LOS ANGELES – Numri i të vdekurve nga zjarret pyjore në shtetin Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), është rritur në 31, ndërsa mbetet i papërcaktuar numri i shtëpive të shkatërruara, shumë prej të cilave, pronë luksoze e yjeve hollivudiane.
Me të shuar të zjarrit, disa nga yjet e estradës filmike dhe asaj muzikore janë kthyer te pronat e tyre luksoze, duke i gjetur të shkrumbuara, meqë as ato, nuk ishin kursyer nga stuhia e zjarrtë.
Aktorët Gerard Butler dhe Orlando Bloom janë vetëm disa nga yjet e Hollivudit të cilëve zjarret ua shkatërruan shtëpitë, për çka kishin postuar në Twitter fotografi nga pronat luksoze të shkatërruara.
“Pas evakuimit u riktheva në shtëpinë time në Malibu. Momente të trishta në Kaliforni. I frymëzuar nga guximi dhe sakrifica e zjarrfikësve”, shkruan Butler, i fotografuar në pronën e tij të shkrumbuar.
“Kjo është rruga ime, pasi dy orë më parë lutesha për sigurinë e familjes sime në Malibu, falënderues ndaj zjarrfikësve të guximshëm”, shkruan në profilin e tij në Twitter, Orlando Bloom, të bashkangjitur me një fotografi të lagjes së tij të kapluar nga stuhia e zjarrtë.
Ndër yjet hollivudiane, prona e të cilëve ka pësuar në zjarret është edhe çifti Kim Kardashian dhe Kanye West.
Kim Kardashian-West dhe familja e saj evakuuan familjen e tyre të premten, duke thënë se kishin pasur vetëm një orë për të mbledhur gjësendet e tyre.
Ylli i programeve “Reality Show”, mbante fansat e saj të përditësuar përmes aplikacioneve Snapchat dhe Stories Instagram, duke shpërndarë edhe fotografi nga flakët.
Kim kishte postuar një foto me mbesën e saj, me mesazhin “të gjithë jemi të sigurt, kjo është më e rëndësishmja”.
Ndër yjet që kanë postuar mbi shtëpitë e tyre të shkatërruara nga zjarret janë edhe këngëtarët Lady Gaga, Neil Young dhe Robin Thicke dhe aktorja Alyssa Milano dhe personazhi televiziv Caitlyn Jenner, por që të gjithë i kanë shpëtuar stuhisë së zjarrtë. aa
Komentet