Anton Papleka (1945,Tropojë) Botoi librat me poezi: Zëri im ( 1971), Ecim (1974), Njatjeta diell(1976), Rrathët e lisit (1984), Lumi e di ku buron ( 1988), Udhëhumburi (2000), Proema (2004). Ka shkruar romane, tregime, studime folklorike dhe letrare. Merret edhe me përkthime.
Konsiderohet poet me individualitet të dalluar poetik. Ka një vend të rëndësishëm në antologjinë e poezisë bashkëkohore shqipe.
Ka qenë i ftuar nderi në Mitingun e Poezisë dhe poezia e tij është pritur mjaftë mirë tek publiku artdashës i Gjakovës dhe në mbarë Kosovën.
Me penjtë e kaltër të shiut
Prilli mundohet te qepë qiejt e shqyer
Nga predhat
A të përcëlluar
Nga flakët e automatikëve
.
Aty – këtu
Prilli ngjit copëza resh
Siç ngjit kirurgu copëza lëkure
Në fytyrën e lemerishme
Të një njeriu të djegur
.
Prilli do të ikë
Do të sosen penjtë e kaltër të shiut
Arnat e bardha të reve
Ne do të mbajmë mbi supe
Zhele qiejsh…
.
Thirri për të mbramen herë, pastaj zëri u shua
Humbi nëpër të çara shkëmbinjsh
I etur për zërin tjetër
Që nuk i ktheu përgjigje
Nga asnjë anë e horizontit
.
Pyjet e tella ofshanë
Lumi e përcolli lotin e tij për në det
Dhe hijet e lodhura të maleve
Ranë përmbys nëpër lugina
.
Pas thirrjes së mbrame ia behu heshtja
Dhe toka u rrëqeth
Si bisha në përgjim
.
Vetëm yjet në hapësirat e qiellit
E morën vesh kush thirri
Dhe përse nuk iu përgjigj zëri tjetër
Nga asnjë anë e horizontit
.
Thirrja u ngurtësua midis gurëve…
.
Shtegtarët e lodhur mbërritën
Buzë lumit
.
Lumi ku do të pinin
Prej kohësh qe tharë
Dhe kishte fluturuar në qiell
Bashkë me shpirtrat e fëmijëve
Të panjollosur nga mëkati
.
Të çartura nga etja
Shtegtarët zunë të gjuheshin me gurë
E me rrashta
Të grumbulluara te shtrati i lumit
.
Secili shihte te qafa e tjetrit
Një krua të kuq….
.
Ishte njëzet vjeç, i pashëm dhe këngëtar si ai
Zëri i tij kishte ngashënjyer edhe Zanat e Malit
Ato i dolën përpara në bjeshkë, te Fusha e Madhe
U ulën pranë tij dhe iu lutën të këndonte tri herë për to
Kur u ndanë, i thanë të vinte prapë të nesërmen
E të këndonte tek ai vend
Bariu dha fjalën se do t’ua plotësonte dëshirën vajzave të bukura
Që i mori për baresha të një krahine tjetër
Në mbrëmje, i ati i tha të zbriste në fshat për të ujitur arën
Djali nuk e zuri ngoje fjalën që u kishte dhënë vajzave në bjeshkë
Të nesërmen, ai nuk vajti te Fusha e Madhe
Zbriti në fshat dhe nisi të ujiste arën
Në kohën që e kishte lënë të takohej me tri vajzat e bukura
U prish mendsh dhe nuk erdhi më në vete
Dhe nuk këndoi më kurrë….