Qysh nga 6 dhjetor 2002, në arkivin tim, si një vazhdim “sui generis” i kapitullit historiko-statis tikor të librit “Libri i Kombëtares”, gjithnjë mbaj Renditjen për atë që e kam emërtuar si “Trajneri më rezultativ i Kombëtares në Kampionatet Botërore dhe Europiane”. Synimi ka qenë që të kujtoj përherë punën dhe ecurinë historike të trajnerëve të Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian dhe atij Botëror. Është një lloj historie statistikore krahasuese, e përhershme.
Nga ana tjetër, është dhe një lloj ballafaqimi me arritjet apo mosarritjet e secilit në vitet e pjesëmarrjeve. E po kaq edhe për të ndjekur vetë ecurinë e Kombëtares modeste të Shqipërisë, si të thuash, nën protagonizmin e trajnerëve. Në fund të fundit, është një lloj “loje” historike e gazetarit apo historianit, pse jo, paksa dhe “dëfryese” e plot kërshëri, që nis me trajnerin e parë të ndeshjes së parë kualifikuese të Shqipërisë që është ajo Danimarka-Shqipëria 4-0 e 29 qershorit 1963 me trajner Loro Boriçin dhe që për “çastin mbyllet” me ndeshjen Shqipëria-Maqedonia 2-1 të 5 shtatorit 2016 me trajner Gianni De Biasi-n.
Kam “shpikur” kështu një Renditje që del duke marrë në konsideratë 7 Renditje të tjera – tregues statistikorë, objektivë dhe vetëm një subjektiv, atë të “ndeshjeve të rralla” që patjetër duhet të kenë mbrenda edhe pozitiven e rezultatit, pra që të mos kenë qenë humbje.
1. “Suksesi i turneve” te De Biasi-t!
Kjo është një Renditje, e cila menjëherë na tregon se sa modeste është historia e arritjeve të Kombëtares së Shqipërisë. Shihet qartë se asnjë trajner nuk ka mundur ta çojë as deri në 50 për qind këtë arritje apo sukses. Kulmi i suksesit është pra me De Biasi-n: vetëm 38.33 për qind sukses! Mbas të cilit vjen Otto Baric me 28.57 për qind, mandej Briegel me 28 për qind e kështu të tjerët me radhë.
Rasti i paprecedent këtu ndoshta është se katër vendet e para të kësaj përqindje të suksesit i zënë trajnerë të huaj: De Biasi, Baric, Briegel, Dossena. Madje, në 10 vendet e para, 7 trajnerë janë të huaj. Gjashtëshes së parë të të huajve i hyn në vendin e pestë trajneri Zyber Konçi, të cilin e ka ngjitur kaq lart në këtë “Renditje I”, fakti se në ndeshjet me Danimarkën 1963, ai është së bashku me Loro Boriçin, pra 50 për qind sukses për të dy. Kanë qenë një humbje dhe një fitore, 0-4 dhe 1-0.
I. Përqindja e suksesit në renditjet në turnetë kualifikues
1. Gianni DE BIASI 38.33
2. Otto BARIC 28.57
3. Hans Peter BRIEGEL 24.28
4. Giuseppe DOSSENA 20.00
5. Zyber KONÇI 17.77
6. Arie HAAN 16.66 6.
6. Josip KUZE 16.66
6. Dzemal MUSTEDANAGIC 16.66
7. Loro BORIÇI 08.88
10. Shyqyri RRELI 08.33
10. Agron SULAJ 08.33
10. Neptun BAJKO 08.33
13. Astrit HAFIZI 05.55
14. Myslym ALLA 00.00
14. Ilia SHUKE 00.00
14. Bejkush BIRÇE 00.00
14. Medin ZHEGA 00.00
14. Sulejman DEMOLLARI 00.00
E, siç e shihni, në këtë “Renditje I” epërsia e trajnerëve të huaj është e pamëshirshme. Dhe duhet të vazhdojmë me trajnerë të huaj? Do ta prek paksa këtë mëdyshje andej kah fundi i kësaj historie… E vërteta është se te kjo Renditje, disi e çuditshme, nuk ndikoi ndeshja e tashme me Maqedoninë. Ngaqë kjo Renditje për çdo trajner bëhet duke përimtuar se sa për qind të pjesëtarëve të grupit për çdo turne, ka lënë mbrapa Shqipëria.
Nëse skuadra, në përfundim të edicionit për KE apo KB, është renditur e fundit në grup, atëherë çdo trajner që e ka drejtuar atë e ka përqindjen e suksesit në renditje zero (0). Kur skuadra lë mbrapa skuadra të shteteve të tjera, përqindja e suksesit të “Renditjes I” del kështu: pjesëtohet shifra 100 me numrin e skuadrave dhe shifra që del mbas këtij pjesëtimi shumëzohet me numrin e skuadrave që Shqipëria ka lënë mbrapa. Në fund, shifra e dalë pjesëtohet me numrin e turneve që trajneri e ka drejtuar Shqipërinë. Le ta shprehim këtë me një shembull:
Shyqyri Rreli e ka drejtuar Shqipërinë në tri turne kualifikues. Në të parin, skuadra ka zënë vendin e fundit në grup, pra koeficienti është 0; në të dytin, në një grup me 4 skuadra, Shqipëria ka lënë mbrapa një skuadër, pra 100 pjesëtuar me 4, del 25 për qind sukses; në turneun të tretë të drejtimit të Rrelit, Shqipëria ka dalë përsëri e fundit, pra koeficienti është 0. Atëherë 0 + 25 + 0 = 25, shifër e cila pjesëtohet me numrin e turneve që janë 3, sepse 3 herë e ka drejtuar Rreli Shqipërinë. Dhe koeficienti i tij i suksesit në renditje del 08.33.
Kështu veprohet për të gjithë. Dihet se gjatë rrugës mund të ndërrohet trajneri. Por, në fund të turneut, edhe për trajnerin e ndërruar jepet koeficienti i trajnerit përmbyllës të turneut. Kështu, për rastin Boriçi-Konçi të fillimit; apo bie fjala Haan-Ku•e apo Haan – Mustedanagic, të cilët e drejtuan Shqipërinë mbrenda të njëjtit turne kualifikues, e për të dy iu konsiderohet e njëjta renditje e skuadrës. Dhe duhet thënë se kjo renditje ndryshon vetëm në përfundim të çdo turneu.
2. “Të rrallat” te De Biasi-t!
II. Ndeshjet e rralla
1. Hans Peter BRIEGEL 5 (2003 Shqipëria – Rusia 3-1, Shqipëria – Irlanda 0-0, 2004 Shqipëria – Greqia 2-1, 2004 Kazakistani – Shqipëria 0-1. 2005: Ukraina – Shqipëria 2-2).
2. Gianni De BIASI 4 (2013 Norvegjia – Shqipëria 0-1, 2014 Portugalia – Shqipëria 0-1, 2015 Armenia – Shqipëria 0-3, 2016 Rumania – Shqipëria 0-1).
3. Loro BORIÇI 3 (1965 Shqipëria – Irlanda e Veriut 1-1, 1967 Shqipëria – RFGJ 0-0, 1971 Shqipëria – Turqia 3-0).
4. Shyqyri RRELI 2 (1984 Polonia – Shqipëria 2-2, Shqipëria – Belgjika 2-0)
4. Neptun BAJKO 2 (1995 Moldavia – Shqipëria 2- 3, Shqipëria – Bullgaria 1-1)
4. Astrit HAFIZI 2 (1997 Shqipëria – Irlanda e Veriut 1-0, 1998 Norvegjia – Shqipëria 2-2)
4. Josip KUZE 2 (2010 Rumania – Shqipëria 1- 1, 2011 Shqipëria – Biellorusia 1-0)
8. Medin ZHEGA 1 (2000 Shqipëria – Greqia 2-0).
8. Otto BARIC 1(2007 Bullgaria – Shqipëria 0-0).
8. Arie HAAN 1 (2008 Portugalia – Shqipëria 0-0).
11. Z.Konçi, M.Alla, I.Shuke, A.Sulaj, S.Demollari, B.Birçe, G.Dossena, D.Mustedanagic. (Nuk kanë asnjë ndeshje të rrallë).
Kjo është Renditja e vetme që është subjektive. Është një renditje që i vendos trajnerët simbas ndeshjeve, si të thuash më të famshme të tyre. Ndeshje që kanë bërë një lloj buje. Ndeshje kundër skuadrave ndër më të mirat e Europës. Ndeshje që përbëjnë fitoret e para jashtë fushës për një turne kualifikues. Ndeshje befasuese që askush nuk i ka pritë të arrihen. Ndeshje tronditëse për kah jehona. Në fund të fundit, ndeshje tejet të bukura e mbresëlënëse. Por dhe ndeshje që kanë përcaktuar një arritje disi të veçantë për Shqipërinë.
E, edhe këtu epërsia nuk është e De Biasi-t, por e Briegel-it, i cili i ka lënë historisë sonë 5 ndeshje “të rralla”, tri prej të cilave për çudi janë me tre shtete të ish Bashkimit Sovjetik. Nisin me të madhen Shqipëria-Rusia 3-1 dhe mbyllen me Ukraina – Shqipëria 2-2. Në mes tyre hyn brilanti sensacional Shqipëria-Greqia 2-1 vetëm dy muaj mbas shpalljes së saj Kampione e Europës. Bëri bujë në gjithë Europën.
E, mandej, De Biasi: 4 ndeshje të rralla, ende të freskëta: dhe të tria jashtë Shqipërisë. Të jashtëzakonshme: Norvegjia-Shqipëria 0-1, Portugalia-Shqipëria 0-1 dhe e fundit Armenia-Shqipëria 0-3 – pasaporta për në FRANCË 2016. Ndërsa atje është Rumania-Shqipëria 0-1. De Biasi në të vërtetë këtu është më origjinali. Gjithnjë jashtë Shqipërisë!…
E më mbas? Më mbas një trajner shqiptar: Loro Boriçi ynë i madh: me dy barazime që shkaktojnë dy eliminime të rangut botëror: 1-1 me Irlandën e Veriut në Tiranë më 1965 – skuadrës së legjendarit George Best të Manchester United – dhe eliminim i kësaj në të mirë të Zvicrës. Për të mbërritur mandej te shkaktimi i dytë i përbotshëm: 0- 0 në Tiranë me RFGJ për Kupën e Kombeve (Kampionati Europian), eliminim i gjermanëve – Nënkampionë të Botës në fuqi – në të mirë të Jugosllavisë.
Nuk i ndal jehona as sot e kësaj dite. E gjen në vazhdimësinë e komenteve të rruzullit edhe sot e kësaj dite sa herë që botohen libra apo Dossier për historinë e Kampionateve Europiane. Brigel, De Biasi dhe Boriçi janë kështu tre trajnerët e parë të ndeshjeve të rralla. Po a mund të harrohen “të rrallat” e Shyqyri Rrelit, 2-0 Belgjikës së Schiffo-s dhe 2-2 Polonisë së Bonjekut? E paksa mandej mbyllja e kësaj Renditje me Portugalia-Shqipëria 0-0 të Arie Haan. E kemi harruar!…
3. “Suksesi për të gjitha ndeshjet”: De Biasi dhe Shuke!
Dhe vijmë te “Renditja III” ku, për çudi, na bashkohen dy emra tepër larg njëri-tjetrit për sa i përket numrit të ndeshjeve të drejtuara prej secilit. Vështrojeni.
E shihni se këtu ka një mospërputhje fantastike, vërtet! Në krye, dy trajnerë që janë tejet larg njëritjetrit, pra. Gianni De Biasi me 22 ndeshje të drejtuara dhe Ilia Shuke me vetëm 2 ndeshje të drejtuara. Dhe të dy 50 për qind sukses. Si ka mundësi? Matematikë pra. Madje aritmetikë e pastër. De Biasi 9 fitore, 4 barazime e 9 humbje. Kur i paharrueshmi Ilia Shuke, përveç të tjerave një teorik i shquar i futbollit, ka 1 fitore dhe 1 humbje: Shqipëria-Finlanda 1-0 dhe Shqipëria-RDGJ 1-4. Është viti 1973. Kjo është gjuha e pamëshirshme e shifrave!…
4. “Pikët” te De Biasi e Shuke!
Që vazhdon edhe te “Renditja IV”. Është mesatarja e pikëve për ndeshje. Vëreni se sa modeste është historia e Kombëtares së Shqipërisë. Edhe në këtë rast, për shkak të bilancit të sipërpërmendur, De Biasi dhe Shuke mbajnë kreun: nga 1 pikë për ndeshje. Sundojnë edhe këtu trajnerët e huaj, teksa papritmas Shuke iu hyn në mes me vetëm 2 ndeshjet e tij. Ndërkaq, prej shqiptarëve të cilët kanë drejtuar Kombëtaren në shumë ndeshje, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vlerësojmë Neptun Bajkon, i vetmi prej tyre që tejkalon gjysmë pikën për ndeshje: 0.54.
*(Për qëllim kushtesh të barabarta është marrë sistemi 2 pikë për fitoren, 1 pikë për barazimin).
5. “Fitoret”, i vetëm De Biasi!
Dhe ja “Renditja V”. Pa dyshim më e rëndësishmja. Fitoret. Shpërthen Gianni De Biasi. Ky është njeriu i rekordit të 9 fitoreve në ndeshjet kualifikuese eurobotërore të Shqipërisë. Cila do të jetë fitorja e 10- të jubilare?…
Na duhet të pranojmë se në këtë tregues ai ka bërë histori. Ai ka vetëm një rival të denjë: Hans Peter Brigel me 6 fitore, për çfarë gjermani ndihet tejet i fortë, kur dihet se ka zhvilluar 3 ndeshje më pak se De Biasi. I afërti më i shquar për to është Loro Boriçi me 3 fitore. Kur, ndërkaq, prej të tjerëve asnjeri më shumë se 2 fitore. Varfëri e madhe, vërtet!…
E këtu po hap një parantezë që ka të bëjë me gazetarinë. Thuajse kudo mbas një ndeshjeje të Kombëtares, trajnerin aktual e gjykojnë ish-trajnerë të Kombëtares. I respektoj, por a kanë kaq fort të drejtë që të shndërrohen në kritikë shpeshherë edhe “të pamëshirshëm”, në një kohë që kur kanë drejtuar vetë mezi kanë arritur pra në vetëm 2, 1, apo dhe asnjë fitore? Sigurisht edhe ata kanë të drejtë të kritikojnë, por… masa në vendin e duhur, siç thuhet edhe në etikën e gazetarisë moderne.
Ndërkaq, lind pyetja: a do të mund të kemi një trajner të kombësisë shqiptare që do të jetë në krye të kësaj renditjeje? Nuk di a do t’ia arrij t’i jap përgjigje edhe kësaj pyetjeje në fund të këtij Dossier-i… Ndërkohë, shihni se sa e paarritshme të duket epërsia e De Biasi-t dhe Briegel-it:
6. “Golaverazhi”: vetëm De Biasi!
Dhe mbërrijmë te “Renditja VI”: golavarazhi më i mirë.
VI. Golaverazhi më i mirë:
1. Gianni DE BIASI 22-20
2. Ilia SHUKE 2-4
3. D.MUSTEDANAGIC 1-3
4. Arie HAAN 3-6
5. Giuseppe DOSSENA 2-5
6. S.DEMOLLARI 0-4
7. Medin ZHEGA 5-10
8. Otto BARIC 12-18
9. Myslym ALLA 1-8
10. Neptun BAJKO 10-19
11. Josip KUZE 9-18
12. Hans Peter BRIEGEL 20-30
13. Zyber KONÇI 5-19
14. Astrit HAFIZI 15-31
15. Shyqyri RRELI 12-37
16. Agron SULAJ 3-28
17. Loro BORIÇI 13-41
18. Bejkush BIRÇE 8-37
Këtu shfaqet dhe varfëria e madhe e vetë historisë së Kombëtares së Shqipërisë. Vetëm një trajner ka golavarazh pozitiv: Gianni De Biasi, me 22 gola të shënuar dhe 20 të pësuar. Mandej plot 17 trajnerë të tjerë, të gjithë pa përjashtim, me golavarazh negativ! No comment! Shqipëria e arritjes së madhe të vitit 2016 është megjithatë e një historie tejet modeste dhe me të vërtetë që nuk ke sa çka t’i komentosh. De Biasi është i vetëm. Nuk ka kundërshtar. Dhe është futur mirë në histori…
7. “Reziston” De Biasi!
Ai është futur e bukur mirë në histori, sidomos me “Renditjen VII”: 22 ndeshje pa ndërprerje trajner i Shqipërisë në kualifikimet euro-botërore. I paprekshmi Gianni De Biasi edhe këtu. Nuk mund të arrihet. Ose mund të arrihet vetëm nëse Shqipëria mbas tij ribën trajner të Kombëtares Rrelin, Hafizin, Briegeli-n, Birçen, Baric-in, Haan-in, Dossenan, Mustedanagic-in. Çka më duket tejet e vështirë dhe për shumë arsye e pamundur. Ndonëse, ndoshta, jo aq absolutisht.
Dihet pra, kemi 18 trajnerë në 53 vjet histori të Shqipërisë në kualifikimet e Kupës së Europës dhe të Kupës së Botës, ndryshe Kampionati Europian dhe Kampionati Botëror. Nuk dihet se cili do të jetë i 19-ti, ndërkohë që sundimi i italianit Gianni De Biasi është thuajse “onnipotente” (i gjithëpushtetshëm). Nuk ka rivalë, ndonëse prapë se prapë diku do ta ketë rivalin, i cili, nën heshtjen e ambicies “sekrete” të tij, me siguri ëndërron për t’u bërë trajner i Shqipërisë… Po tash për tash është vetëm ai sundimtari: Gianni De Biasi i 22 ndeshjeve.
Tek është dhe “Renditja VII”:
“Renditja e madhe” Gianni De Biasi
Kudo De Biasi pra! Në plot 6 prej 7 “renditjeve”! Për secilin tregues, siç u pa këtu, bëhet Renditja nga 1 deri te 18. Kështu sepse mbas drejtimit të papritur të trajnerit Dzemail Mustedanagic në dy ndeshje për shkak të sëmundjes së trajnerit Josip Kuze në vitin 2010, ku si pa dashur boshnjaku bëhet trajneri i 17-të i Kombëtares së Shqipërisë mbërrin i 18-ti: Gianni De Biasi.
Pra, deri më sot Shqipërinë në Kampionatet Europiane dhe Botërore e kanë drejtuar 18 trajnerë. Për të përcaktuar trajnerin më rezultativ, mblidhen pikët, duke konsideruar pikë numrin e renditjes së tyre në secilën prej 7 renditjeve. Kështu që, trajneri më rezultativ është ai që ka shifrën më të vogël përmbledhëse në Renditjen përfundimtare të 7 treguesve.
Renditja e deritashme përkon me ndeshjen e fundit kualifikuese të Kombëtares, atë të Shkodrës Shqipëria-Maqedonia 2-1, që përforcon edhe triumfin e trajnerit Gianni De Biasi në këtë “Referendum” tonin… Them megjithatë se për çastin gara vazhdon. Dhe sot, mbas bukur 53 vjetëve ndeshjesh me plot ndërprerje e rifillime të Shqipërisë “së dikurshme”, Renditja përfundimtare apo “superrenditja” sa për të rënë edhe unë paksa në “superin” që po ia merr frymën gjuhës së gazetarisë sportive, është pra kjo:
Ndokush guxon e po ëndërron se mbas De Biasit do të jetë ai trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Do të rrëzojë Mbretin, kur sundimi i tij duket më i fuqishëm se kurrë. Dhe ata që dëshirojnë ta rrë- zojnë nuk janë të huaj, por shqiptarë. Vërtet? Po, a nuk duhet t’iu kujtojmë se për t’u bërë trajner i Kombëtares, më parë duhet të shkëlqesh në një skuadër klubi apo të atyre kombëtare të moshave më të reja?
E cili trajner shqiptar po shkëlqen në nivel ndërkombëtar kësisoj? Them se nuk është faji i tyre megjithatë. Është dhe faji i Shqipërisë që nuk tregon thuajse asnjë kujdes të veçantë për të formuar trajnerë të kombësisë së saj të rangut ndërkombëtar. Kur nga ana tjetër është vështirë të kuptosh emërimet tejet dyzuese të tyre në kombëtaret e moshave të tjera. Mirëpo, pa një rivalitet të fortë profesional, kjo nuk mund të mbërrihet. E kjo nuk mund të mbërrihet as duke i shndërruar artificialisht trajnerët apo specialistët e futbollit në “komentatorë” e “analistë” të shumtë.
Gianni De Biasi përjeton sundimin e bukur italian të tij mbi Shqipërinë “supreme” të futbollit që është Kombëtarja e saj, njëra nga 24 finalistet e “EURO 2016”. Dhe me meritën e plotë të tij, çka u mundova ta vërtetoj edhe nëpërmjet Renditjes sime. Natyrisht pa parashikuar nëse merita do të vazhdojë edhe më tej…
(Fotot janë marrë nga libri i autorit “KUPA E BOTËS DHE SHQIPËRIA”, 2015)
Nga BESNIK DIZDARI
Komentet