Monografia “Maestro Gjelosh Gjokaj” e përkrahur nga Komuna e Tuzit në Mal të Zi, është promovuar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë.
Kjo monografi e botuar në gjuhën shqipe dhe angleze jep informacione të rëndësishme për opusin krijues të artistit dhe përmban vepra të rralla të tij.
Në fjalën hyrëse akademik Luan Mulliqi, tha se Gjokaj gati tërë jetën e kaloi jashtë atdheut, por gjithë krijimtarinë ia kushtoi vendlindjes. “Gjeloshi punonte shumë, shiste shumë por asnjëherë nuk mbante ndonjë evidencë apo të themi listë të koleksionarëve të vet, të cilët vërtetë ishin të shumtë. Viteve të fundit ka filluar një formë e institucionalizmit të krijimtarisë së Gjeloshit nga komuna e Tuzit”, ka thënë ai.
Ndërsa, Marina Camaj- Ujkaj, drejtoreshë e Kulturës në Tuz, tha se Gjokaj është edhe një pasqyrë e arealit kombëtar të Malësisë së Madhe. “Rrugëtimi i pikturës së Gjeloshit është në të gjithë skajet e globit. Komuna e Tuzit tash e tri vite me radhë, për ta vlerësuar dhe kujtuar Gjeloshin, organizon takime artistike të cilat quhen “Një gotë për Gjeloshin” e cila bashkon artistët të cilët vit pas viti vlerësojnë edhe punën tonë”, është shprehur e para e kulturës në komunën e Tuzit.
Për rëndësinë e monografisë foli publicisti Shkëlzen Maliqi.“Redaktori Sead Gjokaj, për dy, tre dekada me përkushtim ka koleksionuar veprën e Gjeloshit dhe ka bëre një punë të madhe duke përgatitur një monografi vëllimore për Gjokajn”- tha ai. Maliqi ka vlerësuar lartë punën e komunës së Tuzit dhe redaktorit Sead Gjokaj për mbledhjen e punimeve të tij të shpërndara kudo në botë dhe ta përgatisin një monografi cilësore.” Gjeloshi është një temë një subjekt që ende duhet të studiohet e të kompletohet. Ai ka qenë artist mjaft i suksesshëm dhe është mbështetur vetëm në fuqinë e vet dhe ka jetu prej artit të vet”, ka thënë mes tjerash Maliqi, duke shtuar se mungojnë disa vepra të rëndësishme, sidomos ato që kanë qenë unikate.
Redaktori i Monografisë, “Mastro Gjelosh Gjokaj”, Sead Gjokaj e dha një pasqyrë të jetës dhe veprimtarisë së piktorit duke u ndalur në vlerësimet për pikturën dhe grafikën e tij prej emrave të spikatur të kritikës së artit, që nga fillimet e tij në Beograd, Prishtinë, Podgoricë, Romë e deri në Augsburg, ku e kaloi pjesën më produktive të jetës, si dhe për çmimet e shumta kombëtare, shtetërore dhe ndërkombëtare, laureat i të cilëve ishte Gjeloshi. Kjo monografi e botuar në gjuhën shqipe dhe angleze, përmbledhë dhe jep informacione të rëndësishme për opusin krijues të tij, ka thënë mes tjerash redaktori.” Për herë të parë aty janë shfaqur një numër i madh veprash sidomos nga kohët e mëhershme të viteve të 60- ta 70 -ta e më vonë. Është interesant se artisti ka shumë shpërblime për të cilat publiku as që ka ditur”, ka thënë Gjokaj.
Piktori Gjelosh Gjokaj ka lindur më 1933 në Milesh të Tuzit në Malin e Zi. Studimet e larta në Akademinë e Artit i përfundoi në Beograd më 1963. Nga 1964 deri më 1969 punoi në Prishtinë si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Pas këtij viti jetoi në Romë -Itali e më pas në Augsburg – Gjermani, ku edhe vdiq më 2016. Gjokaj konsiderohet edhe si pikaso shqiptar. Ai ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës(AshAK). Ata që e kanë njohur thonë se nuk pikturonte për të jetuar, por jetonte për të pikturuar.
Gjelosh Gjokaj, artisti shumëdimensional, i la trashëgimi artit shqiptar dhe atij evropian qindra piktura dhe punë të ndryshme grafike, duke u bërë një ndër piktorët më të mëdhenj të botës shqiptare e për të cilin siç u tha, ende duhet bërë hulumtime.