Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë të martën se Rusia është duke kryer sulm kibernetik kundër Kosovës “pas njoftimit tonë për ta mbështetur Ukrainën me pajisje ushtarake”.
Në një njoftim në rrjetin social X, Gërvalla tha se Ukraina “po mbrohet arsyeshëm kundër agresionit dhe gjenocidit rus”, dhe se “ne e dimë prej gjenocidit të Serbisë kundër Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”.
Ajo nuk dha hollësi rreth sulmit kibernetik kundër Kosovës.
Kosova është solidarizuar me Ukrainën menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022.
Shteti ka ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke vendosur dhjetëra runde sanksionesh ndaj Rusisë si dhe ka strehuar gazetare ukrainase në Kosovë.
Rusia është njëra prej mbështetësve kryesore të Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.
Ndërkohë, autoritetet kosovare e kanë akuzuar edhe më herët Rusinë se po shtyn Serbinë të nxisë tensione në vendin fqinj, ndonëse pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga Rusia.
Shtatorin e kaluar, Kurti kishte thënë se “aleatët e Rusisë”, përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një raport të organizatës Demokracia Plus, të publikuar më 2022, thuhej se Kosova “është subjekt i dezinformimit nga aktorë malinj të huaj, si Rusia, Kina dhe Serbia”.
Sulmet e fundit të raportuara kibernetike ndaj institucioneve shtetërore kanë ndodhur në shtator të vitit të 2022. Qeveria e Kosovës tha atëkohë se sulmi e kishte origjinën jashtë vendit, por nuk tregoi se nga cili vend.
Institucionet shtetërore kanë qenë cak i sulmeve kibernetike edhe më herët. REL