Opera “Carmen” do të vijë në skenën e Pallatit të Kongreseve me regji nga Gëzim Myshketa. Një nga artistët e njohur shqiptar me sukses në skenat e huaja dhe ato shqiptare rikthehet këtë herë në Tiranë për një tjetër projekt, në skenë do të sjellë veprën e famshme të Bizet. Për këtë shfaqje janë angazhuar artistë të njohur shqiptarë të skenës operistike, por mësohet se do të ketë dhe pjesëmarrje artistësh të huaj, që vijnë për këtë shfaqe që do të jetë në skenë mbrëmjet e datave 30 dhe 31 janar, për të vijuar dhe në data 1, 2 dhe 3 shkurt në Pallatin e Kongreseve. Baritoni i njohur Gëzim Myshketa i cili po vijon me sukses aktivitetin e tij operistik në skena të ndryshme këtë herë jo vetëm që do të jetë në skenë si këngëtar por dhe e gjithë shfaqja do të vijë me regji prej tij. Emra artistësh si tenori Armaldo Kllogjeri, sopranoja Eva Golemi, etj, janë pjesë e kastit. Por nuk do të mungojë dhe artistë nga trupa e baletit. Kjo shfaqje do të jetë dhe e para për këtë sezon nga artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Artisti i skenës operistike, Myshketa mësohet se do të luaj rolin e Escamilos në veprën “Carmen” të Georges Bizet bazuar në libretin e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy. “Carmen” është opera tragji-komike në katër akte e cila për herë të parë ishte performuar më 3 mars të vitit 1875 në Paris, ndërsa në Operën gjermane në Berlin premiera e kësaj shfaqje ishte dhënë më 11 maj 1979. Tema e operës bazohet në nevojën absolute të Carmen për liri dhe insistimin e saj në marrëdhënie të bazuar në pavarësi të plotë. Tregimi i Carmen dhe Don José, përfundon me një vrasje tragjike. Vepra përmes skenave komike prezanton të gjitha emocionet dhe tiparet e gjendjes njerëzore mendjelehtësinë, marrëzinë, joshjen, mizorinë dhe fatin. Muzika e operës është e mbushur me melodi që të mbetet në mendje dhe është e dominuar nga vallet dhe ritmet spanjolle. Gëzim Myshketa u diplomua me nota maksimale në Konservatorin “Arrigo Boito” në Parma, nën drejtimin e mjeshtrave Giuliano Ciannella dhe Lelio Capilupi. Vetëm 20 vjeç debuton në rolin e Figaros në “Le Nozze di Figaro” nën dirigjimin e Antonello Allemandit dhe më vonë me fituesit e konkursit ndërkombëtar Giuseppe di Stefano Trapani. Fituesi i 57- të Konkurrencës As.Li.Co 2006, ai bëri debutimin e tij si Don Giovanni dhe Leporello në Circuito Lirico Lombardo dhe Opera de Massy. Në vitin 2008 ai fitoi Konkursin Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës ” Francesco Paolo Tosti ” etj. Ndër vite si dhe tani aktiviteti i tij operistik është vlerësuar jo pak dhe nga kritika dhe publiku. Ndërkohë që në ditët e fundit të muajit janar publiku shqiptar do ta gjejë me operën “Carmen” në Tiranë.
Vepra “Carmen”
Vepra më e njohur dhe e suksesshme e kompozitorit francez Georges Bizet është opera “Carmen”, por ai vdiq pa e ditur këtë. Kompozitori ndërroi jetë në moshën 37-vjeçare me shqetësimin se “Carmen” nuk u prit mirë nga audienca e Parisit në vitin 1875. Masa nuk e vlerësoi por Tchaikovsky parashikoi se “Carmen” do të bëhej opera më e njohur e të gjitha kohërave. Georges Bizet, kompozitor i madh e artist realist. Simfoninë e tij të parë Georges Bizet e shkroi kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, si një detyrë studentore. Duket se Bizet e harroi krejtësisht atë deri kur u zbulua përsëri në vitin 1935, në arkivat e bibliotekës së Konservatorit. Kjo vepër e tij spikati për freskinë muzikore të jashtëzakonshme./Julia Vrapi
Komentet