Nga banesa e tij, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, i madhi i kinemasë shqiptare, Bujar Lako u përcoll për në banesën e fundit. Kolegë, miq, familjarë e dashamirës të artit të tij kanë qenë pjesë e homazheve.
Në ceremoninë private në banesën e tij kanë dërguar kurora kryeministri Rama dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
***
“Mendoj se ka vetëm një formë madhështie për njeriun. Nëse ai mund të ngushtojë hendekun mes jetës dhe vdekjes. Që do të thotë, nëse mund të jetojë edhe pasi ka vdekur, atëherë ndoshta ai ishte një njeri i madh. Për mua i vetmi sukses, e vetmja madhështi, është pavdekësia”.
Këtë thënie të James Dean, Bujar Lako e kishte postuar në faqen e tij në “Facebook”, vetëm një javë më parë. Ndoshta, pa kuptuar ai kishte filluar të mendonte për pavdekësinë e tij. Pavdekësi, që Bujar Lako pa dyshim e ka fituar, madje shumë herët.
Dje, në mënyrë krejt të papritur, u nda nga jeta një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë, Bujar Lako. Një atak kardiak i mori jetën rreth orës 08:30. Një ikje e pabesë që gjeti të papërgatitur familjen e tij, miqtë, kolegët, të gjithë ata që e njihnin personalisht apo thjesht përmes ekranit të televizionit.
Ai jetonte jetën e tij intensivisht, edhe pse rolet e tij në kinematografi e në teatër ishin të rralla kohët e fundit. Nuk bënte kompromise me profesionin e tij dhe duket se vitet e gjata të tranzicionit nuk ofronin shumë për një aktor të kalibrit të Bujar Lakos. Gjatë këtij viti, vepra që do ta bindte të ngjitej në skenë ishte “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit.
E megjithatë, takimet e tij me kolegë, aktorë të vjetër e të rinj ishin të përhershme. Të shumtë janë ata që dëshmojnë për takimet, ndihmën që u ka dhënë në mbrojtjen e diplomave apo realizime rolesh. I pëlqente të fjalosej me miqtë, të udhëtonte e të dëgjonte këngët e Mia Martinit, Çelentanos…
Nuk i pëlqente dukja mediatike, nuk jepte intervista. E me sa duket, këtë dëshirë të tij, për të qëndruar larg kamerave të televizioneve, po ia plotësojnë edhe familjarët. Nuk do të ketë një ceremoni zyrtare lamtumire për Bujar Lakon.
Bujar Lako ishte dhe do të mbetet një ndër të rrallët aktorë elegantë që ka njohur kinematografia shqiptare.
Me një timbër zëri si askush tjetër, një portret të skalitur mirë, shprehës, një aktor me një temperament të rrallë, që diti të hyjë nën lëkurën e dhjetëra roleve dhe t’i bëjë ata të vërtetë dhe jashtë skemave edhe gjatë viteve kur kinemaja shërbente si armë ideologjike në duart e diktaturës komuniste.
Nga trenisti te sekretari i partisë, nga kaçaku te gjenerali që kërkonte ushtrinë e vdekur nëpër Shqipëri, nga hajduti te komandanti i lartë i Marinës shqiptare. Të paharrueshëm do të mbeten rolet e Halit Beratit në filmin e Viktor Gjikës “Gjeneral Gramafoni”, po ashtu ai i Tunxhit tek “Udha e shkronjave”. Roli i tij i fundit në kinematografi ka qenë në filmin “Muajt e mjaltit” i regjisorit serb, Goran Paskaljeviç.
JETËSHKRIMI
Bujar Lako lindi në Tiranë, në vitin 1948. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në vitin 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i Gëzim Erebarës dhe “Përballimi” i Viktor Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma, midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral Gramafoni”, Viktor Gjika, “Udha e shkronjave”, Vladimir Prifti, “Ballë për ballë”, Kujtim Çashku, Pirro Milkani, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime”, Dhimitër Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë: “Vizita e inspektorit”, Xh. Pristli, (Dhimitër Pecani), “Monserati” E. Robles (Pirro Mani), “Vdekja e një komisioneri”, A. Miler (Fatos Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit”, Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu”, Çehov (Spiro Duni) etj. Në vitin 1992 interpreton në Teatrin e Kombësive në Shkup në produksionin “Varrtarët”. Në vitin 1975 është nderuar me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”.
Në vitin 1979, çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në Festivalin e Filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral Gramafoni”. Në vitin 1979 është laureuar me Çmimin e Republikës së shkallës së parë, për filmat “Gjeneral Gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri”, klasi i parë, për interpretim në teatër. Në Festivalin e Filmit të vitit 1991 është shpallur aktori me i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.
Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar”. Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29-të “Cairo International Film Festival” me filmin “Magic Eye”, të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A.
ALMA MILE/PANORAMA
Komentet