RUBRIKA: Krijues të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, ish pjesëmarrës në Mitingun e Poezisë.
Xhevahir Spahiu (1945, Malind, Skrapar). Botoi librat me poezi: Zgjimi i thellësive, (1971), Nesër jam aty (1987), Heshtje s’ka (1989), Kohë e krisur (1991), Ferrparajsa (1994) Rreziku (2003).
Ka marrë pjesë në mitingun e poezisë, edhe kur kishte kufi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në vitet e njëzetë të shekullit njëzetë e një, ishte i ftuar nderi në mitingun e poezisë. Konsiderohet poet me individualitete të lartë poetik gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit njëzetë. Nuk mund të ketë një antologji të poezisë bashkëkohore shqipe pa praninë e tij në të.
Ruajtjen dhe vazhdimësinë e mitingut të poezisë e quante vlerë kombëtare.
Poezi të Xhevahir Spahiut:
.
Do të vijë nata, do të hyjë brenda meje
në ca shtigje të verbër ku askush nuk ka shkelur,
do të ecë pa u ndier, në majë të gishtërinjve,
si të shkelë mbi një ngrehinë prej qelqi,
dita do tkurret pak nga pak si një mjegull,
nata më në fund do të ketë emrin tim
.
Po nisem për udhë. E vetmja nisje pa kthim.
Vlorë, 2 gusht 1989
.
Çdo ditë
dhuroj vetvete,
Dhe s’ka të mbaruar që s’ka.
.
Pas mijëra vjetësh
Rozafë.
.
Ç’u bënë gjahtarët?
Ku vanë?
.
Gjahtarët s’duken,
të gjithë janë plagosur.
.
Lisat me rrush turfullojnë
Si kuaj frelëshuar neper natë,
Pini se vreshtat s’mbarojnë
mbaron vetëm jeta e ngratë.
.
A s’jemi në mesin e jetës,
në mesin e botës a s’jemi?
Atë që kërkuam s’e gjetëm,
atë që e patëm s’e kemi.
.
Zbraze rakinë, kryengritës,
mblidhu dhe ti me të tjerë;
një gur po u nis rrokullimës
s’ka frikë se sos në humnerë.
.
Nata u ca copa- copa
dhe yjet u shkoqën përdhe;
si murgu përfalet tek porta
Tomori shenjtë, për ne.
.
Lisat me rrush turfullojnë
si kuaj frelëshuar neper natë,
Pini se vreshtat s’mbarojnë,
mbaron vetëm jeta e ngratë.