Nji ditë nji gjarpën n’kërkim të ushqimit,
Nëpër nji punishte ndërsa tërhiqej zvarrë,
Prej pakujdesisë ose prej nxitimit
Lehtas na u plagos ai në nji sharrë.
Nga kjo u nevrikos e i dha nji kafshim,
Por ky reagim sërish e mbuloi në gjak,
Ksaj rradhe ai humbi qetësi e arsyetim
E egër e sulmoi tu’ dashtë me marrun hak.
Prej mllefit e urrejtjes që i verbuen sytë,
Tash s’i punonte mâ llogjika e arsyetimi,
Iu mbështoll përreth me synim me e mbytë,
Aq fort e shtërngoi …sa dihet përfundimi.
…
Ky lloj reagimi na ndodh dhe ne shpesh n’jetë,
Saqë veç në fund (e zakonisht krejt vonë)
Kuptojmë se atë, shkaktarin, asgjâ s’e ka gjetë,
E se damtue kemi vetëm veten tonë.