Në këtë përvjetor të lindjes, Urimet më të mira, jetë gjatë e të suksesshme, birit të Vlorës, Nestor Jonuzi!
Nestor Jonuzi(1944), Piktor i Popullit, i cili, jo vetëm nuk e njohu të Atin, por nuk i tha goja kurrë “Baba”.
Nestor Jonuzi është përfqësuesi më autentik i Fisnikërisë Vlonjate, krenari e qytetit të Pavarësisë, që me historinë dhe bukurinë e tij të pakrahasueshme, me dy detet dhe natyrën përrallore, falë talentit të tij të lindur, e bënë atë, një artist me famë.
Emri dhe fama e Nestor Jonuzit nderon familjen që e lindi, familjen që ka krijuar së bashku me bashkëshorten, fëmijët, me nipër e mbesa. Ai është Nder i Qytetit që e lindi, Vlorës, së cilës i ka kushtuar jetën përmes pjesës më të madhe të pikturave të tij e veçanërisht shoqërinë e tij të mrekullueshme, që në idividualitetin e tij çmon piktorin e madh dhe qytetarin, ose vlonjatin e mirë. Cilido e nderon këtë personalitet, pasi ai me penel e tellajo ka paraqitur historinë, bukurinë dhe ashpërsinë e jetës, ndaj me të drejtë është cilësuar një Vlerë e Kombit. Ai njihet si Njeri i mirë, qytetar i mirëilltë dhe Vlonjat i mirë, cilësi që ia rrisin atij autoritetit.
Cili është Nestor Jonuzi?
Nestor Jonuzi lindi në qytetin e Vlorës, më 15.10.1944, pak javë para çlirimit nga pushtuesit nazi- fashistë. Ka prejardhje nga familja fisnike “Jonuzi”, me origjinë nga Elbasani, por që ka marrëdhënie fisnore dhe miqësie me familjet më fisnike të Vlorës.. Nuk ka fis dhe familje në Vlorë e më gjerë që të mos e njoh gjyshin e tij, tregtarin, Musa Jonuzi, i cili ka pasur Ekskluzivitetin (të drejtën) e tregtimit të filxhanëve prej porcelani të kafesë që mbanin emrin e tij, (Musa Jonuzi) si në pjatë dhe në filxhan, të cilët prodhoheshin në Venecia.
E ëma e Nestorit, Lake Avdullahu, është e bija e Ibrahim Avdullahut, intelektual i njohur, një personalitet me influencë në Vlorë. Ka kryer Universitetin e Stambollit për Drejtësi. Është ndër themeluesit e Klubit “Labëria” dhe drejtues i tij. Për këtë arsye Ibrahim Avdullahu dhe të tjerë u kapën nga turqit më 1908 dhe i çuan në Stamboll, ku rrezikonin dënim me vdekje. Pasi u kthye në atdhe vazhdoi aktivitetin dhe ishte një nga njerëzit më të afërt të Ismail Qemalit. Pas shpalljes së Pavarësisë është Kryetar i Bashkisë së Vlorës (1912–1914). Në mars të 1914 shkoi në Francë si përfaqësues i Vlorës për t’u këshilluar me Ismail Qemalin. Në 1914 kryeson negociatat me rebelët për të shpëtuar Vlorën nga shkatërrimi. Kryengritësit kërkuan largimin e tij si kryetar i Bashkisë. Ibrahim Avdullahu, ka qenë një nga personalitetet më me influencë në Vlorë. Në vitin 1923 vuri kandidaturën për deputet.
Nestori është i biri i Tahsin Jonuzit, i cili studioi për arkeologji, histori e filozofi në Austri (Grace), ku mbrojti doktoraturën dhe mori gradat shkencore Profesor-Doktor. Më 14 gusht 1944 u arrestua nga gjermanët bashkë me 39 burra të tjerë që përfunduan në krematoriumet e Mat’hauzenit. Tahsini la pas gruan të re shtatëzënë dhe me një djalë, Mentorin. Ai kurrë nuk e mësoi se ishte bërë me tjetër djalë. Nestori u rrit pa baba, jetim dhe gjithçka e fitoi nën kujdesin e nënës, fal talentit dhe vullnetit për të realizuar veten. Sot, jo pse është Piktor i Popullit, por ai është vetvetja në artet e bukura dhe kënaq shijet e njerëzve që e admirojnë pikturën dhe janë në gjendje ta lexojnë atë.
Nestori arsimin fillor e tetëvjeçar i kreu në qytetin e lindjes.Në vitin 1962 shkoi me studime në liceun artistik“Jordan Misja” në Tiranë. Në vitin1965 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve (Tiranë), dega e Pikturës.
Ai pati si udhëheqës artistik në artin e bukur e të vështirë të pikturës, piktorët e shquar Abdurrahim Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhemdin Zajmi, Vilson Kilica, të cilët ishin pedagogët e tij. Duke qenë i talentuar, me ecuri të lartë në studime dhe pikturë, Nestori e mbaroi Institutin 2 vite përpara. Pra 4 vite studime, i bëri në 2 vjet, fenomen i rrallë për kohën. Është një fakt që tregon talentin e rrallë dhe intelektin e tij.
Bregu ku piktori i Popullit gjen veten në magjinë e natyrës së pakrahasueshme dhe matë vendlindjes së tij, Vlorës
Drejt Pavarësisë
Pas studimeve, me një diplomë të merituar, u kthye në qytet, por askush nuk e emëroi, së paku të jepte lëndën e vizatimit, por e futën në NTAN si bojaxxhi. Ishte koha e Revolucionit Kulturor kinez, ku nisi etapa e tretë e luftës së klasave, u prishën institucionet fetare (kisha e xhamia), u arrestuan e u internuan qindra e mijëra familje shqiptare. Gjithsesi Nestori nuk ela penelin, por vazhdoi me një vullnet të jashtëzakonshëm, ashtu fjalëpak para tellajos prezantonte vendin e tij mes ngjyrave dhe talentit.
Ka një veprimtari krijuese shumëplanëshme, me ekspozita të shumta në vend e jashtë shtetit, me vepra në fondin e Galerisë Kombëtare, Vlorë, muze, nëpër institucionet shtetërore si dhe tek shtëpitë e miqve dhe dashamirësve të pikturës. Në disa portrete dhe kompozime ka në epiqendër Themeluesin e Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalin. Piktori Nestor Jonuzi dikur bonte pjesë në ata piktorëqë kritika e kohës, e ka nënzëritur pa bërë bujë. E kanë pëlqyer, e kanë admiruar artin e tij të shprehur në tellajo dhe me pëshpërimë të zvargura që të mos i dëgjonte kush, bashkë me piktorët e shquar të qytetit si Skënder Kamberin dhe Nestror Jonuzini quajtën ,“Shkolla e pikturës së Vlorës”., ose “Shkolla e Vlorës”, ndoshta kundër dëshirës së tyre partiake.
Në të vërtetë në Vlorë shkolla e pikturës ka nxjerrë piktorë me emër jo vetëm brenda vendit, por, edhe jashtë kufijëve të kombit. Të tillë janë: Skënder Kamberi dhe Nestor Jonuzi, që janë vlerësuar me titullin “Piktor i Popullit”.Veç tyre në Vlorë janë piktorë të shquar si, Agron Dine” Mjeshtër i Madh”, Sabaudin Xhaferi, Petrit Ceno, Agim Sulaj, Rakip Shabani etje… Në fakt, arti vetëshfaqet si qenësi vetjake, ku secili dallon nga të tjerët, duke krijuar mëvetësinë e tij artistike. Çdo piktor ka veçoritë e tij artistike, që varen nga vetëqenia ose Nevetja, e cila përkufizon formimin e karakterit të çdo individi. Aq më tepër formimi i një artisti varet nga trashëgimia e genit, edukata, intelekti që vë në lëvizje talentin e lindur, shkalla e kulturës dhe vullneti për të realizuar ëndrrën, të çojnë në origjinalitetin e çdo dege të artit apo shkencës.
Prandaj një artist i madh është, njëkohësisht, edhe një “shkollë” më vehte, sepse në veprat e tij ai përçon një stil të vetin. I tillë ka qenë dhe vazhdon të jetë “Piktori i Popullit” Nestor Jonuzi.
Horizonti që përshfaqet teksa vëren pikturat e Nestorit në galeri, ku përfshihet e tëra e qenësishme brenda një tabloje, ishte e huaj për normat e Realizmit Socialist, pasi syri dhe ndërgjegja e piktorit shihte tej realitetit që jetonte një komunitet i mbyllur, i ndarë për së gjalli nga bota e kulturuar. Kjo varej nga këndvështrimi i piktorit Jonuzi për jetën në veçanti dhe botën në tërësi. Koshienca dhe subkoshienca(DIJA dhe NËNDIJA) e një piktori të talentuar, gjenden tek Mbindërgjegja, ku artisti del mbi veten, mbi realitetin që ai përjeton. Kritika socialiste kishte shikim të lëbyrtë për t’i analizuar dhe vlerësuar pikturat e Nestorit, paçka se doktrinës marksiste nuk ia kishte qejfi të bënte përveçime e tubime shkrimtarësh e artistësh në rrethe të identifikuara, që i bashkonte diçka “ndryshe”, sikurse dhe i dallonte diçka nga e tërësishmja, nga “kopeja”, sepse këto ishin metodat e Realizmit Socialist. Mirëpo artisti i shquar s’ka nevojë për të qenë pjesë e një Grupimi, Lidhjeje, Shkolle, Metode, sepse ai vetë, me forcën e talentit të tij,pasi me talentin dhe punën e tij përbën një grup, një lidhje, një shkollë, një metodë krijuese më vete. Nestor Jonuzi, duke qenë vetvetja, si rrallë bashkëkohës të tij në artin e pikturës, e ka brenda Qenies së tij atë që u tha më sipër. Ai është në radhen e piktorëve më të shquar shqiptarë e pa pikë dyshimi, sipas meje hyn ndër koloristët e mrekullueshëm dhe peizazhistët ku në atë hapësirë të telajos, syri ngulet te imazhi i piktorit dhe vështirë se largohet prej andej. Artisti para pak kohësh hapi një ekspozitë në Vlorë, ku vizitorët në biseda me njëri-tjetrin, duke shijuar penelatat e piktorit ndjenin emocionet e tij estetike derdhur me mjeshtëri artistike dhe jetësore nëpër peizazhe, portrete, akuarele dhe përtej realitetit. Të përshkruhet ndjeshmëria e artistit është e vështirë, madje e pamundur të shpjegohet përmes fjalës apo ligjërimeve, pasi aty pasqyrohet gjendja e brendshme e tij. Janë ndjesitë që lindin brenda Nevetes së tij që reflektojnë dhe përjetësohet një botë realëe në tellajo përmes penelit të tij. Tek shikuesit e ndjeshëm krijohet pështypja sikur në çdo pikturë të tij, vërejnë një vallëzim mes ndjenjave të piktorit, natyrës, dritëhijeve që ngrihen në revoltë nga brendësia e shpirtit të tij. Përmes imazhit dhe lojës së ngjyrës, diçka shpesh e pashpjegueshme me fjalë, diçka jo njerëzore, thuajse mistike, të kaplon trup e shpirt, të cilat i shijon syri, i ndjen thellësisht zemra dhe i përcepton mendja. Këto ndjesi ushtron arti i tij tek artdashësit.
Ndoshta dhe vetë Nestor Jonuzi, po ta pyesësh befasisht, s’do arrij ta shpjegojë deri në fund atë çka syri i tij estetik, subkoshienti, intuita dhe ndjeshmëria e çastit improvizues gjatë atij harku kohor derisa ideja apo imazhi shndërrohen në një vepër të arrirë.
Çfarë gjen syri zhbirues i cilitdo dhe i mijëra shikuesëve, çfarë shquan apo i bije në sy në pikturat e Nestorit? Sa hyn në një ekspozitë të tij, vëren vallëzimin e ngjyrave, një shkrirje nuancash të së kuqes, portokallisë, të verdhës, kafes, të plumbtës, të argjendtës, krejt ai horizont gati kozmik si në një yllësi a galaksi ku përflakja vjen nga tej horizontit, ose nga sipër nga retë , gjë që të jep një ndjesi adhurimi deri në dehje kënaqësie shpirtërore, ku dimensionohen fisnikëria, madhështia dhe potenca, pra diçka tej realitetit. Në pikturat e tij të josh kontrasti estetik i ngjyrave, dimensioneve, dritëhijeve, ku zotëron harmonia mes natyrës, rrymave të dritës, ajrit dhe sendeve të vendosura mjeshtërisht në tellajo, që të çojnë drejt përjetësisë. E përbashkëta e peizazheve të Nestorit me dimensiobne të mëdha apo të vogla, është ndjenja e një kënaqësie ngazëllyese, që lë mbresa edhe pasi ke dalë nga galeria apo ekspozita. Dhe ti i larguar me ndjesinë e së bukurës, e magjikes, rrugës kuvendon me Neveten, duke nënzëritur ëmbël: “Duket sikur këto piktura i ka vendosur aty Dora e Perëndisë së Bukurisë , e cila miraton nga lart kënaqësinë që kanë përciellë tek vizitorët apo artdashësit. Kurse njeriu artist fshihet nën syrin soditës dhe të mrekulluar të piktorit, i cili në lëbyrtësinë e muzgut, i zhytur në natyrë bëhet njësh me të, me bukurinë e jashtëzakonshme të mëngjeseve të argjendëta dhe perëndimeve të rralla e të papërsëritshme të qytetit të tij të lindjes, Vlorës”. Pastaj nën ndjesinë, apo efektin mistik të natyrës, e ka radhën peneli dhe ngjyrat fisnike, si, e bardha , okra, e murrmja dhe e hirta… I njohur për fuqinë e koloritit ai sjellë lindjet e praruara të diellit dhe perëndimet origjinale.
Prandaj admiruesit e pikturës, ndjehen mirë me të madhërishmen që gjejnë në pikturat e Nestorit, ku admirojnë horizontet e përflakura, paanësinë e të ujtës që tretet në kaltërsië dhe në pafundësinë e detit, hapësira të pamata, kontraste relievesh të vendit tonë deri në male të larta të thinjura prej moshës. Kjo harmoni që mbizotëron në pikturat e Nestor Jonuzit, ngjason me pentagramin në një orkestër Simfonike drejtuar nga dirigjenti. Këtu qëndron edhe sekreti i pikturave të Nestor Jonuzit, që veç harmonisë mes ngjyrave aty shprehet muzikaliteti i veprës e cila flet ëmbël : “Unë jam e bukura, qetësuesja dhe harmonizimi që sundojnë jetën!”
Në çdo kohë , kudo që të jetë, në Tiranë apo në Vlorë, atë e gjen në studio duke punuar. Talenti nuk njeh as moshë dhe as lodhje. Për Nestor Jonuzi , si piktor i shquar dhe i mirënjohur, janë të huaja si mosha dhe lodhja.
Nestor, pranoni urimet tona : Gëzuar dhe festofshi dhe shumë vite të tjera Ditëlindjeje , me Djanën, fëmijët, dhe nipërit e mbesat!Qofsh gjithmonë i suksesshëm
Ju urojmë shëndet!
Vilhelme , Fitimi dhe Familja Haxhiraj
Vlorë 20. 10 2020
Komentet