Ylli i Hollivudit, George Clooney, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Joe Biden të tërhiqet. Në një shkrim për New York Times, aktori teksa shprehet “unë e dua Joe Biden”, thekson se ne kemi nevojë për një kandidat të ri” në fushatën zgjedhore kundër republikanit Donald Trump.
Clooney, një nga mbledhësit kryesorë të fondeve demokrate, shkroi në postimin e tij: “unë jam një demokrat i përjetshëm; unë nuk kërkoj falje për këtë. Udhëheqësit demokratë (…) senatorët, përfaqësuesit dhe kandidatët e tjerë që mund të humbasin në nëntor duhet t’i kërkojnë këtij presidenti të japë dorëheqjen vullnetarisht”.
Për Biden, lufta kundër kohës është një betejë që ai nuk mund ta fitojë, vazhdoi Clooney. Partia ishte aq e frikësuar nga Trump, saqë injoroi shenjat paralajmëruese.
Kjo është arsyeja pse tani nevojitet një kandidat i ri. Vetëm pak javë më parë, Clooney mblodhi miliona donacione për fushatën elektorale të Biden në Los Anxhelos në një event fushate me yje të tjerë si Julia Roberts dhe Barbra Streisand. Biden udhëtoi drejtpërdrejt në Hollywood nga samiti i G7 në Itali për të marrë pjesë në ngjarjen magjepsëse.
Joe Biden ka qenë nën një presion të madh që nga paraqitja e tij katastrofike në duelin televiziv kundër sfiduesit Donald Trump. Me disa gabime ai shkaktoi panik në kampin demokratik.
E besuara e Bidenit dhe politikania e lartë demokrate, Nancy Pelosi, tani po distancohet nga presidenti. Në një intervistë televizive, ajo shmangu mbështetjen e qartë të Bidenit dhe shpjegoi: “I takon presidentit të vendosë nëse ai do të kandidojë. Ne të gjithë e inkurajojmë atë që të marrë këtë vendim sepse koha po mbaron.”
Kur moderatori vuri në dukje se Biden me sa duket kishte vendosur tashmë të qëndronte në garë, Pelosi u përgjigj në mënyrë evazive. bw