N’përroje pëllet murlani, dielli kollit gjak dhe retë i trishton
nga baxhat e fshatit – nëpër tym – përdirdhet nji gjamë: helm në sy kullon…
Ende pa zbardhë drita – nji gjel me za t’marrun etshëm këndon, këndon,
por kanga e tij halle t’randa rrëfen – buzëve të thata nji hije e unët shtegton
Sharraxhijtë lotojnë, dënesin dhe ecin
e mbas tyne gjethet nji nga nji vdesin…
Mbas krodhes, qe, pa fat, sharraxhijtë n’vrap do t’lidhen edhe pak,
këputet nji shikim mbas shpine: nji mjegull e derdhun që nga qielli e deri në prag…
Te blanë e prronit: pa mend e gojë çahen nga fisi si flaka në flakë,
buzët dridhen në mall e duert e shtrëngojnë sharrën në bark
Sharraxhijtë lotojnë, dënesin dhe ecin
e në dritat e syve të dashtunit u vdesin…
Er’ e trollit të djepit kalbet në gjak, përcllon si flakë
Ndoshta nën strehët e hueja – për zogjtë e malit do t’bahen darkë…
O sharraxhijtë e mjerë, vllaznit e mi – të gjallë e të vdekun pa kunorë, –
Kur, heu, kur do t’buzqeshë fati juej, o vllaznit e mi të gjorë?!
Sharraxhijtë lotojnë, dënesin dhe ecin
deri në vdekje krahët i shesin…
Trojeve të hueja, larg, larg shkojnë si tym – të shamë e të gjorë,
Sytë shteren nga dhimba e nga shpatullat katran nji duhmë u shkon…
Kalbet mish i gjallë – në trollin akull vdekja vetmon si kunorë
vegimthi në andërr t’arratisun, kujtimi për plagën ngrohtë kullon.
Krahnorin si daltë e rreh dhe e shpon
dhe në prehnin e gjinisë së vet ulet e pushon.
Lulekuqet bulojnë në qerpikë – nji shrëngatë e rreh shpirtin me duhi,
Por ata në varg ecin… ecin e vdesin. Nji shuplakë dhe nji vorr diku i pret
Të nesërmen bagëtia gurët e njelmtë nga lotët etshëm do t’i lëpijë
-Oh, s’e di, Zoti apo Dreqi qet gurë mbas tyne, nga ashti langun ua qet
Nji nga nji i vret,
nji nga nji i tret…
N’vallen e moteve festë dasme për të tjerët janë tjerrë
thesar në votër e gaz në buzë fëmijët kanë pasë,
por ty, o i shkretë, mish e thonj t’janë kalbë dimën e verë,
nji e pathanë n’gojë t’asht dergjë, nji brengë n’gojë t’ka plasë.
Ke lindë edhe atëherë kur votra ka pasë vetëm nji lasë
ke vdekë edhe atëherë kur lakmi s’t’kanë pasë…
Oh, shumë vonë asht çelë abetarja jote – nji unazë dhuratë,
shumë vonë, o sharraxhij, kur dasmat janë krye, rrobat janë pré.
Kufijt e kohës tash nuk sharrohen me sharrë si druj të thatë
e tharmi i bukës sonë tash nuk zihet me dru e dhé.
Prandaj sharroje drunin e vjetër, rrëzoje fare për dhé
Se diellin ta ka zanë si çadër, nafakën ta ka pré.
Komentet