Ministrja australiane e Mbrojtjes, Marise Payne, njoftoi se nëndetësja e zhdukur më 14 shtator të vitit 1914 është gjetur në 300 metra thellësi, në ujërat e Ishujve Duke of York të Papua Guinesë së Re
MELBURN – Në ujërat e Papua Guinesë së re, pas 103 viteve janë gjetur mbetjet e nëndetëses së parë të Australisë HMAS AE-1, e cila ishte zhdukur me ekuipazhin prej 35 personash gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ministrja australiane e Mbrojtjes, Marise Payne, njoftoi se nëndetësja e zhdukur më 14 shtator të vitit 1914 është gjetur në 300 metra thellësi, në ujërat e Ishujve Duke of York të Papua Guinesë së Re.
Me gjetjen e mbetjeve, Payne tha se është zgjidhur një mister i lashtë detar i Australisë.
“Besoj se gjetja e mbetjeve do të sjellë paqe për të afërmit e atyre që humbën jetën në nëndetëse. Mbase me kalimin e kohës mund t’i zbulojmë edhe shkaqet e zhdukjes”, tha Payne.
E gjatë 55 metra, nëndetësja HMAS AE-1, e cila ishte e para në flotën e nëndetësve australiane, ishte zhdukur teksa po kryente patrullë për Forcat Aleate.
Edhe më herët janë kryer 12 kërkime në kohëra të ndryshme për gjetjen e HMAS AE-1, por nuk ishte rastisur në asnjë gjurmë të saj.
Mbetjet e nëndetëses u gjetën në saje të disa kamerave të dërguara në fund të detit gjatë disa punimeve të nisura javën e kaluar nga anija hulumtuese MV Fugro Ekuator e kompanisë holandeze Fugro.
Australia do ta mbajë të fshehtë lokacionin e HMAS AE-1 deri në përfundimin e punimeve që do t’i zhvillojë së bashku me Papua Guinenë e Re, me qëllim që të ruhet zona ku janë gjetur mbetjet.
Gjenerali Oleksandr Syrskiy (djathtas) i jep informacion presidentit Volodymyr Zelensky (në mes) mbi situatën në vijën e frontit, në gusht.
Rusia ka mbledhur rreth 45 mijë trupa në Kursk, si sinjal se mund të jetë duke e përgatitur një kundërofensivë për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni, tha komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 6 nëntor.
Ai shtoi se Moska po tenton gjithashtu ta forcojë efektivitetin e saj me ushtarë nga Koreja e Veriut.
Komentet e Syrskiyt në rrjetet sociale erdhën të njëjtën ditë kur dhoma e sipërme e parlamentit të Rusisë, Këshilli i Federatës, ratifikoi një traktat me Phenianin që parashikon ndihmë ushtarake të ndërsjellë, një veprim që ndodhi pasi Uashingtoni konfirmoi dërgimin e 10.000 ushtarëve nga Koreja e Veriut në Rusi.
“Armiku ka grumbulluar rreth 45.000 trupa atje. Dhe po përpiqet ta shtojë numrin e tyre. Ushtria ruse vetë nuk është e mjaftueshme në këtë drejtim, prandaj po përpiqet të tërheqë personel ushtarak nga Koreja e Veriut”, shkroi Syrskiy në Telegram.
Ukraina pretendohet se kontrollon më shumë se 1.000 kilometra katrorë territor në Kursk pas një ndërhyrjeje të papritur brenda rajonit rus që ka filluar më 6 gusht.
Lëvizja e Kievit erdhi si një befasi, pasi forcat e tij të shterura po luftonin në lindje të Ukrainës kundër një ofensivë të ashpër nga forcat ruse, që ishin më të shumta, më të pajisura dhe më të armatosura.
Syrskiy tha se ndërhyrja ishte e nevojshme si një goditje parandaluese kundër një sulmi të mundshëm rus nga Kursku në rajonin ukrainas të Sumyt.
“Për këtë arsye, u vendos të zhvillohet një operacion ofensiv parandalues, duke e transferuar luftën në territorin e armikut në rajonin e Kurskut”, shkroi Syrskiy.
Ai gjithashtu pretendoi se që nga fillimi i ndërhyrjes së Ukrainës në Kursk, janë vrarë 7.905 ushtarë rusë, 12.220 janë plagosur dhe 717 janë kapur.
Shifrat e paraqitura nga Syrskiy nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.
Më herët më 6 nëntor, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 38 nga 63 dronët e lëshuar nga Rusia në nëntë rajone, njoftoi Forca Ajrore në Telegram.
Njëzet e dy dronë të tjerë u humbën pasi sistemet e tyre të navigacionit u bllokuan nga njësitë e luftës elektronike ukrainase, shtoi forca ajrore.
Ndërkohë, guvernatori i rajonit juglindor të Zaporizhjas tha se numri i viktimave pas një sulmi me raketë të Rusisë në rajonin e tij kishte arritur në shtatë të vdekur dhe 25 të plagosur.
Rusia ka shtuar sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës ndërsa po afrohet dimri i tretë në luftë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi tre dronë ukrainas mbi rajonet e Kurskut dhe Oryolit.REL
Donald Trump shpalli pak më parë fitoren në fjalimin e tij në Florida, ndërkohë që urime kanë nisur të vijnë nga e gjithë bota.
Mes tyre ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili në një postim në rrjetin social “X” shkruan se udhëheqja e Trump do të jetë kyçe për ta mbajtur NATO-n të fortë.
“Sapo urova Donald Trumpin për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Udhëheqja e tij do të jetë edhe një herë kyçe për ta mbajtur aleancën tonë të fortë. Mezi pres të punoj me të dhe të avancojmë paqen përmes NATO-s”, ka shkruar Rutte në platformën “X”. sn
Udhëheqës nga e gjithë bota përgëzuan të mërkurën ish Presidentin Donald Trump, i cili është më afër fitores në zgjedhjet e së martës.
Kryeministri britanik Keir Starmer e uroi zotin Donald Trump, pak pasi kandidati republikan shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane.
“Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim”, tha kryeministri Starmer në një postim në rrjetin X të mërkurën.
“Unë e di se marrëdhënia e posaçme ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përparojë në të dyja anët e Atlantikut për vitet në vijim”, shkroi ai.
Presidenti francez Emmanuel Macron uroi zotin Trump duke theksuar se është I gatshëm të punojë me të “ siç bëmë për katër vjet. Me bindjet tuaja dhe të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe begati”, shkroi ai në rrjetin X.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke e uruar Presidentin Trump, shkroi se “Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku me sukses për një kohë të gjatë për të nxitur përparimin dhe lirinë në të dyja anët e Atlantikut. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë”.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha në urimin e saj për zotin Trump se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të palëkundur”.
“Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më tej”, shkroi ajo.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se e ka uruar zotin Trump pëe fitoren, duke theksuar se “udhëheqja e tij do të jetë përsëri thelbësore për të mbajtur të fortë aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes NATO-s”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen uroi zotin Trump duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë “më shumë se thjesht aleatë”.
“Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike…”, tha ajo në një postim në rrejtin X.
Edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgëzoi zotin Trump për atë që e quajti një fitore “mbresëlënëse”.
“Unë e çmoj angazhimin e Presidentit Trump për qasjen “paqe përmes forcës” në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të sjellë më afër paqen në Ukrainë”, shkroi Presidenti Zelensky në rrjetin X.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përgëzoi zotin Trump për “rikthimin më të madh ndonjëherë”.
“Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë mundëson një fillim të ri për Amerikën dhe një përkushtim të ri të madh për aleancën e mrekullueshme mes Izraelit dhe Amerikës. Kjo është fitore e madhe!”, shkroi kryeministri Netanyahu.
KIEV – Trupat e Koresë së Veriut që u dërguan në Rusi kohët e fundit për të mbështetur ushtrinë ruse në luftën e saj në Ukrainë, janë sulmuar nga forcat ukrainase, tha të martën një zyrtar ukrainas.
Kjo është hera e parë që një zyrtar ukrainas njofton se njësitë ushtarake të Phenianit janë sulmuar pas dislokimit të tyre, i cili paraqet një ndërlikim të ri në luftë.
“Trupat e Koresë së Veriut janë bombarduar, në rajonin e Kurskut”, tha shefi i sektorit të kundërpërgjigjes ndaj dezinformimit Andrii Kovalenko përmes një postimi në platformën Telegram. Ai nuk dha detaje tjera.
Qeveritë perëndimore kishin parashikuar që ushtarët e Koresë së Veriut do të dërgoheshin në rajonin kufitar të Kurskut, në brendësi të Rusisë, ku para 3 muajsh ushtria ukrainase mori nën kontroll disa territore ruse, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke turpëruar Kremlinin.
Sipas vlerësimeve të agjencive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara, të Koresë së Jugut dhe Ukrainës, Pheniani ka dërguar rreth 12,000 forca në luftë në kuadër të një marrëveshjeje me Moskën.
Forcat e Koresë së Veriut, cilësia e të cilëve në fushëbetejë mbetet e panjohur, po i kontribuojnë përkeqësimit të situatës në fushëbetejë në Ukrainë.
Ushtria ukrainase, sidomos në rajonin e Donetskut, ka filluar të ndjejë trysninë e sulmit të vazhdueshëm rus.
Përparimet e Rusisë në terren janë përshpejtuar gjatë muajve të fundit, me fitore në fushëbetejë, që në disa raste shkojnë deri në 9 kilometra në zona të ndryshme të Donetskut, njoftoi të martën Ministria britanike e Mbrojtjes përmes një postimi në platformën X.
Sipas saj, Rusia ka numerikisht më shumë forca dhe përkundër numrit të madh të humbjeve në ushtarë, Kremlini po tregohet i suksesshëm në procesin e rekrutimit, duke arritur të dërgojë forca të reja në fushëbetejë.
Rusia ka përparuar në fushëbetejë gjatë vitit të fundit. Zyrtarët ukrainas janë ankuar prej kohe që përkrahja ushtarake e Perëndimit po vonon.
Në fillim të tetorit, forcat ruse morën nën kontroll Vuhledarin, një qytet në maje të një kodre me rëndësi taktike në pjesën lindore të Ukrainës.
Ai ishte pjesë e rëndësishme në frontin lindor të mbrojtjes së Ukrainës. Objektivat e ardhshme të Rusisë mendohet të jenë një pikë logjistike në Pokrovsk dhe qyteti i rëndësisë strategjike Chasiv Yar.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj vendbanimeve, sipas autoriteteve.
Një sulm të martën në mëngjes në qytetin Zaporizhia shkaktoi vdekjen e gjashtë personave dhe plagosjen e 16 të tjerëve, sipas guvernatorit rajonal Ivan Fedorov.
Shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrii Yermak, tha se sulmet ruse “duhet të ndalen me një veprim të fuqishëm”.
“Duhet një qëndrim më i fuqishëm i aleatëve perëndimorë të Ukrainës”, shkroi ai në platformën Telegram.
Fotot satelitore tregojnë një seri zjarresh me origjinë të panjohur në ujërat e Detit të Zi të Rusisë pranë një ishulli ukrainas, sipas Fire Information for Resource Management (FIRM) të NASA- s.
Zjarret ndodhen në Detin e Zi në vende pa pajisje për prodhimin e gazit dhe naftës, tha grupi i monitorimit të Erës së Krimesë në Telegram.
Grupi postoi foto të gjetjeve të tij duke shkruar: “diçka serioze po ndodh në det, për të cilën ne nuk dimë pothuajse asgjë. Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës nuk komentojnë praninë dhe shkaqet e zjarreve në det.”
Grupi i monitorimit të Erës së Krimesë vuri në dukje gjithashtu se shenjat e përhershme të zjarrit u regjistruan në vendin e “pushimeve Boyko” dhe theksoi se krahasuar me fotot nga 2 tetori, një “shenjë e re zjarri u shfaq më 2 nëntor” e ndjekur nga dy të tjera një ditë më vonë.
Zjarret janë në ujërat ngjitur me ishullin e gjarpërinjve, i njohur gjithashtu si ishulli Zmiinyi, në veriperëndim të Detit të Zi pranë Rumanisë. Ky mbetet një territor i kontestuar në luftën Rusi-Ukrainë.
Ishulli i gjarpërinjve është thelbësor për aktivitetet civile, tregtare dhe ushtarake, pasi është një pjesë kyçe e transportit brenda dhe jashtë Detit të Zi, sipas kreut të agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës GUR.
Rusia mbajti kontrollin e territorit derisa Ukraina e rifitoi atë në qershor 2022 pasi Moska tërhoqi trupat e saj në një ” gjest vullneti të mirë”.
Ishulli ukrainas ishte një nga objektivat e para ruse në fillim të luftës. Para vitit 2022, Moska kishte kapur disa platforma të shpimit të gazit menjëherë pasi aneksoi Krimenë në 2014.
Vitin e kaluar, Ukraina tha se rifitoi kontrollin e platformave, të njohura si Boyko Towers .
Në fillim të tetorit, u shfaq një video e trupave ukrainase dhe ruse që luftonin pranë postës së Detit të Zi në perëndim të Krimesë.
Në pamjet, shihen ushtarë ukrainas duke sekuestruar platformat e prodhimit të gazit gjatë natës, të cilat mbetën nën kontrollin rus.
Një zjarr u regjistrua gjithashtu në Feodosia në bregun e Krimesë në fillim të muajit të kaluar, por nuk u publikuan detaje se çfarë e shkaktoi zjarrin, sipas Reuters.
Oleg Kryuchkov, një këshilltar i kreut të Krimesë nuk raportoi për viktima pavarësisht se disa tanke karburanti u ndezën.
Kullat Boyko gjithashtu morën zjarr më parë në fund të gushtit, pasi të tre platformat e shpimit në lindje të ishullit Zmiinyi u sulmuan. bw
Irani, në një kohë tensionesh së rritura me Izraelin, e ka ekzekutuar një burrë hebre të dënuar për vrasje. Familja e tij e ka mohuar akuzën duke thënë se ai kishte vepruar për t’u vetëmbrojtur pasi ishte sulmuar.
Agjencia e lajmeve Mizan, e cila është e lidhur me gjyqësorin e Iranit, e citoi Hamidreza Karimin, prokurorin e qytetit perëndimor iranian, Kermanshah, duke thënë se Arvin Ghahremani, 23 vjeç, u ekzekutua më 4 nëntor.
Ghahremani u shpall fajtor për therjen e një burri për vdekje më 2022 pranë një palestre në Kermanshah. Viktima i kishte para borxh Ghahremanit dhe, sipas familjes së tij, kjo mosmarrëveshje nxiti një përleshje mes tyre atë ditë.
Viktima ishte e armatosur dhe Ghahremani veproi në vetëmbrojtje, thanë ata, duke shtuar se ai madje kishte ndihmuar në përpjekjet për ta mbajtur të gjallë viktimën pas përleshjes.
Pasi u dënua me vdekje, avokati i Ghahrmanit nuk ia doli ta dërgojë familjen e tij për vizitë te familja e viktimës, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, për ta falur atë dhe për t’ia shpëtuar jetën.
Legjislacioni islamik mundëson hakmarrjen, pra me ndëshkim, në rastet e vrasjes.
Megjithatë, grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë për kohë të gjatë se ky ligj është diskriminues ndaj jomyslimanëve, të cilët shpesh ndëshkohen më ashpër sesa myslimanët e dënuar për vepra të njëjta.
Avokatët e Ghahremani kishin kërkuar rigjykim në tri raste të ndryshme, por të gjitha kërkesat e tyre ishin hedhur poshtë nga gjykatat iraniane.
Grupi Iranian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Norvegji (IHR) e dënoi ekzekutimin e Ghahremani, i cili, sipas grupit, ishte 20 vjeç, dhe jo 23.
Grupi gjithashtu kundërshtoi fajësinë e Ghahremani, duke thënë se ai ishte sulmuar me thikë nga viktima. Ai tha gjithashtu se familja e viktimës fillimisht kishte pranuar ta falte Ghahremani, por ndryshoi mendje pasi mësoi se ai ishte hebre.
“Arvin ishte hebre, dhe antisemitizmi i institucionalizuar në republikën islamike pa dyshim luajti një rol vendimtar në zbatimin e dënimit të tij”, tha drejtori i IHR, Mahmood Amiri-Moghadam, në një deklaratë, duke shtuar se çështja kishte “të meta të mëdha.”
Hebrenjtë përbëjnë një pakicë të vogël prej rreth 20.000 vetash në Iran, i cili është komb me shumicë myslimane shiite dhe ka gati 92 milionë banorë. Shumë hebrenj u larguan nga Irani pas Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979, pasi regjimi i ri zbatoi një qëndrim të ashpër kundër Izraelit, duke përfshirë mosnjohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar.
Izraeli dhe aleatët e tij në Liban dhe Rripin e Gazës janë duke luftuar tash e një vit, prej se njëri prej grupeve, Hamasi, kreu një sulm brenda Izraelit dhe vrau rreth 1.200 njerëz në një sulm të paprovokuar.
Ky grup, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, gjithashtu i rrëmbeu 240 pengje gjatë sulmit. REL
Një studente u zhvesh me të brendshme jashtë universitetit të saj në Iran, në atë që disa studentë dhe grupe të të drejtave thonë se ishte një protestë kundër kodit të rreptë të veshjes islame të vendit, raporton CNN.
Një video që qarkullon në mediat sociale dhe e shpërndarë nga grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International tregon gruan e ulur jashtë universitetit me të brendshme dhe me flokët e saj të zbuluar.
Ajo bën gjeste drejt kolegëve të saj studentë, shumë prej të cilëve janë femra dhe të veshur me shami, përpara se të shëtisin nëpër ambiente.
Një video tjetër e tregon atë duke ecur nëpër një rrugë, ende në një gjendje të zhveshur, përpara se një grup burrash ta rrethojnë, ta futin në një makinë dhe të largohen.
Amnesty tha të shtunën se gruaja ishte ” arrestuar me dhunë ” pasi ajo protestoi kundër kodit të veshjes në Universitetin Islamik Azad të Teheranit. Panorama
Kemi Badenoch ka thënë se do t’i tregojë “të vërteta të hidhura” si shtetit, ashtu edhe partisë së saj, teksa ka nisur punën si lidere e Partisë Konservatore në Britani të Madhe.
Në paraqitjen e parë para mediave, Badenoch ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se Britania po varfërohet dhe po humb garën me shtetet tjera.
Përgjatë intervistës, ajo ka thënë se “duhet analizuar se si mund të riorganizojmë ekonominë tonë për të qenë gati për të ardhmen, dhe jo vetëm për atë që kemi bërë deri më tani”.
“Mendoj që në këtë pikë kemi sfidë, por jam shumë optimiste për atë që mund të bëjmë”.
Brenda ditësh, ajo pritet t’i bëjë publikë emrat e kabinetit të saj brenda partisë, që aktualisht është në opozitë.
Badenoch është bërë gruaja e parë me ngjyrë që udhëheq një parti të madhe politike evropiane.
Përzgjedhjet e saj në kabinet do të tregojnë se në çfarë drejtimi mëton të çojë partinë, teksa konservatorët tentojnë të marrin veten, pas humbjes në zgjedhjet e fundit.
Në fjalimin e saj të fitores të shtunën, Badenoch e ka pranuar se partia e saj ka shumë punë për të bërë dhe që duhet të jetë e sinqertë për gabimet që ka bërë.
“Ka ardhur koha për të thënë të vërteta, për të rritur zërin për parimet tona, për të planifikuar të ardhmen, për të rikrijuar politikat dhe mënyrën e të menduarit, dhe për t’i dhënë partisë e shtetit tonë fillimin e ri që e meritojnë”.
Sipas saj, Qeveria aktuale e laburistëve “do të dështojë”, sepse “janë duke përsëritur shumë gabime tonat në këtë sistem të thyer”.
Zgjedhjet e radhës në Britani do të duhej të mbaheshin më 2029. REL
Bombarduesit amerikanë B-52 kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, njoftuan dje të shtunën forcat e armatosura amerikane, një ditë pasi Pentagoni njoftoi se do të vendoste më shumë mjete ushtarake për “mbrojtjen e Izraelit ” si një paralajmërim për Iranin.
“Bombarduesit strategjikë B-52 kanë mbërritur në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM”, sipas një postimi të komandës së ushtrisë amerikane për Lindjen e Mesme.
Pentagoni amerikan njoftoi mbrëmjen e së premtes së kaluar vendosjen e pashmangshme të forcave shtesë në rajon, me një horizont të “muajve të ardhshëm”, për “mbrojtjen e Izraelit” dhe si një paralajmërim për Iranin, një armik i betuar i shtetit hebre dhe një dele e zezë për Uashingtonin. sn
Kemi Badenoch është bërë liderja e re e konservatorëve dhe gruaja e parë me ngjyrë në krye të kësaj partie të madhe politike në Britani të Madhe.
Ajo e ka fituar garën me premtimet për ta kthyer partinë në parimet themelore.
Badenoch, 44-vjeçare, zëvendëson ish-kryeministrin Rishi Sunak, dhe është zotuar për ta udhëhequr partinë në një periudhë rigjenerimi, pas humbjes në zgjedhjet e përgjitshme të korrikut në Britani.
Në krye të Partisë Konservatore, Badenoch pritet të sfidojë, çfarë quan ajo, të menduarit institucionalist të majtë, dhe që është koha të mbrohen parimet e fjalës së lirë dhe tregut të lirë.
Badenoch është liderja e pesë e konservatorëve prej mesit të vitit 2016.
Ajo i ka fituar 57 për qind të votave brenda partisë, në rundin e fundit të garës që ka zgjatur një muaj.
Ajo e ka mposhtur në fund ministrin për Imigrim, Robert Jenrick, i cili i ka fituar 43 për qind të votave.
Kryeministri laburist i Britanisë, Keir Starmer, e ka mirëpritur fitoren e saj, duke thënë se “liderja e parë me ngjyrë e një partie të Uesministerit, përbën moment krenarie për shtetin tonë”.
Vetë Badenoch ka thënë publikisht se nuk preferon të ketë fokus në racën e saj.
E pyetur në Partinë Konservatore më herët gjatë viti se si do të ndihet nëse bëhet gruaja e parë me ngjyrë në krye të partisë, ajo ka thënë se dëshiron që “ngjyra e lëkurës të mos ketë më shumë rëndësi sesa ngjyra e flokëve apo e syve”.
Me një fillim jo shumë të lehtë të laburistëve në udhëheqje të shtetit, disa konservatorë besojnë secilën herë e më shumë se mund të kthehen në pushtet në zgjedhjet e radhës, që do të duhen të mbahen më 2029. REL
Një grua merr pjesë në një ceremoni në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, në përkujtim të ushtarëve të vrarë në një sulm në korrik të 2022-tës, që shkatërroi një ndërtesë ku strehoheshin të burgosurit ukrainas të luftës në Olenivka, Ukrainë.
Todd Prince
Kur amerikanët të votojnë për president më 5 nëntor, vendimi i tyre do të ketë jehonë në të gjithë botën.
Ukraina – mbrojtja e së cilës kundër Rusisë varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike e SHBA-së – mund t’i ndiejë efektet më shumë se çdo vend tjetër i huaj.
Nën presidentin në largim, Joe Biden, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 56 miliardë dollarë vetëm ndihma për sigurinë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ato i kanë dhënë vendit në luftë edhe dhjetëra miliarda të tjera në forma të ndihmës financiare dhe humanitare.
“Faktori më i rëndësishëm që do ta përcaktojë rezultatin e luftës dhe, sigurisht, atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, janë zgjedhjet në SHBA”, thotë Ruth Deyermond, pedagoge e lartë në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Rezultati i zgjedhjeve “do të përcaktojë, në fakt, nëse Ukraina do të vazhdojë të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, ose masën se sa do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara”, thotë Deyermond për Radion Evropa e Lirë.
Ish-presidenti republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, kanë shprehur qëndrime shumë të ndryshme për mbështetjen për Ukrainën.
Harris ka thënë se do ta vazhdojë politikën e Bidenit për ta ndihmuar Ukrainën, duke shprehur qartë dëshirën e saj për ta parë Rusinë të mposhtur.
Trump e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta mbajë pjesën më të madhe të barrës në mbështetjen për Kievin kundër pushtimit rus, si dhe e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.
Ai ka refuzuar të komentojë nëse do që Ukraina të fitojë dhe ka pohuar vazhdimisht se nëse zgjidhet, ai do t’i jepte fund luftës shumë shpejt – edhe para se ta merrte detyrën në janar.
“Ndërsa mund të presim që një Shtëpi e Bardhë nën Harrisin do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë si Shtëpia e Bardhë nën Bidenin – sigurisht jo me ndonjë kthesë dramatike sa i përket Ukrainës – Donald Trump e ka bërë shumë të qartë se ai dëshiron të shohë një fund të luftës shpejt”, thotë Deyermond.
“Dhe, ne e dimë se një nga prioritetet e tij afatgjate të politikës së jashtme, një nga pozicionimet e pakta të qëndrueshme në politikën e jashtme që ai ka mbajtur qysh para se të zgjidhej në vitin 2016, ka qenë, siç ka thënë, mirëkuptimi me Rusinë. Kështu që ai do të dëshironte të shihte që lufta të përfundonte shpejt, dhe sipas kushteve të Rusisë, mendoj”, shprehet Deyermond.
Trump ka thënë se kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedimet e paqes “janë të papranueshme” dhe kjo do të thotë se ai ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se presidentët tjerë.
Ai, po ashtu, ka thënë se Putin nuk do ta pushtonte Ukrainën, nëse ai do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 2017, ai i ka dhënë dritën jeshile SHBA-së për t’i ofruar ndihmë vdekjeprurëse Ukrainës, diçka që paraardhësi i tij, demokrati Barack Obama, ka refuzuar ta bëjë, për shkak të shqetësimeve se mund ta provokojë Moskën.
“Jo më”
Në prill, Trump ka thënë se do të ishte i hapur për diçka si programi i huadhënies – përkatësisht si ai që Shtetet e Bashkuara aplikuan për t’i ndihmuar aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore – në vend të granteve të ndihmës.
Trump ka folur pak për mënyrën se si do t’i jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në një intervistë për Fox News në korrik të vitit 2023, ai ka thënë se do të përpiqet ta shtyjë presidentin rus, Vladimir Putin, të negociojë, duke kërcënuar se do t’i hapë rubinetat e ndihmës për Ukrainën.
Në anën tjetër, ai ka thënë se do t’i bënte presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kërcënuar se do ta ndalojë ndihmën.
“Do t’i thosha Zelenskyt: ‘Jo më! Duhet të bësh një marrëveshje’. Do t’i thosha Putinit: ‘Nëse nuk bën marrëveshje, ne do t’i japim shumë [Zelenskyt]’”, ka thënë Trump.
“Do ta bëja marrëveshjen brenda një dite. Një dite!”, ka thënë ai.
Ukrainasit kanë frikë se çdo trysni për marrëveshje të shpejtë paqeje, do t’i shkonte në favor Rusisë, duke e lënë rreth një të pestën e vendit të tyre nën kontrollin e Moskës dhe duke i mundësuar Putinit që ta shfrytëzonte ndërprerjen e armiqësive për t’i rigrumbulluar forcat e tij për një sulm të ardhshëm.
Fjalë dhe veprime
Në çdo rast, ajo që do të bëjë fituesi kur ta marrë pushtetin, është e paqartë dhe ka një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në veprimet e presidentit të ardhshëm.
Qeveria e Zelenskyt ka qenë shumë e frustruar me administratën Biden, duke thënë se ndihma ushtarake e SHBA-së po i arrin shumë ngadalë dhe me shumë kufizime.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, Biden nuk e ka lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së për të goditur thellë brenda Rusisë.
Ukraina ka ende mungesë të mbrojtjes ajrore dhe municionit dhe kjo bën që Rusia të vazhdojë t’i godasë qytetet dhe infrastrukturën e saj kritike nga qielli, si dhe të avancojë më thellë në rajonin e Donjeckut.
Harris nuk e ka bërë të qartë nëse do të ishte më e rreptë me dërgesat e ndihmave dhe nëse do t’i hiqte kufizimet – gjë e cila është një prej pikave të “Planit të Fitores”, të cilin Zelensky ua ka paraqitur udhëheqësve perëndimorë.
Ajo nuk e ka komentuar as pikën tjetër të rëndësishme në këtë plan – ftesën e shpejtë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n.
Një faktor që do të ndikonte në mënyrën sesi presidenca Trump do të sillej me Ukrainën dhe pushtimin rus, do të ishte përbërja e kabinetit të tij.
Fushata e Trumpit thuhet se është duke shqyrtuar ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, për postin e sekretarit të Mbrojtjes dhe ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien, për sekretar të Shtetit.
Të dy e kanë kritikuar administratën Biden për kufizimin e përdorimit të armëve amerikane dhe kanë kërkuar më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Në një artikull të botuar në gazetën The Wall Street Journal në korrik, Pompeo ka bërë thirrje për krijimin e një programi të huadhënies – prej 500 miliardë dollarësh – për ta ndihmuar Ukrainën që të mbrohet.
Ai, gjithashtu, ka kërkuar që Ukrainës t’i ofrohet anëtarësimi në NATO – për të cilën gjë O’Brien ka thënë këtë javë se “është shumë provokuese në këtë pikë”.
“Viti i diplomacisë”
Një faktor tjetër është Kongresi. Ndërkohë që presidentët kanë ndikim më të madh në politikën e jashtme, legjislatura mund ta detyrojë Shtëpinë e Bardhë që ta rregullojë qëndrimin e saj për çështjen e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
Kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit mund të ndryshojë në zgjedhjet e 5 nëntorit – demokratët mund të fitojnë shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët dhe republikanët në Dhomën e Sipërme.
Kjo do të ishte një situatë më e favorshme për Ukrainën, pasi një Senat i kontrolluar nga republikanët ka të ngjarë ta mbështesë ndihmën për Ukrainën, ka thënë muajin e kaluar për Radion Evropa e Lirë Kurt Volker, i dërguar i posaçëm i Trumpit për negociatat për Ukrainën në vitet 2017-2019.
Ai ka thënë se një program i huadhënies, do të ishte më lehtë të kalonte përmes Kongresit.
“Të arrish mbështetje për shpenzimin e parave të taksapaguesve amerikanë për Ukrainën, është gjithnjë e më e vështirë, por t’i lejosh [ukrainasit] të marrin hua aq sa kanë nevojë për të blerë armë amerikane dhe për të luftuar luftën, nuk duket të jetë e diskutueshme. Mendoj se do të kishte mbështetje masive dypartiake”, ka thënë Volker.
Por, Charles Kupchan, analist në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë ta shtyjnë Ukrainën drejt bisedimeve, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet – pjesërisht për faktin se lufta është duke i ngarkuar burimet perëndimore.
“Do të prisja që viti 2025 të ishte vit i diplomacisë. Unë nuk besoj se kjo ku jemi sot, është e qëndrueshme”, thotë Kupchan.
Sipas tij, ndërprerja e ndihmës për Ukrainën nuk është mënyrë për t’i çuar dy palët në tryezën e bisedimeve.
“Kjo është një ftesë për Putinin që të vazhdojë me të tijën”, përfundon Kupchan.
Një gjeneral rus është arrestuar nën dyshimin për korrupsion. Arrestimi i gjeneral-major Alexander Ogloblin, ish-kreu i departamentit të komunikimeve ushtarake të Rusisë, është arrestimi i fundit i një figure të lartë ushtarake ruse.
Ogloblin po mbahet në paraburgim për dyshimin se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 10 milionë rubla (103,000 dollarë) nga një kompani telekomunikacioni për të siguruar kontratat e ministrisë së mbrojtjes, sipas Komitetit Hetues të Rusisë, raportuar nga gazeta e biznesit Kommersant.
Ogloblin tashmë ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për përvetësim në shkurt 2022 me akuza të veçanta, por u lirua herët pasi dëshmoi kundër ish-eprorit të tij, Vadim Shamarin, i cili ishte zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë. Megjithatë, arrestimi i dytë i Ogloblin pasoi dëshminë e dhënë kundër tij nga Shamarin, sipas Kommersant.
Shamarin u akuzua për marrjen e rryshfetit të prokurimit nga prodhuesi Perm Telefon Fabrika Telta. Ai ndau ryshfetin me Ogloblin, të cilin ai e zbuloi si pjesë të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me hetuesit, sipas Kommersant. Në raportimin e historisë, gazeta New Voice of Ukraine tha se Shamarin mund të ketë kërkuar hakmarrje ndaj ish-vartësit të tij.
Ai tha gjithashtu se ndërsa ish-ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu ende nuk është akuzuar për korrupsion, “është e mundur që dikush prej tyre përfundimisht ta implikojë atë”.
Ministria Britanike e Mbrojtjes (MOD) tha të mërkurën se arrestimi i dytë i Ogloblin sinjalizoi një goditje nga autoritetet ruse kundër ish-zyrtarëve të mbrojtjes që ishin emëruar nga Shoigu, i cili tani është sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
John Foreman, ish atasheu britanik i mbrojtjes në Moskë dhe Kiev, tha se hetimi nga agjencia kryesore e inteligjencës ruse, FSB, po përparon “ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme” përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe se një hetim korrupsioni ka vazhduar për vite me rradhë.
“Shoigu mbetet mjaft i izoluar në NSC (Këshilli i Sigurisë), i mbajtur në një zinxhir të ngushtë dhe i paaftë për të sjellë njerëzit e tij. Askush nuk është plotësisht i sigurt se çfarë po ndodh në të vërtetë”, tha ai.
Deri më tani, nuk ka asnjë shenjë për spastrim të shtabit të përgjithshëm apo kundër figurave të tilla si komandanti i forcave ruse në Ukrainë, Valery Gerasimov.
Andrei Soldatov, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), tha se FSB ka ngacmuar ushtrinë, por deri më tani arrestimet kanë synuar stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe jo gjeneralët dhe oficerët që po luftojnë në Ukrainë.
Ai tha se që nga fillimi i inkursionit të Ukrainës në rajonin e Kurskut të Rusisë, objektivat kryesore ushtarake ishin ish-zëvendësministri i mbrojtjes Pavel Popov dhe Valery Mumindzhanov, zëvendëskomandant i Qarkut Ushtarak i Leningradit.
Në prill, Timur Ivanov, 48 vjeç, një zëvendësministër i mbrojtjes që mbikëqyrte projekte të mëdha ndërtimi të lidhura me ushtrinë, duke përfshirë rindërtimin e qytetit portual të shkatërruar të Ukrainës, Mariupol, u arrestua me dyshimin për marrjen e një ryshfeti të madh – një vepër e dënueshme deri në 15 vjet burg.
Në vazhdimësi, Shamarin, gjeneralmajor Ivan Popov, një ish-komandant i lartë në ofensivën ruse në Ukrainë dhe gjeneral-lejtnant Yury Kuznetsov, kreu i drejtorisë së personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, u arrestuan gjithashtu me akuza për ryshfet.
Në maj, një zyrtar i pestë i ministrisë, Vladimir Verteletsky, nga departamenti i prokurimeve të mbrojtjes, u arrestua dhe u akuzua për shpërdorim detyre që rezultoi në dëme në vlerë prej mbi 70 milionë rubla (776,000 dollarë), tha Komiteti Hetues.
Arrestimet filluan pak para se Putini të fillonte mandatin e tij të pestë dhe të zëvendësonte ministrin e tij të mbrojtjes, Shoigu. bw
Komentet