Që kur nisi agresioni rus në Ukrainë, gërma “Z” u përdor nga Rusia si një mënyrë për të identifikuar automjetet ushtarake. Por tani është bërë një simbol propagandistik brenda Rusisë dhe Ukrainës, thonë studiuesit.
Me nisjen e agresionit rus në Ukrainë, gërma “Z” po përdorej në rrjetet sociale, në koncerte patriotike në Rusi, në tubime që mbështesnin luftën, apo edhe në automjete e veshje.
Gërma “Z” është bërë tani një nga mjetet kryesore të propagandës së Kremlinit në luftën që ka nisur kundër Ukrainës.
“Simbolet luajnë role komplekse në politikë. Një nga rolet më të rëndësishme është lidhja e emocioneve me propogandën specifike që Kremlini dhe udhëheqësit e tjerë politikë duan të nxjerrin. Mendoj se në këtë rast, gërma ‘Z’ ka për qëllim të ngjall tek njerëzit emocione patriotizmi, besnikërie”, thotë për Zërin e Amerikës Henry Hale, nga universiteti “George Washington”.
Gërmat “Z” dhe “V” u panë për herë të parë në tanket ruse në ditët para se të niste lufta, por asnjë arsye zyrtare nuk u dha në atë kohë. Më pas ministria ruse e Mbrojtjes tha se gërma “Z” përdorej për të simbolizuar fitoren. (“Za pobedu” në gjuhën ruse do të thotë “Për fitore”)
“Tipografia merret me dinamikën e këtyre simboleve, shkronjave dhe numrave. Në alfabetin cirilik, që rusët përdorin, pothuajse nuk ka simbole dinamike. Por në alfabetin latin, ka tre gërma shumë dinamike: L, V dhe Z. Ato janë të lehta për t’u shkruar dhe janë jashtëzakonisht dinamike”, thotë për Zërin e Amerikës,Vasily Gatov, profesor i medias.
Të tjerë studiues thonë se përdorimi i këtij simboli nga Rusia bëhet edhe për të krijuar unitet kombëtar.
“Para së gjithash ky simbol synon vetë popullsinë ruse. Sepse më e rëndësishmja për Kremlinin është që të krijojë mbështetje për këtë agresion, dhe kjo kundërshti”, thotë Henry Hale, nga universiteti “George Washington”.
Studiuesit thonë se zgjedhja e këtij simboli nga Rusia është e nxituar, për shkak të ngjashmërisë me simbolin e nazistëve. Shumë qytetarë amerikanë kanë të njëjtin mendim.
“Ky është një simbol neonazist. Shumë i keq, i frikshëm”, thotë Laurence, një banor në Merilend, SHBA.
“Simbol nazist mendoj, kjo është gjëja e parë që të vjen në mendje”, thotë një tjetër banor.
“Më kujton presidentin e Ukrainës, Zelensky-in. Ai po bën një punë fantastike! Ai është i mrekullueshëm”, thotë një tjetër banore.
Për shumë njerëz gërma “Z” është bërë simbol i tragjedisë dhe krimeve të luftës.
Regjisori francez Michel Hazanavicius, ndryshoi emrin e filmit të cilin e kishte titulluar vetëm me gërmën “Z”, për të mos patur asnjë lidhje me simbolin e përdorur nga Rusia. Dy grupe muzikore në Rusi, DDT dhe Bi-2 po ashtu kanë refuzuar të japin koncerte në skena që kanë patur gërmën “Z”.
Komentet