Viron Kona, një fotografi me aktoren që luan
rolin e Pipi Çorapegjatës, Vimmerby, Suedi,
Maj 2011
Mirënjohje
Farat e lulediellit ndodh që i merr era,
në fusha, në brigje, në lëndina i çon,
pavarësisht si rriten dhe si zhvillohen,
ato diellin nderojnë sa lind e perëndon…
Për të dalë i pari
Nuk është gjë e keq se do që të dalë i pari
njeriu që meriton dhe shoqërinë ndihmon.
Keq është kur, për të dalë doemos i pari,
i shtyp të tjerët, i godet dhe i shkatërron!
Gjashtë profesorë
Gjashtë profesorë, të gjashtë të nderuar,
kryetar duhej njëri, doemos duhej votuar,
shpejt hodhën votat, vetëm nga një fituan,
të gjashtë profesorët, vetveten votuan.
U përsërit votimi, prapë morën nga një,
demokratë të thekur me figurë e me zë,
sa herë provonin, sa herë numëronin,
të gjashtë profesorët, vetveten votonin.
Egërsia e luftërave
Njeriu zbuti kafshët dhe shpendët me radhë,
zbuti bimët e, deri te peshqit e bletët1)shkoi,
ngaqë iu përkushtua shumë zbutjes së tyre,
pa zbutur veten e vetë harroi…
Ata që s`po durojnë dot të më kundërshtojnë,
egërsinë e luftërave mes njerëzve të kujtojnë!
1). Bleta është i vetmi insekt i zbutur nga njeriu
Gjuetari mburravec
Mburrjet më s`ti dëgjuam,
kur në shteg u shfaq ariu,
s`u bëre dot as lepur,
çiftja në dorë të ngriu.
Ariu t`kaloi pranë,
të pa me qesëndi,
siç ishe katandisur,
s`trembje as një mi.
Nga “trimëria” të mbeti,
një e vërtetë e madhe:
ariu prej teje ia mbathi,
por nga era që mbaje…
Miu i gjirizeve
(Kushtuar atyre që fyejnë e shajnë pa të drejtë, duke u fshehur prapa emrave anonim)
Mbete i fshehur gjirizeve dhe ferrave,
herë-herë del dhe si nepërka kafshon,
i ngjason dhe qenit që pas gardhit leh,
kur kalimtari në hallin e tij shkon…
Nëse ke pakëz ndershmëri e kurajë,
hiqe maskën të të njohim se cili je,
por, po s`guxove të dalësh në dritë,
meriton t`thërresim:“miu i gjirizeve”.
Peshku pilot1)
Shkon pas peshkaqenit,
e ka bërë zakon,
po qe se largohet,
mbetet pa racion.
Për fat, peshkaqeni,
e do dhe e mbron,
se “argati” i vogël,
trupin i pastron…
1).Peshku pilot, është një peshk i vogël që noton gjithnjë pranë peshkaqenit. Ai ushqehet nga mbeturinat që lë peshkaqeni, por dhe i pastron trupin nga parazitët që peshkaqeni vetë nuk mund t`i largojë. Quhet “peshk pilot”, por në të vërtetë ai shkon pas peshkaqenit dhe jo peshkaqeni pas tij.
Njeri, je, apo s`je?
Hiqesh filozof,
hiqesh shkencëtar,
hiqesh udhëheqës,
hiqesh dijetar…!
Këto vlera të mëdha,
ta zëmë se i ke,
një gjë s`po na thua:
njeri, je, apo s`je?
Komentet