Dhe jam plotësisht i bindur se duke thënë kështu, nuk do të gaboja aspak. Edhe te grekët e lashtë Urani personifikonte Perëndinë e Qiellit, prej nga toka merrte dritën. Por në jetë, ashtu siç ndodhte shpesh në mitologji, ata që synonin të shpërndanin dritën për të tjerët, vetë ndëshkoheshin me errësirë.
Librin e tij “21 vjet burg komunist”, që më dërgoi e lexova, duke kujtuar se ai njëherë më pat thënë që; “shumë krime u bënë te ne. Por ajo që ngjau qe edhe një provë e madhe e atyre që vuajtën. Burgu tregoi karakterin e secilit. Pati nga ata që hynë me dinjitet dhe dolën prej tij akoma më dinjitozë. Lum ai që arriti të shpëtoje shpirtin”.
Uran Kalakulla, siç del gjatë gjithë librit, mbeti aq i paprekur në nderin e tij, sa ai vlerëson pa drojë të tjerët, qofshin të dënuar, qofshin ruajtësit e tyre.
Ai shkruan: “Kur ndodhet para rrezikut njeriu, dhe ai me pak trimi, po të ketë disi dinjitet në veten e tij, shtrëngon dhëmbët dhe mundohet ta shohë në sy rrezikun, duke u munduar t’i bëjë ballë, apo të paktën ta durojë a sa të jetë e mundur më mirë. Ajo trimëria klasike apo romantike e kalorësve të lashtësisë apo të mesjetës, më duket se ka perënduar prej kohësh dhe nëse ka qenë ndonjëherë e vërtetë.
Kështu kam pasur prej kohësh dhe vazhdoj të kem mendimin se trimëria e vërtetë, nuk është aspak te shpata e muskujt e bëshëm të trupit, por te zemra e shpirti i tij. Kam parë gjatë kohës së burgut jo burra, por meshkuj, që kishin alamet fiziku dhe para një kapteri xhuxh dhisnin gjak!
Ashtu siç kam parë djem, që fizikisht jo vetëm që ishin mesatarë e nganjëherë të dobët, aq sa një erë e fortë mund t`i merrte me vete, por kur vinte puna para rrezikut e mundimit, shtrëngonin dhëmbët dhe qëndronin si burra të vërtetë”.
Konçidoi që librin e Uranit; “21 vjet burg komunist”, e lexova fill pas librit të bujshëm te F. M. Dostojevskit “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”. Cilido lexues që ka një farë formimi letrar, do të shohë se kam shumë të drejtë që them se vuajtjet në burgjet e periudhës komuniste në Shqipëri, janë shumë më të rënda se ato të burgjeve të kohës së Carit në Rusi, dhe se Uran Kalakulla ynë, s’bie aspak më poshtë në të përshkruarit artistik të tyre, se vetë gjeniu rus.
Ai është një mjeshtër i jashtëzakonshëm i penës. Analizat dhe përshkrimet e tij, janë të paqortueshme, aq sa vetiu të lind pyetja: Përse i duhej bërë një dëm kaq i madh kulturës tonë, duke mbyllur në qelitë e ftohta, talente kaq të fuqishme?!
Duke parë se “Shqipëria e viteve ‘60-të ishte e gjitha një dëshpërim, Urani, që komunizmin e quante një fatalitet historik, së bashku me shokë të tjerë si: Pjetër Arbnori, Agim Musta, Tanush Kaso etj., në ilegalitet të plotë dhe me një guxim të pabesueshëm, po të kemi parasysh kohën, formuan një grup opozitar, kryetar i të cilit u zgjodh Urani.
Ky grup kishte një program, i cili synonte atë ideologji që do t`i çonte në një pozicion mes të majtës ekstreme dhe të djathtës ekstreme. I kishin hyrë një pune edhe pse përsërisnin herë pas here një thënie të Çernishevskit, se në regjimet popullore politika nuk është një shëtitje më biseda të këndshme në bulevardin “Nevskij”, por është në burg, tortura, plumba dhe litar! Dhe ashtu doli vërtetë. Më 27 Maj 1961, ata, në rrethana ende të paqarta, u arrestuan.
Dënimi dihej: Ai dhe Pjetër Arbnori me vdekje, të tjerët me afate të gjata burgimi. Të flasësh për llahtarën e burgjeve shqiptare të kohës së diktaturës, nuk thua ndonjë gjë të re. Janë me dhjetëra e qindra dëshmitarë që kanë treguar e përshkruar fytyrën e vërtetë e çnjerëzore të tyre. Urani ka marrë përsipër diçka më shumë. Ai zbërthen karakteret njerëzore pasi “Laryshia e botës njerëzore bie fort në sy, më mirë se kudo tjetër në burg.
Dhe, për pasojë, askush nuk është hero kur bie në burg, por mund të bëhet atje, ose mund të shkojë drejt skajit tjetër, pra nga njeri, në vemje, në një krimb qe tërhiqet rrëshqanë, vetëm e vetëm, që të mund të shpëtojë ekzistencën e tij njerëzore. Kështu, për pasojë burgu ka dy fakultete atë të nderit dhe të burrërisë dhe atë të turpit dhe poshtërsisë”.
Të kalosh plot 21 vjet mes policëve, kapterëve dhe minjve të gjirizeve, nuk i thonë shaka. Siç nuk është shaka dhe qëndrimi i lidhur me pranga “gjermanesha”. Por më shumë se sa dhimbjet fizike, Urani përshkruan gjendjen psikologjike.
Në këtë fatkeqësi që e ka gjetur, në një moshë fare të re, ai çuditërisht kupton se nuk ndien aspak frikë. Brenda vetes së tij ai ndihet stoik. Ai ndjehet krenar që ideja për t`a pritur të pashmangshmen me qetësi, gjakftohtësi, kurajo e dinjitet, e shoqëron edhe brenda dhomës së vdekjes.
“Dëshpërimi, leqendisja, lotët, të qarat e të thirrurat si prej gruaje, më janë dukur (në raste të tilla), jo vetëm shenja të një paaftësie absolute të vetes për t`u përmbajtur, por të një dobësie të tillë që i ka rrënjët sa në një dashuri të pafund ndaj vetes (e, për pasojë, edhe një dhembshurie e tejskajshme), aq dhe nga mungesa absolute e seriozitetit dhe respektit për vetveten”.
Vetë ai e pret vdekjen si në legjenda. Nga që e di se ditën nuk vinë për ta marrë e për ta ekzekutuar, bën si bën mes sfilitjeve, e pushon pak. Kurse natën qëndron në këmbë, me fytyrën e kthyer nga dera, që kur ta hapnin, ta gjenin përballë, të gatshëm e jo ta hiqnin zvarrë.
Ai e priste vdekjen ashtu si Mersoi i Kamysë, i cili veçse uronte që ditën e ekzekutimit të tij, të kishte sa më shumë njerëz, paçka se ai po dënohej i akuzuar për vrasje, por në të vërtetë, s`kish bërë asnjë krim, vetëm se nuk kish qarë në varrimin e së ëmës.
“Pastaj, – shkruan ai – kisha vendosur të hidhja disa parulla që të dëgjonin të gjithë të dënuarit. Sa të më hante gryka, ashtu si dhe para skuadrës së pushkatimit”. Në jetën e përditshme njeriu e ka shumë më të lehtë të ruajë dinjitetin e vet. Ka shumë gjëra që për t’i bërë, a për t’iu shmangur, e ka ai në dorë.
Kurse në burg, puna ndryshon. Je i mbikëqyrur në çdo hap, i izoluar nga bota, i detyruar të zbatosh urdhrat e të tjerëve, shpesh edhe të injorantëve, s’u bën dot bisht provokimeve e ngacmimeve. Pa dashjen tënde, mund të bëhesh pre e sherreve, e zënkave pafund.
Të fyejnë e të poshtërojnë, të fusin për hiçmosgjë për një muaj në birucë. Por dhe kur ti numëroje edhe orët që të kishin mbetur për t’i kaluar në atë ferr, mund të të ri-dënonin pa të keq, me pesë, me gjashtë, me shtatë, me tetë, me nëntë e me dhjetë vjet burg të tjera.
Madje, mund edhe të të vrisnin fare e të të linin pa varr, qe të të mos të gjendej as nami e as nishani. E në këto kushte, i shkreti njeri, është në hall. Të ulë kurrizin? Të serviloset? Të provokojë e spiunojë të tjerët?
Pra, të humbë nga vetja diçka shumë të vyer: nderin, që më pas nuk ke se ku ta gjesh? Tani zgjidh e merr. Dhe Urani diti të zgjedhë, ndaj nuk kurseu askënd, si ata që ulën kurrizin, e u bënë dëm shokëve, si xhelatët që quheshin prokurorë, hetues, gjyqtarë, komandantë burgu, operativë e deri gardianë.
Të tërë s’ka pse t’i ruajë. I përmend me emër e mbiemër, në të kundërtën përgjegjësia e krimit do shpërndahej ose vetë ai do të mbetej anonim. Në këto raste pena e Uranit është e hidhur.
Dhe sa e këndshme bëhet kjo penë, kur flet për një super intelektual, që i bën nder gjenit shqiptar, si Mustafa Bajraktari, të cilin e kishin përplasur si shumë të tjerë, në burg. Për atë që s’ka qenë ndonjëherë në burg, është e vështirë ta besojë se atje ka një pafundësi tipash e ndodhish, për të mos thënë një univers i tërë!
Pikërisht këtë univers na jep Uran Kalakulla. Çdo kapitull do të qe më se i mjaftueshëm për të shkruar skenarin e një filmi mbresëlënës. Libri; “21 vjet burg komunist” përbën ndofta më mirë se çdo libër i llojit të tij enciklopedinë e burgut.
Parakalojnë para syve të lexuesve, trima e frikacakë, xhelatë e viktima, besnikë e të pabesë, të mirë e të liq. Shohim aty grupin e pleqve të burgut, të rënët nga fiku, njerëzit e zotit, shkrimtarë e “doktrinarë” marksistë, të huaj që besonin te “parajsa” shqiptare, por dhe horrat e burgut.
Duke u marrë me këta, si dhe me “gjeneralët e zinj” e “prokurorët e kuq”, të cilët sot duhet të turpërohen me ato që kanë bërë, Uran Kalakulla, i bën një shërbim të madh historisë sonë.
Ai tregon se; si duhet shkruar e vërteta dhe u jep një goditje përfundimtare të gjithë atyre që thonë se: “u lodhëm me letërsinë e burgut”. Urani sikur u thotë atyre: “Ju nuk u lodhët njëherë për të na nxirë jetën ne, dhe mërziteni vetëm pse ne shkruajmë përsa kemi parë e hequr në kurrizin tonë”? Ata duhet ta dinë thënien e Tit Livit, se: “E vërteta mund të errësohet për një kohë, por kurrë nuk shuhet”. Memorie.al