30 dhjetori 2023 shënoi 83-vjetorin e vdekjes së françeskanit e poetit të madh kombëtar shqiptar, At Gjergj Fishtës (23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) — një prej figurave më të mëdha të Kombit dhe Kishës Katolike shqiptare. Në varrimin e Homerit të shqiptarëve kanë marrë pjesë mijëra banorë të Shkodrës dhe personalitete fetare, kulturore e politike nga Shkodra dhe më gjërë. Një prej tyre, Hafiz Ali Kraja — njëri prej personaliteteve më të njohura fetare në Shkodër dhe përtej – mik i ngushtë At Gjergj Fishtës, ka mbajtur me atë rast një fjalim historik që kujtohet dhe citohet edhe në ditët tona, 83-vite pas vdekjes së Fishtës së madh.
Kur një klerik i lartë mysliman shqiptar fliste për një klerik tjetër të madh katolik shqiptar, si At Gjergj Fishta, bota shqitare i respektonte dhe i nderonte dhe i dëgjonte si para-ardhës të bashkjetesës fetare për të cilën shquipotarët kanë marrë fame anë e mbanë botës.
Me këtë rast të 83-vjetorit të vdekjes së At Gjergj Fishtës, ia vlen ta sjellim pjesë nga fjalimi i Hafiz Ali Krajës: “Poet kombëtar, Patër Gjergj! Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja,
rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdha edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.
Nga varrimi i At Gjergj Fishtës 31 dhjetor, 1940
“Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë”, ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar. Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, kanë qenë fjalët e Hafiz Ali Krajës në varrimin e At Gjergj Fishtës.
Ndërsa Profesori i njohur shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Z. Sami Repishti — në një artikull që ka ndarë me lexuesit, botuar disa vite më parë, ka sjellur kujtimet e tija, si dëshmitar i asaj dite të zezë për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, të vdekjes së At Gjergj Fishtës, 83-vite më parë. Në artikullin me titull, “At Gjergj Fishta: Kujtohet e Nuk
Harrohet për Jetë”, Profesori i nderuar Sami Repishti kujton se, “Me 30 Dhjetor 1940, në qytetin e Shkodrës hija e zezë e vdekjes u perhap menjiherë posa erdhi lajmi se At Gjergj Fishta, poeti i jonë kombëtar, kishte ndrrue jetë. Atë vit, unë ishe student i Liceut “At Gjergj Fishta”, dhe bashkë me shokët e mi të klasës, e të shkollës, shpejtuem me marrë pjesë në fillimin e ceremonive që ishin planifikue për këte figurë të madhe të Kombit tonë.
Edhe ashtu ngjau! Grupe studentësh u grumulluen para Kishës Françeskane ku mijëra të tjerë kishin shkue para nesh. Atmosfera ishte solemne. Ma vonë, trupi i mbështjellun në arkivolin që në fillim mbahej në supe vullnetarësh, filloi parakalimin në rrugët e qytetit në mes të nji turme përtej mase të madhe dhe plotësisht të heshtun. Disa hiqnin kapelën nga koka si respekt, të tjerë gjunjëzoheshin para arkivolit, e të tjerë, shumë të tjerë, lotojshin në heshtje para kufomës së Atit të madh shpirtënor. Isha i magjepsun para nji pamje të ktillë e thellësisht i emocionuem!
Profesori Repishti vazhdon kujtimet e tija të asaj dite, duke shkruara ndër të tjera: “Fishten –ashtu e quejshim na e që të gjithë e njihshin vetëm nga mbiemni. E kam njohë që në klasët fillore, në shkrimet e tia epike, tragjike, lirike dhe satirike: ishte figurë familjare për të gjithë. Unë kishe edhe nji arsye tjetër personale: në votimet e vitit 1923, Fishta u zgjodh deputet i Shkodrës në Asamblenë Kushetuese, ma vonë Parlamenti, bashkë me nji grup qytetarësh të respektuem, por kundërshtarë të qeveritarëve me tendenca monarkiste. Në këte grup, u zgjodh edhe baba i im, i ndjeri Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i Shkodrës. Në mes të dy klerikëve lindi dhe u zhvillue nji miqësi që zgjati deri në fund: 1940 për Fishten dhe 1943 për baben tim. U fikën të dy, dhe fatmirësisht nuk përjetuen katastrofën komuniste në Shqipëri”.
Me 30 dhetor 1965, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes, gazeta DIELLI e Vatrës kishte botuar nji seri shkrimesh kushtuuar At Gjergjit, ku Profesor Repishti ka shënuar kujtimet e tija të njohjes së tij me At Gjergj Fishtën: “E kam pa Fishten për të parën herë në vitin 1937, kur nji qytet i tanë, Shkodra tradicionale, përcolli në banesën mortore të re trupin ba skelet i këputun të Hasan Riza Pashës… U desht Fishta atëherë me thanë fjalen e tij, ka kujtuar Profesor Repishti. “Aty kam pa ftyrat, me mijëra, drejtue kah ai që i tërhiqte pa muejtë me u shkëputë, sikur fjalët e shqiptueme nga Fishta përmbajshin nji mshehtësi të paditun ma parë. Asnji herë ma vonë për mue, figura kryesore e qendresës së Shkodrës, nuk ashtë paraqitë ma e qartë. Rradhën tjetër kur e pashë, Fishta shtrihej, pa lëvizje, pa za, ndehej pa shpirt mbi podin mortor të vendosun në mesin e Kishës Françeskane, banesa e tij për shumë vite të gjata, banesa që tri ditë ma vonë i ofroi vendin e qetë për pushimin e përjetëshëm”.
Profesor Repishti kujton atë ditë të varrimit të Fishtës kështu: “Të rreshtuem dy nga dy parakalonte turma në heshtje dhe respekt të thellë. Silleshin rrotull arkës mortore, në nji procesion dhimbje dhe nderimi. Mështjellë në zhgunin e murrmë në të kuq, me të bardhin litar ngjeshë që tre premtimet e bame të Lumit të kujton, fëtyren bardhë si bora, duertë bashkue në nji kryq druni të zi, Fishta që për ne nxanësit zente nji vend në Olimpin me të pavdekëshmit nuk mund të ishte ajo kufomë që nuk flet, që nuk punon.
Cila ishte ndjesia që na mbushte zemrat tona rinore në ato ditë nuk mund ta them me siguri. Ishte diçka si nji perziemje e habitjes që shkaktonte pamja e kufomës pa lëvizje me dyshimin e nji të riut: a vdesin njerëzit e mëdhaj? Ata që na frymëzojnë, na japin jetë, na ushqejnë me mendime, na ngjallin ndjesitë fisnike, na nxisin për veprim, na bajnë, me nji fjalë, me qenë diçka ma shumë se nji frymor që lëvizë pa synim, nji qenie me ide e vullnet, ata pa dyshim e vejnë veten e tyne në nji piedestal ma të naltë, ma të plotë, ma të sigurtë, nji pod që për ne, njerëzit e thjesht, paraqitet simboli i pamërrijtëshëm: nji seli që i takon të pavdekëshmve. Por Fishta kishte mbyllë sytë përjetë! Dy ditë ma vonë, nji qytet që mbarë percolli veshun në zi, njeriun që ma shumë se asnji tjetër ndoshta- në mes të atyne që jetojshin- kishte unjisue emnin e vet me kryenaltsinë e nji turme që kurr nuk deshti me njohë
peruljen…”, ka përfunduar në kujtimet e tija prej dëshmitari, Profesor Sami Repishti, nga varrimi i At Gjergj Fishtës.
Nga varrimi i At Gjergj Fishtës, i cili ka ndërruar jetë në 30-dhjetor, 1940.
Gjergj Fishta është varrosur më 31 dhjetor duke i vendosur një kryq druri tek kryet e varrit të tij, sipas porosisë së vet Poetit: “Nji kryq druni, t’kojsha true/nxierre e venma
përmbi krye…”.
Por për fat të keq të Kombit shqiptar, nuk do të kalonte shumë, sipas dëshmitarëve të asaj kohe, disa njerëz u futën në kishën ku ishte varrosur At Gjergj Fishta, për të zhdukur çdo kujtim të tij, duke marrë trupin e eshtrat e Poetit dhe duke i hedhur në lumin Drin, duke bërë aktin e fundit të hakmarrjes për të zhdukue kujtimin e tij, duke zhdukur eshtrat dhe varrin e tij. Duke menduar se me zhdukjen fizike të At Gjergj Fishtës – madje edhe i vdekur nuk do të kishte më burra si Fishta të cilët nuk do ishin më, “mburojë me i ndejtë Shqipënisë. Por si për çdo gjë tjetër, komunistët ishin të gabuar, megjithëse ia tretën eshtrat dhe varri i tij nuk dihet – veprat e At Gjergj Fishtës as nuk vdesin as nuk do të harrohen kurrë. Varri mund të jetë i zbrazët por Lahuta nuk hesht!
Lahuta e At Gjergj Fishtës – Lahuta e Malëcisë — vazhdon të këndojë sot e mot:
Gëzuar Vitin e Ri, 2024!
————————————————————
“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.” At Gjergj Fishta
“Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!” (At Gjergj Fishta)
Frank Shkreli
“Sot mundohen Grekët të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësuar se
Lahutën.” (Faik Konica).