Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar të premten nga Bashkimi Evropian (BE) t’ia ngrijë Serbisë statusin e vendit kandidat, pas një sulmi ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në veri të vendit muajin e kaluar.
Gërvalla i bëri këto komente në Ministrialin e Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit në Tiranë, ku mori pjesë dhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerboc.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
Por Gërvalla tha se “masa më e vogël që do të duhej të merrej është ngrirja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian për Serbinë.”
Serbia e mori statusin e kandidatit për t’iu bashkuar BE-së më 2012, një vit pasi nisën bisedimet mes saj dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova aplikoi për këtë status në dhjetor 2022.
“Në këtë situatë që është krijuar pas 24 shtatorit asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Është e pamundur sepse ne duhet të sigurojmë sigurinë e qytetarëve. Duhet të shohim si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë. A do ta marrë përgjigjen e merituar për agresion apo jo. Pastaj mund të vijë koha e të ulemi e të diskutojmë me qetësi. Nuk është momenti të diskutojmë sot për asociacion”, tha Gërvalla.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-kryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë, por pa pasaportë dhe me ndalesë për të shkuar në Kosovë.
Pjesë e tubimit në Tiranë ishte edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili në fund nuk mori pjesë as në fotografinë zyrtare të Ministrialin e Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.
Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Kur u pyet nga gazetarët nëse refuzoi pjesëmarrjen për shkak të flamurit të Kosovës krah flamujve të tjerë, ai u përgjigj shkurt: “Po”.
Gërvalla tha se telashi i Kosovës me Serbinë është më i madh sesa mospjesëmarrja në fotografi të përbashkët.
E pyetur për qëndrimin e Daçiqit gjatë ministerialit, diplomatja kosovare tha: “Nuk kam pritur ndonjë fjalim konstruktiv nga Daçiqi rreth procesit të Berlinit sepse për ta penguar atë, Serbia ka luftuar shumë të kishte një nismë si Ballkani i Hapur, që ju bashkuan edhe te tjerë, por tani është vetëm sepse ka qenë veç ‘Kali i Trojës’ që ka qenë i destinuar ta prishë idenë e bashkëpunimit të iniciuar nga Gjermania”.
Gërvalla iu përgjigj edhe disa prej deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat nxitën debati pasi ai tha për “Financial Times” javën e kaluar se veriu i Kosovës është “tokë e askujt”, apo propozimin e tij për një “konferencë ndërkombëtare për Kosovën”.
“Veriu është pjesë e Kosovës, e një shteti sovran dhe të pavarur. Sovraniteti nuk duhet diskutuar nga askush. Kërkojmë nga Serbia dhe shtete të tjera jomiqësore ndaj nesh ta njohin këtë realitet, ndaj ka deklarata që shpesh na bëjnë të habitemi shumë. Nuk do të doja ta komentoja kryeministrin e Shqipërisë dhe të ndikoj në thellimin e keqkuptimeve mes dy vendeve tona, të gjithë duhet të flasim më pak dhe të ndihmojmë më shumë”, tha ajo.
Në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, Gërvalla tha se nuk mund të konfirmojë nëse do të marrë pjesë kryeministri Albin Kurti apo presidentja Vjosa Osmani, duke thënë se vendimi u takon institucioneve.