komunistëve. Po ashtu, zhdukët dosja e tij nga arkiva e Krujës, qё pёr çudi ishte ruejtё deri pas shёmbjёs sё diktaturёs, për të cilën nuk asht dhanë as jepet asnjë shpjegim. Pse e për ç’far interesi e ç’far qëllimi ? Mister !
Sidoqoftë pas shëmbjës sё regjimit komunist, nisi të kujtohet e të dali në pah figura e tij, ku luejtën rol gazetarë të ndryshëm, dhe persona që ia kishin dëgjue historinë prej baballarëve të tyne dhe njerëzve që kishin shërbye nën urdhnat e tij. Filloi të dalë edhe ndonjë dokument e fotografi nga arkivat e shtetit. Kjo nuk ishte tjetër veçse një rilindje e kësaj figure ushtarake e patriote, që bashkë me kolegë e patriotë të tjerë kishin kontribue në historinë e Shqipnisë.
Një oficer pedagog ne Akademinë e Mbrojtjës, i ndjeri N/Kolonel Dr. Pjetër Hidri, i kushtoi një monografi që u botue më 2002 e që u mirëprit, sepse nxori në dritë një figurë të naltë ushtarake që ishte lanë në hije, thuej në harresё tё plotё. Nё sajё tё Dr. Hidrit, emni i Prenk Pervizit u pёrfshi nё botimin e dytё tё Fjalorit Enciklopedik. Shkrimtarё e studiues tё huej kontribuen nё paraqitjёn e tij nё veprat e tyne deri dhe nё Wkipedia etjerё site ne disa gjuhё europiane deri kineze dhe esperanto. Të gjithë këto fakte më frymëzuen që t’i kushtoj këtë libër, si njё homazh e nderim ndaj tij.
Libri ndjek një stil tregimtar të lirë e të rrjedhshëm pa ngarkesa të tepërta. Aty përcaktohën mirëfilltas ngjarjët e ndryshme siç faktikisht janë zhvillue. Të vjen keq kur shikon se nё radhёn e dezinformuesve e fallsifikatorve përfshihёt edhe ndonjё figurё e njohun, që duke abuzue nga emni e pozitat që kanë pasë, kanё trillue e trillojnё haptasi ngjarje të paqena e tue ua vesh të qënat të tjerëve; tё paqenё.
Vlen të theksohet se një dokument me vlerë tё madhe asht nje interviste qe ai ia kishte dhane ne Bruksel të Belgjikës më 1974 gazetarit kosovar, Hajrush Haliti-Akturk, që përputhet me përmbajtjën e librit, në vështrimin e fakteve historike të përjetuem prej Prenk Pervizit. Ky dokument u ba i mundun të njihet kur dolëm në Belgjikë dhe u takuem me gazetarin që përmendëm, i cili atë intervistë e kishte botue ne gazetën “Zeri” të Prishtinës, më 1995 pas shembjës së komunizmit. Ma përpara një gja e tillë ishte e pamundshme. Njё intervistё autentike qё jep gjithё historinё e Shqipnisё te jetueme prej Prenk Pervizit nё rol vendimtar. Zotit Akturk i shkon njё falёndrim i posaçёm pёr ruejtjёn e botimin e intervistёs, qё mbetёt si njё dokument autentik i marrё dretpёsёdrejti nga Prenk Pervzi. Njё dёshmi nga njё autoritet i lartё ushtarak, shumё i vlefshёm pёr historianёt.
Në këtë vepër kujdesi kryesor ka qenë me nxierrë në dritë personalitetin dhe karakterin e Prenk Pervizit. Përgatitjën e lartë ushtarake, ndër shkollat ma prestigjose t’Evropës. Kushtimin e tij ndaj Atdheut e Kombit shqiptar duke krye me nder e sukses detyrat që iu ngarkuen e që mori përsipër vetë. Kundërvenja faktike ndaj pushtuesit të huej siç ishte Italia fashiste, duke mos e lejue ushtrinë shqiptare të luftojë krah asaj italiane, në asnjë rast, as kundër popullit të vet as kundër fqinjëve kufitarë, siç ndodhi ne luftёn italo-greke, ku me urdhёn tё tij ushtria shqiptare e braktisi frontin. Me randësi asht dhe përkujdesi i tij ndaj çeshtjes kombetare per te mbrojtë kufijt etnikë në Kosovë, dhe kundërvenja e vendosun ndaj sllavo-komunistëve që morën pushtetin dhe tradhëtuen Kosovën duke i masakrue pa mёshirё e mizorisht patriotët kosovarё. Sa ishte Komandant i Pёrgjithshёm i Ushtrisё Kombёtare Shqiptare e Ministёr i Mbrojtjёs, kambё serbi nuk shkeli nё Kosovё.
E gjithë kjo e perciellun me një emocion të papërmbajtun, në
kujtimin e një prindi, që përveç detyrave te nalta në dobi t’atdheut, tregonte një përkujdes të madh për ne bijt e tij. Të edukohëshim e studionim në shkollat ma të mira t’Evropës, për t’i sherbye denjësiht athdeut. Si njeri i dashtun për familjën : ndaj nanës burrneshë që e rriti, si jetim të një prindi trim e luftëtar i lirisë ; ndaj grues besnike e të vendosun me perballue jetën me të mirat e të këqiat si grue e vërtetë shqiptare. Ndaj t’afërmve e besnikëve, që i ndejtën gjithmonë pranë, në çdo situatë të vështirë dhe qe nuk nguruen të sakrifikohën për të. Ndaj burrave tё fisit, qё i qёndruen triminsht e tё papёrkulun regjimit shtypёs komunis duke shkrue faqe te lavdishme heroizmi. Ndaj miqve e kolegëve të tij, po aq patriotë e figura tё shqueme shoqnuese të historisë shqiptare.
Ky emocion e mallëngjim, bashkë me rrjedhën e jetës tij, gjetën përmbledhje pas 45 vjet para varrit tij të vetmuem e pothuej tё harruem nё Belgjikё. Ne, t’afërmit e të dashtunit e patëm mundësi me vendosë një tufë lulësh të freskëta mbi atё varr, pas një gjysmë shekulli tepër të gjatë vuejtjёsh dhe izolimi nga bota e qytetnueme. Ai u detyrue me braktisë atdheun e me gjetë shpëtim në dhè të huej, me brengën e madhe që po vdiste larg trojëve të shejta t’atdheut, të cilit i kishte kushtue gjithë jetën dhe energjitë e aftësitë e tij duke i shërbye me përkushtim e besniikëri të madhe.
Ky i gjithë shtjellimi i këtij libri për me kujtue e me vleresue një figure ushtarake e patriotike mjaft të randësishme të historisë e botës shqiptare.
Bruksel, 26 qërshor 2016
Falënderim
Falenderojmë miq e dashamirë, qe kanë ruejtun e na kanë dorёzue e dergue fotografi të prindit tonë, tue ditë se me djegien e shtëpive tona nӫ Laç e Skuraj, dhe konfiskimin e shtӫpisӫ nӫ Tiranӫ, u zhdukën bashkë me dokumente e dorëshkrime, gjithë koleksioni historik i fotografive nga jeta e tij shkollore në Shkodër dhe Vjenë t’Austrisë deri te veprimtaria gjatë vitëve nga 1918 – 1944, si dhe albumet e relacionet shkrimore nga misioni në Luftӫn e Abisinisӫ dhe Manovrat e Mëdha tӫ Italisӫ. Një faledërim i posaçëm u shkon Lordit Amery dhe Kolonelit britanik David Smiley, që sa morӫn vesh ardhjen tonë në Belgjikë na dërguen fotografitё prindit nga jeta e malit me misionin anglez më 1944, si dhe librat e tynёkushtue asaj periudhe.
Periudha e Rinisё
1897-1918
Kur të qesh fati
Historia e çdo njeriu në vetvete asht një përshkrim që do të quhej kronologjik, po ta marrim nga ana e shtjellimit të ngjarjeve të njëpasnjeshme që e shoqnojnë atë, nga dita e parë e ardhjës në këtë botë deri nё ditёn e fundit të largimit prej saj. Por duke analizue situatat e ndryshme që ai përjeton me ndërlikimet e të papritunat e jetës, historia e tij kalon edhe në përmasa lëgjendare, sipas kushtëve që marrin ngjarjet në të cilat ai gjëndet. Ka njerëz që kalojnë një jetë normale e ka të tjerë që e kalojnë të përveçme. Për ata që kalojnë një jetë normale nuk ke çka me diftue, përveç se si lindën, jetuen e vdiqën. Për ata që kalojnë një jetë të përveçme deri dhe të jashtëzakonshme, ke ç’far me thanë e nuk ia del dot me i tregue të gjitha. Tek këta të fundit shfaqen edhe përmasat lëgjendare. Nga ana tjetër, janë disa çaste që përcaktojnë jetën e njeriut, çaste që vijnë të paprituna e që duhet me vendosë për me i shfrytëzue ose jo. Kështu i ka ndodhë prindit tim, që një çast ia ndryshoi gjithë jetën. Prandaj, tregimi fillon pikërisht nga ajo rrethanë që i dha piknisje jetës së tij vepruese drejt afirmimit si figurë e personalitet i botës shqiptare. Tregimi rreshtohet sipas rrёfimit tё vetë tim etit, sigurisht i radhitun në një mënyrë sa ma të plotë dhe i pasunuem me përshkrime të njerëzve me të cilët ishte lidhë dhe kishte nda detyrat në rrethana të caktueme, të mira apo të kёqija. Patjetër se në këtë rast peshon edhe dëshmia ime si shoqnues i jetës dhe veprave të prindit tim, ashtu edhe të familjarëve të tjerë e të atyne që e shoqnuen e i ndejtën afër gjithë kohën, bashkë me atë pjesë të historisë në të cilën ishim përfshi.
Rrëfimi nis në një ditë të javës së fundit të korrikut 1914. Im atë, ishte shtri nën hijen e një fiku të madh, jo fort larg hanit të Gjet Toskës në Skuraj. Ai kishte mbarue gjimnazin françeskan në Shkodër e kishte ardhë në Skuraj me kalue pushimet verore e me u përgatitë me u nis për në Vjenë ku do të vazhdonte shtudimet e nalta ushtarake. Një ngjarje e papritun ia kishte mbyllë atë rrugë. Të shtënat e revolverit në Sarajevo mbi arkidukën e Austrisë, Franc-Ferdinandin, më 28 qërshor 1914, i kishin kallë flakën fuçisë së barotit të Ballkanit, Europës e mbar Botës. Kishte plasë Lufta e Madhe Botnore. Perandoritë e Austro-Hungarisë, Gjermanisë, bashkë me aleatët e tyne, Turkia, Bullgaria, Portugalia, etj., kishin nisë luftën kundër Antantёs, me Francën, Anglinё, Italinё, Rusinё, Shtetet e Bashkueme tё Amerikёs, Japoninё, me aleatёt ma tё vegjel si Serbia, Romania, Greqia, Polonia, Mali i Zi, etj. Zjarri i kёsaj lufte kishte përfshi mbarë rruzullin tokësor, sidomos Evropën. Ushtritë ndërluftuese kishin fillue të hidhëshin me egërsi barbare mbi njena tjetrën, duke u përlesh në beteja të përgjakshme. E pra ishin qenje që Zoti i kishte krijue sipas shëmbëlltyrës së vet. Vllazën. Kaina e Abela. Kush Kaini e kush Abeli ? Kush vrasësi e kush viktima ? Kush ngadhjimtari e kush i munduni ? U mbetej historianëve, shkrimtarëve e filosofëfe me e zgjidhë dilemën. Një gja ishte e sigurt : në atë kasaphane, dashje pa dashje, ata do vllaznohëshin përfundimisht në vdekjen. Anmiq përsegjalli e vllazën përsevdekmi. Ma e keqja, ishin milona djelm të ri të cilëve u pritej jeta nё lulëzimin e saj. Miliona nana te shkreta të veshuna ne zi. Miliona fëmijë pa baballarë. Ndërkohë ishin mbyllë mundësitë e njerëzve për të qarkullue lirisht nga një shtet në tjetrin. Perënditë moderne të transformuem në Fuqi të Mëdha siç ishin të Shtatë Krajlat, të ngujuem në « Olimpin » prallor të pallateve të tyne të stileve klasike, gotike, baroke, moderne, etj., loznin me fatin e njerëzimit për shtatëpalëqejfe. Hyjnesha e ngatërresës e kishte hedhun mollën e artë të sherrit mes gostisë së tyne. Kësaj radhe ajo nuk kishte shkrue mbi të « ma së bukurës » por « ma të fuqishmit ». Kush do ta ndante këtë gjyq ? Ku me e gjet një Parid tjetër ? Çeshtja nuk ishte aq e thjeshtë. Së pari nuk dihej se kush do te paraqitej. Tri Hyjnesha të bukura si perri apo tre Hyjni mjekrosha ? Këto mendime shtjellohëshin në mendjen e atij djali të ri 17 vjeç, aty nën hijen e një fikut të madh, ku nuk depërtonin dot rrezet e diellit. I pashëm. Sy zi. Flokë zi. Shtat hedhun. Me ia pasë zili vetë Paridi. Vapa ishte e madhe, dhe afshi i saj sikur shtohej nga kanga monotone dhe e parreshtun e xhingallave. Ai quhej Prenk, që kishtekuptimin, i parë, e që përkonte fort bukur me emnin Parid. Fantazia po i punonte. Sikur vërtet t’i dilnin përpara tri hyjnesha të bukura. Por mund t’ishin edhe tre hyjni mjekrroshё. Ndërkaq mendimi i fluturonte tutje, dhe si në një film i shfaqëshin përpara vitet e fëminisë : prindi, që ia kishin vra dhe që e kishte lanë jetim nandë vjeç, për të cilin ai ruente një kujtim të pashlyeshëm. I kujtohej shkolla, mësuesit e profesorët. I kujtohej axha i madh Gjin Pjetri që e kishte çue me vazhdue studimet në Shkodër. Pas vdekjes t’atit, ai ishte kujdes për të edhe ma tepër. I kishte sigurue bursën për vazhdimin e studimёve në Vjenë. Ai e mbante pranë gjatë pushimeve verore, duke e njohun me traditat, kanunet, zakonet dhe veprimtarinë patriotike e luftarake të fisit, të krahinës e të Shqipnisë. Gjatë atyne pushimeve kryente rolin e sekretarit t’axhës duke i mbajtë në rregull letërkëmbimin e dokumentët. Ma se një letër ishte shkrue nga dora e tij, e diktueme nga axha i madh. I kujtohej kur Gjin Pjetri e kishte çue me e marrë nga shkolla, bashkë me disa studentë të tjerë të krahinës, për me qenë të pranishën në ngritjen e Flamurit në Milot në mëngjesin e 28 Nëndorit 1912, ku ishin mbledhë gjithë luftëtarët e Kurbinit, Krujёs, Mirditёs, e të krahinave të tjera. Në Milot nuk kishte ndërtesa të nalta me ballkone si në Vlonë. Flamuri ishte vendos nga një djalë i ri mbi vidhin e madh të Kokajve, midis Milotit. Gjin Pjetri e kishte marrë fjalën :
– Burra, sot ne Vlonë, ngrihet flamuri kombëtar e shpallet pavarësia nga patrioti i madh Ismail Qemali, bashkë me atdhetarë të tjerë të mbledhun rreth tij. Mbas 500 vjet robnie, flamuri i Gjergj Kastriotit që valon mbi këtë vidh shekullor, na lajmëron se e kemi shporr turkun e se kemi fitue lirinë. Rroftë Flamuri ! Rroftë Liria !
Sa kishte thanë këto fjalë, Gjini e kishte nxierrë karadaklijën prej brezit duke e shprazun gjashtë herë n’ajri, që ishte pasue nga krismat e pushkëve të luftёtarve të mbledhun aty, kurbinas,kruetanë, mirditorë, leznjanë, malësorë, etj. Ngjarje të paharrueshme, që do ta frymёzonin e brymosnin me ndjenjat e atdhetarizmit, që do t’i vlenin në shtjellimin e mëtejshëm të jetës së tij. Këto kujtime i shkonin nëpër mend si vegime dhe nuk kishin të sosun.
Axha i madh , Gjin Pjetri, kishte vdekun papritmas në atë shkurt 1914, pra para pesë muejsh. Por edhe sikur të kishte qenë gjallë, çdo mund të bante për deri sa kishte plasë lufta e rrugët ishin mbyllun ? Sa do të zgjaste ky konflikt ? Mos vallë dhjet vjet sa Lufta e Trojës ? Troja ishte një qytet, po një botë e tanë ?
Ndërsa rrinte ashtu zhytun në këto andrrime me sy hapët, me duert të kryqëzueme pas kokës, i shtrimë nën hijen e atij fiku, ndigjoi një za që thërriste emnin e tij. Ishte Gjoni, një nga kushërinjt moshatarë.
– Pren, çohu se po të kërkojnë ! Kanë ardhë nja tre të huej me të cilët nuk po din kush me u marrë vesh. Simbas gjasës janë austriakë, i tha me një frymë Gjoni e pastaj shtoi, mue me shkoi mendja se ti vjen e pushon nën hijen e këtij fiku.
– Tre të huej, austriakë the ? Ç’fat do t’i ketë sjellë këndej ? Si duket i ka zanë lufta e nuk dinë se nga me ia mbajtë. Shkojmë ! Në këto fjalë e sipër të dy të rijtë u nisën.
– I ra ndërmend Gjet Toskës për ty, po i shpjegonte rrugës Gjoni, gjejeni Prenkën se këndej rrotull do të jetë. Ai ka me dijtë me u marrë vesh me ta. Gjetë Toska kishte një han pranë rrugës kambësore midis Milotit e Skurajt. Aty ndalëshin me pushue udhëtarë të ndryshëm. Shërbente edhe si bujtinë rrethanore për shtegtarë që i zinte nata, e si dyqan e pijetore për fshatarët përreth. Im atë shkonte shpesh andej, ku kishte mundësi të takonte njerëz të ndryshëm kalimtarë e të merrte vesh se ç’bahej me atë luftë të mallkueme, që i kishte pre rrugën për në Vjenë. Shtypi nuk ekzistonte e lajmet kalonin nga goja në gojë me deformime e sajime. Kur mori vesh për të huejt, sigurisht austriakë, seç i shkrepi në mendje : Po sikur t’ishin vërtet tri perendi ?… Qeshi me vete.
Sapo hyni në han, e thirri Gjeta :
– Sa mirë që erdhe or Pren ! Nuk po dijmë të merremi vesh me këto tre të huejt. Janë austriakë. U kam dhanë me hangër e u kam qitë nga një gotë raki. U gëzuen fort. Dukëshin të uritun. I çova matanë që të mos i besdiste kush. Eja këndej.
Gjeta e kishte ftue babën pas banakut ku e kishte kalue nëpër një deriçkë. Kur kishte dalë matanë ishte gjet para tre burrave me tre gisht mjekërr, të ulun galuc rreth nji tabakëje mbi të cilën ishin vendosë disa pjata plot me meze, djath, vezë të zime, domate, qepë, buk misri dhe tri gota uji me raki. Mbanin do pantallona kilotë e këmisha të përhimta, këpucë me qafa të mbërthyeme me lidhëse prej lekure, si të alpinistëve. Gjith pluhun e të palamё. Gazetarë, gjeologë apo turistë ? Në një qoshe të dhomës kishin vendosë çantat e shpinës dhe tre shkopij në formë kazmëje të vogël që zakonisht përdomin turistët e gjeologët. Në rrypat e mesit mbanin revolverë në këllefa, dhjetëshe austrie. Njëni prej tyne mbante syze të rrubullakta me skelet te zi metalik të hollë. Ky ishte flokëzi, dy të tjerët leshverdhë. Mosha e tyne rrotullohej rreth të tridhjetave. Të tri veshtrimet e austriakëve ishin drejtue nga ai djalë i ri shtatgjatë e i pashëm që mbante një uniformë studenti. Djaloshi e kishte thye menjëherë atë çast hutimi duke folun gjermanisht:
— Guten Apetit meine Herren. Wie geht’s Ihnen ?… Wie kann ich Ihnen helfen ? Ju baftë mirë, zotnij të nderuem. Si jeni? Në ç’farë mund të ju ndihmoj ? Ata kishin mbetun gojë hapun, e pas hutimit të parë i ishin hedhun në qafë
— Unser Retter, unser Retter!! Shpëtimtari ynë! Shpëtimtari ynӫ!
Po ia merrmin frymën duke e përqafue. Mbasi u qetësuen ia kishin shtrue bisedës. Im atё e kishte përvetësue gjermanishtën në gjimnaz ku kishte pasë profesor për këtë gjuhë, vetë Dom Ndre Mjeden, dhe të tjerë, që kishin krye studimet në Austri.
Tre austriakët, bashkëmoshatarë, ishin shokë e miq të ngushtë qyshë nga bankot e shkollës. I përkisnin familjeve të ngrituna të Austrisë. Njeni, Eduard Von Grimm, kapiten, rridhte nga nji familje aristokrate, brez pas brezi gjeneralë të përardorisë. Tjetri, Hermann Von Kirshner, fisnik, edhe ai kapiten, banonte e punonte ne Vjenë, por kishte pasuni e shpia edhe në Prage. I treti, Emil Brozovly, kont hungarez, mjek ushtarak, kapiten, me banim e me punë në Vjenë e me prona, pasuni e shpia në Budapest. Te tre ushtarakë, kapitena. Kishin ardhë në Shqipni me detyrë të posaçme për studimin e vendit. Merreshin jashtë detyrës, me arkeologji, histori, etnografi, etj. I kishte zanë lufta ne malet e Shqipnisë dhe kishin mbetun pa ushqime e nuk dinin kah me shkue. Prandaj kishin rastisë tek ai han për të kërkue bukë, vezë, qumësht, etj. Me kë me u marrë vesh ? E falënderonin hanxhiun që ishte tregue i sjellshëm e bujar. U kishte dhanë me hangër e me pi e u kishte lanë me kuptue me shenja se do ta gjente një njeri që fliste gjermanishtën. E ç’njeri se ? Një alamet djaloshi e shpëtimtar i tyne ! Zunë miqsi menjëherë. Kur morën vesh se si e kishte punën me shkollën e se si edhe ai ishte bllokue në Shqipni prej luftës, i propozuen që ta merrnin me vete, po t’u sigurohej kalimi deri në frontin bullgar. Bullgaria ishte aleate lufte me Austrinë. Ata e kishin kuptue se ai i përkiste nji familje të randësishme të vendit. Im atë i qetësoi dhe i ftoi në shpi, ku mund të pushonin dhe të vendosnin si me veprue. Që nga ai çast ata ishin nën mbrojtjen e fisit të tij. Nuk guxonte kush t’i prekte e t’i trazonte. Mbasi u përshëndetën me Gjet Toskën duke e falënderue për mikpritjen u nisën. Ata kishin dashtë të paguenin por Gjeta në asnjëmënyrë nuk kishte pranue. Ndërkaq im atë e kishte porosit Gjonin me lajmerue axhën, Ndrec Pjetrin, zotin e shpisë, se po vinte me tre miq austriakë, që kishin humbë rrugën e kishin kërkue ndihmën e tyne. Arritën te perroi i Urdhazës e u afruen te tre mullij, rresht njeni pas tjetrit. Iu ngjitёn kodrёs sё Lekbibajve, kështu quhej ajo kodër ku ngrihëshin kullat. Ma në fund u afruen të ato kulla ku u doli përpara një varg shkambor, sikur t’ishte krijue nga dora e njeriut, që formonin një si mur ciklopik, e pertej tij, kompleksi prej tre kullave gurore të ndërtueme në tri terraca me prita muri, që formonin tre oborre, sipas nivelit të ndërtesave. Dalloheshin dyert me qemerë harkorë prej guri të bardhë, me zbukurime floreale të skalituna me mjeshtri. Im atё pati kohë me u tregue diçka per ato ndërtesa gurore qё quhёshin Kullat e Gjin Pjetrit, nё kujtim tё udhёheqёsit tё kry engritjёs Kurbinit, qe kishin njohun luftimet kundër turqëve e që ishin djegun e shembë disa herë prej forcave osmane.
Kishte dalë për t’i prit vetë zoti i shpisë, Ndrec Pjetri, vellai ma i vogël i Gjin Pjetrit, burrë i urtë, trim dhe i mençur. Trup gjatë dhe i pashëm, me një pal musteqe të zbardhuna, i veshun me kostumin kurbinas, me tirq e xhamadan dhe kësulën e bardhë rrafshatake. Nën vetullat e trasha ndrisnin sytë e tij të kaltërt. Një plak i hishëm. Austriakët e shikonin me admirim. Ç’rracë këta shqiptarët ! Im atë, ia shpjegoi axhës gjëndjen e austriakëve dhe propozimin që i kishin ba. Ndrec Pjetri i ndëroi miqtë me një pritje qe i la ata të mahnitun. Hypën nalt nëpër një shkallë të drejtë prej druni në atë që quhej oda e miqve. Një odё e madhe katërkandёsh me një oxhak prej guri të gdhendun. Para oxhakut një prak katror i shtruem me rrasa tё bukura. Miqtë zunë vendin e nderit pranë votrës në anën e djathtë të oxhaku, ku ndizej një zjarr i qetë. Përballë, në anën e majt të oxhakut, rrinte Ndrec Pjetri, i pari i fisit, i cili mbasi u hodhi miqve kutinë e duhanit, dhe i pyeti e përshëndeti me anë të t’im etit që i rrinte pranë e ia përkthente fjalët, filloi cerimoninë e pjekjes së kafës. Mbushi xhezmën e madhe me ujë të nxehtë nga një ibrik që mbante afër zjarrit. Hodhi kafën e sheqerrin. Nxori filxhanat nga dollapi i vogël i futun në mur, bri oxhakut. Mbasi i mbushi filxhanat, një nga burrat që rrinin nga fundi i odës u çue dhe ua vuni përpara miqve. Oda e madhe ishte shtrue me qylyma endun me fije leshi, ku dominonte e kuqja dhe e zeza, me figurat e stilizueme të shqipës dykrenare. Kujtimi i flamurit të Gjergj Kastriotit ruhej në çdo orendi e zbukurim shtepijak. Mbi qylymat ishin vendosun postiqe dhensh. Gratë nuk hynin aty. Shërbimet kryeshin prej meshkujve.
Në pjesën fundore të dhomës ishin radhitë burrat e tjerë e disa të rij, që vetëm dëgjonin e kryenin ndonje shërbim sipas urdhnit të zotit të shpise. Austriakët, ndonse kishin problemin e tyne ndiqnin me vëmendje çdo lëvizje e gjest të këtyne shqiptarve të vërtetë, që ruenin të pa cënueme traditat e zakonet e tyne shekullore. U tërhiqte vëmendjen struktura e asaj ode të madhe me mure të tymosun, dritare të vogla dhe disa frengji të ngushta, për raste luftimi. Tratë e trashë prej lisi të tavanit të nximë prej thirrit. Vargu i krrabave ku ishin varun nje radhë pushkësh të markave të ndryshme. Tatë Ndreca, kështu e thërriste baba, fliste me ngadalë e i matun, duke i dhanë nga një të fërkueme mustakëve. I siguroi miqtë se do t’i përcillte ai vetë me Prenkën atje ku dëshironin, me një grup burrash t’armatosun. Ata ishin në besën e mbrojtjen e shpisë dhe të fisit e nuk kishin pse të shqetsohëshin ma tash e tutje. Por kryesorja ishte të pushonin e ta merrnin veten. Të lahëshin e të ndërrohëshin. Ai u kishte dhanë urdhën grave që të përgatisnin ujët e ngrohtë dhe të merrëshin me larjen e rrobave e ndërresave të austriakëve.
Miqtë kishin mbetun të çuditun nga ajo sjellje fisnike. Ata patën mundësinë të lahën e të hiqin mjekrrat. Veshën ndrresa të pastra nga ato të shpisë, dhe me kënaqësinë ma të madhe zunë vendet e tyne rreth oxhakut. E ndienin veten të lehtesuem e te çlodhun. U afrue mbramja dhe nuk vonoi e u shtrue sofra, mbushun me meze të çdo lloj, melçi të skuqura, djathë, petulla me mjaltë, qepë, turshi, etj. me gotat e rakisë secili perpara. Oda ndriçohej nga tri llampa vajguri. Njena mbi oxhak e dy tё tjerat mbi muret anёsorё, qё lёshonin dritё tё mjatueshme. Miqt e ndjenin veten mirё e shihej se ishin tё kёnaqun nga ajo pritje e ngrohtё qё u bahej. Ndёrkaq Ndreca kishte ngritë gotën:
– Kjoftë lëvdue Krishti e mirë se na keni ardhë. Përtëmir e ju priftë mbarë ! Im atë përkthente.
Kur austriakët e morën vesh domethanjën e fjalëve, mbetën të çuditun. Në atë përshëndetje përmblidhej e gjithë qëndresa shpirtnore shekullore e shqiptarve kundër pushtimevet të hueja dhe t’atij të fundit 500 vjeçar turk. Ishte nji përshëndetje që përsëritej prej 1800 vjetësh !
Rakia vazhdoi do kohë. Austriakët e pinin me qejf. Pastaj u shtrue darka. Miqtë patën rastin të shijonë mishin e pjekun në hell të një ftujaku, rritun në kullotat e përmenduna të Skurajt, që e banin mishin ma të shijëshëm. Ndreca, kishte ndërhy përsëri :
– Miq të nderuem, rrini do ditë këtu bashkë me ne. Pushoni. Kur ta shifni vetën ma mirë, nisemi.
Ajo pritje bujare dhe ajo darkë do të mbetëshin në kujtesën e tyne tanë jetën. Ata vendosën të rrinë disa ditë aty, për ta marrë mirë veten, sepse kishin vuejtë e ishin dobësue nga endjet poshtë e nalt pa pushim, duke u ushqye keq e duke mos e njohun gjumin.
Ndërkohë me anë të një harte ushtarake shumë të mirë të Shqipnisë që kishin, bashkë me Prenkёn dhe duke pyet tatë Ndrecën, që i njihte si në pëllambë të dorës ato vende, ata caktuen se si e ku duhej të dilnin në Maqedoni për te zona e luftimeve. Atje mund të ndeshnin forcat e bullgarëve, aleatë të tyne. Kështu erdhi dita e nisjes. Ndërkohë im atё kishte folë me t’amën, nanë Mrikën, duke i shpjegue se si i kishte dalë fati me shkue në Austri bashkë me këto tre miqtë. Nanë Mrika ia kishte dhanë menjëherë pelqimin e bekimin. Ajo, vërtet që e kishte djalë të vetëm, por njeriu disa herë duhet të dinte ta kapte fatin e vet, dhe ajo kishte besim se djalit të saj fati i kishte ardhë në dorë e nuk duhej ta lëshonte. Ajo ishte një grue kurajoze, që ishte rritë mes tymit të barotit dhe kishte përjetue luftimet e djegien e shpijave prindore nga turqit, si edhe ato ku kishte shkue nuse. Burrin ia kishin vra, duke e lanë të vejë me atë fëmi nandë vjeç, që tashma ishte ba burrë. Ajo nuk e pengonte në këtë nismë. Të shkonte, të shkollohej e të kthehej me i shërbye atdheut.
Erdhi dita e nisjes. Im atё u përqafue dhe një herë me nanën e me robt e tjerë të shpisë, që kishin dalë me përciellë atë cdhe miqtë.
Lumin e Matit megjithëse ishte fry nga shiu qё kishte ra malёve e vinte i trubullt e kaluen pa vёshtirёsi. Ndërsa po visheshin, im atё u kishte tregue se ai vau që ishte dhe një vend i bukur me rrapa viganë ishte pronё e tij e trashёgueme nga i ati. Pasi u veshën e mbathёn u nisën.
Udhëtimi vazhdoi tre dit nga miku në mik. Natën e fundit ata e kaluen të një shpi mike në Dibër të Madhe, në territorin e Maqedonisë. Aty morën vesh ku zhvilloheshin luftimet midis serbëve e bullgarëve. Dy burra të shpisë e morën përsipër t’i përciellnin natën deri aty ku ata mendonin se mund të ndeshnin në forcat bullgare. Njeni nga tre miqtё, hungarezi Brozovly, i njihte gjuhët slIave dhe fliste bullgarishten dhe serbishten. Kjo ishte diçka e mirë dhe e favorshme për ta. Dy shoqnuesit i përcollën deri në një far vendi, dhe mbasi ua shpjeguen drejtimin, u kthyen dalë.
Kapiteni Von Kirschner që kishte përvojë për situata të tilla e mori komandën. Me anë të busullës, tue caktue drejtimin që duhej marrë, u prini nëpër errësinë. Ecën ashtu për do kohë nën dritë e yjeve. Hana kushedi ku shetiste. Ecnin me kujdes, me armët në gatishmëni për çdo të papritun. Mbrritën te një gropore, ku vendosën me qëndrue deri kur tё sbardhte dita. Sa agoi, ashtu siç rrinin të strukun në atë gropore, u degjuen disa zana. I banё veshët pipëz
– Mbani heshtje ! Kishte folë Brozovly. Ishte një za komandues në gjuhë sllave.
– Shpëtuem ! Janë bullgarë ! Nxirmi shpejt nji shami të bardhë ! Thirri hungarezi.
Lidhen një leckë të bardhë maje nji pushke, dhe e ngritën nalt. U dëgjue prap zani i parë. Brozovly, që e kuptoi ç’thoshte bullgari matanë u çue në kambë dhe iu përgjigj bullgarisht. Bullgarët u afruen dhe oficeri që kishte folun erdhi e u takue me austriakët me përzemërsi. Çeshtja u zgjidh në vend. Ndrec Pjetri e tre shoqnuesit u përshëndetën me miqtë e huej dhe me nipin e morёn rrugёn e kthimit. Bullgarët i shoqnuen tre austiakёt e Prenkёn deri nё komandёn e tyne. Aty austriakët dhanë shpjegimet e duhuna. Qëndruen atё ditё tё mirёpritun nga komanda bullgare sa me e marrë pak veten. Tё nesёmen u nisen me një mjet ushtarak për në Shkup e prej aty në Sofie. U paraqitën në ambasadën austriake, ku u pritën si heroj. Qëndruen dy dit në Sofie, miq të ambasadorit. Dolën me Prenkёn, të cilin e pajisën me rroba e ndërresa të reja, duke ia hequn kostumin e gjimnazistit që ai mbante. I erdhën vërdallë për qejf kryeqytetit të Bullgarisë, ku vizituen kishën e Shën Sofisë, Pallatin Mbretnor etjera ndertesa tё randёsishm. Im atё tashma po njihte e shijonte një jetë ma të qytetnueme, në një vend ballkanik që ishte afrue nga Evropa. Rrugë të shtrueme, hekurudhë, drita, pallate e shtёpi të bukura. Ndërsa në vendin e tij, sundonte pisha e bishtuku i vajgurit. Pa rrugë, pa ura, ku qytetet ishin si fshatna, me kasolle e shtёpi përdhese prej çerpiçi. Shkodra ku ishte rritë, po i dukej tashma një lagje e varfën e Sofies. Pastaj i hypën trenit për në Budapest. Qëndruen dy dit tё tjerё pranë Kontit Brozovly, i cili, për hatër të tim etit, i bani me vizituc këtë qytet, që për bukurinë e tij tërhiqte turistë nga gjithë bota. Sigurisht se Budapesti ia kalonte shumë Sofies. Urat metalike monumentale mbi Danub që ndanin Budën nga Pesti. Muzeumet e Galeritë e Artit. Kafenetë, teatrot dhe sallonet e kontëve hungarezë. Mandej drejt e në Vjenë. Madhështia dhe bukuria e kryeqytetit perandorak e mahniti. I dukej vetja ne një botë prallore. Tashma ishte në qendër të qytetnimit evropian, ku dominonin pallatet, katedralet, kishat, monumentet, parqet, shatërvanët, teatrot, muzika. Danubi me urat bukura, etj., etj. Lufta kishte fillue e aty në Vjenë nuk ndihej fare. Faktor kryesor ishte se në atë kohë nuk ekzistonte aviacioni luftarak e qytetet nuk rrezikohëshin nga bombardimet ajrore. Lufta zhvillohej në fronte te largëta. Njerëzit e vazhdonin jetën e tyne normale, me punë e aktiviete tё ndryshme kulturore, ku dominonte muzika e ballot në sallonet e shoqnisё si ngritun Vjeneze. Ky kontakt i menjëhershëm me qytenimin evropian, e kishte trondit shpirtnisht. Shqipnia kishte mbetë në gjendjen mesjetare. Pushtimi 500 vjeçar turk, e kishte izolue krejtësisht nga bota e qytetnueme. Profesorët e tij të gjimnazit të Shkodrës, i dukëshin tashti heroj të vërtetë. Ata kishin njohun qytenimin e kulturën evropiane, ku kishin krye shkollat e nalta, dhe ishin kthye në atdheun e tyne për ta ngritun nga prapambetja, për të çue pakëz dritë në atë errësinë shumëshekullore. Edhe ai ashtu do të vepronte.
Im atë tashma ishte ba me tre miq, tri shtёpi, tri familje. Kush e kush të kujdesej ma mire e ma shumë për të. Nga ana tjetër miqtë, që ishin të njohun, e paraqitën dhe e regjistruen menjëherë në Kadettenschule» të Vienës (Akademia Ushtarake) ku pranohëshin vetëm djemt e familjeve fisnike të Perandorisë. Sigurisht se i vlejti diploma e maturës që kishte marre me vete, e që njihej nga Ministria e Arsimit të Austrisë. Rregullat ishin rregulla. Nё universitete e akademitё ushtarke s’mund te hyje pa diplomёn e maturёs*. Mbasi mbaruen këto formalitete edhe disa punë të tjera, e shetitën mikun e ri për disa ditë nëpër gjithë Vjenën. E njohen me monumentet kryesore si Katedralja e Shën Stefanit, Pallatin Perandorak në Shönenbrunn, Pallatin e Parkun e Belvedere, Pallatin e Operas, Teatrin e Qytetit, Parlamentin, urat mbi Danub, kafenetë e hotelet kryesore e te tjera ndertesa me vlera arkitektonike etj. E çuen pastaj të Muzeu historik i Vjenës ku ai pati kënaqësinë të admironte e të prekte me dorë shpatën dhe kokorën e Skënderbeut me një emocion të madh të papërmbajtun.
Pastaj e përcollën në Kadettenschule ku do të jetonte si konviktor e do të vazhdonte studimet për të dalë oficer. Sigurisht se im atë ne atë moshë të re kishte mbetë i mrekulluem nga madhështia dhe bukuria e Sofjes e dhe Budapestit, por kryeqyteti Përandorak e kishte magjepsun krejtësisht. Miqtë e paraqitën edhe te familjet që i përkisnin rrethëve të elitës fisnike vjeneze, duke e prezantue si shpëtimarin e tyne dhe si pinjollin e një familje fisnike të randësishme shqiptare, siç e tregonte dhe vetë paraqitje e tij. Nuk i munguen atij njohjet me vajzat e këtyne familjeve, që ndiqnin me sy kurrështarë këtë të ri aq të pashëm e fisnik e që përmatepër e fliste gjermanishtën aq bukur.
Rrёfente im atë, se nё ato kushte tё reja qё u krijuen ashtu si pёr mrekulli, rrinte tue mendue si ndodhi qё ata të huejt tё vinin pikërisht aty te hani i Gjet Toskës ? E pse ai qëlloi aty ? Kur u njoh me ta, në çast i shkoi nё mendje se fati po i jepte një shans të papritun, që duhej kapun patjetër e s’ duhej lëshue. Njëherë të vjen zogu në dorë !
Nga gjithë zhvillimi i kësaj ngjarje nxirret përfundimi se jeta e njeriut asht e shkrueme, siç thotë populli. Krijohen disa rrethana e situata të atilla të paprituna që i japin jetës një kthesë të caktueme të paparashikueshme, që njeriu vetë nuk do mund të realizonte. Në rastin e tij rethanat u zhvilluen në një mënyrë të atillë, sikur i drejtonte nji forcë e padukshme, nji fuqi jashtë përmasave njerëzore e pakontrollueshme, sëcilës nuk mund t’i shmangesh as t’i shpëtosh. Nga ana tjetër del se në këtë kontekst ndikon edhe vullneti i njeriut. Asht njeriu që duhet të marri vendimin për po ose për jo, për mirë ose për keq. Pra midis fàtit dhe vullnetit të njeriut krijohet nji lidhje që kushtëzon nji situatë të caktueme e cila gjen nji zgjidhje pozitive apo negative sipas shembullit të ndarjes së dy rrugëve, ku njëna do të merrej patjetër. Në rastin konkret, lypsej guxim, të dalë ku të dalë ! Im atë kishte nji simpati të veçantë për Aleksandrin e Madh. Kur ai u gjet para nyjes së pasgjidhshme të Gorgonit, pasi i hodhi një vështrim, nxori shpatën dhe e ndau në vend. I dha zgjidhje një problemi që kishte shekuj që qendronte i pazgjidhun. Ishte një gjest frymëzues për vendime guximtare. Im atё e tregoi që në atë çast që vendosi me shkue me austriakët, se ishte njeriu i guximit, një cilësi që do ta shoqnonte gjithë jetën e që do ta ndihmonte me përballue me sukses situata shumë të vështira. Në fund të fundit, guximtarve u prin fati. Audaces fortuna juvat.
—————————-
*– Persa i perket shkollave te larta, si Univesitete e Akademi Ushtarake s’mund te hyje pa pasё diplomёn e maturёs, tё njohur prej Ministrisё sё Arsimit tё Austrisё. Po e themi kёtё, sepse ka patur e ka shqiptarё qe pretёndojne se baballarёt e tyre paskёshin krye Akademinё ushtaarake ne Vjenё, pa pasur asnjё dokument shkollor, sikur dhe tё fillorёs.
Prenk Pervizi nё moshёn 10 vjeç, 1907,
me kostumin me kёsulё tё kuqe tё “Konviktit tё Malёve” nё Shkodёr.
(Nga njё foto e zbulueme nё fototekёn Marubi, Shkodёr, pas 110 vjet)
Shënim :
Gjithë sa u tregue deri këtu i përgjigjet rrethanave te vërteta në rë cilat im atë u përfshi. U banë shkak ato tre austriakët që ai të mund të arrinte me vazhd e te kryente Akademinë Ushtarake. Njëkohësisht nëpërmjet kujtimeve tӫ ti, na jepën përshkrime që lidhën me mjedisin e jetës së shqiptarve në kushtet primituve ku e kishte katandisun pushtimi osman. Nga ana tjetër del ne pah roli i fatit në jetën e njeriut që hyn në rrjedhën e ngjarjeve të paprituna, pothuej si të paracaktueme. Del sheshit edhe kontaki i befassishëm me qytetnimin që kishte marrë zhvillim edhe në shtetet fqinjë si Bullgaria, e me radhë Hungaria deri në Austri, ku qytetet shqiptare i ishin dukun si fshatna të prapambetun.
Midis historisë e lëgjendës
Tregimin e nisëm fillimisht me nji ngjarje vendimtare për jetën e prindit tim. Tani na duhet me u kthye pakëz mbrapa në kohë për të marrë vesh se kush ishte ky djalë.
Lindi në Skuraj me 4 maj 1897, në ato kullat historike të Gjin Pjetrit, në nji familje që mbante emnin fisnik të Pervizit të Skurajve të Kurbinit. Stema e Skurajve ishte një luan (ose uk) në kambë me një brazdë të tërthortë, dhe një dekor lule zambaku. Nji stemë krejt e veçantë për nga forma dhe paraqitja figurative. Ajo u zbulue nga konsulli e studiuesi austriak; Teodor Ippen, mё 1907, nё kishёn e Zojёs Nunciata nё kodёr Marlekaj tё Lezhёs. Pllakё e varrit tё princit Anton Skura, sh. XIII. Ruhёt nё Muzeun Kombёtar nё Tiranё. Dikur Principata e Skurajve shtrihej nga Kurbini deri në Berat e Vlonë. Mendohet se ajo ishte krijue rreth shekullit XII. S’ka dyshim se asaj i perkistee ashtuqquejtuna principatё e Arbnit me Progonin e bijt, Gjini e Dhimitri me kryeqytet Krujën. Principatë që për histotianët qednron akoma e pa studiueme mirë, dhe së cilës nuk i dihet emërtimi i vёrtetё. Fill pas vdekjes së Car Dushanit e shpërbamjes së mbretnisë tij (1355), ku ishte përfshi Shqipnia, u krijuen disa principata ndёr to principata e Skurajve, e cila ishte forcue me Princin Aleksandër Skurën, që sundonte në Vlonë. I pari princ shqiptar që përmendet historikisht, në analet rumune, për pjesmarrje në një betejë të një koalicioni ballkanik të vitit 1378 që u zhvillue kundër turqëve në Rumeli, ku ai komandonte ushtrinë shqiptare. Ma vonë principata u dobsue edhe u kufizue në krahinën e Kurbinit me qendrën e saj në Skuraj, duke kalue fillimisht nën sundimin e Topijajve pastaj nën atë të Kastriotëve. Fisi i Pervizit të Skurajve qendroi përkrah Katriotёve qyshё me Gjon Kastriotin e pastaj me tё birin, Gjergj Kastriotin Skandërbeun. Princat Skuraj morёn pjesё nё Beslidhjёn e Lezhёs nё mas 1444, e gjatë gjithë kohës deri 1468, i qёndruen atij krah pёr krah. Skёnderbeu kishte vendosun në malet e Skurajt, një bazë të fortë prej ku ndermerrte sulmet mbi hordhitë pushtuese osmane. Vlerësonte shumë vendosmëninë e banorëve dhe trimninë e burrave të Kurbinit, që përbanin gardën dhe një pjesë të mirë të ushtrisë tij. Mbas vdekjes së Skëndërbeut kreu i fisit, princi Ndue Skura me dy djemtë e disa kushrij u detyrue me u largue për në Itali në krahinën e Ankonës, ku andej nga viti 1520 figuronte një fisnik me emnin Dhimitër Skura. Ma vonё nё Durrёs mori randёsi Ipeshkvi Mark Skura, i cili u pёrpoq pёr shkollёn shqipe e tё tjera çeshtje, lidhun me kundёshtimin ndaj pushtimit osman. Por dikush kishte mbetun për të vazhdue mbijetesën e fisit. Gojdhana ma e hershme asht ajo e Pervizit tё Madh të Skurajve, të cilit nuk i asht përcaktue mirë koha. Mendohet të ketë qenë para ardhjёs së Skanderbeut, kur turqit e mundën Gjon Kastrioti më 1413-14 dhe morën Krujën duke e pushtue principatën e tij, ku pas vdekjёs tij, ia zuni vendin njё Guvernatot turk. Ky deshi tё zgjanojё pushtimin nё zonat malore drej veriut dhe ndeshi nё qёndresё e Pervizit tё Skurajve. Emni i Pervizit vjen historikisht nga një lashtësi ma se 2000 vjeçare, që u ruejt i pacenuem e i pandryshuem brez pas brezi ndër shekuj dhe ku rezulton se qendra e tyne ka qenë pikërisht në Skuraj. Por kjo asht një tjetër bisedë. Komandanti trim Pervizi i Madh (siç quhej) arriti me u qëndrue në kalanë e tij nё Ferrё-Skuraj sulmeve pa sukses të turqëve, që kërkonin të dëpërtonin në zonat veriore, pas fitorës mbi Gjon Kastriotin dhe vdekjёs sё tij. Ai nuk i pranoi propozimet e turqëve për pozita të nalta të shoqnueme me dhurata të çmueshme e me flori. Atëhere Turqit vendosën me e eliminue fizikisht dhe e banë për veti probatinin për me ia zanë vendin, i cili arriti ta vrasë Pervizin me pabesi gjatë një gjuetije ne pyllin aty afër. Besnikët ia morën hakun kështjellarit trim duke e vra tradhëtarin. Princi u varros aty ku u vra, sipas fjalёs qё kishte lanё, qё tё varrosej aty ku trupi tij tё binte pёr dhè. Ai varr, rrethue me gurё, ruhet sot e kёsaj dite. Turqit, pёrfituen nga vrasja e princit. Ndërhynë dhe e shembën kalanë dhe dogjën kishën e Shën Gjergjit dhe rrënuen fshatin. Nga inati u munduen me zhduk familjën e fisin e Pervizit , që u strehuen në malet e ashpra të Skurajt. Historia e Pervizit u ruejt djalë pas djali në gojdhanat e popullit. Fisi mbijetoi e u forcue dhe njëkohësisht nuk pushoi së kundërshtuemit pushtimin turk duke marrë pjesë në të gjithë kryengritjet që plasën në krahinat veriore. Dëshmi janë rrënojat e kalasë e të kullave të tyne të djeguna herë pas here nga hordhitё anadollake.
Ndërkohë fisit iu desht me ndërrue disa herë emnin për t’i ikun përsekutimit të turqëve. Nga viti 1650 mbajti emni Ukasanaj me të cilin gezonte autoritet të fortë. Ky emën vinte nga stema e Skurajve me figurën e luanit ose ukut, siç e quente populli, pra si fisi i Ukut, Ukasanaj. Kjo deri në kohën e Gjin Pjetër Markut, kreu i fisit, i cili për të vu në vend nderin dhe emnin e derës, mblodhi kuvendin e Dëlbnishtit me 5 – 6 – 7 gusht 1906, me 54 pleqt tё Kurbinit dhe të semtit të Krujës, të cilët ia njohën autoritetin si Gjin Pjetër Mark Pervizi Skuraj i Kurbinit, duke e rikthye emnin e fisit ne vendin e vet të nderit, si fis i vjetër fisnik, dhe vetë Gjinin, e njohën plak të parë të 54 pleqve të Kurbinit dhe të Semtit të Krujës, përfaqësues i vegjelisë (popullit). Populli e kishte gjetë udhëheqësin e vet te Gjin Pjetër Pervizi dhe ia njihte atij të gjithë të drejtat e meritat që i takonin sipas traditave shqiptare. Në aktivitetin e tij patriotik e luftarak ai ishte i lidhun e ne marrëveshje me patriotë të tjerë rilindas, si Bajram Currin, Isa Buletinin, Abdyl Frasherin, Murat Toptanin, Fuad, Vehbi e Refat Toptanin, Ded Gjo Lulin, Ded e Gjeto Cokun, Mehmet Shpendin, Luigj Gurakuqin, At Shtjefën Gjeçovin, Nikoll Kaçorrin, Prend Bardhin, Ismail Qemalin, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Preng Bib Dodën (Preng Pashën), kapidanin e Mirditёs Marka Gjonin, Zef Ndocin, Abat Doçin, Parinё e Krujёs, e të tjerë patriotë. Sigurisht se pleqt e vitit 1906 i dinin punët ma mirë se ata të vitit 2016. Një dam të madh solli diktatura komuniste kur emni i Pervizit as nuk mund të përmendej dhe jo ma të vlerësohej. Kjo nga fakti se kreu i fisit, im atë, Gjeneral Prenk Pervizi, nuk i përfilli komunistët dhe u qëndroi kundërshtar i vendosun, si gjatë kohës që ndejti në Shqipni ashtu dhe i arratisun jashtë shtetit Si pasojё i gjithë fisi iu nënshtrue një përsekutimi të paparë dhe historia e tij u hesht dhe u mbulue me pralla kalamajsh për njerëz të tjerë të pa kurrfarë vlere, barij dhensh e dhishё e banditë rrugësh, për të paraqitë historinë e Kurbinit të çveshun nga çdo vërtetësi dhe nga çdo figurë të shqueme që lidhej me emnin e Pervizit. Edhe kur regjimi komunist u detyrue të njohë veprimtarinë patritioke të Gjin Pjetrit dhe biles ta dekorojë atë, nuk ia përmendi kurrë mbiemnin Pervizi, duke e mbajtë në anonimat, mbiemën i cili ishte vu në shënjestrën e regjimit komunist për t’u zhdukë nga faqja e dheut.
Pra, im atë lindi në atë kohë kur në të gjithë Kurbinin kërciste pushka mbi turqit. Populli e kishte njohun Gjin Pjetrin si udhëheqës dhe ishte hedhë pas tij në kryengritjen e përgjithëshme kombëtare, që në Kurbin mori përmasa të randësishme. Historiani i njohun Zef Valentini e përcakton kryengritjën e Kurbini me Gjin Pjetër Pervizin në krye si ajo që i dha nismë kryengritjës së përgjithëshme kombëtare. Kurbini kishte çue krye kundër Stambollit edhe ma përpara në Kryengritjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 1878, që u shtyp barbarisht nga taborret e turqisë të Dërvish Pashës më 1881, që dogjën kullat e Pervizajve në Skuraj. Ato kulla do të digjëshin përsëri nga turqit më 1911. Po ato ndërtesa ku kishte lindë Prenk Pervizi, mbas rindërtimit të tyne. Ma vonё ato kulla nuk do të kursehëshin as nga partia komuniste shqiptare qe me brigatat partizane terroriste do t’i digjte për te tretën herë më 17 janar 1945, pikërsih në ditën e vdekjës së Gjergj Kastriotit. Rastësi ?
Stambolli kujtonte se me të tilla masa shtypëse, mund të mposhtej populli i Kurbinit. Kishte harrue se pikërisht Kurbini ishte një ndër krahinat ma të vendosuna e të papërkulshme, që bashkë me Mirditën, Lezhën, Kthellën, Dukagjinin e Malsinë e Madhe, formonin atë zonë të pathyeshme, që ruejtën të pacenueme besimin e tyne kristian-katolik gjatë 19 shekujve. Kishin harrue se fisi i Pervizit që përfaqesonte Kurbinin nuk ishte nga ato që mposhtëshin kollaj. Faktikisht, ndonse e lidhun historikisht pas Krujës, Kurbini nuk u mposht e nuk pranoi të ndryshonte fenë e të parëve, as me forcë as me hatër. Edhe musulmanët e Kurbinit e tё Krujёs i ndejtën përkrah Gjin Pjetrit. Ata ishin të ndërgjegjshëm se të parët e tyne kishin qenë katolikë. Kurbini u ba prita e pakapërcyeshme e mosnënshtrimit ndaj pushtuesit osmanlli. E kur filloi të fryeje flladi i lirisë, u çue në kambë e rroku armët për të mbrojtë të drejtat e veta dhe çeshtjen kombëtare shqiptare nën udhëheqjen e burrit ma të spikatun të krahinës, Gjin Pjetër Mark Pervizit tё Skurajve, pёr tё cilin dhamё shpjegimet e duhuna ma sipёr. Emni tij do të radhitej me emnat e atdhetarëve të mëdhej të Rilindjës. .
Lindja e tim etit u prit me gëzim të madh, dhe u përshëndet me krisma pushkësh e me gosti. Ai ishte fëmija i parë dhe i vetmi i Frrok Prendit, ky, djalë axhe me Gjin Pjetrin. Nga dita e martesës së tij me Mrikën, vajzën e Preng Nikoll Palit nga Bulgëri, kishin kalue 11 vjet pa fëmijë, dhe pothuej e kishin fjetun mendjen se mund të kishin ndonjë. Kur ja, Zoti ua fali ! « Zoti e ban mirë !» shkonte tue thanë gjithmonë nanë Mrika, gjyshja jonë, grue e dëvotshme, dhe Zoti mirë e bani, që i fali një djalë. Ajo kishte përjetue mjaft ngjarje që në rininë e saj. Kishte ndjekë luftimet e çetave të Lidhjes së Prizrenit e kishte përjetue djegien e kullave atnore të Preng Nikoll Palit në Bulgër, prej ushtrisë turke në moshën 21 vjeçe, më 1881, kur u dogjën dhe kullat e Pervizajve në Skuraj. Prej atyne rrethanave ishte martue në moshën 26 vjeçe, me Frrok Prendin. Këto rrethana të bajnë me mendue, se fati i njeriut vëndoset e zhvillohet sipas një paracaktimi të padiskutueshëm, për ata që kanë përvojën e jetës dhe ndjekin anën e misterëshme të fenomenëve të ndryshme që lidhen me besimin në Zotin dhe me fatin e njeriut që nga djepi e deri në vorr. U ba festë e madhe, dhe pagëzimi u krye në kishën e vjetër të Sh’na Prenës (Shёn Veneranda) në malin e Skurajt, ku iu vu emni i gjyshit tij, Preng ose Prenk. Tradita do të ndiqte vijën e saj shumëshekullore, brez pas brezi. Prenk t’im etit i mbeti nga periudha e Austrisë, ku gjermanisht, shkronja “g” shqiptohet “k”. Dhe ne vazhdimin e shkollës, emni iu shkrue sipas shqiptimit gjemanisht dhe i mbeti i tillë. Ngjarjet e mavonshme e shohin atё akoma kërthiqe, që merr shtigjet e maleve në kurriz të nanës për t’i shpëtue hordhive turke, kundër së cilave kishte fillue pushka në Kurbin, me qendër Skurajn. Jemi më 1897. Gjin Pjetri kishte largue të gjitha gratë me fëmijë të vegjël, pleqtë e fëmijët e mitun, nga kullat e tij dhe familjet e luftëtarve të tjerë, për me u strehue në thellësi të maleve pranë ilakave dhe miqësive. Nanë Mrika me djepin mbi shpinë, kishte marrë rrugën për në fshatin Kryezez të Lezhës, fillikat e vetëm, ku kishte të martueme motrën, Dilukën, te Pal Gjin Kryezezi. Aty ajo më fëmijën qëndruen gjashtë muej. Kur kaloi vala e trubullinave u kthyen në Skuraj. Ngjarjet historike po e përfshinin tim etin që në moshën e foshnjërisë, si një paralajmërim për ngjarje të mavonshme. Kur im atë sa kishte kalue moshën gjashtë vjeçe, Gjin Pjetri vendosi ta dërgonte në shkollë në Shkodër, bashkë me fëmijë të tjerë Kurbinas, Mirditas e të Malësisë së Lezhës. Në fakt, i kishin çue fjalë nga Shkodra, ku ishte krijue “Konvikti i Maleve”, që të dërgonte disa fëmijë nga këto krahina, të zgjedhun nga po aq shpi të mira. Gjini, për shpinë e vet, vendosi me dërgue Prenkёn, qё dallohej pёr squetsi mbi fёmijёt e tjerё. Gjini i kishte kёrkue pёlqimin t’ati, Frrok Prendit, i cili ia kishte dhanё menjherё. I zoti i shtёpisë, në familjet patriarkale, nderohej e respektohej. Fjala dhe vendimet e tij ishin ligj dhe askush i shtёpisë nuk i kundështonte. Ishte vetë Gjin Pjetri që e përcolli Prenkёn në “Konviktin e Maleve” bashkë me baballarët e fëmijëve të tjerë. Gjini e kishte synin te Prenka i vogël për me vazhdue trashigiminë e udhëheqjes së fisit dhe të krahinës. Bashke me tim etin Gjini kishte dergue edhe fëmijë të tjerë, jo vetёn nga Kurbini por dhe nga Mirdita e Lezha ndër ta, që mbaj mend, Preng Jakun, Gjon Fushën, Pal Prendin, Lek Margjinin, etj. Im atë e vazhdoi shkollën rregullisht ku shkёlqeu nё mёsime e aktivitete shkollore. Prandaj, siç shihet, bashkë me fatin hyjnë edhe vendimet e vetë njeriut, dhe për çudi, po t’i kundërvihësh fatit punët nuk të shkojnë mbarë. Gjyshja jonë, megjithëse mbeti e vejë, vetëm me atë djalë, nuk ndërhyni kurrë me ia ndryshue drejtimin që kishte marrë, duke e lanë me ndjekë fatin që i kishte dalë. Në Shkodër, ku vazhdonte gjimnazin, im atё pati fatin e nderin të kishte për mësues e profësorë, ajkën e kulturës shqiptare të kohës dhe të gjithë historisë sonë, si Gjergj Fishtën, Ndre Mjeden, Luigj Gurakuqin, Kol Kamsin, Anton Harapin, Mati Logorecin, Hil Mosi, Pjetër Giadrin, Luigj Shalën, Ndoc Nikajn, etj., siç e kemi tregue ma përpara. Përveç profesorëve që përmendëm, ai pati shokë shkolle që ma vonë do bahëshin me emën, si Çatin Saraçin, Luigj Muzhanin, Sandër Saraçin, Zef Shirokёn, Nush Topallin, Zef Serreqin, Loro Muzhanin, Spiridion Kaçaroçin, e te tjerë, që do të zinin pozita shtetnore e shoqnore me randësi. Këto përshkrime, përveç se nga im atë i kisha marrë nga vete disa të siperpermendunit me të cilët kisha nda kohën e internimit në kampin e izolimit të Kuçit të Kurveleshit, mё 1954-1958. Ma vonë, rastësisht edhe nga Prof. Luigj Shala, kur isha i internuem ne Lushnje, ku ai kishte vajzën, Marien, të martueme me Z. Ali Ypi, agronom i fermës ku ne punonim, e mik i vjetër i familjës, si bir i Abdyl Ypit. Luigj Shala kishte qënë profesor i tim etit para 50 vjet, dhe me tregonte për të se si ishte një ndër studentët më të dalluem. Prandaj njohja me të tilla figura të shqueme të kulturës dhe të patriotizmit qyshë në bangot e shkollës, e brumosen atë me ndjenja të një atdhetarizmi të flakët. Mësimet, këshillat dhe porositë e tyne, i mbeten të ngulituna në mendje gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij. Ai ruejti një respekt të madh për ato burra që ma vonë iu banë miq të shtrejtë, kur ai vetë u afirmue si figurë e randësishme në jetën ushtarake, politike e shoqnore të vendit.
.
Gjimnazi salesian i Shkodrёs ku kreu mёsimet Prenk Pervizi, 1904-1914.
Mes kёtij grupi ndodhej edhe ai, por ku s’mund te dallohet nga vogёlsia dhe vjetёrsisa e fotografisё e para 110 vjetёve.
Fotografi historike e rallё. E viti 1907. Gjin Pjetri me tre fёmijё kurbinsa qё ai kishte çue nё “Konviktin e Malёve” nё Shkodёr, ku i pari nё rresht asht nipi tij Prenk Pervizi nё moshёn 10 vjeç ndёrsa ai majtas Preng Jaku, ai lart i panjohun. Fёmijёt mbajnё kostumet e e Konviktit me kёsula tё kuqe si shej dallues se asaj shkolle.
(Foto Marubi, 1907)
Fotografi tё panjohura tё Gjin Pjetrit e tё Prenk Pervizit tё vitёve 1907 -1923, u gjetёn nё Fototekёs Marubi nga studiuesi Kastriot Marku.
Kur luftohej për Liri
Ndërsa im atë vazhdonte shkollën nё Shkodёr, në Kurbin kishte marrë hov kryengritja kundër pushtuesit osman. Turqit ishin inatosun keq dhe kërkonin të asgjësonin Gjin Pjetrin, që po u shkaktonte trubullina dhe disfata, tue fillue nga shpartallimi i tyne në Fushën e Tallajbesë në Krujë më 1904-1906, në Pllanë (Pdhanë) më 1911 e gjetke. Kështu vendosën ta sulmojnë në çerdhen e vet në Skuraj, për t’i dhanë fund veprimtarisë së tij kryengritëse. Por po i banin hesapet pa të zotin, sepse kur taborret turke arritën në Skuraj, u gjetën para një kalaje të pamposhtshme. Mali shkambor i Skurajt midis lumit Mat dhe atij të Urdhazëz, kishte një pozicion të mbrojtun prej vetë natyrës. Ushtria turke u gjet para pengësave natyrore dhe para qëndresës së vendosun të burrave trima të Kurbinit. Megjithë goditjet e artilerisë dhe sulmëve të parreshtuna të ushtrisë osmane, pushkët e luftëtarve shqiptarë gjimonin ma shumë se topat e turkisë e banin kërdinë ndër nizamë. Kjo paraqitet me pak rreshta në një kangë popullore:
… N’at Urdhazë ka ra ushtria,
bjen daullja e bjen burija,
gjimon topi e trandёt mali,
trandёt shkambi, trandёt zalli,
kërset pushka edhe alltia
prin Gjin Pjetri si duhija …
……………………………..
Shkon Urdhaza kuq me gjak,
kuq me gjak, me gjak nizami,
luftë po ban Gjin Kapidani …..
Gjyshja jonё, kësaj radhe nuk i mori shtigjet malore me djep në kurriz, por qëndroi pranë luftëtarve, sepse ishte e lirë nga përkujdesia ndaj djalit që vazhdonte shkollën në Shkodër. Gjin Pjetri kishte mbajtë gratë pa fëmijë ose me fëmijë të rritun në prapavijë për furnizim me ushqime,n ar’mё e municione, mjekime e kujdes për të plagosunit e të tjera shërbime të rastit. Ajo e përjetoi nga afër gjithë luftën e malit të Skurajt. Pa me sy të vet, ajo dhe gratë e tjera, se si disa nizamë vendas, tradhёtarё e merçenarё tё ushtrisё turke, kishin depёrtue mes tymit tё luftimit, dhe u kishin vu zjarrin kullave tё Gjin Pjetrit e gjithë objekteve të tjera përreth. Se si lufta u ndez ma e ahspёr, deri sa turqit u tërhoqën të mundun, duke lanë mbrapa të vramë e të plagosun e shum material luftarak. Në këto luftime nuk pati asnjë të vramë nga ana e kryengritësve përveç ndonjё të plagosun lehtë, ndërsa turqit pësuen humbje në njerëz. Kjo tregon se sa me përvojë luftarake ishin të pajisun luftëtarët kurbinas, përvojë e fitueme qyshë nga kohnat heroike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Gjin Pjetri ishte një udhëheqës me aftësi luftarake e dijti të përballojë të gjitha situatat e luftës duke ia përshtatun terrenit malor e duke përdorun taktikën e goditjeve të rrufeshme e befasuese të një lufte popullore të organizueme mirë. Im atë ndërsa ndiqte studimet e veta, krenohej duke ndigjue jehonën e trimnive të axhës së madh që printe në krye të burrave trima të Kurbinit.
Ditë ma të lavdishme po afrohëshin. Turkia kishte marrë tëposhtën. Filluen të dëgjohen tingujt buçitës të këmbanave të lirisë. Gjin Pjetri dërgon njerёz pёr tё marrё studentёt kurbinas e mirditorё qё tё gjendёshin ditёn e 28 nёntorit 1912 nё Milot, ku do të ngrihej Flamuri Kombëtar pas 479 vjet robnie. Atij i kishte ardhë telegram (tejshkrim) nga vetë Ismail Qemali, për ditën e shpalljës së Pavarësisë. Flamurin të qëndisun nga motrat stigmatine në Shkodër, ia kishte dorëzue Imzot Nikoll Kaçorri, në kishën e Rubikut. Faktikisht flamuri do tё ngrihej nga Gjin Pjetri nё kalanё e Krujёs, ku e kishte ngrit Gjergj Kastrioti mё 28 nёntor 1443, para 469 vjet. Por kruetanёt e njoftuen Gjin Pjetrin me telegram (tejshkrim), qё flamurin ta ngrinte ne Milot, sepse nё Krujё kishin ardhё forcat serbe. Ky njё fakt historik. Im atë, 15 vjeç, u gjet atë ditë, siç e kemi tregue, pranë axhës Gjin, bashkë me studentë e te rij të tjerë, kur ky përshendeti me fjalë të zjarrta shpalljen e lirisë dhe të pavarësisë duke shkref gjashtën e Karadakut, se cilës iu bashkuen krismat e armëve të luftëtarve kurbinas e të krahinave fqinje. Tre dit rresht Miloti e festoi këtë ngjarje, me gosti, haré, kangë e lojna popullore. Prangat e robnisë ishin coptue. Shqipja fluturonte krenare dhe e lirë mbi mbarë kombin shqiptar ! Këto ngjarje ku mbizotnonte heroizmi, trimnia dhe vendosmënia e luftëtarve të lirisë si dhe aftësitë e tyne për të luftue dhe arritë fitore kundër një anmiku ma të madh në numër e ma të fuqishëm në armatime, ia mbushnin zemrën, mendjen e shpirtin me entuziazëm e frymëzim për me iu përkushtue artit ushtarak, që atij i përshtatej ma mirë, për t’i shërbye sa ma denjësisht Atdheut. Ai, siç kemi tregue, kishte mbetun jetim për babë qyshë në moshën nandë vjeç. Prandaj axha Gjin i kishte kushtue një përkujdesje tё veçantё atnore. Pushimet verore dhe të festave fetare të të Krishlindjeve dhe Pashkëve ai i kalonte në Skuraj pranë nanës se vet, e cila mëzi priste të rrinte ndonjë ditë për t’u çmallë me të birin. Nga ana tjetër Gjin Pjetri e mbante pranë për ta brumosun me dije dhe tradita shqiptare, njohjen e ligjeve e të kanunëve dhe rregullave e traditave ndërfisnore, shprehje të urtësisë popullore, të besës, trimnisë, burrnisë, bujarisë, miqësisë, e të tjera virtute arbnore. Nipi kujdesej për dokumentat, letrat e shkresat e shumta që i ishin grumbullue. Ma se një letër e Gjin Pjetri gjatë atyne viteve, mbanin dorën e t’im etit, e kushedi ku kanë përfundue. Dokumenta me vlerë të madhe historike që mjerisht u damtuen e humben me djegien e kullave prej turqëve e ma vonë prej komunistëve, varrmihёsve tё kombit.
Shpesh i kujtohëshin këshillat e axhës Gjin :
– Pren, koha e jonë ka marrë fund. Koha e padijës dhe e koburës, pra koha e ballhutës. Një e ardhme e ndritun paraqitet para jush të rijve. E ardhmja e kulturës dhe e dijes që ju do të përvetësoni në shkollat tona dhe në ato të huejat. Dijet që do të fitoni ju afrojnë me Evropën e me gjithë botën e qytetnueme, ku shqiptarët janë populli ma i vjetër. Prandaj duhet që të arrini të marshoni me hapin e kombëve të tjerë të zhvilluem të këtij kontinenti, për me zhdukë prapambetjen që na pruni pushtimi 500 vjeçar turk. Unë kam besim në ty. Të zgjodha midis fëmijve të tjerë sepse dallova te ti, squetsi e gjykim, dhe pse ishe djal i vetëm i Frrok Prendit, të atij burri të rrallë për nga trimnija e besa shqiptare. Atë e kam pasë ma shumë se kushri e vëlla : një shok të pandamë e luftëtar të rrebtë. Të jeshë gjithmonë krenar për babën, për fisin, për emnin fisnik që trashëgon, për krahinën dhe Atdheun tand të shtrejtë. Të na nderojsh në mësime, në detyra e në vepra që do të kryejsh gjatë jetës, si në atdhe ashtu dhe në vende të hueja, ku mund të ndodhësh ose të çon puna e detyra.
Këto ishin fjalë që nuk mund të harrohëshin kurrë. Ai do të kalitej e të formohej për të njohun ma mire botën shqiptare, së cilës do t’i kushtonte aftësinë e veprimtarinë e tij.
Im atë i jepte randësi të madhe përvetësimit të gjermanishtës që mësohej në gjimnaz, duke lexue shumë e duke kontaktue me austriakë që ndodhëshin në Shkodër për përsosjen e të folunit. Gjatë kohës së vazhdimit të mësimeve, para ngjarjeve që përshkruem, zhvillohej dhe një aktivitet i madh kulturor në mjedisin e studentëve, ku vend të parë zinte repërtori teatral. Poeti i madh Gjergj Fishta, kishte krijue disa drama që viheshin menjëherë në skenë. Im atë ishte përfshi në atë aktivitet dhe ndër të tjerat i kishin caktue rolin kryesor në melodramën “Juda Makabeu” që duhej të shfaqej për nder të Vezirit në Shkodër. Shfaqja u prit me entuziazëm të madh dhe im atё u dallue në mënyrë të jashtëzakonshme, në atë rol kryesor, duke fitue duertrokitjet e vazhdueshme të publikut.
Veziri vetë kishte kerkue të ia paraqitnin atë djalë qё kishte luejt aq bukrur rolin kryesor tё melodramёs. I kishte dhurue sahatin e vet prej florini me gjithë qestek, me firmën e tij të skalitun mbi kapak, për të shprehun vlerësimin që ai i kishte dhanë interpretimit të përsosun të atij të riu, që quhej Prenk. Ky sahat mbeti si relike muzeale në shtëpinë tonë të Laçit deri vonë, dhe humbi bashkë me të tjera sende me vlerë kur shtëpia u plaçkit e u dogj nga komunistët në shtator 1944. Këto ndodhina i rreshtova për të plotësue sa ma mirë një tregim, që synon të paraqesë prindin tim në aspektin sa ma të vertetë të jetës tij. Duhet pasë parasyshë se jeta e tij do të lidhej ngusht me atë pjesë të historisë shqiptare që i përk!iste kohës së re, kur shqiptarët arriten të afirmohen në një Shtet Shqiptar të parë ligjor para botës. Mbas ngritjes së Flamurit në Milot, Gjin Pjetri mori pjesë në ngritjen e Flamurit në Lezhë më 6 dhjetor 1912, përkrah Ded e Gjeto Cokut, Mirajve, Sykëve, Gjergj Fishtës, e nga paria shkodrane nga që garnizoni turk ishte largue përfundismisht prej këtij qytetit të lashtë. Mandej ai ishte kthye në Skuraj ku ishte marrë me rindërtimin e kullave të djeguna, që u ripërtërinë përsëri si përpara. Ndërkohë ai merrte pjesë në mbledhje të ndryshme krahinore për çështje pleqnie e kanunore, duke qenë një njonës dhe zbatues shumë i mirë i Kanunit. Siç dihet, ai kishte bashkëpunue me Shtjefen Gjeçovin, kur ky qëndronte në Laç e merrej me mbledhjen e redaktimin e ligjeve kanunore. Shtjefen Gjeçovi këshillohej vazhdimisht me Gjin Pjetrin. Gjeçovi, Kanunin e Bajrakut të Kurbinit që u vendos në Dёlbnisht me 5 – 6 – 7 gusht 1906, e kishte përfshi në librin e vet, si ndër kanunet ma të randësishëm, sepse në të ishin vendosё vendime politike. Kuvendi pati praninё e Imzot Nikoll Kaçorrit dhe At Shtjefen Gjeçovit si dёgjues e dëshmitarë. Shtjefen Gjeçovi ndërkohë kishte përpilue një dorëshkrim prej 116 faqesh kushtue kryengritjës së Kurbinit dhe veprimtarisë së Gjin Pjetrit, për përiudhë 1903-1906, mbetun i panjohun 100 vjet deri pas shembjës së diktaturës, për turp të akademisë dhe historianëve komunistë që nuk e kishin nxierrë e botue ma perpara. Atë e zbuloi rastësisht njё nip i Gjin Pjetrit, Kastriot Marku, dhe pёr herё tё parё u botue nga unё i nёnshkruemi nё revistёn Kuq e Zi dhe nё librin kushtue Gjin Pjetrit me rastin e 100 vjetorut tё Pavarёsisё.
Në ngjarjet që treguem të Kurbinit ishte i perfshi edhe Esad Pasha, që hasi në kundërshtimin e Gjin Pjetrit. Duke dashun ta bante për vete i kishte çue një besnik, Man Mustën, me dhurata, flori dhe propozimin e nji pozite te naltë ushtarake. Gjini ia kishte pre shkurt e me përbuzje Man Mustës, dhe e kishte përciellë me besnikët e tij jashtë kufinit të Kurbinit.
Mё atё shkurt tё vitit 1914, mbasi u kthye nga një mbledhje, Gjin Pjetri ra befasisht i sëmunë randë dhe vdiq papritun në moshën 56 vjeç. Ishte 22 shkurti 1914, qё ai ndёrroi jetё nё njё moshё akoma tё fortë për të kontribue me urtësinë e burrninë e tij për të mirën e vendit. U hap fjala se e kishin helmue turqit ose Esad Pasha me anë të një tradhëtari të paidentifikuem. Siç e kemi thanё, ngjarjet nё atё periudhё hapёshin me fjalё e kalonin gojёn nё gojё. Qarkullimi bahej me kafshe e me kambё. Nё kёto kushte, pa shtyp, pa gazetarё e pa asgja qё lidhej me komunikimin,
informatat jo vetёm qё humbisnin por dhe shtrembnohёshin. Megjithatё lajmi i vdekjёs sё Gjin Pjetrit u pёrhap menjёherё.
Për këtë ngjarje studentëve kurbinas e mirditorë, tim etit me disa shokë, iu dha leje e posaçme për të marrë pjesë në mort, ku kishin ardhun nga të gjithë krahinat e qytetet, kur lajmi i zi u përhap. Ndër ta patriotë e figura të shqueme shqiptare. Gjergj Fishta do ta pasqyronte ne gazetën “Leka”. Zija mortore zgjati disa ditë. Me vdekjen e Gjin Pjetrit mbyllej kapitulli ma heroik dhe ma i lavdishëm i historisë së Kurbinit, dhe i një pjese të nderueme të historisë së Shqipnisë. Im atë pësonte humbjen e dytë të dhimbshme, mbas asaj të babës. Kujtimi për tatë Gjinin (siç e quente) do të mbetej i pashlyeshëm në mendjen dhe zemrën e tij. Siç e kemi thanë, zot shpie u ba Ndrec Pjetri, vëllai ma i vogël i Gjinit, që për ironi të fatit nuk kishte femijë. Prandaj edhe Ndreca e përqëndroi kujdesin e tij mbi Prenkёn, në të cilin dallonte një pasardhës të denjë të Gjin Pjetrit, të mbar fisit e të Kurbinit. Ai do t’ishte ripërtëritësi i emnit të lavdishëm të fisit se Pervizit të Skurajve.
Ligji natyror së bashku me fatin përcaktojnë vijimin jetësor të njeriut mbi tokë, ku përsonaliteti i vetë njeriut luen rolin vendimtar në çaste të caktueme, si një katalizator në reaksionet kimike
GJIN PJETER MARK PERVIZI
Udhëqësi i Kryengritjës Kurbinit.
1856-1914
(Foto Marubi, 1912)
Kryengritӫs kurbinas e mirditorӫ . Ne karrikӫ, vӫllai i Gjin Pjetrit, Ndrec Pjetӫr Marku. Kӫmbӫkryq, kushӫj tӫ Gjin Pjetrit: Nikoll Llesh Gjoka, Frrok Prend Marku, Gjergj Llesh Marku. Nӫ kӫmbӫ, luftӫtarӫ mirditorӫ
Periudha e Vjenës
Për kohën e Vjenës, asht vetë im atë që na ka tregue. Ai kishte qejf të fliste për kohën e bukur të rinisë te kalueme në kryeqytetin perandorak. Qëndrimi në Vjenë i vlejti për t’u njohun me jetën e një shoqnie të ngritun te një shteti evropian, ku qytetnimi kishte arritë kulmin e zhvillimit. Perandoria Austro-hungareze ishte një fuqi e madhe dominuese në Evropë. Duke iu dhanë mundesia të jetonte në mjedisin shoqnor fisnik të miqve të tij, ai përvetësoi etiketën e sjelljeve e të edukatës se një shoqnie të ngritun që do t’i vlenin ma vonë në kontakte e shumta me botën evropiane, ku do ta çonte detyra. Ndërkohë ai u miqësue me shumë bashkatdhetarë të tjerë, studentë, tregtarë e figura të njohuna ose që po afirmohëshin, kryesisht shkodranë. Ai u njoh me Dr. Gjergj Pekmezin, i rritur e shkolluem ne Vjenë, dhe që ishte si një përfaqësues i shqiptarve aty. Sherbente në një punë shtetnore, si përkthyes në shqip e gjuhë të tjera. Njeri me kulturë të gjanë, i nderuem e respektuem. Veçanërsiht nga shqiptarët të cilët i ndihmonte pët çështje dokumentësh etjera probleme jetike. Një shqiptar qё dallohej ishte Ahmet Zogu, i cili në Vjenë kishte ardhë që më 1914, sa plasi lufta e deri në mbarim të saj më 1918. Ma mirë se im atë askush tjetër nuk mund të dinte për Zogun për kohën e Vjenës. Por edhe për kohën e pastajshme. Qëndrimi në Vjenë e mundësonte Zogun e ri (rreth 19 – 23 vjeç) që të gëzonte kredibilitet te bashkombӫsit e të zhvillonte veprimtarinӫ e tij në favor të çështjes shqiptare. Kjo asht e e pamohueshme. Megjithёse ai në atë periudhë nuk përfaqësonte asgja dhe askёnd, Zogu, rrёfente im atё kishte mjaft t’ardhuna e jetonte mirë. Se nga i vinin, vetëm ai e dinte. Në Vjenë im atë ishte njohun me Zogun në lokalet që frekuetohëshin nga shqiptarët. E kishte takue edhe në ndonjë mbramje festive. Kadetët e akademive ushtarake merrnin pjesë në festat e shoqnisё e të aristokracisë vjeneze, me u dhanë atyne ma shkëlqim, e me gjallnue ballot që shoqërohëshin nga tingujt e muzikës e valsëve të muzikantёve me tё njohun tё kohёs, Shtraus, Lehar, Kalman, Offenbach, etj. Zogu që u njoh e zuni miqsi me tӫ, e dinte se i kujt fisi ishte, dhe i kujt biri dhe nipi. Zogu, si matjan, kojshi me Kurbinin dhe Skurajn, e njifte origjinën fisnike të fisit të Përvizit të Skurajve, me të cilin fisi i tij kishte lidhje miqsore. Ashtu dhe me veprimtarinë patriotike e luftarake që ai fis kishte zhvillue gjatë shekujve. Me luftën e Gjin Pjetër Pervizit kundër pushtuesve osmanë. Këto Zogu i dinte shumë mirë, sepse nder te tjera ai kishte pasë lidhjë me vetë Gjin Pjetrin, me anë të axhave a dajave, për të bashkepunue në dobi të çëshjtjës shqiptare dhe i kishte takue, megjithëse i ri, me u njoft vetë me Gjin Pjetrin. Zogu gjatё qёndrimit nё Austri e pёrvetёsoi gjermanishten tё folun, ndёrsa edhe turqishtёn e zotnonte mirë. I pajisun me një inteligjencë të natyrshme tё rrallë, kishte arritë me përfitue një kulture tё mirё në kontaktet me shoqninё vjeneze. Gëzonte respektin e rretheve shqiptare të Vjenës, me të cilët mbante marëdhanie shoqnore e miqsore të mira që i vlejtën ma vonë kur erdhi në fuqi. Shumë prej atyne bashkatdhetarve, kryesisht studentët që ishin diplomue në Austri, do tё zinin pozita të larta në qeveri, ushtri dhe administratën e Shtetit shqiptar. Por në veçanti atij i vlejti miqësia me Prenk Pervizin, i cili do t’i gjendej pranë, siç do ta tregonte koha, në situatat ma të vështira, për të dhe për Atdheun. Një tjetër lidhje miqsore im atë dhe Zogu e kishin me shkodranin Ҫatin Saraçi, qё do tё ndikonte nё jetёn e Zogut. Si dhe meshkodranё tё tjerё qё pёrbanin shumicёn e shqiptarve nё Austri, kryesisht Vjenё. qё do tё vazhdonte edhe ma vonё me veprimtari e detyra nё Atdhe. Im atë gjatë kohës që shoqnohej me Zogun e nga bisedat që zhvillonte me të, e kishte formue një opinion të qartë se ai ishte i bindun në vetvete se do të lozte njё rol të randësishëm në Shqipni, kur të kthehëshin atje. Nё bisedat qё zhvilonnin, Zogu e theksonte faktin, se pas mbarimit tё asaj lufte, S hqipnia patjetёr do tё gjente rrugёn e saj. Pavarёsia ishte arritё tani duhej tё krijohej Shteti, qё tё afirmohёj ligjёrisht para botёs. Problemi ishte sa do tё zgjaste kjo luftё e kush do ta fitonte. Sipas mendimit tij, e favorshme per Shqipnit ishte njё fitore e Austrisё e Gjermanisё, qё ishin ma tё priruna pёr njё Shqipni tё madhe e tё fortё. Ndersa fuqitё e tjera Europiane e kishin tregue veten ne Konferencёn e Ambasadorёve nё Londёr mё 1913, pёr njё Shqipni tё coptueme me kufij tё zvogёluem. Ai e ndiente veten si të destinuem me sundue në atë vend, dhe gjithë veprimtarinë e kontaktet që kishte në Austri, ua kushtonte kësaj ideje të njeriut që do arrinte në pozita të nalta shtetnore. Sa që shprehimisht jo vetëm t’im etit por edhe shqiptarve të tjerë u kishte thanë se ata do të emnohëshin në detyrat e tyne në Shqipni me urdhën e firmën e tij. Kjo bindje i ishte e ngulitun në mendje, e kishte ra në sy. Shqiptarët nuk ia varnin fort dhe e quenin si një lloj megalomanie. Ndёrsa im atё, e kishte fortmue bindjёn se Zogu do tё arrinte tё imponohёj nё Shqipni e tё lozte rol tё randёsishёm. Koha do të tregonte se ai do t’i realizonte ato synime që u kthyen në fakte konkrete. Koha do t’i jepte të drejtë. Im atë s’i kishte ndërhy kurrë në ato plane, por e kishte fare të qartë se ai do të bante çmos për t’i realizue. Ndërkaq, pёrveç Zogut , Gjergj Pekmezit e Çatin Saraqit, im atë ishte njohun e kishte zanë miqësi me studentë shqiptarë e të tjerë bashkatdhetarë që jetonin e punonin në Vjenë, që ma vonë do të shquehëshin në Shqipni pë aftësitë e tyne ne detyrat që do të kryenin, si Ali Erebara, Llesh Topallaj, Muharrem Bajraktari, Zef Serreqi, Zef Shiroka, Sandër Saraçi, Dervish Duma, Ceno Kryeziu, Lek Margjini, Gjon Derani, e të tjerë. Ai u njoh edhe me oficerin austriak, Gustav Mirdashi (Mirdazcy), qe do t’ishte nje ndër miqt ma të ngushtë, kur atë do ta sillte në Shqipni vetë Zogu, më 1926, si keshilltar e organizator i ushtrisë shqiptare, ku do tё arrnte gradën gjeneral e shef i shtamadhorisë. Njё tjetёr austriak ishte Hermann Von Kirshner, mik i tij, qё edhe ai do tё shёrbente nё Shqipni nё ushtrinё shqiptare deri me gradёn gradёn kolonel. Në Vjenë, siç e kemi thanë, rrinte dhe Dr. Gjergj Pekmezi, njeri i ngritun, burrë i mençun e shqiptar i mirë. Im atë kishte zanë njohje tё mirё me të, sepse ndёr tё tjera, ai kishte miqësi me një nga austriakët miq te tim etit. Dhe i kishte ba përshtypje pёr vazhdimin e Akademisё ushtarake e zotnimin aq mirë tё gjermanishtës. Për sa treguem, lidhet me dëshminë e saktë të prindit, për të pergënjeshtrue gjithë sajimet hamendore që u thurën rreth Zogut për kohën e qëndrimit të tij në Vjenë. Për emnat që u përmendën e tё tjerё tё papёrmendun të me falin lexuesit, sepse kanë kalue aq shumë vjet dhe nuk mbahën mend të gjithë. Sa për Muharrem Bajraktarin, ai kishte ardhë në Vjenë më 1917, ku vazhdonte njё kurs ushtarak. Prenk Pervizi zuni menjёher miqёsi me tё. Miqёsi qё do tё vazhdonte gjithё jetёn. Pёr studentё qё vazhduen prej tij. Shtojmё se kujtimet e tij hedhin poshtё gjithё trillimet tё sajueme pёr Zogun sa qendroi nё Vjenё.
Jeta e t’im etit në Vjenë, si ajo shkollore dhe ajo shoqnore, ishte për tё plotsimi i brumosjes me veti dhe edukatë e sjellje fisnike si dhe me kulturë të gjanë nga ana intelektuale. Ne studimet nё Austri, ushtarakё, civilё apo fetare, pёr me i vu kapak kësaj çeshtje, duhet falënderue z. Uran Asllani që ka botue një libër për studentët shqiptarë të Austrisë dhe të Francës, ku dokumentohёt pёr ato studentë shqiptarë që kanë krye shkollat e larta në ato dy shtete. Një dokument i randësishëm që fshin gjithë hamendjët e trillimet pa përgjegjësi që janë thanë e shkrue e thuhёn e shkruhёn nga njerëz të pa pёrgjegjёsi e ndërgjegje. Një historian ose shkrimtar i pandërgjegje nuk asht tjetër veçse një injorant me dipllomë. Na ruejt Perëndia prej tyne ! Por po ka tё tillё, sepse janё krejt trillime ato që thuhën se Zogu në Vjenë paskej bashkëpunue me Bajram Currin, Hasan Prishtinën e Faik Konicën, alucinacione të vërteta, të shpikuna për me ia zbukurue biografinë. As parë as dëgjuar pallavra të tilla. Bajram Curri e Hasn Prishtine s’kan luej prej Kosovё gjatё gjithё kohёs sё luftёs. Faik Konica ka qendrue nё Svicёr gjithё atё periudhё , prej ku s’mund tё lёvizte. Apo nuk asht shpik edhe një tjetër rrenë, se Zogu qenka mbajt peng nga Austriakët, krejtësiht e sajueme si ajo e Stambollit, ku ai paskej qene marrë peng në moshën 9 vjeç (si Skënderbeu). Po kujt i thuhën e shiten këto budallalleqe ?
Prenk Pervizi
Një miqësi që do të vazhdonte gjithë jetë dhe shqiptarët e tjerë qё e kanё njohun gjatё kohёs sё Austrisё e pastaj nё vazhdim gjithё jetёn, nuk kanë përmendun të tilla histori fare të paqena. Ngjarje qӫ s’kanӫ ndodhӫ kurrӫ. E vetmja anë pozitive e qëndrimit të Zogut në Vjenë ka qenë se filloj tё njihet si njё personalitet qё do tё kishte peshё nё çeshtjen shqiptare. Qёndrimi nё Vjenё, i vlejti kur u ngrit në rang presidenti e mbreti. Me kaq kemi dhanë gjithçka im atё na kishte tregue për Ahmet Zogun sa kohë që ndejti me tё në Austri. Mund te na ketë ikun diçka nga kohëzgjatja e madhe prej 72 vjet qёn u ndamё mjedisin e shoqnisë ma të rafinueme të Evropës, ai i përvetesoi ma së miri rregullat dhe etiketën e asaj shoqnie, bashkë me kulturën që zhvillohej e trajtohej në atë kryeqytet, qendër e qytetnimit evropian.
Gëzonte respekt dhe e ndiente vetën mbi studentët austriakë, nga fakti që zotnonte pёrveç gjermanishtёs, italishtën, fliste hungarishtën dhe kishte njohuni shkollore tё latinishtës, që ishte landë mёsimi në Gjimnazin e Shkodrës. Kjo eksperiencë e Vjenës do t’i vlente ma vonë për të qenë i nderuem dhe i respektuem në rrethet ma të nalta të shoqnisë shqiptare dhe të huej. Ai do të përfaqesonte Shtetin Shqiptar kudo që do dërgohej si përfaqësues madhor i ushtrisë shqiptare, në takime, konferenca, manovra, deri në konflikte luftash. Shtojmë se ma vonë ai do të shtonte njohunitë gjuhësore me frengjishtën, anglishtën, serbo-kroatishtën, greqishte etj. Nga ana ushtarake, ai do të arrinte përvetësimin e plotë t’artit ushtarak që do të plotësohej ma vonë me përvojën e luftës popullore, që ai do të zbatonte në operacionet e ndryshme që do të ndermerrte në atdhé. Nga katedrat e Akademisë ushtarake së Vjenës, ai kishte dëgjue duke folun profesorë të shquem, që e vlerësonin pa masë figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si një ndër strategët ma të përmendun, që duke komandue një ushtri të pakët të një vendi të vogël, arriti t’i baje ballë me nder dhe fitimtar për 25 vjet rresht, fuqisë ma të madhe ushtarake të kohës që ishte Perandoria Osmane, duke ia përshtatun strategjinë dhe taktikën e luftës popullore terrenit të thyem e malor të Shqipnisë. Gjergj Kastrioti paraqitej si mbrojtës e kampion i krishtënimit dhe i qytetnimit evropian. Im atë ndiente një mburrje legjitime dhe krenohej të ishte nga ajo krahinë e Kurbinit, ku malin e Skurajt Heroj Kombëtar e kishte si bazë ushtarake, e për krah të cilit kishin luftue stërgjyshët e tij. Këtë e kishin marrë vesh në ambientin shkollor, dhe ai gëzonte një respekt të veçantë, si nga shokët e bankove ashtu nga profesorët dhe drejtuesit e akademisë ushtarake. Jo që ishte ndër nxanësit ma të mirë, ku kishte shkelqye si nga ana e përvetësimit të mësimëve ashtu dhe nga gjuha. Ai fliste e shkruente një gjermanishte të përsosun. Për këto cilësi kishte fitue edhe medalje shkollore për rezultate të mira, që ruhëshin në shtëpinë tonë në Laç. Për të gjithë sa treguem ma sipër, ne i kishim dokumentët, fotografitë, medaljet e të tjera sende të asaj kohë. Por që, siç e ka marrë vesh lexuesi, u zhdukën në zjarrin e brigatave kriminale komuniste, që pretendonin të quhëshin “çlirilmrtare” duke u sjellё ma barbarisht se tё njё puishtuesi tё huej.
Dihet se nga shkaku i luftës, qarkullimi në Evropë ishte vështirësue, e për në Shqipni ishte i pamundun. Pushimet verore baba i kalonte në Hungari, pranë familjes Brozovly që kishte prona e vila jashtë Budapestit e shtёpia në atë kryeqytet. Ai shkonte edhe në Pragë, pranë familjes tjetër të Von Kirschner. Hermann Baron Von Kirshner ma vonё u soll nё Shqipni me Gustav Mirfazcy-n, ku qёndroi deri mё gusht 1944, pranё Komandёs shqiptare me gradёbn kolonel, e ndryshe nga Gjeneral Mirdashi u kthye nё Austri ku arriti grada dhe pozita tё larta ushtarake. Ndërsa në Vjenë, liridaljet e të dielave i kalonte të familja e Eduard Von Grimit. Ky i përkiste një familje fisnike, gjenëralë brez pas brezi të Perandorisë. Nëpërmjet tyne ai kishte zanë miqësi edhe me vjenezë të tjerë. Në këto rrethana ai tashma u ba i njohun në rrethet shoqnore e miqsore të miqve të tij, që filluen ti bajnë propozime fejese me vajzat vjeneze, të Budapestit e Pragës, ku ai i njihte e kontaktonte vazhdimisht në pritjet e festat e ndryshme. Por ai u a kishte ba të qartë se ishte i fejuem në Shqipni dhe nuk e shkelte vendimin e prindёve, pra nuk mund të pranonte propozimet që i bahëshin.
Shёnim :
E gjithё sa u pёrmend ma nalt i pёrgjigjen ngjarjёve tё vёrteta tё pёrjetueme e tё tregueme nga prindi ynё, por dhe nga tё tjerё shqiptarё tё kohёs sё Vjenёs, me tё cilёt kemi pasё rastin me kalue jetёn nё burgjet e kampet e internimit gjatё periudhёs sё diktaturёs komuniste, bashkёshokё e miq tё tij, tё cilёt njёkohёsisht e kishin shoqёrue jetёn e Zogut nё Austri, qё pёrputhet me gjithçka u tha ma sipё
ELITA INTELEKTUALE QE PRENK PERVIZI PATI FATIN TE KETE EDUKATORE E PROFESORE GJATE SHKOLLIMIT TIJ NE SHKODER ME 1904-1914.
Ma vonё kur im atё do pёrfshihej nё detyra tё randёsishme ushtarake e shtetnore ai do tё vazhdonte tё ruente e zhvillonte miqёsinё me kёto figura tё larta tё shoqnisё shqiptare, pёr tё cilёr ruente respekt e admirim tё pёrveçёm.
Krenët e Malsisë në Vjenë
Mbasi fjalën e kemi për kohën e Vjenës nuk mund të mos flasim për një ngjarje që e bani rrëmujë kryeqytetin perandorak, ku shkaktarë e protagonistё kryesorë ishin disa krenë të Malsisë së Madhe. Perandori plak Franc Jozefi, më 1916, gjashtë muej para se me dek, kishte urdhnue për me sjellë në Vjenë një delegacion nga paria e Malsisë. Nga ana tjetër kishte njoftue gjithë shoqninë vjeneze dhe rrethet aristokratike si dhe ato qeveritare e shtetnore, që të respektonin sjelljet e zakonet e shqiptarve, që do të qëndronin për do ditë miq të tij në kryeqytetin austriak. Ata i përkisnin një ndër popujve ma të lashtë të Evropës dhe races së pastër Ariane e flisinin një gjuhë të tyne të përveçme shumë të vjetër. Kanë ligje dhe sjellje të natyrshme, për të cilat janë krenarë, sepse i kanë trashëgue të papërlyeme prej shekujsh. Nuk e njohin qytetnimin tonë, bile atyne mund t’u duket i çuditshëm dhe i papërshtatshëm. Pushtimet e hueja dhe veçanërisht pushtimi 500 vjeçar otoman i ka lane mbrapa nga qytetnimi, por të pamposhtun, sepse u nguliten në malet e tyne të ashpra e të paarritshme, ku ruejtën të pacënueme të gjitha vetitë e stërgjyshëve të lashtësisë. Nuk dijnë të shkruejnë e të lexojnë, por dijnë të flasin bukur, me shprehje figurative. Kjo pak a shumë këshilla e Perandorit, që vjenezët u angazhuen të respektojnë. Kur studentët shqiptarë e morën vesh ardhjen e krenëve të malësisë, u ngriu gjaku, sepse mendonin sekusjedi se çfar mund tё ngjante. Shkollat u dhanë leje speciale për t’i shoqnue malsorët, si përkthyes dhe ciceronë, për kohën që do rrinin në Vjenë. Edhe im atë u gjet i përfshimë në këtë aksion, si shoqnues e përkthyes. Kjo punë do të udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, që ishte rrit e kishte kalue jetën në Vjenë. Ai duhej të rrinte në ballë të kësaj ndërmarrje të pritjes dhe përcielljes së kreshnikëve të maleve, të këtyne trashgimtarve të Mujove e Halilëve legjëndarë të Shqipnisë ! Ja çka kemi mundun me regjistrue në kujtesë nga tregimet e babës, që kënaqej me i tregue herëpashere, duke i veshun edhe me figura e përshkrime hiperbolike e të ndërthuruna me humor. Për atë, ajo ngjarje mbetej si një kujtim i bukur e gazmor i rinisë. Përshkrimi im i përgjigjet në përgjithësi kujtimeve të tim etit dhe anës së humorit me të cilin ai i vishte.
Gjithë Vjena e mori vesh se erdhën krenët malësorë shqiptarë e kurreshtja i shtyni njerëzit me dalë me i pa e me i njohë. Para syve të tyne u
Si do t’u jenë dukun vjenezëve krenët e Malsisë.
Kemi marrӫ kӫtӫ foto tӫ Idriz Seferit me luftëtarë të tjerë kosovarë, vesh e ngjesh n’armë, qӫ po i paraqesim këtu si shembëll te veshjve të shqiptarve të kohës së Vjenës
Foto të kohës. Disa nga malësorët e delegacionit shqiptar në Vjenë : Gjelosh Gjoka, Vojvoda i Kastratit; Marash Vata , Bajraktari i Shkrelit; Abdi Kola, Bajraktar i Shalës e Llesh Miloti prej Zadrime. Austiakӫt u kishin vu nӫ dispozicion kӫto lloj veturash pӫr t’i shetitӫ
Delegacionii shqiptar i malӫsorӫve u prit edhe nga Arkiduka Max në Augarten Palais.
Kӫshtu krenӫt e malӫsisӫ takonin personalitete tӫ nalta tӫ Perandorisӫ, princa, dukӫ, e konta qӫ i ftonin nӫ pallatӫt e tyne si mysafirӫ tӫ nderuem e tӫ veçantӫ.
Foto të kohës botue në gazetën “Vëllazënija” e Shoqnisë “Dija”, Vjenë.
shfaqën disa trupa të mëdhej, me veshje fantastike. Kësula pipiruce të bardha e të mbeshtjella me shalle po të bardhë si turbanta. Jelekë të qëndisun me fije t’arta e ngjyra të tjera. Tirqë të bardhë të zbukuruem me gajtana të zij. Breza të gjanë të kuq e ngjyra ngjyra, ku spikasnin pisqollet dhe jataganat me doreza t’argjenda. Ata ecnin grumbull me hapa të gjata e kambë të hapuna si kapadai. Mbathnin opinga prej lekure lope të lidhuna me gjalma ku spikasnin kollçikët (çorapët) prej leshi të qëndisun bukur. Dukëshin si vigaj. Nuk mbanin mjekrra por musteqe të zeza si penda e korbit, vesh e n’vesh. Veshtrimet e tyne të rrebta dilnin për nën tubën e dendun të vetullave, si shkreptina rrufeshë. Flisnin me za të naltë e kumbues si britmë arushe, me gjeste të hapuna krahësh e duersh. Njeni mbante dorën mbi dorezën e pisqollës, tjetri të jataganit. Lëshonin shtëllunga tymi si vullkanë duke thithë nga disa llulla me tre pëllambë bisht. As donin të ia dinin se ku ishin. Pallatet për rreth mund t’u ngjanin si pyjet e çetinave apo si faqet shkambore të maleve. E njerëzit që kishin dalë me i pa, buburreca ! Ishin bajraktarët e krenët e gjithë Malsisë, nja dhjetë vetë të zgjedhun, mbi dy metra, si katallaj. Vjenezët i kishin zgurdullue sytë kurrështarë, për të zbulue vetitë e këtyne shqiptarve të përshkrueme prej Perandorit të tyne. Estravagancat e shqiptarve do t’i tejkalonin përmasat e prituna e të paracaktueme. Ato do të ishin të jashtëzakonshme, lëgjendare. Delegacioni i malësorve u caktue të qëndronte në një kat të një hotelit të madh të Vjenës, i rregulluem e i pajisun kastile për të pritun miqtë e nderuem e aq të veçantë. Salloni kryesor ishte i pajisun me një oxhak madhështor ku zjarri i druve qëndronte vazhdimisht i ndezun, megjithëse ishte muaj i prillit. Por ashtu ua donte zakoni këtyne shqiptarve. Malësorët zunë vend në dhoma të përbashkëta të ndërlidhuna mes tyne.
Duke qenë të udhëzuem për zakonet e shqiptarve, shërbimi i hotelit u shpjegoi mysafirëve, me anë të Dr. Pekmezit, se si duhej të vepronin për me kërkue pije e kafe ose për të ngranë, etj. duke shtyp pulla të bardha, tё kuqe, të verdha apo të zeza, sipas rastit. Se si me hap e me mbyll rubinetat e banjove, të WC – ve e të tjera marifete. Dr. Pekmezi do të qëndronte në atë hotel për çdo rast, si kujdestar i tyne. Dukej se gjithshka do shkonte mbarë. Para se me ra me fjetë, burrat e Malsisë u mblodhën kambëkryq rreth oxhakut, ku nё krye tё vendit rrinte kryebajraktari. Te tjerët sipas rangut që u caktonin ligjet zakonore. Nxorën qeset e kutijat e duhanit, duke ia hedhë njeni tjetrit dhe ndezën çibukët me gacat e zjarrit. Ia shtruen muhabetit duke marrë fjalën me rradhë, thue ishin të mbledhun në kuvend. Flisnin me za të naltë si arusha mali. Pas do kohë, kur çibukët u boshatisën, duheshin shkundun, dhe filloi goditja mbi rrasat e mermerta të votrës së oxhakut. Godit njeni, godit tjetri, godit me dhjetra çibukë, ata të katit poshtë u zgjuen, u çmendën e nuk guxonin të protestonin ! Porosia e Perandorit ! Ajo mbramje ma në fund kaloi, kreshnikët u ulën me fjetë e u duk se ra qetësia edhe në apartamentin e shqiptarve. Trimat e Malësisë i zuni gjumi. Por, pa dalë mirë drita, njeni pas tjetrit malësorët çohen dhe grumbullohen rreth oxhakut të madh me jorganët apo batanijet mbi kokë, sikur t’ishin në kullat e tyne gurore. Mbasi mbushën e ndezën çibukët, e mbasi filluen me nxierrë shtëllunga tymi nga goja dhe nga zgavrat e hundëve, dikujt i ra ndëmend për kafe. Si me ia ba si mos me ia ba.
– Hajde të porosisim kafen or burra ! … Pa shtype atë pullë të kuqe or Dedё Bajraktari ! Foli kryebajraktari, Gjeto Vuksani*. Deda e zgjati gishtin dhe e shtypi pullën, thue po shponte murin. Kaloi do kohë, çibukët duhej të shkundëshin. Krisi poterja. Ato të katit poshtë u zgjuen përsëri të llahtarisun. Ndërkaq troket dera. Kafja ! Dera hapet. Duken dy vajza të bukura si perri me tabakët me filxhana. Malësorët kthejnë kokat andej. Zana, Orë apo Shtojzovalle ? Dikush çohet me gjithë jorganin mbi krye e pas tij të tjerët. Kamerieret u tmerruen, kur panë dhjetë lugetën para tyne, që po i shikonin sikur t’i gllaberonin të gjalla. Leshuen klithma që u dëgjuen deri në zemër të Vjenës. Tabakët u ranë prej duersh e u ba potere e madhe, dhe vajzat e shkreta ia mbathën me të katra duke uluritun e dhanë kujën. U desh të vinte policia për të vu rregull … dhe për… t’u kërkue të fala krenëve të Malësisë për këtë … incident. Dr. Pekmezit i shkonin djersë të ftohta dhe të ngrohta… ndërsa përkthente dhe orvatej me i dhanë shpjegim të pashpjegueshmës. Ky nuk ishte veçse fillimi i trimnive të tjera të kreshnikëve të maleve, që kishin ardhë në Vjenë për ta pushtue me praninë e tyne të pakundërshtueshme ! Malësorët u treguen zemërgjanë dhe i pranuen shfajsimet e austriakëve ! Kësaj radhe, ishin kamerierë meshkuj që ua sollën kafet që ato i pranuen dhe filluen t’i thithin ne gjithë qejf. Por. .. njenit prej bajraktarve … iu shkrep që të bante banjo. Prej kohësh që s’e kishte rjep lekurën e vrazhdë. Një kamerier e përcolli tek dhoma e banjos ku ishte një vaskë e madhe. Ia hapi rubinetat e ngrohta e të ftohta, duke i tregue si perdoreshin. Bajraktari dha me kuptue se gjithçka ishte në rregull (e s’kishte marrë vesh asgja). Dera u mbyll dhe uji sa vinte e ngrihej në vaskë. Heroj ynë u orvat të mbyllë rubinetat dhe i hapi ma tepër. I shtypi gjithë pullat që i dilnin para syve. Luej këndej e luej andej, vaska u mbush plot e përplot dhe uji filloi të mbushte edhe kthinën. Malësori desht të hapë derën dhe e mbylli fare. Atij tani i vinte turp të thërriste apo të trokiste mbi derë. Uji filloi me u çue e arriti dy pëllambë e ma tepër mbi dyshemenë dhe nga presioni arriti me depërtue një fije përtej derës, e mbyllun pothuej hermetike. Një kameriere që rastisi të kalojë aty pari, e dallon currilin e ujit që dilte nga dera e banjos dhe leshon alarmin. Grumbullohet personeli i hotelit me në krye Dr. Pekmezin.
– 0 Zot çdo ketë ndodhë ! thoshte ai me vete. Dera ishte mbyllun nga brenda dhe bajraktari nuk dinte si ta hapte. Sidoqoftë, pas disa orvatjeve, dera u thye dhe uji vërshoi me vrull si përrue tëposhtë shkallëve dhe arriti deri në rrugë, për çudinë e kalimtarve. Qyteti u mbush me historitë donkishoteske të bashkatdhetarve tanë kreshnikë të ardhun nga Bjeshkët e Namuna të Mujos dhe Halilit. Por e gjithë kjo u gjykue si një veçori e këtyne njerëzve që mbanin të gjallë trashigimin e traditave shumëshekullore e që vepronin krejt natyrshëm e të lirë nga paragjykimet dhe kriteret e jetës moderne. Të së cilës nuk ia njihnin as sjelljet as përdorimin e orendive e sendeve të jetës së përditshme. Nëse sjeIlja e tyne dukej jashtë realitetit të qytetnimit evropian të kohës, nga ana tjetër dallohej se ata ishin vërtet përçuesit e qytetnimeve të lashta të vetë Evropës, e prandaj sjelljet e tyne duhëshin shikue në këtë prizmë dhe duhej me i dhanë arësye gjykimit të matun të Perandorit për këta përfaqësues autentikë të asaj rrace të pastër që banonin në malet e larta shqiptare e që Vjena kishte përparësinë t’i njihte nga afér ashtu siç vërtet ishin. Siç thamë, studentët shqiptarë ishin caktue me i ndejtë pranë këtij delegacioni malësorësh, por ata mund të rrinin deri ne një orë të volitshme të mbramjes, pastaj duhej të kthehëshin në konviktet e tyne. Studentet që i mermin vesh të gjitha aventurat e bajraktarve trima, ia tregonin njeni tjetrit me përmasa humoristike dhe gajasëshin së qeshunit. Këto ngjarje vërtet që u veshën me humor, por nga ana tjetër tregonin se shqiptarët sillëshin natyrshëm dhe jo konform disa rregullave të caktueme cerimoniale gjithë etiketë e pa kurrfarë lirie shprehje e veprimi. Prandaj ata filluen të shikohëshin me simpati dhe mirëkuptim nga vjenezët deri edhe në admirim e entuziazëm të sinqertë.
Duke i rreshtue ngjarjet, nuk mund të rrimë pa diftue edhe aventurat e tjera të kreshnikëve tanë, siç kënaqej duke na i tregue im atë, që ishte një njeri tepër serioz, por në këto tregime nuk mund të përmbahej së qeshunit, sepse i përfytyroheshin si ne një film skenat e sjelljeve të malësorve që i kishte përjetue vetë. Ai pastaj i zmadhonte e qendiste me humor për kenaqësinë tonë e të shoqnisë.
Në programin perandorak ishte parashikue që këta përfaqësues te rracës të pastër Ariane, të nderohëshin në rangun e mysafirve ma të shquem e ndër të tjera ishte caktue një pjesmarrje e tyne në një shfaqje në Operan e Vjenës, ku do të vinte vetë Perandori. Lajmërimi u dha kudo në reklamat qe shfaqja bahej për nder të shqiptarve dhe në atë mbramje teatri i operas ishte plotpërplot. Opera ishte e Mozartit, Grabitja nga Haremi, e zgjedhun posaqerisht, për përmbajtjen orientale që i përshtatej shqiptarve nën sundimin turk. Gjithë aristokracia e Vjenës ishte aty e pranishm me ftesë të veçantë nga vetë Perandori, me kostumet e cerimonive të mëdha. E gjithë salla shkelqente nga xhevairet e margaritarët e damave të shoqnisë së lartë. Malësorët u shpëmdanë nga tre nga tre në lozhat anës asaj qëndrore ku do të zinte vend Perandori me djalin,Princ Karlin e disa nga personalite të aristokracisë dhe të Shtetit. Im atë gëzoi privilegjin që të rrinte në lozhën e perandorit për të përkthye e t’i dhanë shpjegime pyetjve që ai mund te bante mbi shqiptarët e sjelljet e tyne, sepse Dr. Pekmezi ishte në rolin organizatorit e kontrollit të situatës për të papritunat që mund të vinin nga keto bij të shqipes, që kishin zbritun nga çerdhet e tyne shkambore. Tregonte im at se si e ndjente veten te emocionuem në atë rol aty pas kolltukut të Perandorit dhe në ankth mos malësorët i kalonin kufijtë me të paprituna e tyne e si me ia shpjegue Perandorit. Te paprituna që nuk munguen dhe i kapërcyen caqet, dhe Dr. Pekmezi sa nuk po çmendej. Dukja e Perandorit bashkë me djalin, Princ Karlin me të shoqën, ishte prit me duertrokitje, ku nuk munguen shuplakat e forta të trimave shqiptarë, si krisma pushkësh. Deri në ato çaste ata po rrinin të qetë e të rregullt në lozhat e përgatituna enkaz për ta, me nga një student shqiptar që t’u përkthente e shpjegonte. Madhështia dhe shkelqimi i teatrit i kishte magjepsun. Sytë e gjithë atij publiku të zgjedhun ishte ngulitë mbi ta. Ishin përsonazhet ma të veçanta që po njihte Vjena. Aristokratët aty të mbledhun, princa, konta, markezë e baronë, ishin të vetëdishëm se gjendëshin para burrave që për nga fisnikëria qëndronin në një rang me ta, me tipare, zakone, tradita e ligje të tjera, krejt primitive por nga ana tjetër të vërteta dhe të natyrshme, që shprehëshin me lirinë e veprimeve dhe të sjelljeve, të pa kushtëzueme nga asnjë kompleks artificial të etiketës oborrtare, kujt ata vetë ishin të detyruem t’u nënshtrohëshin. Në një nga lozhet afër asaj perandorit rrinte kryebajraktari. Një burrë i gjatë mbi dy metra, me trup atletik e shpatullat sa për dy vetë, që dukej dhe ma i madh dhe i fuqishëm prej veshjes tradicionale që mbante. Spikasnin në brezin e tij, pisqollat e jataganët, thue ishte gati për të dale me luftue në fushë të mejdanit. Ata ishin porositë që të rrinin ashtu të ngjeshun me armë e pajisje të tjera, që të jepnin paraqitjën sa ma të vërtetë të tiparëve shqiptare. Mustakët e zi e të përdredhun i shkonin bajraktarit vesh e n’vesh, dhe aty i ulun në lozhë e leshonte veshtrimin e tij të rrebtë mbi publikun e zgjedhun thue se ishte një hero mitik, nga që kishte tipare të bukura e të rregullta, si të skalituna nga dalta e Praksitelit. Nga ana tyne spektatorët, e veçanërsht seksi i bukur, nuk mund të rrinin pa hedhun sytë nga ai përsonazh imponues e krenar, taman si shqipe mali … Prandaj quhëshin shqiptarët… bijt e shqipës ! Dritat u mekën dhe filloi opera. Orkestra dhe kangëtarët filluen me tregue mjeshtrinë e tyne, mes heshtjës së publikut. Mbasi kaloi do kohë në qetësi të plotë, papritun kumboj zani i fuqishëm i kryebajraktarit, sikur po thërriste për kushtrim nga një maje në tjetrën të bjeshkëve:
– Or ti Mark Bajraktari… ç’ka je ka thue or burrë për këto lodra e kangё që po ndigjojmë … fort të bukura po na duken… por s’po marrim vesh gja ! Gjithë publiku i befasuem nga kjo vikamë e papritun. Gjithё sytё u kthyen andej. Edhe Perandori kishte lёshue shikimet mbi atë lozhë nga dilte ai za i fuqishëm. Ç’ po ndodhte ? Perandori që mori shpjegimin nga përkthyesi, buzëqeshte i kënaqun. Kush nga oborrtarët e tij do të guxonte… ?
– Qe besa or Bajraktar, nuk po jam kah marr vesh gja as unë … por duhet me i ndejt lojës se kështu i ka zakonet Nemcja ! U përgjigj Marku nga ana tjetër e teatrit, me një za po aq të fortë e kumbues.
– Njaj burri që po asht kah këndon, qe besa e paska zanin fort të bukur … paj … a thue do dinte me ia marrë nji kangë maje krahut si Gjergj Pllumi i Thethit ? Ia priti një bajkraktar tjetër.
– Allahile ? .. Mirë po thue or burrë ! … se bash po e paska zanin pushkë! … Or Mark, po jam kah e ndez nji duhan, po s ‘kam kah me ta lshue qesën ! … Thirri kryebajraktari, sa po dridhej gjithë teatri e zani i tenorit në skenë dukej si za mice.
– T’u rrit ndera or Bajraktar, se jasha zotin dhe unë po e ndez çibukun, se mjaft ndejti në brez. Briti nga ana tjetër ai Marku e shyqyr që nuk u perzien të tjerët në atë bisedë malesh, se do ishte shemb teatri.
Im atë (siç na tregonte) që rrinte gaditu pas kulltukut të perandorit në uniformën e bukur të kadetëve, kishte mbetë haru, por e kishte marrë veten dhe i përkthente e shpjegonte Perandorit se si zhvillohej ajo bisedë me britma ciklopike, dhe se kështu e kishin zakon të flasin malësorët nga një maje mali në tjetrën. Perandori pohonte me kokë i kënaqun… Wunderbar… wunderbar… das ist sehr shöhn ! (mrekulli, mrekulli, shumë bukur). Malësorët si pa të keq e pa ça kokën për asgja, i kishin ngjeshë me duhan lullat. Kur ja, si të shtime pushke, u dëgjuen krismat e masatëve mbi strallin të kohës së gurit për të ndezun eshkët, që e mbushnin sallën me një erëz të kandshme të pashijueme ndonjë here nga vjenezёt. Të pranishmit në sallën e teatrit kishin mbetun gojë hapun. Nuk vonoi shumë dhe prej llozhave të shqiptarve filluen të përhapen re tymi mbi gjithë sallën, thue po shpërthtente një stuhi e fill pas u ndigjuen trokitjet e shkundjeve të çibukëve pas parmakëve të lozhave si rrёbesh breshni. Tashma e gjithë vemendja e publikut ishte përqendrue te këta qenie jashtëkohore. Por askush nuk jepte shenja nervozismi e shqetësimi. Ata vërtet se po thyenin rregullat e mirësjelljes së shoqnisë vjeneze, por ama po tregonin dhe veti të theksueme të pavarësisë e lirisë së sjelljeve të tyne, të pa kushtezueme nga asnjë tjetër imponim rastësor ose ligjor. Ndoshta kjo ishte ajo force e brendëshme që u kishte lejue këtyne bijve të rrebtë të shqipës t’i banin ballë pushtimeve të hueja e të ruenin të pa cenuem identitetin e tyne si popull e si komb. Edhe ajo mbramje ose natë kaloi si kaloi. Vjenezët kishin material të bollshëm për të gjallnue bisedat e tyne. Im atë me shokë sikur u liruen nga shqetësimi se këta burra që kishin zbritun nga malet e ashpra shqiptare mund t’i turpnonin. Publiku vjenez po tregonte një mirësjellje e mirëkuptim të jashtëzakonshëm ndaj tyne, bile po kënaqej që i ishte dhanë një rast i tillë unik dhe i papërsëritshëm.
Duke kapërcye disa raste të tjera arrijmë te pritja e madhe që dha Perandori për nder të delegacionit shqiptar, në pallatin perandorak të Shönebrunit, që u kunorzue me një darkë madhështore të përgatitun enkas për ato malësorë t’ashpër, trima e burrnorë. Ne këtë veshtrim i kishte çmue Perandori, duke i vlerësue në aspektin e vërtetë të traditave, zakonëve dhe sjelljeve të tyne të lira. Dhe kishte urdhnue që ajo darkë të shtrohej e veçantë për ta. Dhe kështu darka u shtrue kryesisht me mish dashi të pjekun ferlik, dhe deshët u sollën ashtu siç kishin dale prej hellit dhe u vendosën në pjetanca të mëdha për gjatë tavolinave. Vena u soll në poçe prej balte të pjekun. Shqiptarët do të hanin e pinin sikur t’ishin rreth sofrave të tyne. Një radhë kamerierësh rrinin pas tyne në gatishmëni për t’u shërbye. Ma e bukura ishte kur erdhi çasti i përshendetjeve dhe e mori fjalën Perandori. Ai ishte ngrit në kambë me gotën e venës në dorë e pas tij gjithë të ftuarit e aristokracisë vjeneze. Ai shprehu kënaqësinë e tij dhe të popullit vjenez e të shoqnisë perandorake, që u njohën me burrat e maleve shqiptare, zakonet e traditat e tyne të mrekullueshme dhe autentike. Të një populli të lashtë e të pamposhtun, që dijti t’u qëndroje stuhive shekullore të historisë me kurajo e force të madhe shpirtnore, që shprehej në çdo sjellje e gjest të tyne, sado të thjesht e të vogël, por me
kuptim të madh, që shfaqej tek ata me ndjenjën e lirisë. Shqiptarët njihen si një popull i pa bindun dhe i pa nënshtrueshëm, pikërisht sepse liria për ta ishte dhe asht gjaja ma e shenjtë. Kohnat kaluen e me kohnat kaluen dhe pushtimet e hueja. Pushtimi turk i katandisi shqiptarët në një periudhë t’errët mesjetare, por që nuk arriti t’u hiqte ndjenjën e lirisë. E ardhmja do të jetë edhe për popullin shqiptar, me plot shpresa për të qenë të lirë e të bashkuem si shtet e si komb. Populli austriak do të jetë gjithmonë mik i popullit shqiptar, dhe në çdo rast do ta ndihmojë dhe përkrahë pa rëzerva, në përpjekjet e tij për të gëzue lirinë e pavarësinë dhe për t’u rimkamb dhe u barazue me popujt e kombet e tjerë të Evropës, ku shqiptarët bajnë pjesë si një ndër popujt ma të vjetër. … Ky pak a shumë ishte kuptimi i fjalës së Perandorit, që im atë me shokë ua përkthenin malësorve.
Fjala e Perandorit u prit me duertrokitje të gjata. Nërkaq Kryebajraktari u ngrit si vigan duke mbajtë gotën në dorë siç bani Perandori. Një heshtje e madhe ra mbi të pranishmit nga ajo e papritun. Çdo të thoshte ky katalla i maleve ? Zani i kumbueshëm i tij si za i fuqishëm baritoni e mbushi sallën. Vëmendja e të gjithëve ishte përqëndrue në këtë burrë të pashëm si herojt e lashtësisë. Dr. Pekmezi që kishte detyrën delikate për të përkthye drejpërsëdrejti fjalët që do të rreshtonte kreu i malësorve, mbeti ai vetë i çuditun për aftësinë shprehëse të Kryebajraktarit, së cilit nuk i binte një fjalë për tokë. Perandori e të pranishmit ndiqnin me vemendje dhe aprovim çdo fjalë që përkthente Dr. Pekmezi, edhe ky i detyruem me ngrit zanin që ta ndigjonin të gjithë të pranishmit. Në heshtjen që ishte krijue, fjala malësorit vigan kumboj e madhërishme:
– I nderuemi Perandor, të përshendes ty dhe përshendes të pranishmit besnikë të tu dhe miq tanë. Të falemi nderës për ftesën dhe pritjen bujare. Ti je miku ynë i madh, miku i gjithë shqiptarve. Ne jemi disa malësorë që kanë mbetun prapa botës dhe nuk mund të krahasohemi me qytetnimin e madh të Austrisë e të vendeve të tjera të Evropës. Por, për ne, mbi të gjitha asht Liria, dhe atë dijtëm ta ruejmë. Ndoshta jemi të vrazhdë dhe dukemi t’egër, por qe besa veç kështu ne mund t’i shpëtonim asgjesimit nga valet e pushtimeve të hueja të njëpasnjëshme gjatë dymijë vjetëve, veçanërisht pushtimit 500 vjeçar turk, që deshti me na shue fare. Nuk ia arriti sepse në shpirtin tone rrin gjithmonë e ndezun flaka e pashueshme e lirisë, gjaja ma e shtrejtë për çdo shqiptar. Të falemi nderës dhe për fjalët shpresëdhanëse për t’ardhmen e kombit shqiptar dhe për përkrahjen tuej bujare. Me miq si ju, shqiptarët patjetër se do të përparojnë në rrugën e qytetnimit! I nderuemi Perandor, rrofsh sa malet ! Perandori vetë u çue në kambë e pas tij gjithë sa ishin aty, të emocionuem e plot admirim nga ai fjalim i skalitun aq bukur, dhe ngritën gotat për nder të kreshnikëve të maleve shqiptare. Tregonte im atë se si ai vetë, dhe shqiptarët e tjerë, kishin mbetun të habitun e t’emocionuem nga ajo gojtari e perkryeme e Bajraktarit. Duertrokitje të stuhishme e të gjata shpërthyen njëherësh e u dëgjuen thirrjet : bravo … bravo ! Perandori vetë kishte mbet tepër i kënaqun për ato fjalë burmore.
Pasi u ngrit dollia, filloi darka. Shqiptarët u lëshuen me duer e me dhambë mbi mishin e dashit sikur t’ishin te stanet e tyne malore, e mbasi i qeronin e i lëpinin mirë kockat, i hidhnin pas shpine. Kamerierët u gjetën para detyrës së vështirë me mbledhë kockat që përplasëshin mbi pllakat e mermerta, thue po binte breshën. Të pranishmit, burra dhe gra aristokrate, dhe vetë perandori, shikonin me kurreshtje dhe një far kënaqësie së shkallës së admirimit, ato sjellje të natyrshme njerëzore, të një populli që u detyrue të marri malet, për të mbijetue e ruejtë identitetin dhe lirinë, që shprehej edhe në gjestet ma të thjeshta, siç ishte vetë ngranja. Tavolinat sumptuozë të shtrueme me mbulesa të bukura dhe orendi të çmueshme, nuk ishin ma të denja për një darkë të tillë, se sa sofrat prej druni të malësorve në odat e tymosuna të kullave të tyne krenare tё ndriçuem nga flaka e pishёs. Ky krahasim atyne nuk u hynte fare në sy, dhe në ato çaste ata e ndjenin veten rreth sofrës tyne dhe ashtu sillëshin dhe vepronin. Në këtë përfundim arritën të pranishmit, dhe admirimi e simpatia për ato burra shtohej ma tepër. Qytetnimi modern ia kishte grabitun njeriut anën ma të mirë të sjelljës së tij, atë të lirisë. Im atë e studentët e tjerë që ardhjen e malësorve e kishin marrë me frikë, e kuptuen se kishte ndodhë e kundërta, sepse ata dolën të nderuem e të respektuem, dhe këshillat e Perandorit, gjetën jo vetëm zbatim por dhe admirim e vleresim ndaj këtyne burrave 100 x 100 shqiptarë ! Mbetët për të tregue ndarjen nga Perandori, i cili i priti shqiptarët ditën që do të nisëshin. Ata i dhanë dorën me radhë, njeni pas tjetrit, në prani të Dr. Pekmezit që i përkthente Perandorit çdo fjalë të tyne. Kur morën me u largue, befasisht njëni prej tyne, nja dy e ma shumë metra i gjatë, si Herkul, u kthye dalë e duke zatetë para Perandorit, iu drejtue me një shprehje shumë serioze e me za të fortë. Perandori krejt i befasuem dhe i çuditun u detyrue të dëgjonte. Babës dhe shqiptarve të tjerë, që ishin aty të pranishëm, u hyni frika mos ndodhte ndonjë incident i papëlqyeshëm. Vetë Dr. Pekmezi kishte ngri e nuk dinte çka me ba. Malësori kolos, me dy pëllambë musteqe, me duert të ngjeshuna pas armëve, foli me za të naltë :
– Or ti Krajl i Nemces a do ta mbajsh fjalën që na ke dhanë ? Kur ke me na e çue kollomoqin që na ke prem tue ?… Kaq pata me thane. Foli malësori dhe iu kthye Dr. Pekmezit :
– Hajt, thueja këto fjalë Krajlit ! Perandori iu drejtue pyetës Dr. Pekmezit:
– Ç’pati ky burrë ? Pse foli kaq serioz ? Dr. Pekmezi, të cilit i erdhi fryma, e drodhi bisedën :
– Madhni, ai deshi të ju falënderojë përsonalisht, për pritjen bujare, dhe shqiptarët zakonisht flasin me ton serioz e za të naltë.
Perandori kishte buzëqëshë dhe kishte shprehun kënaqësinë e tij për…falënderimin. Vërtet të çuditshëm këta shqiptarët !
Malësori iu kthye Dr. Pekmezit si me inat :
– He, çka po prallis ky krajli ? Dr. Pekmezi mbasi u përtyp pak ia ktheu :
– Mos kini merak, se krajli e mban fjalën e kollomoq ka me u çue me bollek ! Bajraktari mbeti i kënaqun nga përgjigja. Përshëndeti me nderim ushtarak dhe u nis bashkë me shokët.
Franc Jozefi do të semuhej e vdiste pas gjashtë muej, vendin e tij e zuni i biri Karli I. Nuk dihet nëse perandori i ri e mbajti fjalën për kollomoqin e premtuem. Me këto tregime plotëshet një pjesë e jetës së t’im etit, që atë kohën e Vjenës e kujtonte me kënaqesi e qeshte e zbavitej me miqt dhe me ne familjarët për ato rrethana të çuditshme, që ndonse të vërteta, mbas aq vitesh, merrmin ngjyrën e lëgjendës. Keto kujtime të rinisë ishin per të një si një çlodhje mendore e një ripërtëritje e jetës së kalueme të moshës ma të bukur të djalërisë e të jetës studentore.
Vjenë : Akademia ushtarake e kambsorisë ku ndoqi studimet dhe u diplomue oficer Prenk Pervzi , 1914-1918. Fotografi koleksioni e vjetër, 1905.
Wien 3. Bezirk, Landstraße Boerhavegasse u. Kadettenschule
(Akademia Ushtarake e Vienës) në një fotografi të mavonshme
Prenk Pervizi i përjetoi të dy perandorët. Ai pati mundësi t’i shihte në vizitat në Akademinë Ushtarake, dhe në festat e ndryshme ku kadetët merrnin pjesë për të gjallërue ballot.Në raste të veçanta si me malësorët ai u kishte shërbye si përkthyes.
F RANC JOZEFI KARLI I
1830-1916 1887-1922
Perandori Franc-Jozefi siç e njohu Prenk Pervizi me shqiptarët e tjerë që punonin e studionin në Vienë. Ai vdiq në moshën 86 vjeç, pas 68 vjet mbretnim (1867-1916).
I biri Karli I sundoi më 1916-1918, dhe me të, pas humbjës e luftës, mori fund perandoria e dinastisë së Hausburgëve. Ai vdiq në mizerje në një ishull ku e kishin internue.
Shkollat e Kadetëve (Akademitё) banin pjesë në arsimin dhe formimin ushtarak të oficerëve të Austro-Hungarisë, dhe i perkisnin institucionëve të mësimit t‘artit të luftës. Ato ishin të caktueme me u transmtue nxanësve edhe njohunitë e përgjithshme të edukimit teorik, që shërbenin për përgatitjen profesionale të oficerëve, dhe për mundësinë e një formim të mëtejshëm, se si ata do ti plotësonin detyrat gjatë rrjedhës së shkollimit dhe edukimit të tyne.
Trupi mësimor i Akademisë Ushtarake të Vjenës më 1914-1918,
kur vazhdonte shkollimin Prenk Pervizi.
Prenk Pervizi student në uniformën e kadetëtit, 1914-1918
Pallatet monumentale të Vienës
ku patën nderin të pritën Krenët e Malësisë.
Teatri i Operas së Vienës ku dhanë “shfaqje” kreshikët e malëve tona.
Vienë, Shönenbrunn, pallati perandorak ku perandori shtroi
darkën për nder të krenëve të Malsisӫ
Kthimi në Shqipni
Perandorisë Austro – Hungareze i erdhi fundi. Aleanca me Gjermaninë nuk dha frutet e duhuna dhe përfundoi me një disfatë të madhe, që përmbysi dy Perandoritë ma të forta evropiane, atë të Hohenzollërve të Gjermanisë dhe të Hausburgëve të Austro-Hungarisë. Mbas traktatit të Bukurestit 7 maj 1918, ku u muer vesh se tashma Austro-Hungaria kishte marrë teposhtën, në një tentativë të fundit, Perandori Karli I, kishte urdhnue që të bahej mobilizimi i gjithë kadetëve të akademive ushtarake për të mbrojtë Vjenën. Por ai e ndërroi menjëherë mëndimin se do t’ishte një qendresë e kotë ku do merrëshin në qafë me mijera të rij. Ai e pezulloi atë mobilizim. Shkollat ushtarake u mbyllën me që tashma ishte dhe fundi i vitit shkollor. Kështu edhe Komanda e Akademisë së Vjenës e të tjera shkolla, i ndanë dëftesat e diplomat dhe i lanë kadetët e studentёt të lire të kthehëshin në shpitë e tyne. Shqiptarёt s’i mbante vendi, nga dёshira pёr t’u kthye nё Atdhe te famikjёt e tyne. Atyne iu desh të prisnin pesë muej për t’u nisë për në Atdhe deri kur u nënshkrue armistici më 3-4 nëntor 1918 sepse nuk ishin hapun kufijt dhe transporti ishte akoma i bllokuem. Im atë u strehue, gjatë kësaj pritje të përfundimit zyrtar të luftës, pranë miqve të tij. Kjo pritje vazhdoi deri në nënfor, kur, siç thamë, me 3-4 të atij muej u firmos armistici midis Italisë e Austrisë, në Villa Giulia afër Trentos. Kjo mundësoi qarkullimin e lirë të trenave për në Itali. Këtu ndërhyni Ahmet Zogu, të cilit i shkonte fjala në mjedisin e shqiptarve të Austrisë. Në një mbledhje të tyne ai u tha se duhet të nisëshin të gjithë së bashku, grup i pandamë, sepse në Itali kishin plasë trubullina e rruga me tren ishte shumë e gjatë, ajo përshkonte krejt Italinë nga veriu në Jug, dy ditë e ma tepër udhëtim, për të arritë në Bari, ku do të hypnin në anije për të kalue në Shqipni. Shqiptarët e pranuen këtë propozim dhe u nisën në grup. Disa prej tyne, tropojas, lumnianë e dibranë, ndoqën rrugën nëpërmes Jugosllavisë, edhe ajo mjaft e rrezikshme. T’im etit miqtë austriakë, i ishin lutë që të rrinte dhe do kohë sa të qetësohej e normalizohej gjendja. Rrugëtimi i gjatë nëpërmjet Italisë paraqiste rrezik, sepse atje mbretnonte anarshia e kaosi politik dhe ordiner. Por im atë nuk mund të ndahej prej shokëve dhe malli për atdhe ishte i madh dhe atij nuk i bahej të priste ma gjatë për t’ u kthye në Shqipni e tё pёrqafohej me t’amёn e njerёzit e tjerё tё shpisё. Ai u nda nga miqt e shtrejtë me urimin se do të kishin rast për t’u takue në rrethana të tjera ma të volitshme, tani që lufta kishte mbarue. E kështu shqiptarët e Austrisë u nisën për në Atdhé pas katër e ma shumë vjet ndarje prej tij.
Në fakt në Itali, sa mori fund lufta, kishte fillue përleshja politike dhe organizimi i bandave, qoftë për qëllime politike apo për banditizëm ordiner. Kishin nisë sulmet e vrasjet, vjedhjet e grabitjet. Kush e kush të fitonte supremacinë politike apo mafioze. Treni ku kishin hipun shqiptarët rastisi të ndalojë disa herë, por pa ndonjë telashe. Kur arritën në qytetin Bolonja, që ishte stacioni kyç i shpëndarjes së linjave veri – jug, treni duhet të ndërrohej dhe u desh me qendrue do kohë aty. Shqiptarët zunë vend në sallën e pritjes të stacionit, bashkë me shumë udhëtarë të tjerë italianë, burra, gra e fëmijë, familje të tana. Shqiptarët ishin shumica djelm të ri dhe nuk kishin asnjë femën në mesin e tyne. Ashtu siç po rrinin në pritje, u dukën aty rrotull disa individë të dyshimtë t’armatosun. Pas pak nja dy a tre prej tyne u futën në sallë me sjellje kërcënuese e me armë nëpër duer. Patjetёr banditё. Udhëtarët u befasuen dhe u hyni frika. Në çast im atë çohet me një revolver “Kolt” në dorë e duke e dijtë italishtën, u foli rrebtë italianëve duke theksue se ishin shqiptarë që kthehëshin në atdhé, e mos të guxonin t’i provokonin, se do ta pësonin keq. Banda sa mori vesh se ishin shqiptarë, u shpëmda sa hap e mbyll sytë. Udhëtarët italianë morën frymë dhe e falendëruen atë të ri guximtar. Im atё fitoi lëvdatat e shokëve e veçanërisht të Ahmet Zogut, sepse rezultoi se asnjënit prej tyne s’i kishte shkue mendja me sigurue një armë.
– Hajde, hajde, kishte thanë Zogu, si s’u kujtue asnjëni me ngjesh nje patllake, tue ditë se ç’rrugë do përshkonim ! Të lumtë Prenk se na ke nderue e meriton me ta shtrëngue dorën ! E treguem kёt fakt, jo me nxierr atin tim si trim, por si ngajrje e saktё tё atij udhёtimi. Kёshtu hidhen poshtë gjithë thanjët e shkrimet se Zogu na qenka shmang në Romë me një grup patriotësh ku paskej qendrue do kohë, deri dy muej. Krejt një sajim qesharak, duke qenë se ai udhëtim u zhvillue ashtu siç e treguem ma sipër, ku Zogu kishte ndejtë në shoqni të shqiptarve nga Austria në Shqipni, pa u nda një çast prej tyne. Pse trillohën këto situata të genjeshtra ? Asht krejt e pandershme. Në këtë udhëtim nga Vjena në Durrës ata kishin qёndrye nё nje kabinё me tё tjerё, ku edhe bisedohej. Zogu u kishte shpjegue se si tashma me mbarimin e luftёs, ven di hynte nё procesin e krijimt tё njё shteti ligjor, qё tё njihej nga Shoqnia e Kombёve. Tani nё Shqipni ishte njё qeveri provizor nё Durrёs, sa me mbajtё pak rregullin. Por ishte vendos qё tё mblidhe njё kuvend shtetformues, ku do tё caéktohej koha dhe vendi. Ai vetё ishte i pёrfhimё nё atё çёshtje, ku patjetёr do tё lozte rol e tё ngarkohej me pozitё. Tim etit dhe tё tjerёve, u tha se tashti pёr tashti, ata do tё merrnin urdhёn pёr detyrat sipas profilёve prej qeverise se pёrkohёshme tё Durrёsit. Kёshtu me kёto biseda kaloi gjithё udhёtimi. Zogu e kishte mbajtë gjithё kohёn pranë Prenkën, dhe miqësia e tyne u forcue ma tepër. Zogu e kishte porositë që të qëndronte në Skuraj, deri sa t’i vinte emnimi në detyrë ndoshta dhe prej dorës së tij. Ashtu i porositi dhe te tjerët. Kjo do të thoshte se ai ishte ma se i sigurt për peshёn që do të kishte në drejtimin e shtetit shqiptar. Pjesa tjetër e udhëtimit shkoi pa probleme e pengesa dhe nga gjysma e nëndorit 1918 arritën në Durrës, prej ku morën rrugën për në shtëpitë e tyne, si mundën, sepse nuk kishte mjete transporti as rrugë, përveç kambëve, karrocave, qerreve e kuajve apo të ndonjë automobili karakatinë, me rrota tё mbushuna, që punonte për Tiranë nëpër një rrugë primitive fushore. Ahmet Zogu me disa Tiranas u nisen me njё nga ato makina, ku im atё shkoi me ta deri nё Vorё, ku kishin ardhё edhe disa shkodranё. Prej Vore u nisёn sё bashku deri nё Milot, ku pastaj shkodranёt vazhdue pёr nё qytetin e tyne. Kthimi i t’im etit u muer vesh menjherё e u prit me gëzim të madh. Lajmi kishte fluturue deri në Skuraj. Ai u përcoll me njerëz e të shtëna pushkësh nga Miloti deri te kullat e Gjin Pjetrit, ku kishin dale për ta pritun Ndrec Pjetri me nanë Mriken, kushrijt e t’afërmit e tjerë të fisit si dhe dashamirë nga katundi i Skurajt e të Kurbinit. Ai konsiderohej perfaqësuesi ma i denjë i fisit dhe i krahinës, i zgjedhun prej vetë Gjin Pjetrit si një pasardhes i tij, të cilit i kishte hap rrugën drej shkollimit ma të naltë të kohës. Me mbarue studimet në Vjenë t’Austrisë, ishte një privilegj dhe arritje e madhe. Në Skuraj e priste edhe e fejuemja, Prena Gjokolaj. U ba festë dhe dasme e madhe, ku morën pjesë të ftuem nga të gjithë Kurbini dhe krahinat përreth. Merrte kështu fund periudha e rinisë pa andralla e tim etit dhe fillonte ajo e burrnisë me detyra familjare dhe me detyra shtetnore. Për kohën e ardhshme do t’i hynin në punë vitet shkollore të Shkodrës dhe të Vjenës, miqësitë e lidhuna gjatë jetës studentore, kultura shqiptare dhe ajo evropiane, gjuhët e hueja e miqësitë e forta që ai lidhi në Shqipni, në Austri, Hungari e Çeki. Veçanërisht lidhja e miqësia me Ahmet Zogun do t’ishin vendimtare. Ai ndejti në Skuraj deri nga fundi i vitit, sepse edhe s’kishte kah me shkue e me bredhë. Rrugët mungonin. Mungonin komoditetet. Qytetet pothuej nuk ekzistonin. Tirana nuk ishte tjetër veçse një fshat i madh me shtëpi prej çerpiçi, kandila e bishtukё vajguri e rrugë të pashtrueme ose me kalldrem me gurë zalli.
Nga muej tetor i erdhi emnimi si rrethkomandant i Krujës me gradën Toger nga qeveria provizore e Durrёsit. Zuni shpi me qëra te kruetani Sul Parja, me gruen dhe nanën. Ishte fillimi i asaj karriere ushtarake, që do t’i hapte rrugën drejt arritjesh të lavdishme në shërbim të Atdheut. Ndёrkaq shkon nё Tiranё ku takohёt me Ahmet Zogun. Aty merr vesh se po pregatitej shpallja e Shqipnisё si shtet ligjior, ku Zogu i dha me kuptue se do tё zinte njё pozitё tё randёsishme ne qeverinё qё do tё formohej. Kёshu im atё po pёrfshihej nё ato ngjarje historike tё krijilmit tё Shtetit shqiptar.
Andrrat dhe dëshirat e axhës së madh, Gjin Pjetrit dhe të babës tij Frrok Prendit, po realizoheshin. Shqipnia kishte nevojë për njerëz të ngritun që ta udhëhiqnin drejt qytetnimit evropian ku ajo ishte e pranishme qyshë në agimet e para të njerëzimit. Pa dyshim se një nga ato njerëz ishte dhe Prenk Pervizi.
Villa Giulia, afër Trentos, ku me 3 nëndor 1918 u firmos armistici midis Italisë e Austrisë dhe pushuen luftimet, duke lejue qarkullimin e njerëzve e mjetëve midis këtyne shtetëve.
————————————
*– Siç del nga tregimi i sipërm i drejpërdrejtë i Prenk Pervizit, në kthimin në Sjqipëri në nëntor 1918, në grup me shqiptarët e tjerë, Zogu nuk është shkëputur një çast tӫ vetӫm prej tyre dhe ka ndenjur gjithë kohën me Prenk Pervizin pranë. Prandaj hidhen poshte pretendimet e trillimet se ai na qenkesh shmangun në Romë, ku paskej qendruar dy muaj. Një gënjeshtër bajate që u shtohët të tjerave në dam tё historisё shqiptare. Ky udhёtim asht i domosdoshёm tё regjistrohёt nga historianёt, sepse i pёrgjigjet sё vёrtetёs absolute lidhur me Ahmet Zogun. Sigurisht pёr ata qё trajtojnё historinё e tij.
Nga Liria nё Pushtim
1918-1946
Në shërbim të Atdheut
Emnimi me detyrё si rrethkomandant i Krujёs erdhi ne nje kohё kur Shqipnia sa kishte dalё prej luftёs botnore. Ndersa austriakёt qё kishin humb luftёn ishin kthye ne vend tё tyne, forcat e tjera si ato serbe, italiane, franceze, greke e bullgare, qendronin akoma nё territorin shqiptar, me qёllime tё kёqia tё njё ndarje mes tyne tё trojeve arbnore. Forcat serbe kishin zbrit deri ne Mat e afër Krujës. Italianёt ishin vendos nё Vlorё duke u shtri mbi gjithё Kurveleshin deri nё Gjirokastёr e Sarandё, duke i perzanё Grekёt. Francezët ishin vendosë në Korçë e bashkëpunonin me Grekёt, të cilët nga ana tyne donin të aneksonin Korçën dhe synonin pёr Vorio Epirin. Qyshё nё prag tё luftёs mё 1913 kishte pasё orvatje tё tilla dhe kishin plasё luftime çetash midis forcave greke e atyne shqiptare. Shteti shqiptar i shpallun i pavarun mё 1912 nuk arrinte te kontrollonte e pёrballonte situatёn, pa ushtri, pa armatime e mjete. Ismail Qemali ishte detyrue me dhanё dorёheqjen dhe ishte largue nё Itali. Dihet se Konferenca e Ambasadorёve nё Londёr mё 1913, kishte marrё vendime tё padrejta ndaj Shqipnisё, nga ku kёrkonin tё pёrfitonin fqinjёt toksorё dhe tё pёrtej detit.
Pastaj kishte ndodhё diçka qesharake. Tregon Faik Konica i ardhun prej Amerike. Ai ksihe gjet pesё d elegacione shqiptare, qё kёrkonin tё pёrfaqёsonin Shqipninё. Mirё qё u njoh e pranue ai i Ismali Qemalit, me Isa Buletinin etj. Jo qё njё gabim i madh mos pёrfshimja e Konicёs nё atё delegacion. Qё pёrmatepёr zotnonte anglishtёn e frёngjishtёn e gjuhёt e tjera. Aty pёrveç faktit tё coptimit tё trojёve shqiptare doli orvatja me krijue njё principatё apo mbretni me princin gjerman Wilhelm Von Wied , qё siç dihёt dёshtoi, dhe i cili u deturye tё largohet pas gjashte muej mbretni, duke ia hap vendin Esad Pashё Toptanit qё kёrkonte tё sundonte mbi njё shtet tё cunguem, midis lumit Mat e Shkumbinit, si pas principatёs sё Topijave. Ai ua kishte lёshue Shkodrёn malazezёve dhe pjesёn jugore, Gjirokastrёn e Korçёn e kishte lanё nё dorё tё grekёve. E vetmja vepёr e mirё e Esadit ishte shtypja e kryengritjёs proturke tё Haxhi Qamilit, qё pёrfundoi i varun. Edhe Esadit s’i vajti mirё puna dhe iku nё Francё ku e mbylli jetёn tragjikisht nёn plumbat e revolverit tё Avni Rustemit. Nё kёto rrethana mё 25 dhjetor 1918 u mblodh Kongresi Kombёtar nё Durrёs ku u formue njё qeveri tjetёr provizore. Aty u hodhёn bazat pёr njё kuvend kombёtar pёr formimin zyrtar te njё Shtetit ligjor, qё do tё arrihej nё Kongresin e Lushnjё mё 21 Janar 1920. Qeveria e Durrёsi kryesohej nga Turhan Pasha, qё pati mёritёn tё pёrfaqёsojё Shqipninё nё Konferencёn e Vesailles mё 1919. Ku, po rrezikohej sakatimi i metejshem i Shqipnisё. Me ndёrhyemjёn e Imzot Luigj Bumçit pranё Papёs Benedikti XV, ai rerzik u shmang dhe iu njohёn Shqipnisё kufijt e tanishёm, duke e shpёtue nga njё coptim ma tё madh. Nё kёto rrethana emnimi i Prenk Pervizit me detyrё nё Krujё vinte nga Qeveria e Durrёsit. Im atё kishte shkue nё Tiranё, ku ishte takue me Ahmet Zogun, i cili e kishte sigurue qё me formimin e njё qeverie ligjore nё pёrspektivё, ku ai patjetёr do tё zinte njё post, do tё mendonte edhe pёr tё, aq ma tepёr se ishte ndёr fare tё paktёt oficerё me Akademi ushtarake tё kryeme, e ku se? Nё Vjenё t’Austrisё !
Ai ishte rrethkomandanti i parë shqiptar i emruem nga një qeveri shqiptare. Kruetanët e pritën mirë oficerin e ri, që i përkiste një fisi të njohun e të nderuem, me të cilin kishin pasë gjithmonë lidhje miqsore e kishin luftue përkrah Gjin Pjetrit, në bëtejen e Tallajbesë e gjetke, dhe kishin qёnё në ngritjën e flamurit në Milot. Kruetanёt ruenin njё respekt e admirim tё madh pёr Gjin Pjetrin. Tim etit i ra me takue njerёz qё kishin qёnё pёrkrah Gjinit nё kryengritjёn e artmatosun kundёr turqёve. Im atë i lidhi dhe ma fort ato miqësi dhe tregoi aftësi ushtarake të nivelit të mirë, në kryemjen e detyrave, duke fitue simpatinë e të gjithëve. Kur erdhi koha për të lindun e nisi gruen në Skuraj. Fëmijët e tij do të lindnin atje ku kishin lindun të parët. I pari fëmi ishte vajzë, me emnin Marie, por ajo nuk jetoi ma shumë së gjashtë muej. Ne të tre djemt e tij, Valentini, Genci e Leka, do të lindnim të gjithë në Skuraj. Djalin e parë, Valentin, ia fali Zoti me 1 korrik 1920.
Nё kёto rrethana rrezikshmёnie nga ana e serbёve, ai i shtoi stёrvitjet duke angazhue e mobilizue edhe vullnetarё civilё me forcat e pakta efektive qё kishte. Nё kёto stёrvitje i ndodhi një incident. Duke ba stërvtje në qitje i kishte plasë pushka, dhe baroti i kishte ra në fytyrë e në sy. Rrezik t’ishte qorrue po mos të kishte qëllue një mjek popullor që arriti të ia pastrojë sytë me marifetet e veta. Pastaj mori mjekime ma cilësore në spitalin ushtarak të Tiranës, dhe fytyra dhe sytë i erdhën në rregull. Por prap se prap disa vjet ma vonë që i ishte shfaq një si alergji në fytyre ishte detyrue me shkue në Vjenë për ta kurue, e nuk pati ma shqetsime. Në Janar 1920 merr pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, me forcat e tjera shqiptare, që rrezikohej nga ndërhyrja e ushtrisë italiane, që ishte përqendrue në kodrat e Ardenicës. Ai i kishte vendosё trupat e tij nё Vajkan, pёrballё forcave italiane. Italianёt e kuptuen se njё nedёrhyrje e tyne do pёrballohej me qёndresёn e vendosun tё shqiptarve, pёr tё mbrojtё punimet e Kongresit. Kёshtu qё orvajtja tyne dështoi dhe italianët u dëbuen po atё vit nga Vlona, si pasojë e luftës heroike të popullit të Labërisë. Në ato kushte im atё i forcoi lidhjet me shumë kolegë, oficerë të rij si ai, me të cilët ma vonë do të miqësohej ma tepӫr dhe me të cilët do të bashkëpunonte në veprimet e ndryshme luftarake për stabilitetin e vendit. Nga Kongresi i Lushnjës doli një qeveri me Kryeministër, Sulejman Delvinën; Ministër i Jashtëm Mehmet Konica dhe i Brendshëm Ahmet Zogu; kurse Ministër i Financës, Ndoc Çoba dhe i Arsimit Sotir Peci. Kongresi kishte zgjedhë edhe një Keshill të Naltë për në krye të shtetit, dy myslymanë e dy të krishtenë: Aqif Pashë Biçaku, Avdi Bej Toptani, Imzot Luigj Bumçi e Dr. Mihal Turtulli. Ai kthehёt nё Tiranё bashkё me Zogun, ku caktohet pranë Komandës së Përgjithëshme me detyrë të posaçme e kalon në dispozicion të Ministrisë Brendëshme, ku e kishte tërhequn vetё Ahmet Zogu, i cili tashma e konsideronte, pёrveç se mik të shtrejtë e besnik por pёr pregatitjёn e aftësitë ushtarake, të cilat do të shfaqëshin në detyrat që do të kryente. Prej atij çasti, im atë qëndroi në marëdhanje të ngushta me Zogun, në të gjithë kohën që u gjet në Shqipni. Ai konsiderohej tashma si krahun e djathtë e bensnik të madh i Zogut. Im atë, ndonse oficer i ri, por si akademist qё ishte, zuni vend kryesor në komandën e operacionëve për zonat e veriut, kryesisht për dëbimin e forcave serbe që kishin përfitue nga lufta për të depërtue në Shqipni e mos me luejt ma prej saj. Serbët kishin kalue në zonat veriore, Tropojë, Dibër, deri në Mat dhe poshte deri te Shkalla e Tiranës, me qëllim destabilizimi të gjëndjës. Por planet u kishin dështue sepse forcat e armatosuna shqiptare u mobilizuen nën komandën e burrave si Bajram Curri, Preng Jaku, Prenk Pervizi, Elez Isufi, Alush Aga i Lumës, Gjon Fusha, Muharrem Bajraktari, Lek Margjini, Dervish Duma, Ahmet Sata, Ali Erebara, Ceno Beg Kryeziu, Hysni Dema, Fiqri Dine, Murat Kaloshhi e të tjerë, ku bashkohej herë pas here edhe Ahmet Zogu. Kёta burra e luftёtarё bashkёpunoninn me njё krenari e entuziazёm tё madh se po i shёrbenin Athdeut. Jo vetëm që u dëbuen serbët nga trojet shqiptare, por u vendos dhe rregull e qetësi, duke u zhdukun bandat kriminale ordinere e duke u ba dorëzimi i armëve. Në këto operacione, im atë u dallue dhe u afirmue si një oficer me pregatitje e aftësi të spikatuna ushtarake. Ndërkohë, fatkeqësisht, kishte fillue dhe lufta politike, dhe grupe të ndryshme rebele nën maskën e opozitës kërkonin të destabilizonin vendin për të marrë pushtetin në dorë me anë të forcës së armëve. Ishte shfaqja ma e keqe e shqiptarve, nё njё kohё kur duhej afrimi mes tyne dhe jo kundёrvenja. Shteti sa po ishte krijue, dhe ja tashti kush e kush ta sundojё. Jo me anё tё marrёveshjёs e mirёkuptimit, por drejt e me anёn e forcёs e dhunёs. Ndonse ishte emnue një Këshillë i Naltë dhe funksiononte një qeveri ligjore, opozita, në vend që të zhvillonte një luftë parlamentare orvatej të krijonte situata të rrezikshme, shkurt, të bante një grusht shteti, duke shkaktue trubullina të njëpasnjëshme. Im atë, tashma kapiten, ishte transferue me bataljonin e tij në Shijak, për të mos lejue shregullime dhe organizime kundër qeverisë në fuqi, e cila po bante hapat e para drejt stabilizimit të gjëndjes në mbarë vendin. Duhet ditun se gjatë Luftës së Madhe, ne Shqipni kishin vërshue armët e të gjithë shteteve ndërluftuese. Vendi ishte mbushë me mauzere austrie, turku e maliher greku, pushkë italiane, franceze, serbe, belgjike, e të tjëra marka, si dhe me municione të të gjithë llojëve. Populli ishte fumizue mirë dhe pushka kërsiste ditë e natë, në dasma, lindje, festa , … por, fatkeqësisht, dhe për hakmarrje e banditizëm. Banda kriminale, siç e thamë, sulmonin e grabitnin shtegtarët, karvanet, shpitë, stanet. Kjo veçanërisht në zonat veriore : Mirditë, Kthellë, Tropojë, Lumë, Kukës, Mat e Dibër, etj. Paraqitej urgjente dorëzimi i armëve nga ana e popullsisë e zhdukja e bandave. Për këtë punë ishin krijue forcat e xhandarmërisë të përforcueme nga ato të ushtrisë, të cilat ishin vu në dispozicion të Ministrisë së Brendëshme. Ministri i Brëndëshëm, Ahmet Zogu, me gradёn kolonel, kishte caktue në komanden e operacioneve oficerët ma të aftë, si Major Preng Jakun, bashkë me oficerë të tjerë të rij, si Prenk Pervizin, Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Hysni Demën, Gjon Fushën, Lek Margjinin, Lek Marashin, Osman Gazepin, etj., ku shquhej Bajram Curri me gradën kolonel kreshnik. Këto ushtarakë ishin dallue në detyrat e tyne. Im atë kishte fitue eksperiencë të madhe dhe ishte shque në operacionet kundër forcave serbe, siç e kemi thanë. Njё ndёr pficerёt ma tё njohun tё kohёs ishte major Preng Jakun, me përvojë të madhe ushtarake, krijues i bataljonëve autonomë (baone) shetitës (shetica), që kishin detyrën për të lëvizun vazhdimisht nga një vend në tjetrin, me shpejtësi dhe befasi. Siç dihet major Preng Jaku vdiq nga plasja e një kallepi dinamiti, ndërsa gjuente peshk në lumin e Valbonës, që i këputi krahun e djathtë. Tirana u lajmёrue menjёherё dhe erdhi njё avion i postёs qё e çoi majorin nё Tiranё. Sado që arriti gjallë, ku urgjentisht e bani operacion kirurgu ma i mirë i kohës, Dr. Sinani, i mbeti atij në dorë, për arësyen që thamë të humbjës së gjakut. Spitalet nuk i kishin akoma mjetet e nevojshme e të tjera shërbime. Ishte një humbje e madhe për ushtrinë shqiptare, dhe për Shqipninë, sepse Preng Jaku kishte dhe tiparet e një burrë shteti, e përspektivat për të ishin të favorshme e të shkëlqyeshme. Besnikët e kushrijtë e tij deshën ta vrisnin kirurgun sepse, sipas tyne, nuk e kishte ba operacionin mirë. U desh ndërhyemja e tim etit e të Ahmet Zogut që të ftofnin gjaknat. Preng Jaku gëzonte simpati e influencë tepër të madhe në popull, kryesisht në Veri, e në radhet e ushtrisë. Mik i ngushtë i Bajram Currit, Prenk Pervizit dhe Ahmet Zogut, me ndikim të madh në Mirditë dhe krahinat e tjera veriore. Me babën miqësia shtrihej ma thellë në lidhje ma të vjetra ndërfisnore, prandaj emnat e këtyne dy oficerëve nuk mund të përmendeshin pa njeni tjetrin, edhe për arësye se i bashkonte i njejti koncept i artit ushtarak dhe i atij të luftës popullore, të kalitun në të njejtat shkolla e të njetat kushte të traditave luftarake të shqiptarve.
Edhe me Bajram Currin, im atë ishte lidhë me miqësi të fortë. Jo vetëm sepse i kishte ra me luftue se bashku kundër serbëve, por dhe për faktin se Bajram Curri kishte pasë takime e marrëveshje me Gjin Pjetrin, për të bashkëpunue në levizjen kryengritëse kundёr turqёve që kishte përfshi mbarë veriun. Baca Bajram kishte qenë disa herё në Skuraj e ishte takue e marrёvesht me Gjin Pjetrit pёr bashkёveprim nё kryengritjёn kundёr Stambollit. Ai mendonte se nipi i Gjinit i kishte cilësitë e një komandanti të shquem, i denjë me i pri ushtrisë shqiptare. Bajram Curri mendonte për t’ardhmen dhe shtjellimet që mund të vinin, kryesisht për një bashkim kombëtar, dhe e vlerësonte Prenk Pervizin si një ushtarak shumë të përgatitun, që do të lozte rol kryesor në ngjarjet që do të interesonin çështjen kombёtare si komandant i forcave t’armatosuna shqiptare, ku do të përfshihëshin dhe çetat e luftëtarve vullnetarë në Kosovë. Kur i takonte me zbrit nё Tiranё Bajram Curri vinte ne shpinë tonë, ku kalonte mbramjet deri natën vonë, me tim atё e patriotë të tjerë, duke bisedue për çështjen shqiptare, gjithmonë ne kuptimin e bashkimit kombëtar. Çështja e Kosovës ishte në plan të parë të politikës popullore për ta dallue nga ajo zyrtare e qeveritarve që përlyhej me interesa meskine vetjake. Për të tilla interesa e allishverishe, çeshtja e Kosovës mbeti pezull e mund ta themi me plot gojë që u nënvleftësue e u sabotue vazhdimisht në forma të hapta dhe të fshehta, jo vetëm nga serbët e përkrahësit e tyne, por edhe nga disa shqiptarë renegatë e të shitun për përfitime t’ulta vetjake. Nё kёto vizita nё Tiranё Bajram Curri takohej vazhdimish me Zogun me tё cilin kishte miqësi të fortё. Kishte qëllue që me Ahmet Zogun të takohëshin me t’im atё edhe në shtёpinë tonë.
Tregonte im atë se kur luftonin kunfër forcave serbe, ku Ahmet Zogu vinte në ispektim, rrinin në një çadër, ku mblidhësin me Bajram Currin, Preng Jakun dhe të tjerë oficerë për të marrë vendime e hartue plane. Dhe gjithkush ishte çudit kur Bajram Curri mori krahun e opozitës, që kishte arritë ta mashtronte e ta bante për vete. Në këtë kurthë të opozitës kishte ra edhe Elez Isufi. Prandaj punët e Shqipnisë nuk shkonin mbarë, përderisa, burra në za e patriotë nuk binin dakord midis tyne dhe arrinin edhe të anmiqësohëshin pa një arësye të bindshme. Sigurisht se në këto veprime të damshme për vendin, kishte gisht politika e të huejve, dhe mjerisht në Shqipni kishin depërtue edhe idetë komuniste që ushqehëshin nga Moska dhe Belgradi dhe që opozita donte t’i zbatonte në Shqipni. Bajram Curri dhe Elez Isufi ishin burra ne za dhe luftëtarë e patriotë të shquem, por të pashkolluem e analfabetë, ku propaganda komuniste zinte vend. Kjo gjëndje i hapte rrugë rrezikut të destabilizimit të Shtetit shqiptar të sapo krijuem. Sepse opozita kishte vendos me perdorë forcën e armëve për të rrexue qeverinë ligjore dhe me ia zanë vendin. Ajo nga njё anё shpaloste idetё e revolucionit francez tё mpleksun nga ana tjetёr me propagandё komuniste qё ushqehej e diktohej drejt nga Moska.
Burrat qe dӫbuan serbet nga Shqipӫria
me 1920-1921
Operacione qetësuese
Pas Kongresit të Lushnjës qeveria shqiptare u gjet para problemit të çarmatosjës së vendit. Siç e kemi thanë, Shqipnia ishte mbush me armë gjatë periudhës së luftës 1914-18. Ndërkaq vepronin edhe banda ordinere grabitëse, veçanërisht në zonat e veriut. Njëkohësisht disa krahina të varfëra vuenin për bukë. Ndër to Mirdita, që njihej si një krahinë e ashpër, sa që, as Turkia nuk e kishte randue me taksa, duke i lanë një far autonomie duke e njohun shpinë e Gjomarkajve si Kapidana të saj, në rang princor. Nga ana tjetër qeveria pa asnjë kriter dallues, kërkonte nga të gjithë krahinat që të paguenin taksa shtetit, ku përfshihej dhe Mirdita. Mirditorët ishin revoltue. Ata nuk i kishin pague taksa Turkisë e jo të ia paguenin një qeverie shqiptare. E ku t’i merrnin paret, mos vallë binin nga qielli ? Në këtë kohë, im atë tashma kapiten, ishte përfshi në batalionin e Major Preng Jakut si adjutant i tij. Bataljoni ishte caktue me ba dorëzimin e armëve dhe me zhduk banditizmin që ishte përhapë dhe krijonte pasiguri. Në ato kushte primitive njerëzit udhëtonin në kambë apo kafshë ngarkese, ku binin pré të hajdutëve t’organizuem në banda. Por kryesor mbetej çarmatimi, ku, siç e kemi thanë, vendi ishte mbushë me armë të çdo lloj marke gjatë kohës së luftës.
Në këto operacione, bataljoni kaloi veprues në Mirditë, ku ishin shkaktue disa trubullina, që u paraqitën si rebelizëm kundër shtetit nga ana e Jugosllavisё.
Si rodhën punët? Kapidani i Mirditës Marka Gjoni, kishte shkue me u takue me Mehdi Frashërin, asokohë Ministër i Brendshëm, në zyrën e tij. I paraqet gjendjen e mjerueshme te Mirditës, ku banorët po vuenin deri për bukën e gojës. Qeveria nuk kishte vu dore fare për t’i ardhu në ndihmë krahinës. Biles kerkonte të vilte taksa, qe edhe nën sundimin e Turkisë nuk i kishin pague. Fjalë në fjalë e biseda acarohet. Mehdi Beu e fajson Kapidanin, që nuk ka ba dorëzimin e armëve dhe se mirditorët nuk pranojnë me pague taksat e detyrueshme të shtetit. Kapidani revoltohet në kulm nga ajo përgjgje e del prej zyres pa ia dhanë dorën e duke përplas derën e fill e në Orosh ku mbledh krenët e Mirditës. Mirditorët vendosën me e kundërshtue vendimet e qeverisë, deri dhe me armë. Këtu filloi ashtuquejtuni rebelimi i Mirditës e paraqitur si kryengritje. Mehdi Frashëri, ngarkon major Preng Jakun e Prenk Pervizin, për rivendosjën e rregullit atje, dhe fillon operacioni për qetësimin e gjendjës. Në këtë komandë merrte pjesë oficerë të tjerë si Lek Margjini, Preng Marka Perzefi, Gjin Noku, Ded Lufi, etj. Operacioni kishte qëllim ma tepër me vendosë qetësinë e me ba dorëzimin e armëve se sa me ndez luftë dhe derdh gjak. Dhe ashtu ndodhi. Mirditorët që ishin përqëndrue në Orosh, aritën të mbajnë të rrethuem bataljonin në kishën e Oroshit. Rrezik me kris pushka dhe me u derdh gjak. E keqja ishte se batalioni ishte mangut me ushqime sa kishte arritë puna me nda nga një grusht misër për njeri nё ditё. Preng Jaku konsultohët me oficerët, dhe nëntogeri Ded Luf ngarkohët me dalë prej rrӫthimit për me kerkue perforcime dhe ushqime. Deda arri të kalojë. Por duhet ditun se çdo lëvizje bahej me kambë, dhe veç pas dy ditëve erdhën përforcimet me Ndrec Lufin, axhën e Dedës, që kishte ngarkue disa mushka me ushqime e municione. Forcat e Ndrecës filluen të gjuejnë batare me pushkë. Mirditorët e hoqën rrethimin dhe u drejtuen për në Shpal. Preng Jaku, iu ngjit mbrapa e i rrethoi në Shpal. Mirditorët s’patën kah me ia mbajtë dhe u shpërndanë. Kështu mori fund rebelimi i Mirditës. U ba dorëzimi i armëve dhe u vendos një far qetesie. Qeveria e tërhoqi vendimin e taksave. Por Marka Gjoni u detyrue të kalojë përkohësisht në Kosovë me njerëzit e tij. Që pati një formë rebelimi, pranohet, por thjesht për çështje ekonomike e varferinë që sundonte në atë krahinë. Por Jugosllavia e kishte ngritë çeshtjën e Mirditës në Lidhjen e Kombëve, se ajo krahinë katolike kërkonte të ndahej në një Republikë të pavarur, por qeveria shqiptare e formueme me musulmanë, po e shtypte me ushtri. Lidhja e Kombëve kishte dërgue menjëherë një komision të kryesuem nga profesori suedez Soderholm, që raporton se në Mirditë mbretnonte qetësia e plotë dhe se Marka Gjoni ishte largue në Kosovë.
Kështu ajo çeshtje u mbyll. Sa e vërtetë qendron kjo punë, u mbetët historianeve të paanshëm ta gjajnë. Fakti asht se qellilmisht janë krijue trillime të teprueme, sepse po t’ishte e vërtetë, Kapidani i Mirditës ishte në gjëndje të mblidhte 5000 mirditorë të armatosun e t’organizuem, të cilëve zor t’u bante ballë kush. Nga kjo punë, të vjen keq se kane perfitue disa njerëz për të rrit prestizhin e tyne, duke trillue se kanë marrë pjesë me forcatt e tyne (cilat forca ?) për të shtyp “kryengritjën” e Mirditës, sa qe kanë krijue edhe dokumentë fallso për të marrë përsipër veprime qe nuk i kanë krye kurrë. Pra rrena me bisht.
E treguem këtë ngjarje sepse në të ishte përfshi im atë. Shuemja e rebelimit iu dedikue Preng Jakut e Prenk Pervizit. Prandaj e kemi ditë shumë mirë se si shkuen punët. Asht spekullue për ta paraqitë çështjën, siç e treguem, sikur Mirdita po donte me u shpall Republikë me Kapidan Marka Gjonin në krye, dhe me mbështejen e Jugosllavisë. As parë as dëgjuar do thoshte toska. Faktikisht për sa kemi jetue në Shqipni nuk e kemi dëgjue kurrë prej askujt një gja të tillë. As prej t’im etit as prej rrethit tij ushtarak, duke fillue nga oficerët deri te ushtarët e thjeshtë, që kishin marrë pjesë në atë operacion qetësues. Sipas një dëshmie të besueshme, siç asht ajo e Dom Ndoc Nikajt, që kishte qenë famullitar në Mirditë, mirditorët kishin ngritun krye, nga fukaralleku e mungesa e bukës e kërkonin ndihmën e qeverisë, që nga ana e saj ngulmonte të pagueshin taksat që ajo kishte caktue Ishte një periudhe e keqe ekonomike, e kishte shkue puna deri aty sa me u përzie mielli me tallazhin e sharrës (thanje të popullit) e me u ushqye me lende e lakna t’egra.
Në këtë periudhë, Kryeministër ishte Iliaz Vrioni e Ministër i Brendëshëm, Mehdi Frashëri. Ahmet Zogu ishte caktue në komandën e përgjithëshme të operacioneve për Veriun, me qëndër në Shkodër. Ai ndërhyni për pajtimin mes kundështarëve, e me u marr vesh me Kapidan Marka Gjonin. Në këtë pajtim luejtën rol Preng Jaku dhe Prenk Pervizi, që kishin lidhje gjaku dhe krushqi me Gjomarkajt.
Duke u kthye përsëri tek e ashtuquejtuna “kryengritje” e Mirditës, ajo mbetet një çështje e pa sqarueme mirë historikisht. Dokumentat janё të pakta, për mos me thanë se nuk ka fare, ose janë të manipuluem. Ata që ishin protagonistët kryesorë nuk u pyetën për të dhanë dëshmitë e tyne të mirëfillta, si Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari etj. që jetuen deri vonë nё Belgjikё. Disa që u orvaten të shkruejnë historinë ia veshën me hamendje, kodra pas bregut, sipas oreksit të tyne politik, partiak, fetar, krahinor e klanor.
Asht për t’ardhun keq por ja që asht e vërtetë. Diktatori Hoxha e kishte leshue vetë udhëzimin e fallsifikilmit të historisë. Sipas tij sistemi komunist nuk do shuhej kurrë, dhe kështu e gjithë historia do ju servirej si e vërtetë rinisë shkollore të brezave të ardhshëm. Por shembja e komunizmi i prishi ato plane dhe historia do të rikthehёt në binarët e saj. Theksojmë këtë, sepse në tregimin që po rreshtojmë të jetës e veprimtarisë së prindit tim, pasqyrohen ngjarje siç kanë ndodhun realisht, duke qenë se ai ishte i lidhun ngusht me gjithë atë pjesë të historisë ku ishte përfshi nga 1918 deri më 1946, që përbën atë periudhë ma të paqartë të historisë sonë, sepse e dominueme dhe shkrueme nga njerëz e historianë të angazhuem politikisht, krahinorisht, klanorisht, fetarisht dhe ideologjikisht. Lene që asokohë nuk ka pasun as shtyp të rregullt as gazetarë dhe aspak historianë. Këto u shfaqen dhe u formuen shum ma vonë, mjerisht si komunistë, për t’i shërbye diktaturës së cilës i ishin bashkangjitun. Nuk ka dyshim se pas leximit të këtij libri lexuesi (edhe historiani) do të gjendet para fakteve e ngjarjeve që ai, jo vetëm nuk i ka dëgjue por edhe që ia kanë paraqitun tjetër për tjetër, te veshuna me përshkrime krejtësisht të sajueme, për të fallsifikue jo vetëm ngjarjet, por edhe për të injorue njerëzit që u përfshinë në to. Me këtë tregim të zgjanuem të prindit tim, ku hyjnë dhe ngjarjet e marëdhanjet që shoqnuen e shoqnojnë familjen tonë, lexuesi të jetë i sigurtë se do të njihet me fakte e situata krejtësisht të vërteta. Erdhi koha që ato tё thuhen, që historia moderne shqiptare të njihet e të shkruhet ashtu siç u zhvillue, sepse e tregueme nga dikush që atë histori e ka shoqnue nga afër, nëpërmjet vetvetes dhe njerëzve me të cilët ndau të mirat e të keqijat. Kam pasë fatin të jetoj në një mjedis njerëzish që banë historinë shqiptare, nga ngjarjet ma të vogla në ato ma të mëdhatë, ku një vend nderi e zen dhe im atë. Ai bashkë me kolegë e bashkatdhetarë të tjerë patriotë, u gjet gjithmonë në ballë të situatave ma të rrezikshme për vetë ekzistencën e kombit tonë. Arriti t’ zgjidhë ato me aftësitë e tij ushtarake, kur dihet se roli i ushtrisë asht vendimtar në kushtet e krijimit të një shteti të ri, siç ndodhi me Shqipninë, që për herë të parë në histori u njoh si shtet më 21 Janar 1920 në Kongresin Lushnjës. Ky rol ushtarak njihet në të gjithë botën si vendimtar, përveç se në Shqipni, ku as që përmendet, veçse shkarazi. E pra ky rol ka qenë ma se vendimtar, për ata që kuptojnë. E kam fjalën për periudhën para 1944. Asht pikërisht nga udhëheqësit ushtarakë, fitoret ose humbjet e tyne, që krijohet e shkruhet historia e një populli dhe e një Kombi. Politikanët nuk janë tjetër veçse përciellës e sajues situatash ne kontekstin diplomatik dhe administrativ, por asnjëherë zgjidhës faktikë të tyne. Në qoftë se ka zgjidhje, veçanërisht në Shqipni, ajo vjen nga ushtria, e kur themi nga ushtria, nënkuptohet se nga udhëheqësit e strategët e saj. Këto zgjidhje situatash reflektohen te qeveria e politikanët, që i përvetësojnë për vete duke lanë në hije ata që ua dhanë në dorë. Kështu u veprue në Shqipni. Në rastin e Ahmet Zogut, gjithçka iu vesh atij, duke qenë se punët i kryenin të tjerët. Ai u paraqit si një “Superman”. Sigurisht se merita e tij si burrë shteti qëndron, por pa ato burra të tjerë që ia hapën rrugën kudo dhe e përkrahën fuqimisht ai nuk mund të kishte ba një hap përpara. Asht sipas këtij kandvështrimi që duhet kuptue e shkrue historia shqiptare. Ata ushtarakё që e mbështeten Zogun, panë tek ai shqiptarin që i përmbushte të gjitha kushtet e një burrë shteti të aftë dhe autoritar. Të vendosun dhe mponues. I zoti me udhëheq shtetin, dhe i vetëdishëm se pa njerëz me cilësi e aftësi ushtarake nuk mund të arrinte asnjë sukses, as qellimin e tij madhor, që të bahej Mbret i Shqiptarve. Im atë dhe të tjerë kolegë e miq ushtarakë, ia dinin edhe të metat, po i kapërcenin ato për të mirën e vendit.
Pas vendosjës së një farë qetësië, keshilli i parë i Naltë dha dorëheqjen dhe u zevendësue nga një katërshe tjetër : Ymer Pashë Vrioni, Refik Bej Toptani, Sotir Peci e Ndoc Pistulli. Kryeministër Abdyl Ypi, Ministër i Brendshëm, Ahmet Zogu. Këtë detyrë Zogu e përdori, dhe për këtë ka mëritë, për të vendosë rendin e qetësinë, pas shregullimëve të mëdha që kishte shkaktue Lufta e Madhe. Kjo i shërbente me forcue edhe pozitën e tij në hypjen e shkallës së pushtetit deri në krye të vendit. Këtë synim ia kishte imponue vetvetës, dhe bani çmos që ta realizonte. E kemi thanë se si im atë e kishte psikollogjisë qyshë në Vjenë, se Zogu ishte i vetbindun se do të ndikonte në politikën shqitare dhe se do të zinte pozita të nalta. Një lloj ambicje që e shtynte të përdorë çdo lloj mjeti për të arrit qëllimin. Ai s’e kishte lexue Makiavelin as s’e dinte se kush ishte, por faktikisht ndoqi atё parimin e tij kryesor: Qellimi justifikon mjetin. Ishte një kohë kur mungonte stabiliteti prej mosfunksionimit të shtetit shqiptar pas shpalljës së Pavarësisë, ku qeveria e Ismail Qemalit u detyrue të binte dhe të zëvendesohej nga një qeveri e Durrësit, me Princ Vidin, dhe pastaj me Esad Pashën. Ky, pas largimit të Vidit, donte me ia zanë vendin si princ ose mbret. Dhe ishte i gatshëm të shiste gjysmën e Shqipnisë për principatën e Topijajve për të cilën andrronte dhe i luente të gjithë gurët. Ai për këtë qëllim do të ia kishte shit shpirtin djallit për së gjalli, por nuk ia arriti, e mbeti me ia shit përsë vdekmi. Kongresi i Lushnjës u dha fund këtyne allishvërishëve dhe i dha afirmim Ahmet Zogut si një burrë shteti i ri dhe i aftë me sundue. Për çdo ditë e ma tepër ai po imponohej si njeriu që do të merrte në dorë fatet e Shqipnisë dhe të Kombit. Parashikimet e tim etit dolën ma së të vërteta.
Tӫ ashtuquejtunit kryengritës të Mirditës, 1921
Major Preng Jaku mes dy kapitenëve Lek Margjini e Prenk Pervizi,
kolegë e miq të pandamë, qё shuan rebelimin e Mirditë, 192
Komandant operacionesh
Duhej patjetër të bahej çarmatimi i vendit. Prenk Pervizi iu besuen zonat veriore, Kruja, Kurbini, Mati, Kthella e Dibra. Këtë detyrë ai e kreu me nder. Këto zona u pastruen nga armët me marrëveshje e mirëkuptim, e ku e lypte puna edhe me ushtrimin e forcës.
Te merret vesh mire, se nuk pati dhunë e pushkatime. Nuk u dogjën shtëpi as u burgosën e internuen njerëz e familje. Ndryshe nga si do të vepronte regjimimi komunist që do të zbatonte terrorin total, me zjarr e hekur, pa mëshirë, në çdo krahinë, duke djegë, pushkatue, burgosë e intennue, jo me qindra por me mija të pafajshmë, të gjithë viktima të një genocidi kriminal te paparë në historinë e Shqipnisë. Dhe kanë pasë turpin të paraqitën si “çlirimtarë”, duke pas ba krime ma të shumta e të shëmtueme se pushtuesit e huej.
E kemi fjalën për historinë moderne. Se sa për historinë e vjetër, nën pushtimin turk, masakrat i tejkalonin pёrmasat njerёzore, ku me kokat e shqiptarve ngrihëshin piramida.
Emni i Prenk Pervizit sa vinte e fitonte respekt e afirmim. Një ndër operacionet ma të randësishëm ishte ai i Dibrës, ku i takoi me shkue për herë të parë. Dibranët u treguen të arësyeshëm dhe i dorëzuen në përgjithësi armët pa incidente. Dibranët e pritën shumë mirë komadantin e ri. Im atë pati rastin të njihej e të miqësohej me parinë e Dibres : Dinejt, Kaloshët, Demajt, Ndreajt, Shehët, Sinajt, etjerë. Këtu i ndodhi një e papritun e pëlqyeshme, sepse mori vesh se një fis i randësishëm i Zerqanit mbante emnin e Pervizit. I ra puna me shkue në Zërqan, dhe i bani një vizitë asaj shpie, ku u prit me nderime e dashuni vllaznore. Ndërkohë që bisedonte në odën e madhe të miqve me burrat e shpisë, i paraqesin një plakë 100 vjeçe (jemi më 1921) me medjën esull, e cila nisi të tregoje historinë e fisit të vet, që e paskej pasun origjinen pikërisht nga Pervizajt e Skurajve. Prej atje kishin dalë në Dibër me mbiemnin Marku. Ma vonë ishin kthye në musulmanë. Pas shpalljës së Pavarësisë, ishin rikthye në mbiemin Pervizi. Plaka e çuditi Prenkën, sepse i tregoi historinë e Pervizit të Madh, fill e për pe, siç ai e kishte degjue kur ishte i ri, nga vetë Gjin Pjetri, nga nana e të tjerë pleq të Skurajt dhe të Kurbinit. I tregoi dhe për lëgjendën tjetër të pesë vllazënve me një motër që ishin shpëmda. Njeni nga ato vllaznit kishte ardhun në Dibër, nga ishte formue fisi i Pervizajve të Zerqanit, që u kthye musulman. Jemi ne 1921, ngjarja e ndarjes kishte ndodhë 300 vjet ma përpara pra rreth vitit 1600, që përkonte me çka dinin pleqt e fisit. Fisi i Pervizit të Zerqanit ishte i njohun për veti shqiptare e patriotizëm. Miqësia me Prenk Pervizin u forcue me këtë lidhje të vjetër gjaku. Në kohnat e mavonshme, kur im atë ishte gjeneral e Ministër i Mbrojtjës, dy vllaznit Mahmud e Bajazit Pervizi, u lidhën ngusht me të, në kuptimin e forcimit të lëvizjes së Bashkimit Kombëtar. Veçanërisht Bajaziti, pati kontakte e takime të vazhdueshme për këtë çështje me tim etin, duke marrë përsipër e duke krye detyra të randësishme.
Gjatë qëdrimit në Dibër, im atё u takue dhe me mikun e vjetër Elez Isuf Ndreun, që e priti mysafir në shpinë e tij. Ata kishin luftue së bashku për dëbimin e forcave serbe. Aty ia shtruen bisedëst duke kujtue luftimet kundër serbëve dhe shoqninë e miqësinë që kishin lidhun ndërmjet tyne dhe me komandantët e tjerë si Preng Jakun, Bajram Currin, Alush Agën e Lumës e të tjerë luftëtarë. Në një çast të caktuem Elez Isufi i drejtohet shprehimisht:
– Or kapidan Prenga, ti duhet të kalojsh me ne, or burrë, për me rrexue atë qeverinë e Tiranës ! Ti meriton grada e pozita ma të nalta, se ato që të kanë dhanë. Hiqmu atij Ahmet Zogun, se vallahi kurrë s’ke me ia pa hajrin as ti as vendi !
Im atë kishte hesht pak, dhe mbasi kishte thithë dy tri herë cigarën që kishte në dorë, i ishte përgjigj:
– Or Elez Isufi, kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi miq… Kemi luftue së bashku me shporr serbët, për të forcue Shtetin e ri Shqiptar të sapo krijuem. Unë jam betue njëherë me i sherbye Atdheut e qeverisë ligjore që e drejton. Jam ushtarak e nuk merrem me politikë e partina e nuk kam si me e thye besën e dhanë. Prandaj or Elez Isufi, nuk luftoj as për grada as për pozita, por ta dijsh se aty ku jam aty qëndroj ! … Miqësia mbetet miqësi e detyra, detyrë !
Elez lsufi kishte ndigjue me vemendje dhe kishte pohue me kokë se fjalët e kapidanit ishin me vend. Kishin vazhdue me biseda të tjera dhe ishin nda miqësisht. Miqësia me fisin e Ndreajve do të vazhdonte gjithë kohën e mavonshme, pavarësisht nga disa rrethana kur Elez Isufi dhe Prenk Pervizi do të gjendëshin ballë për ballë si kundërshtarë.
Në Dibër ai pati kontakte të shumta me parinë lokale duke u njohun me problemet e ndryshme të banorëve të asaj krahine. Ndryshe nga si do të vepronin komandantët komunistë të brigatave partizane, që do tё digjnin, vrisnin, pushkatonin e burgosnin me qindra Dibranë, në operacionin e Prenk Pervizit nuk ngjau asnjë gja e tillë. As u dogj ndonjë shpi, as u pushkatue kush, as arrestue e burgosë, as u internuen familje. Ai biles gezonte respektin dhe simpatinë e banorëve. Repartet ushtarake kishin zanë pika të caktueme e varëshin nga komanda qendrore, prej ku merrnin urdhnat operative. Ndodhi që një toger, komandant i një reparti afër Peshkopisë, të vinte në gjendje alarmi forcat e veta, mbasi i kishin raportue se dibranët, burra të armatosun me gra dhe fëmijë, po zbrisnin grupe grupe për në Peshkopi. Ishin dëgjue krisma pushkësh. Oficeri nxiton me e u paraqit te komandanti i operacionit, të cilit i raporton për çka po ndodhte. Im atë pasi e degjon raportin e oficerit, mendohet pakëz dhe pyet:
– Mor, ç’ditë asht sot ?
Oficeri raportues i thotë
– Sot jemi me 14 mars, zotni kapiten !
– Kthej ushtarët në kazermë. Asht nata e Shën Gjergjit, festa ma e madhe e dibranëve. Sonte dhe nesër, le të qesin pushkë e le të bajnë qejf sa të duen ! Ka 500 vjet që e festojnë, qyshë në kohën e Skënderbeut ! Kjo tregon se si im atë i kushtonte kujdes njohjes së traditave e zakonëve të krahinave ku i takonte të zhvillonte operacionet ushtarake. Kjo thanje e tij u përhap dhe mbeti e ngulitun në mendjën e dibranëve. Pas 70 vjeteve unë e degjova edhe nga goja e një dibrani emigrant që takova në Paris më 1993.
Pëshkopia në kohën e operacionit të Prenk Pervizit, 1921.
Lufta e Tiranës, 8 mars 1922
Mbas operacionit të Dibres, Prenk Pervizi ishte kthye në Shijak, ku ishte dislokue bataljoni i tij. Ndërkohë trazimet nuk pushonin. Opozita kërkonte me çdo kusht që të përmbyste situatën në favor të saj duke inkurajue një kryengritje për me rrexue qeverinë në fuqi. Kryeshist e kishin inatin me Ahmet Zogun, që ndonse ishte vetëm Ministër i Brendshëm, gezonte reputacion e influencë të madhe, si në qeveri ashtu në popull. Me thanë të drejtën të gjiithë e kuptonin se ai e kishte synimin me dale në krye të shtetit, në çdo formë qoftë. Ata që e përkrahnin mendonin se ia vlente me e mbështetë në këtë arritje, për të mirën e vendit. Që Shqipnia të fitonte stabilitet, vendosjën e rendit kudo, dhe hapjen e mundësive për zhvillimin ekonomik nepërmjet investimëve të hueja. Me t’ardhunat e brendëshme nuk realizohej asgja. Nga mund të dilnin t’ardhunat kur vendi ishte i katandisun në një prapambetje thue ishte në kohën e mesjetës ? Ndërsa kundërshtarët që formonin opozitën, ia dinin aftësitë imponuese e dominuese, e qё ishte i pajisun me një inteligjencë të spikatun. Këto premisa i shqetësonin, se ishte një far vetbindje, ku ai me çdo kusht do ta mbante dhe ta naltësonte pozitën e tij për të arritë në krye të shtetit. Për këtë qëllim ai kishte afrue rreth vetes ushtarakët ma të aftë e të njohun, që gëzonin simpatinë e popullit dhe besimin e ushtrisë. Por këtu dilte dhe ana tjetër e medaljës. Edhe në vetë opozitën kishte oranizim tё mirё. Ajo kishte afrue e ba për vete disa figura të njohuna si luftëtarë e patriotë, si Bajram Curiin e Elez Isufin, por të pashkolluem e analfabetë, që stononin me intelektualët që formonin udhheqjën e opozitës. Opozita ndiqte një vijë e program komunist, me fjalë të bukura shumë joshëse, për një barazi shoqnore e udhëhequn nga njerëz të dalun nga populli, e të tjera profka. Kёta lidera popullor të veriut ranë në atë propagandë si miza në qull. Iu bashkangjitën opozitës qorrazi pa ditë se ku i çonte mushka. Në këtë kohë kishin ndodhë disa ndryshime, dy anëtarë të Regjencës,. Aqif Pashë Biçaku dhe Monsignor Bumçi kishin dhanë dorëheqjen. Ishte formue nje ministri direktoriale e përbame nga sekretarë të përgjithshëm. Një përçarje e madhe ishte krijue ne rrethet politike, ku secila palë kërkonte të merrte frenat e shtetit në dorë. Nga lufta parlamentare, opozita po bahej gati me kalue në luftë të armatosun. Edhe ne këto veprime, secili grup kërkonte t’i dilte zot punës ne mënyrë të pavarur për të kapë pushtetin e karrikën. Me nxitjen e Aqif Pashë Biçakut, Elez lsufi, lidhun me Halit Lleshin, Mustafa Krujën, Hamt Bej Toptanin (feudal rebel), Bajram Currin (i mashtruem), deshën të ngrejnë krye andej nga fillimi i marsit 1922. Prej tyne vetëm Elez Isufi mundi të arrije në Tiranë me forcat dibrane, afro 500 burra të armatosun. Nё fillim tё marsit 1922 sulmi u ba nga ana e Dajtit, ku rebelët u ndeshën në një njësi xhandarësh të komanduem nga major Meleq Frashëri. Krisi pushka dhe në atë përpjekje mbeti i vramë në krye të detyrës majori trim, bashkë me disa xhandarë. Kjo goditje erdhi e papritun dhe nga rreziku, Këshilli i Naltë, Qeveria e Parlamenti u transferuen urgjentisht në Elbasan. M 8 lmars Brenda mureve të parlamentit kishte mbetë vetëm Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, me një grup nënoficerìësh. Edhe ky në gatishmëni me u largue. Në ato çaste aq kritike aty kishte qëllue Prenk Pervizi, që kishte takim me Zogun. Kur u muer
AHMET ZOGU PRENK PERVIZI
Ahmet Zogu, ministër i brendshëm, dhe kapiten Prenk Pervizi, protagonistët kryesorë të dështimit të grushtit të shteiti të 8 marsit 1922, me shpartallimin e forcave rebele të cilat sulmuen pabesisht për të pushtue Parlamentin e rrexue qeverinë. Prenk Pervizi u gradue kap. Kl. I-rë për merita lufte dhe me medaljën e artë të trimnisë.
vesht se ç’po ndodhte,Prenk Pervizi ndërhyn dhe e siguron Zogun se ai e merrte përsipër të përballonte e të thyente sulmin e rebelëve, mjafton që të furnizohej me mitrolozë dhe municione. Mori gjysmën e nënoficerëve me dy mitrolozë e arkat me municione e shkoi e zuni vend te pusi i madh nё fund tё pazarit të vjetër, që ndodhej aty ku rruga e Dibres dilte te sheshi i sotëm Skëndërbeg. E zgjodhi atë pozicion sepse e dinte se forcat e çregullta rebele do të sulmonin andej për të mësye parlamentin, duke kujtue se pas vrasjes së major Meleq Frashërit, nuk do të hasnin në ndonjë qendresë tjetër. Ishin informue se në Tiranë nuk kishte forca ushtarake, që ishin shpërda andej këndej. Pas pazarit të vjetër shtrihej fusha e zotit, ku bahej pazari i kafshëve dhe i druve. Gropore, ferra e kaçuba xunkthi. Disa rrafshina ku zhvillohej pazari dhe asgja tjetër. Kryengritësit, që nuk dyshonin asgja, u turrën me vrap për të dalë aty që t’i versulëshin parlamentit, por si thonë : Ndalu beg se ka hendek ! sa mbërritën nga fundi i rrugës së Dibrës, u gjetën nën rrebeshin e plumbave të mitrolozëve dhe u detyruen të strehohëshin pas mureve prej qerpiçi të banesave përdhese matanë rrugës. Nga doli kjo qëndresë ? Luftimi u ndez i furishëm, por mitrolozët të grinin dhe rebelët mbetën të gozhduem në vend e s’banin dot xhap ! Im atë e dinte se forcat e çregullta dibrane, me pushkë të çdo lloj marke e me nga një rryp përgjysmë me fishekë, nuk kishin ç’tu banin mitrolozëve që kormin edhe fijet e barit. Ata rrinin të strukun pas mureve prej çerpiçi e gjuenin qorrazi, sepse nuk guxonin të nxirmin kokën me marrë nishan. Elez Isufi që herë pas here shikonte me dylbi e kishte dallue e njohë Prenk Pervizin. Ku paskej qëllue bash ai burrë aty ? Nuk iu durue dhe i lëshoi za :
– Or kapidan Prenga, na liro rrugën bre burrë, t’i lajmë hesapet një herë e mirë me Ahmet Zogun me shokë. A e mban mend çka të kam thanë në Dibër ?… banu me ne, or burrë se nuk ndahesh keq…!
Im atё ia kisht kthye përgjigjen menjëherë :
– Ndigjo or Elez Isufi, të pata thanë se nuk e thej betimin që i kam dhanë atdheut e shtetit ligjor. Aty ku jam aty qëndroj !
Lufta u ndez ma e rrebtë. Tregon im atё për triminë dhe vetitë burrnore të Elez Isufit. Ndërsa luftimi vazhdonte pandërprerje, ai kishte dallue me anë të dylbive se si një dibranë ishte plagos në njenën faqe, të cilit si duket i kishte mbet plumbi në gojë dhe i kishte thye dhambë e dhëmballë. Elezi kishte qëllue aty pranë. Luftëtari i kishte dalë përpara me gojën e hapun e tanë gjak. Shefi dibranë e kishte kap për kryet të plagosunin dhe i kishte shti gishtin në gojë duke i nxierrë plumbin e dhambët e thyem, pastaj duke ia vu pushkën ndër duer i kishte dhanë urdhën të vazhdonte luftimin. Dibrani ishte turr me zanë pozicion sikur s’kishte ndodhë asgja. Ka edhe të tilla çudina.
Kur ra mbramja dhe erresina e natës filloi të shtrihej, im atё u shmang drejt parlamenti, duke i porositë nënoficerët që të mos e ndalnin zjarrin, deri sa ai të kthehej me municione të tjera. Kur hyni brenda murit rrethues të parlamnetit, e dallon Ahmet Zogun që shetiste poshtë e nalt me nervozizëm dhe i ngjeshun n’armë si cub. Tregon im atё se kur e kishte pa tue vrapue, Zogu krejt i alarmuem i kishte thirrë :
– Prenk !… Si asht puna….Mos mori fund gjithçka ?
– Jo mor burrë, asgja s’ka marrë fund… Po ti, pse je ngjesh kështu si cub? Ia kishte kthye im atë.
– E po… s’na ka mbet veçse me dalë në mal ! Kishte vazhdue Zogu ..
– S’kam ardh me mbath opingat, por për municione !
– Municione e armë kemi me bollek ! Ishte përgjigj Zogu, dhe u kishte dhanë urdhën nënoficerëve tё vihёshin në dispozicion të kapitenit, për me çue arkat me municione te pusi.
Ky shkëmbim fjalësh asht vu këtu ashtu siç janë shkëmbye realisht në ato çaste dramatike, ashtu dhe gjithë veprimet siç jane tregue nga im atë dhe njerëzit që qëlluen aty në atë rrethana. Lufta e Tiranës asht nënfleftësue, ndërsa pasojat që do të rridhnin në rast të një suksesi të forcave rebele, do t’ishin katastrofike për Shqipninë, që do të gremisej në një destabilizim të rrezikshëm, drejt edhe coptimit të saj. Asht në këtë prizmë që duhej e duhet annalizue kjo luftë dhe me u radhitë në faqet e historisë. Të kapërcesh të tilla situata do të thotë të mos jeshë historian. Mbi këtë ngjarje asht spekulue duke ia ngjeshë Ahmet Zogut, ndërsa ai po bahej gati të braktiste Tiranën, po mos të kish qenë Prenk Pervizi që t’i dilte zot atij grusht shteti për të përmbys qeverinë e marrjën frenat e shtetit në dorë nga një grup injorantësh të udhëheqën nga injorantë. A e supozon i dashun lexues sikur shteti të binte në duert të atyn rebelëve dhe udhëheqësve të tyne analfabetë ? Nuk mjafton të jeshë patriot e luftëtar për çështjën e Atdheut, duhet të jeshë i pajisun edhe me dije e njohuri që vijnë nga arsimimi i naltë i atyne që duen ose marrin përsipër të drejtojnë një shtet. S’jemi nё kohёn e barbarisё. Po shprehëmi kështu sepse jo vetëm në këtë rast, por dhe në të tjerë, ngjarjet janë paraqitë ndryshe se si janë zhvillue ose u janë ngjesh përsonave që s’kan qënë përfshi në to. Prandaj në rastin konkret i gjithë shtjellimi i situatës që përshkruem mbështetet mbi fakte konkrete, për t’i dalë zot së vërtetës në aspektin ma real të saj. Edhe pjesa e mëposhtme që lidhet me këtë ngjarje asht anashkalue nga ata që kanë dashtë me i dhanë vlerë Ahmet Zogut, ku ka qenë vetëm si spektator në pritje të përfundimit të asaj beteje. Pra suksesi e dështimi ishte varun mbi shpatullat e Prenk Pervizit. Asht ma se e kuptueshme se në rast dështimi Zogu do të ishte largue nё Elbasan, siç u larguen parlamenti e Qeveria. Por herët a vonë e vërteta del në shesh, dhe ky libër vlen për zbulimin e atyne të vërtetave që nuk janë thanë, në historinë e shqiptarve. Në qoftë se ky libër trajton jetën e veprimtarinë e t’im etit, nuk asht për të thanë se sa burrë i mirë ka qenë, por me tregue atë pjesë të historisë moderne të Shqipërisë që ai ka ndjekun në rol të randësishëm hap pas hapi. Jo si një individ i izoluem, por, siç botnisht dihej prej shqiptarve nga veriu në jug, krah për krah me Ahmet Zogun dhe përsonalitetet e figurat e tjera historike të kohës. Në nuk do të rrimë duke radhitë emna varg e vistër siç bajnë disa për të tregue se po flasin të vërtetën ndërsa thurin gënjeshtra të pashije, duke deformue historinë deri në fallsifikim të saj.
Të rikthehëmi te ngjarja. Ndërkaq im atë e kishte sqarue Zogun për gjëndjen. Ai mund t’i bante ballë rebelëve deri sa të vinin forcat nga Shijaku, prandaj Zogu të mos shqetsohej sepse situatën e kishin në dorë. Në këto çaste ia kishte behun aty diplomati anglez H. Ayres, për të marrë njoftime mbi gjendjën e krijueme. Zogu në atë rast ia kishte paraqitë kapiten Prenk Pervizin , si njeriun që po i bante ballë situatës e që kishte gozhdue rebelët të pusi në fjalë. Anglezi kishte mbetun i befasuem nga temperamenti guximtar i kapiteni të ri dhe aq ma tepër ishte çuditë kur i ra me shkëmbye me të disa fjalë gjermanisht. Ai e kishte kuptue se kishte të bante me një ushtarak të përgatitun dhe t’aftë. Ayres kishte marrë përsipër me ndërhye si ndërmjetës paqtues. Ndërkaq lufta të pusi u ndez ma e rrebtë me ardhjen e municioneve te tjera. Tashma dibranët të bllokuen e të thyem u tërhoqën drejt Dajtit. Grushti shtetit kishte dёshtue.
Kështu u zhvilluen ngjarjet në atë ditë të 8 e 9 marsit 1922, jashtë shkresurinave që historianët kërkojnë si fakte. Sepse sipas tyne, ne kete rast, Prenk Pervizi duhet të kishte ba një proçes verbal ose vërtetim ku të shkruhej se si luftoi, se si foli me Zogun e me diplomatin anglez Ayres, se si….se si….të vulosun, të protokollosun e të arkivosun. Po ku ishin ato kondita nё ato rrethana dramatike! Nuk thonë shyqyr që paskan ngelë do njerëz që i dinë t’i tregojnë për fill e për pè ?
Luftimi kishte zgjatun 16 orë pandërpremje, deri sa erdhen përforcimet nga Shijaku nën komandën e major Nëshat Kolonjës. Rebelët tashma ishin grumbullue rrazë Dajtit. Ndërkohë kishte ndërhyn H. Ayres i cili pati mundësi të vepronte e të ndikonte. Ai u ba ndërmjetës e u takue me Elez lsufin duke ia mbush mendjen me fjalë e me flori, që të tërhiqej prej andej e tё kthehej nё Sllovёn e tij. Në këto bisedime kishte marrë pjesë edhe im atë, që kishte njohje e miqësi personale me Elez Isufin e dibranët e tjerë. Në atë rast Elez Isufit, nuk kishte ndejtë pa e ngacmue:
– Si mor Preng, bash ti me qëllue aty ! T’ na kishe hape rrugë or burrë…!
Këto ngjarje ku ishte i përfshimë im atë, nuk u shkruen as u përmendën në sferat zyrtare, por për çudi i njihte e i përhapte populli. Pra jemi ne një paraqitje të fakteve në dy aspekte. Nga ana zyrtare, çdo gja që shkruhet duhet t’i përgjigjet anës zyrtare dhe personazheve politike e qeveritare, të cilët janë ata që janё destinue tё bajnë historionë. Kështu që vendoset një çenzurë e heshtun që eliminon çdo fakt bashkë me personazhin që e kryen, për të ia vesh një tjetri që s’ka ba asgja. Ose mos me iu pёrmend emni fare. Njohja me H. Ayres dhe biseda qe im atë pat shkëmbye me të dhe shoqnimi në takim me Elez Isufin, nuk nxirret asgjëkundi, dhe vetë H. Ayres ka “meritën” mos me e përmendë emnin e tij për të ruejt marëdhanje sipërfaqore me Ahmet Zogun e rrethin e tij. H. Ayres me paturpësi gënjen kur shkruen se si Elez Isufi e Ahmet Zogu qënkan takue e i paskan shtrëngue dorën njeni tjetrit burrnisht. Krejtësish një sajim i paciptë për të iu servilos Zogut, dhe për me anashkalue meritat e asaj fitorëje nga kapiteni trim Prenk Pervizi, që i doli ballhaptas qendresës dhe shpartallimit të rebelëve dhe dështimit të grushti të shtetit, ndërsa Ministri Ahmet Zogu rrinte i ngujuem brenda murëve të parlamentit, ku priste përfundimin e atij luftimi. Qendresa doli e sukseshme me fitore, dhe i duhej të shijonte suksesin që i jepej pëshqesh me fisnikëri të pashoqe, nga ai Prenk Pervizi, qё i kishte qёndrue mik e besnik në çdo situatë. Kjo e luftës së Tiranës një nga ma të vështirat. Jetë a vdekje. Por si i thone, “kalova lumin…. Fan Noli vetë, do të shkruente se ajo kryengritje kishte dështue për meritë të një kapiteni trim, ishte fjala për Prenk Pervizin të cilit ia deformonte emnin, pa e ditun të saktin, i cili me një togë ushtarësh kishte shpartallue sulmin e 500 forcave kryengritëse dibrane, duke e dështue atë grusht shteti. Pra Fan Noli vetë i jep vlerë dhe shprehët me admirim për atë kapiten të ri që zgjidhi me trimni një krizë historike. Pavarёsisht se s’i shkonte pёr shtat opozitёs. Përfundimisht u muer vesh nga i gjithë populli se ishte pikërisht Prenk Pervizi që e kishte zgjidhë atë krizё të përmasave kombëtare, sepse në ato çaste rrezikohej jo vetëm stabiliteti i një qeverie, por vetë Shtetit, i posa krijuem. Serbët, Grekët e Italianët mezi prisnin rastin e shkakun për me ndërhy e me nda e coptue Shqipninë mes tyne. Ato rrinin si orla grabitçarë me u sul mbi prenë e lakmueme në rastin ma të parë që t’u paraqitej.
Im atë, që luejti rolin vendimtar për zgjidhjen e asaj krizës u rrit një gradë për merita lufte, nga kapiten i thjeshtë në kapiten i klasit I-rë. U nderue me medaljen e trimnisë e të tjera. Gjithashtu u graduen dhe u dekoruen nënoficerët trima. Ndër ta për t’u përmendun tre që kam njohun vetë : kushërini ynë, Llesh Nikoll Lleshi prej Skuraj, Selë Ymeri prej Shullazi e Gjin Noku prej Selitës Madhe. Të tjerët kishin qëllue skraparli. Im atё kishte një përshtypje të mirë për skraparlijtë dhe i çmonte, sepse i kishin dalë në çdo rast burra besnikë, trima e guximtarë. Ngjarja mori përpjestime legjendare në popull, që i thuri dhe kangë. Ja disa fragmente :
Mitrolozat kanë gjimue,
Tan Tirana asht trishtue.
Te një pus në fund t’pazarit
Po lufton zogu i shqiptarit.
Te një pus veç lufta nisi:
Kapidani Prenk Pervizi :
– Mor Elez ku don me shkue,
Nuk te laj ktu me kalue.
…………………………
Ahmet Zogu n’parlament
Mirë po flet e mirë kuvend :
– Prenk Perviz të qofsha falë,
Trim mbi trimat veç ke dalë !
Meriton nder e levdata,
Grada t’nalta e dekorata!”
Prenk Pervizit i jehoi nami në të gjithë votrat shqiptare dhe emni tij u ba i njohun në gjithë Shqipninë, veçanërisht në veri. Mjerisht në atë kohë nuk ekzistonte një shtyp i vertetë e ngjarjet e lajmet kalonin me fjalë, nga një gojë në tjetrën. Ma vonë, kur u stabilizue gjëndja dhe u krijue shtypi, disa gazetarë, shkrimtaruca e pseudohistorianë nuk i dhanë jehonë asaj çeshtje, që zgjidhi një krizë me pasoja të këqija të paparashikueshme. Servilizmi e konformizmi politik ua qorronte sytë, e duke pasë ujkun përpara, i shkonin pas gjurmëve. Në këtë rast meritat e mëdha i fitoi Ahmet Zogut, që në atë nëndor u ba Kryeministër. Por trazimet nuk kishin marrë fund. Prenk Pervizit iu desht të luftonte e të shpartallonte bandat e Hamit Toptanit, në Pezë, Shijak e përqark Tiranës, dhe grupe të tjera që orvatёshin me ngrit krye kundër Shtetit Shqiptar. Asokohë Këshilli e Naltë përbahej nga Refik Bej Toptani, Sotir Peci, Xhaferr Ypi dhe Gjon Çoba.
Këto përfundime nuk vijnë nga mendja ime, por nga rrёfimet i vetë prindit tim qe ishte përfshi në atë ngjarje, dhe i kishte dhanë një zgjidhje me qendresën te Pusi duke і detyrue rebelët me u largue nga Tirana e me u kthye nga kishin ardhë. Pra tentativa e grushtit të shtetit për rreximin e qeverisë ligjore në fuqi kishte dështue. Në këtë vështrim ndërhyrja e Ayres ishte vetëm me mbush xhepat e kryengritësve me napolona florini si shpërblim për mundimin që kishin pasë tue zbrit nga Dibra, me mendje të madhe dhe tue u kthye pa mend, por për fat të tyne me duert plot me napolona florini. Ec e jepi kuptim historisë shqiptare.(*) Nuk dihet pse kjo ngjarje asht trajtue dhe trajtohet si diçka sekondare, veç si kuriozitet. Po a nuk mendon kush për pasojat që do të vinin po qe se rebelët të kishin pushtue parlamentin, përzanë ose vra Zogun ? Mos vallë Elez Isufi do bahej kreu i vendit, President apo queje si të duesh ? E të bante qeveri me dibranët e tij e me Bajram Currin gjeneral e ministër luftës, në mos kryeministër ? Vërtet dy patriotë të shquem, por ama krejt te pashkolluem, analfabetë e injorantë me patentë. Po Fan Noli, intelektual i lartë e mendje ndritur me shokë ku do ta gjenin vendin vallë ?*
Ngjarja merr e ka randësi vendimtare për vetë ekzistencën e shtetit shqiptar, sepse ajo do të shkatonte një krizë të tillë të madhe, nga e cila do të përfitonin fqinjët me u turr si bisha mbi vendin duke e coptue midis tyne. Për deri sa shqiptarët nuk dinë të ndërtojnë shtetin, e merrnin ata përsipër për t’i qeverisё sipas ligjëve të tyne. Ky do t’ishte përfundimi i fitorës së rebelëve në atë 8 mars 1922. Datë tepër e randësihme historike për fatet e Shqipnisë, ja me shpëtue ja me humbë njiherë e mirë !
Historianët ta kenë vath në vesh këtë ngjarje, me i dhanë randësinë e kuptimin e saktë. Historia e Shqipnisë duhet ta gjaje rrugën e saj, jo thjesht për këtë ngjarje për të cilën folëm, por për çdo ngjarje tjetër ku vihëshin e vihën në lojë faten Atdheut dhe të Kombit.
Prenk Pervizi zgijdhi njё krizё nga ma te rrezikshmet kur sa kishin kalue dy vjet nga Kongresi i Lushnjёs, ku u hodhёn bazat e shtetit dhe u formue qeveria e parё ligjiore e Shqipnisё. A s’e mendojnё histotianё se ç’katastrofё do ti ndodhte Shqipnisё ne rastin e suksesit tё atij grusht shteti?
——————————
(*) Për të tregue se si edhe figura të njohuna me emën e me pozita, nuk kanë turp ta ulin vetën me i fallsifikue ngjarjet. Po përmendim këtu Ekrem Bej Vlorën që në kujtimet e tij të botuara në Itali, duke folur pikërisht për luftën e Tiranës, ai jep, nga një anë, tregimin real të asaj ngjarje, ku Elez Isufi u bllokue dhe u thye aty te Pusi i Madh, por me një cinizëm të maskuem dhe ligësi të papërmbajtun, ku atë luftë ia dedikon Osman Gazepit, në vend të Prenk Pervizit. Ç’e shtyni në këtë absurditet me genjye haptasi, sado burrë i mirë që mbahej ? Mos vallë edhe ana fetare sepse Prenk Pervizi si katolik cilësohej pas shpinë si “kaurr” ? Ky asht një shembëll se si fallsifikohën ngjarjet historike, ku dëshmia e dikujt me “miza në kokë”, i mbushet mendja të trillojë, duke u mbeshtetun mbi reputacionin qe ka fitue ose trashëgue si bej turkoshak, që nuk e honeps zotësinë e lavdinë e një “kaurri”, dhe prandaj i ve vizë, për ta zevendësue me një të sektit tij. Osman Gazepi ishte një oficer kreshnik, por burrë trim. Mik i ngushtë i Prenk Pervizit, Por pikërsiht mё 8 mars, në ato çaste kritike nuk ishte fare ne Titanë. Vetë Osmani kur i ka rastisë e ka lëvdue botnisht Prenk Pervizin për atë luftë të Tiranës, duke ia ngritë në qiell meritat. Historia e Shqipnisë, pra, nuk mund të shkruhët me hamendje ose me ndikime sektare e klanore. Ekrem bej Vlora qoftӫ i nderuar pӫr punё tӫ tjera, por kӫtu ka gabuar rӫndӫ
Fotograf e vjetër, ku rruga e Dibrës dilte në seshin para xhamisë, ku u zhvillua beteja kundër grushtit shtetit që dὸshtoi me shpartallimin e forcave rebele nga kapiteni Prenk Pervizi, më 8 mars 1922.
Tirana e vjetёr mё 1920-1929
Komentet