12 -qershori triumfi i ëndrrës shekullore të shqiptarëve për liri, i vlerave të demokracisë e qytetërimit përendimor mbi despotizmin.
Kosova është djepi i nacionalizmit- adn e qëndresës dhe identitetit kombëtar
Ajo promovon në këtë përvjetor’ një bilanc me arritje të jashtëzakonshme, në forcimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit të së drejtës e zhvillimin ekonomik të saj, ndonëse në një periudhë të shkurtër.
Përmbyllja e bisedimeve me Serbinë duke ruajtur sovranitetin e integritetin territorial, bashkëpunimi me partnerët, SHBA dhe BE dhe integrimi Euroatlantik janë sfidat e radhës.
12-të qershori i vitit 1999-të është një ngjarje e madhe në enciklopedinë kombëtare.
Ajo është ditëlindja e Kosovës së lirë.
17-të shkurti 2008-të, dita kur Parlamenti i Kosovës shpalli me votë unanime pavarësinë e saj, së bashku me 28-të nëntorët e viteve 1443 dhe 1912-të janë trinomi historik më i rëndësishëm i Kombit Tonë.
Kosova apo Dardania, siҫ njihej në kohët antike, është epiqendra e betejave të mëdha, ҫka i jep me të drejtë e me plot meritë epitetin “Djepi i Nacionalizmit Shqiptar”.
Ajo ndodhet në një pozicion gjeostrategjik të favorshëm, në një nyje ku kryqëzohen rrugët e rëndësishme të Ballkanit dhe të Europës kontinentale.
Është e pasur si askush tjetër në tokën e nëntokën e saj.
Kosova u bë në shekuj shesh betejash me perandoritë e mëdha Romake-Bizantine – Sllave – Osmane.
Banorët e kësaj treve të lavdishme të Atdheut, me qëndresën e tyre epike, arritën të ruajnë brez pas brezi traditat dhe zakonet e të parëve, kulturën e mënyrën e jetesës.
Atë nuk mundi ta asimilonte Roma e fuqishme, Kostandinopoja, apo Perandoria e Car Dushanit.
Kjo i dedikohet faktit se në udhëkryqet më të errëta të historisë, kjo tokë e bekuar lindi korifejtë, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe atë të njerëzimit.
Kosova, apo Dardania antike i dha Romës Perandorin e ndritshëm Konstandinin e Madh, Bizantit Justinianin dhe Niket Dardanin, botës Shën Terezën dhe Kombit të vet burra mendjendritur e të pavdekshëm me Lekë Dukagjinin, Pjetër Bogdanin, Ibrahim Rugovën.
Liria e Kosovës është epilogu i lufëtrave të përgjakshme 600 -vjeçare për çlirim kombëtar të burrave e grave të saj, qysh nga Beteja e Fushë- Kosovës e vitit 1389-të e deri në ҫlirimin e saj nga Serbia me dt 12- të qershor të vitit 1999-të.
Në kalendarin e historisë së saj janë shumë të pakët muajt e vitet në të cilat mungojnë betejat e kryengritjet e përgjakshme.
Kosova Dardano–Arbërore është protagoniste absolute në të gjitha ngjarjet e mëdha historike me ndikim në rrugëtimin e popullit shqiptar.
Në Kuvendin e Lezhës të thirrur nga Moisiu Ynë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) të marsit 1444 me Dukagjinët e Shpanët.
Në Kuvendet e mëdha të Dukagjinit e Kuҫit 1602–1614-të.
Me Lidhjen e Prizrenit të vitit 1878-të e atë të Pejës të vitit 1899-të.
Në Kuvendet e Junikut e të Shkupit, të vitit 1912 në të cilat u hartua platforma e kryengritjes së përgjithshme kombëtare e vitit 1912-të për liri e pavarësi dhe bashkim kombëtar.
Në Konferencën e Bujanit, në Malësinë e Gjakovës dhjetor 1943- janar 1944 ku u arrit bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, sipas Kartës së Atlantikut, e drejta për vetëvendosje e popujve, pas Luftës së Dytë Botërore. Por dhe ky Kuvend u tradhëtua nga komunistët shqiptarë e jugosllavë, ashtu si konferenncat dhe kuvendet e tjera.
Beteja për Kosovën e lirë, e finalizuar më 12-të qershor të vitit 1999-të, është triumfi jo vetëm i qëndresës dhe sakrificave mbinjerëzore dhe i ëndrrës shekullore të shqiptarëve për liri, por edhe i vlerave të demokracisë e qytetërimit perëndimor kundër despotizmit milloshoviҫian si bartës i ideologjisë shoviniste dhe ekspancioniste të Serbisë së Madhe.
Kosova si asnjëherë tjetër në histori ja doli të zgjojë ndërgjegjen e kombeve të lira, të SHBA-së, BE-së, dhe të NATO-s, si aleanca më e fuqishme politike- ushtarake e historisë.
Në çdo përvjetor të çlirimit e të pavarësisë së Kosovës është në nderin dhe traditën tonë të lashtë kombëtare t`u shprehim mirënjohjen SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Austrisë, Batalionit të Atlantikut dhe të gjithë atyre vendeve të cilat iu bashkuan flamurit të NATO-s dhe luftuan për lirinë e Kosovës.
Rruga drejt çlirimit dhe pavarësisë ishte e gjatë dhe e vështirë.
Janë dashur të gërshetoheshin shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm.
Të kapet në kohën e duhur momenti historik.
Të krijohet kohezioni i shtresave të historisë, intelektualëve, shoqërisë civile e zonave rurale.
Konsolidimi i kauzës kombëtare i “lirive dhe të drejtave të njeriut” dhe sigurimi i aleatëve ndërkombëtarë.
Demostratat e fuqishme të viteve 1968-të dhe 1981-1989-të të rinisë studentore e të popullit të Kosovës dhe shtypja e tyre nga regjimi i Jugosllavisë Titiste, Milloshoviҫiane, treguan se me një botë të ndarë nga perdja e hekurt ideologjike, politike e ushtarake, ishte tepër e vështirë, në mos e pamundur për ҫlirimin nga prangat e robërisë.
Shkurt do të duhej një mrekulli në skenën botërore të politikës dhe një mendje e ndritur, për të vënë në sinkron akrepat e orës së popullit të tij, me atë të Grenuiҫit të Londrës.
Kosova e pati këtë fat dhe kapi këtë moment historik, gati njëherësh me shembjen e Murit të Berlinit, ngjarjes që i dha fund ndarjes ideologjike dhe ҫoi në shembjen e perandorisë komuniste.
Intelektualët patriotë e vizionarë të Kosovës krijuan LDK-në, partinë e parë antikomuniste në Europë, e cila do të bëhej projektuese, udhëheqëse dhe garante e suksesit, të lëvizjes pacifiste për lirinë e pavarësinë e saj.
Me daljen në skenën politike të Kosovës si kryetari i LDK-së dhe udhëheqës i rezistencës paqësore Dr. Ibrahim Rugova, do të tregonte qartë një akt të pashembullt guximi, përkushtimi ndaj vendit të tij. Me veprimtarinë politike e diplomatike, Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Kaҫanikut, krijimin e pushtetit paralel, ndërkombëtarizimin e Ҫështjes së Kosovës dhe gjetjen e aleatëve të fuqishëm për kauzën e lirisë, Dr. Rugova do të konfirmohej si një gjeni i politikës.
Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, mirënjohje e nderim të thellë, UҪK-së së lavdishme, Shtabit të saj të Përgjithshëm të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, trurit dhe pushkës liberatore të Ramush Haradinajt, Ali Ahmetit, etj.
Përkulje me respekt për flakadantët e pashuar të lirisë, të cilët u bënë burim frymëzimi e krenarie, të gjithe atyre djemve dhe vajzave që derdhën gjakun, dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën për lirinë e Kosovës, për ta shkruar emrin e tyre me shkronja të arta në Panteonin e Historisë Kombëtare.
Këto rreshta le të shërbejnë si kurorë me lule në kujtim të veprës sublime të Adem e Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit, nënë Aze Brahimajt, Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut, Luan Haradinajt, Shkëlzen Haradinajt, Enver Haradinajt, Sadri Zenelit, Myrt Zenelit, Agim Ramadanit, Salih Ҫekajt, Tahir Sinanit, Bylbyl Breҫanit, Fatmir Doҫit, Bedri Shalës, Bekim Berishës, Adrian Krasniqit, Muj Krasniqit, vëllezërve Gursel e Bajram Sulejmani, Njazi Azemit , Agron Ramës, Mujdin Aliut, Fadil Nimanit, Ismet Jasharit, Iljaz Kodrës, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Elton Zherkës, Yll Morinës, Urim Rexhës, Ingrit Carës, të cilët u bënë gur themeli për çlirimin e Kosovës.
Ata ranë për të realizuar ëndrrën e mbetur përgjysëm të Zhuj Selmanit, Mic Sokolit, Sulejman Vokshit, Ymer Prizrenit, Ali Pashë Gucisë, Sef Koshares, Haxhi Zekës, Isa Boletinit, Azem Galicës, Ahmet Delisë, Dedë Gjon Lulit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, Ukshin Hotit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës.
Epopetë e Jasharajve dhe Haradinajve, do të mbeten përjetësisht të pa shlyera në histori.
Këto dy familje emblematike të Kombit tonë i dhanë UҪK-së komandantin legjendar Adem Jasharin dhe gjeneralin më të rëndësishëm të terrenit në shekullin e 20-të, Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili me betejën e gjatë me drejtësinë ngadhnjeu dy herë në Tribunalin e Hagës dhe në Kolmar të Francës, duke çertifikuar kauzën e UÇK- së për realizimin e ëndrrës shekullore për lirinë e Kosovës.
Haradinaj u ba barrikadë e pakapërcyeshme në Samitin e Berlinit, ndonëse i vetëm shterroj ëndrrat serbiane për ndarjen e Kosovës.
Mirënjohje e përjetshme për kalorësit e lirisë, Bill Klintonin, Madeleine Albright, gjeneralin Klark, Havier Solanën, Riçard Hollbrukun, Toni Blerin, Eliot Engëllin, Presidentin Xhorxh. W. Bush, Hilary Klintonin, Bob Dole, Joseph Dioguardin, ambasadorin Wallker, të cilët do të ngelen përjetë miq të përjetshëm e të papërsëritshëm të Kombit Shqiptar.
Askush sa Kosova nuk ka derdhur gjak për liri.
Asnjë krahinë tjetër e trojeve etnike shqiptare nuk është martirizuar sa Kosova.
Në vitet 20-të të shekullit të 20-të, Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene u krijua dhe doli në skenën politike të Balllkanit si një përbindësh i egër, hibrit, produkt i ideologjisë nacionaliste dhe i mitologjisë së frymëzuar nga ëndrra e “Serbisë së Madhe” të epokës së Car Dushanit.
Për rreth një shekull të sundimit në Kosovë, Jugosllavia Monarkiste dhe ajo Titiste ka vënë në jetë një projekt kolonizues e shfarosës ndaj shqiptarëve.
Projektet politike të hartuara nga Vaso Ҫubriolloviҫi e Ivo Andriҫi janë pararendëse të Holokausit –Nazisto – Hitlerian, për nga përmbajtia e brutaliteti i tyre.
Ashtu siҫ është për nazistët ҫështja e hebrejëve, ҫështja e shqiptarëve, shpërngulia dhe shfarosja e tyre, është problem themelor i makinerisë vrasëse të shtetit serbo – sllavë në Kosovë.
Nëse kthehemi në histori, vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912-1913-të janë vrarë 500 mijë shqiptarë.
Leo Freundlih (hebre) austriak, botoi librin “Golgota Shqiptare”, që protestonte kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët.
Në vitet 1912-1913, ushtria serbe vrau gjysëm milion shqiptarë.
Libri i tij “Akuzat që ulërijnë” është dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli europian para atij hebraik.
Mbi 250 mijë shqiptarë u masakruan vetëm në veriun etnik të Shqipërise gjatë vitit 1912-të.
Me qindra e mijëra kufoma notonin në rrjedhat e lumenjëve.
Ata që mundën t`i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe grumbulloheshin në vende të caktuara dhe iu jepej nga një plumb kokës.
Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare të cilat përdhunoheshin, lidheshin, më pas mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla.
Në rast se ato ishin shtatëzana u çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjëve.
Pas masakrimit serbët pinin verë dhe hidhnin valle. Kishte raste që gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe hapnin gostinë me të.
Kështu i përshkruante masakrat mizore serbe ndaj shqiptarëve, Leo Freundlih “Golgota Shqiptare “1913-të.
Freundlih thekson se serbët deshën të shfarosnin tërë kombin me rrënjë e me degë.
Doktor Lonte, nje mjek Romun me 6-të janar 1913-të, kishte raportuar në “Adeverul” të Bukureshtit, se mizoritë të cilat i kishte bërë armata serbe mbi shqiptarët, të cilat i kishte parë vetë kishin qenë shumë më të trishtueshme se sa mund t`i imagjinojë njeriu.
Dr.Leonte në një përshkrim të dëbimit të qindra shqiptarëve të zënë rob, shkruan:
“Këta njerëz të shkretë duke ecur rrugëve nga rraskapitja, uria dhe etja, rrëzoheshin përtokë, kurse ushtarët serbë në ato çaste ua ngulnin bajonetat në fyt duke u shkuar currili i gjakut dhe duke mbetur plot kufoma të pa varrosura rrugëve”.
Edhe fushat ishin mbuluar me kufoma e trupa të vrarë, duke përfshirë të rinj, gra e fëmijë.
Një vajzë shqiptare 15-të vjeҫare shkruante Dr Leonte, ishte rrëmbyer dhe ishte dërguar në kështjellën e Nishit.
Ajo ishte e dyshimtë se ka hedhur bomba kundër serbëve, të cilët kishin hyrë në Ferizaj.
Vajza e vogël e ngarkuar me krim, ju dorëzua ushtarëve serbë të cilët e goditën me shkop në kokë derisa ia bënë kafkën copa – copa.
Dr. Leonte përshkruan edhe masakrat e bëra nga serbët në Kumanovë, Prizren etj.
Me datën 12-të nëntor 1912-të, gazeta “Daily Chrunicle” (kronika ditore) kishte raportuar se masakrimi i shqiptarëve nga serbët ishte një fakt i pamohueshëm.
Afër Shkupit 2- mijë shqiptarë myslimanë dhe 5 mijë të tjerë në zonat e Prizrenit u masakruan.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitet 1944-1946-të, nga armata ushtarake jugosllave u vranë dhjetëramijë shqiptarë.
Kjo tragjedi kulmoi me masakrën e Tivarit e ideuar nga binomi Tito –Rankoçiҫ dhe e bekuar nga diktatori Enver Hoxha, me misarët e tij Shefqet Peҫi e Ramiz Alia.
Genocidi ndaj tyre është i pashembullt në historinë e Europës.
Në një shekull sundim Serbia i ka shkaktuar Kosovës mbi 80 mijë viktima.
Në shpërnguljet masive drejt Turqisë me marrëveshjet famëkeqe Serbo – Turke të viteve 1938-1952, nga trojet e tyre amëtare janë shpërngulur 500 mijë shqiptarë.
Projekti Milloshoviҫian i koduar si operacioni “patkoi” për shpërngulien e shqiptarëve dëboj mbi 1 milion shqiptarë nga vendi i tyre në vitin 1999-të.
Vrasja e mbi 10 mijë qytetarëve kosovarë, masakrat ҫnjerëzore sidomos ajo e Reҫakut, i treguan botës së qytetëruar fytyrën e vërtetë të shtetit serb e politikës së tij.
Beteja për ҫlirimin e Kosovës ishte për SHBA-në në rradhë të parë një betejë morale, në themel të së cilës qëndronin liritë dhe të drejtat e njeriut.
Parimi i vetëvendosjes së popujve e sanksionuar në Kartën e Atlantikut, “E drejta historike dhe ajo ndërkombëtare“.
Kosova qysh me Deklaratën e Pavarësisë është konfiguruar si një shtet laik e demokratik që njeh e rrespekton konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ato të minoriteteve.
Përkundër masakrave të tmerrshme që kreu në Kosovë ushtria e Millosheviҫit dhe bandat para militare të Arkanit, shqiptarët e Kosovës nuk u hakmorën në asnjë rast ndaj komunitetit serb, duke i dëshmuar mbarë botës një nivel qytetërimi e tolerance, dukshëm superior ndaj atyre mendjeve të errëta të mbrapshta që projektuan dhunën e genocidin ndaj popullit të Kosovës.
Kosova tashmë është një realitet i ri në Ballkan.
Një faktor paqeje e stabiliteti.
Për një kohë të shkurtër, pak më shumë se një dekadë si shtet i pavarur, Kosova ka bërë hapa të sigurtë në rrugën e forcimit të demokracisë, konsolidimit të shtetit të së drejtës.
Ajo ka Ushtrinë e sajë për mbrojtjen sovranitetit e integritetit territorial dhe sëshpejti do të fillojë rrugën e integrimit në strukturat Euro-Atlantike, duke i treguar botës se ajo meriton plotësisht lirinë, pavarësinë e konsolidimin e saj.
Urime Kosovë.
Gezuar ditën e lirisë.
Komentet