E solla këtu, larg vrasësve të tij
Sido që s’i njoh vrasësit e vërtetë.
Le të jetë larg vrasësve të rinj
Që vrasin fjalën të mos ketë poetë…
Kështu ndodhi. Tani e gjitha frikshmërisht dhe madhërishëm brenda një elegjie.
Bustin e një poeti që e pushkatuan në vendin ku(r) sundonte diktatura më egër në Europën e Lindjes komuniste, por pasi historia deshi të shëmbej Muri i Berlinit dhe të binte ajo perandori, së voni miqtë e poetit, më saktë ata që do ta donin më pas, edhe pa e njohur, e çojnë në vendlindje. Bustin. Ca bronz nga ajo tragjedi.
Rikthehej poeti tragjik Trifon Xhagjika, që prapë sikur i druhen (shteti) kanë frikë ta kujtojnë. Nuk ka asnjë rrugë me emrin e tij në kryeqytet apo një gur me vargjet e tij…
Çdo popull tjetër, i dalë nga një diktaturë, po ta kishte këtë poet, fjalët e tij do t’i gdhende në gur apo do t’i shkruante mureve, – kështu kam shkruar shpesh…
Gjithsesi, është dhe një kujtesë tjetër, një ndërgjegje tjetër e përgjegjësi, madje dhe një atdhe tjetër, që i ngjan atij të përjetëshmit.
Nën këtë hijezim, gazetari i njohur, por edhe poet, Mero Baze, bashkëfshtar i Trifon Xhagjikës, priu për të çuar bustin e poetit të pushkatuar në vendlindje, në Peshtan, fshati i tyre, ku dhe shtëpitë i kanë pranë njëra tjetrës.
Dhe Mero Baze ndjeu të shkruajë dhe elegjinë për të gjithë ne.
* * *
Çdo 23 dhjetor, nata e asaj date, – dhe me kuptimin që të kall datën, – ashtu siç ka yje, mes tyre ka dhe përndjezje plumbash, një përzierje tronditëse vezullimesh. Vranë një poet para më shumë se gjysmë shekullit në vitin 1964 dhe ky imazh, yje dhe plumba, i kthyer në ndjesi, më kap që kur mësova atë emër dhe atë ngjarje. Dhe tani q:e lexoj elegjinë e Mero Bazes…
Në librin tim “Kartela të Realizmit të Dënuar”, një studim për letërsinë tjetër, atë që dogji regjimi, të poetëve dhe shkrimtarëve që pushkatoi e burgosi e internoi, madje dënoi dhe vetë librat dhe cilët përpiqeshin t’i lexonin fshehurazi, është dhe kartela e dhembshur e Trifon Xhagjikës, ku përveç të tjerash, janë përdorur dhe të dhënat që kishte sjellë Mero Baze nga Dosja në arkiv…
KARTELA:
DHE TRIFON XHAGJIKA THA:
“MË JEPNI NJË TOP
T’I BIE KOMITETIT QËNDROR”
Këto ishin fjalët e fundit të tij, që po trondisnin trupin gjykues. I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, siç dhe u pëlqente sundimtarëve, që të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si emblema të dhunës me sopatë në dorë, që drithëronin botën. Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top… është artilier… ashtu?… po, po… dhe poet… E dëgjove, e do topin që t’i bjerë Partisë, Komitetit Qëndror… ta shëmbë me gjithë ata brënda, udhëhqjen e lavdishme…. Qënka i çmëndur… kam frikë… se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë…
Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy…
– Kokën lart, siç e do nderi i Xhagjikëve! – thirri një nga vëllezërit, më i madhi, Ylli. Po ku është liria? – pëshpëritej gjithandej jashtë sallës së gjyqit, siç kishte thirrur që sapo ishte dënuar me pushkatim. Policët po futnin për në makinë, duke e mbajtur nga krahët fort, egërsisht dhe me një lloj adhurimimi të frikshëm, Ç’qenkësh ky kështu?! Dimër i keq. Dhjetor, 1963. Data 23. E pushkatojne natën… ku-ku?… Dhe pas dy ditësh do të mund të festohej Krishlindja, aq sa lejohej? Dhe pas një jave Viti i Ri, nëse do të vinte… ?
Poeti Trifon Xhagjika
(1932 – 1963)
u lind në Peshtan të Tepelenës në vitin 1932. Familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kohë e pushtimit italian në po atë vit, kur në një lagje diku themelohej në ilegalitet Partia Komuniste, ajo që do të sundonte dhunshëm duke pushkatuar dhe poetë.
Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në fillim të viteve 50 u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite punoi si oficer në një repart ushtarak në Rrapin e Treshit në Tiranë. Kreu një kurs për Gazetari e Histori, këmbënguli, sepse donte të vazhdonte fakultetin për Letërsi.
Boton poezi nëpër gazeta dhe tërheq vëmëndjen e lexuesve e të poetëve të tjerë… E kalojnë me punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve e më vonë në gazetën “Luftëtari”.
Në vitin 1959 i përmblodhi poezitë e tij në një libërth hollak dhe nën kujdesin e kritikut avangardist Drago Siliqi i boton me titullin “Gjurmët”, ku ndihej romantiku dhe rebeli, që seç kërkonte. Gjithsesi është gjurma e tij e parë.
Mjaft nga ato poezi u bënë dhe këngë, madje dhe himnin e shkollës së tij ai e shkroi, kompozim i K. Trakos, dhe do ta këndonin breza të tërë studentësh me uniformë, edhe kur ai s’ishte më..
Sipas rrëfimeve të motrës së tij, “Trifoni kishte ndryshuar kohëve të fundit”, para arrestimit, kuptohet, ishte bërë më i vrenjtur, i shkonte, se vishej dhe bukur, kur dilte civil, Linën, asaj që i kishte kushtuar qindra vargje, e donte siç dinte të donte ai, por po rrinte gjithnjë e më shumë me ata, të pa kënaqurit me sistemin, siç thuhej atëhere, me ata që flisnin kundër, me ata që donin… të arratiseshin. “Njërit prej tyre i gjeti një kamerdare të madhe, që ngjallte dyshime se përse e doje, ia mori një kushëriri dhe e përcolli vetë atë që do të ikte andej nga Liqeni i Pogradecit. Vuante me ata që ishin ndarë me gratë e tyre ruse mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i ndihmonte që të bashkoheshin me to… të arratiseshin…
Në gjyq e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe… për terror. Terror po bënin ata vetë, gjyqi, shteti, partia. Gjithsesi shpëtim nuk do të kishte… Shkak ishin dhe poezitë e tij të pa botuara, ato kundër… Dhe nuk u pa më… Dhe do të përhapej lajmi gjithandej, në redaksitë e gazetave, në kafenetë ku shkonin shkrimtarë, gazetarë, etj, se atë… kë?… atë që ngjante me Lermontovin, poet ushtarak, që qeshte aq çíltër dhe i shkëlqenin sytë?… e kishin pushkatuar… Ku?… Pse? Ishin grup…
…andej nga liqeni i Pogradecit, në zona të dyshimta, u kapën në përpjekje për t’u arratisur. I denoncuan shoferët e rrugës, i priste një major me çantë shpine, sipas Shërbimeve Sekrete. Ja emrat e grupit, dy vëllezërit Thoma dhe Stavri Rafaeli, dy gazetarët Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, por dhe Robert Vullkani, botues e përkthyes, si dhe një tjetër shok i tyre, Franko Sara e bashkë me ta, poeti Trifon Xhagjika.
Të parin dhe të fundit i pushkatuan, të dy ushtarakë, kur në të vërtetë, ky i dyti nuk donte të arratisej, të paktën asaj herë me ata.
Këto të dhëna janë sipas Dosjes që ka hapur gazetari Mero Baze. Trifoni ishte më antikomunisti dhe pro perëndimori, dhe, nëse do te vendoste të ikte, do të arratisej për në Itali, shkruan M. B.
Grupin, siç e kemi parë, e përbënin intelektualë të njohur, të letrave dhe të muzikës, ushtarakë, një pjesë e tyre kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste, kishin dhe gratë të huaja, ruse, hungareze, të rrezikshme pas prishjes së marrdhënieve me ato vende. Trifoni i kishte pajisur me mjetet që do të duheshin për arratisje.
Trifoni ndërkaq kishte botuar një libër. E lehtësonte apo e rëndonte ajo gjendjen e tij? Në dosje do të ishin poezi të tij, disidente, armiqësore, të guximshme deri në tmerr ashtu si traktet që kishin shpërndarë. Të tjerët e grupit, që i lanë gjallë, do t’u jepnin dënime të rënda dhe do të çoheshin burgjeve për t’i pushkatuar më vonë.
* * *
Kur unë vajta në burgun e Spaçit, gjeta një gjendje të rëndë në kamp, të përzishme që ndihej që në ajër, të gjithë të burgosurit më dukeshin si me një plagë plumbi, që e zinin me dorë për të mos u rrjedhur i gjithë gjaku. Ishin pushkatuar dy bashkëvuajtës, gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, se kishin dërguar një letër në Komitetin Qendror kundër Enverit. Bashkë me ta ishte pushkatuar dhe i burgosuri tjetër Xhelal Koprenca, pro perëndimor. Bashkëvuajtësi im, Astrit Xhaferri, me të cilin u bëmë miq në Spaç, më tregonte se e kishte njohur Trifon Xhagjikën, i fliste për guximin e poesisë, edhe për gjuhën e saj, fjala duhet gjetur në vuajtjen e popullit, u thoshte.
* * *
Punoja në gazetën e parë opozitare. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe pllakat e tij të betonta sikur na kishin zënë nën vete dhe ne po dilnim me mundim.
Ishim ballë për ballë dy të dalë nga burgjet, unë dhe Ylli, vëllai i Trifonit, ai që kishte thirrur në sallën e gjyqit: “Kokën lart!” dhe gjykatesit urdhëruan t’i hidheshin hekurat dhe atij.
Poezitë mbi tryezë. fërgëllonin dritshëm. Po përlotesha edhe unë pas Yllit…
Këto poezi Trifoni recitoi dhe në gjyqin e tij, kur i dhanë dënimin me vdekje. Atë vit e kishte shkruar Gjithë dhimbje dhe forcë. Atdheun që e merr për dore për ta rritur në zemer, ndërsa atdheu po e vriste. Që po ta kërkonin atdheun e humbur, e kishte ai. Ku? Nën dhe? Vaj dhe thirrje dhe testament të tillë nuk kishte patur poezia e re shqipe.
U tronditën dhe ata që e dëgjuan jashtë, të recituar në një takim poetësh në Itali, në një kështjellë në Bari, ua dhashë unë të përkthyer.
“Atdheu është lakuriq”, me këtë titull vendosëm të botonim librin e tij me vjersha, të parin pas rënies së diktaturës, do ta përgatitte poeti Xhevahir Spahiu, ndërsa liriku Jorgo Bllaci dhe unë, ish-të burgosur, bëmë dhe redaktorin, se punonim së bashku në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, aty ku kishte nisur dënimi im. Donim t’i ishim pranë Trifonit, të ringjallnim sado pak diçka nga martirizimi i tij heroik.
Po ku është varri i tij? Bashkë me lulet t’i çonim dhe librin e ri Balta s’tregon asgjë. Veç libri, ama, vërtet kishte vezullime të mermerit… Ndiheshim të lumtur që e botuam. Po ç’lumturi zeza! Dhe do të gjendeshin poezi të tjera, duhej botimi tjetër. Ylli më kërkonte në gazetat, ku bashkëpunoja në Tiranë. Se kush i tha që s’jam. Donin që unë të mos isha. Po Trifoni Xhagjika tani u duhej më shumë të tjerëve, jo vetëm neve, që vinim nga burgjet, që dhe ishim pushkatuar me të, sado pak. Dhe doli “Poezia” e tij e plotë, në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri.
Shqipëria ka nevojë për guximin dhe ëndrrën e tij.
`Miq!
Dëgjoni trokëllimat e kalit
të harbuar?
Jam unë!
Poeti spanjoll Garsia Lorka po vinte kështu? Po dhe atë “si një Krisht mes hajdutësh në Granada e vranë – thotë Ernesto Sabata. – Krim i urryer, simbol i kësaj bote, e cila pas çrrënosjes së poezisë, lartësoi në vend të saj vrazhdësinë dhe frikën”
Jo, po guxonte të vinte i pushkatuari tjetër, Xhagjika ynë. Nuk paskan të njëjtë vetëm fundin tragjik por edhe kalin e poezisë. Trifon Xhagjika ecën dhe reciton “Këngë e verbër”, që ia kishte kushtuar Republikës, ku thotë: Vramë po të duash!/Në netët e tua të gjakosura/do të dëgjosh zërin tim:/“Të urrej oRepublikë,/lavire e zotërve gjakprishur!” (Prill 1962)
Vramë po të duash!!! O Zot, e dinte ç’bënte! Mbas një viti do ta pushkonin.
Në vendlindje, në Peshtan, vendosën një bust të tij.miqtë e rinj të pasvdekjes. Por ai duhet të jetë kudo, në kujtesë, në kryeqytetin e dhimbjes, në poezi…
ELEGJIA NË “SHI ME BALTË”…
Elegjia “Trifon Xhagjika” e Mero Bazes është në librin e tij, “Shi me baltë”, që i gjithë i ngjan asaj elegjie, për kohën dhe njerëzit e saj, për veten dhe për të shkuarën tonë, aq të pranishme dhe të ardhmes se mos do t’ë ngjajë të tashmes, të lirë për gjithçka, të mirë a të keqe njëlloj, pra, jo vërtet të lirë.
Mero Baze është mjeshtër i përsiatjeve kësisoj, të thukta dhe dëshpëruese, por në emër të një të drejtësie dhe përmirësimi të realitetit, artikujt e tij janë gati të përditshëm, me përditshmërinë turbulluese, që si duhet kthjelluar, duke e turbulluar edhe më?
Me të dalë poezia e Meros, tërhoqi vëmendjen e lexuesit dhe medias. Ishte një befasi? Ky gazetar i guximshëm deri në ashpërsi, i skajshëm deri te e vërteta, të paktën ajo e tij dhe e shqetësimeve që sjell ajo, kërkues i “Thembrës së Akilit” për të ngulur shigjetën e tij pa mëshirë, paska dhe poezi, pambuk të saj për plagët?
Po, Mero Baze është poet. Edhe në gazetarinë e tij dhe prozën eseistike ka poezi të fshehtë, por të tufantë si në një rrugë tjetër, ndërsa në poezinë e tij ka çështë të forta sociale, kontradikta dhe përplasje, madje dhe fjalor të atillë, por si pas xhamave. Por ai nuk kundron, futet në protestë dhe polemizon.
Në këtë libër me poezi, se ata që e njohin Mero Bazen e dinë që ai ka dhe një libër tjetër me poezi të hershme, shohim se ai përdor strofën e rregullt, pra, se brendshmi ndjen nevojën e rregullit, me metrikë të caktuar dhe rima, pra do harmoninë e sprovuar klasike dhe duke ngjasur në formë, të gjitha poezitë duket se janë këngët e një poeme. Për atdheun tonë, sipas tij, për kohën e tij, sipas nesh, për njerëzit sipas kohës, ku shpesh ata që s’janë, janë më shumë se ata qe janë.
Ja, si elegjia për Trifon Xhagikën tonë. Plot tension dhe dhimbje therëse. Solemnitet dhe një paqeje të nevojshme që i ngjan një armëpushimi, por jo pushim të luftës, jo me plumba, por me fjalë dhe drejtësi për një të vërtetë më të madhe se të gjithsecilit, të vërtetën që na duhet të gjithëve. Ka patur një kohë çnjerëzore që bëri njerëz çnjerëzorë, të cilët prapë mund të bëjnë kohë. Që të mbrohemi, duket thirrur Trifon Xhagjika. Që të fitojë njeriu, njerëzisht, na duhet statuja e Trifon Xhagjikës. Por tani nga fshati i tij, të shkojë në kryqytet, madje dhe në kryeqytetet e Europës, që vuajtën atë sundim, se Trifon Xhagjika nuk është poet nga që e pushkatuan, por me atë pushkatuan një poet.
Dhe koha kishte frikë dhe me atë të vrarë. Dhe bënte krimin tjetër, atë të mbulimit të krimit jo vetëm me dhé, por pa varr, por dhe me heshtje dhe harresë dhe Realizëm Socialist, shkrimtarët mediokër të së cilës, kritikët e mbetur donkishoteskë të saj, s’bëjnë gjë tjetër, por hekurishtet e kalbura të asaj fabrike na i tregojnë si sukses, që duhet montuar ende, pak si ndryshe, etj, dhe gjejnë dhe sulmojnë sabotatorët e saj si dikur partia e tyre, por as vetë s’e kuptojnë se po duan këtë, por mendësia dhe veprimet e tyre janë të tilla: pse na i shkatërruat Realizmin Socialist?! – sikur thonë .
Por vjen dhe poezia e Mero Bazes për Trifon Xhagjikën. Vargjet u ngjajnë atyre shiritave të verdhë që rrethojnë një skenë krimi: Këtu është vrarë një poet, që po duan ta rivrasin. Nuk ka rëndësi në janë po ata vrasës apo të tjerë. Krimi i barazon. Dhe nëse tani nuk vrasin dot poetin, duan të vrasin fjalën e tij, kur poeti në fund të fundit është fjala e tij.
Mero Baze si poet na bashkohet në më të lartën tonë, që vuajtjet dhe martirizimin ta kalojmë jo vet;em nga rrëfim në përvoj:e, po ta bëjmë dhe art, poezi. Që sjellin drejt:esi dhe paqe.
Mos Mero Baze nuk duron dot dhe ka marrë topin që kërkoi në gjyq Trifon Xhagjika si poet?
TRIFON XHAGJIKA
– Nga Mero Baze –
E prura mbi një gur në shtëpinë e tij,
Te lëmi që i feksi në mend para plumbit.
Ky gur s’e ka ditur që ai po vdiste,
Askush s’e njoftoi për natën e fundit.
As muret e shtëpisë nuk e kanë vajtuar
Se vdekjen ua mbajtën fshehur nga frika.
Kishin frikë nga klithmat e gurëve
Nga kuja që do plaste pa zbardhur dita.
Ua fshehën fëmijëve që nuk e njihnin,
Krojeve që prisnin të kthehej nga larg.
Ua fshehën pleqve që mblidheshin te lëmi
Dhe prisnin habere çdo darkë.
Ua mbajtën fshehur, si t’ua thoshin
Që s’vdiq nga sëmundja, as nga malarja!
Këta gurë të hirtë janë shumë të vjetër
Të mos habiten si vdes njeriu nga fjala.
Tani vështrojnë fytyrën e bronztë,
Duan të kuptojnë pse Trifoni nuk flet.
Ai u shua kur fjalën e vriste frika
Dhe hesht tani kur fjala ulëret.
E solla këtu, larg vrasësve të tij
Sido që s’i njoh vrasësit e vërtetë.
Le të jetë larg vrasësve të rinj
Që vrasin fjalën të mos ketë poetë…
Gjeni historizmat e kesaj poezie