Interviste per gazeten “Politika” me Gentiana Sula kreu i AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT
Sigurimi i shtetit 32 milionë faqe përndjekje
Verifikimi afro 8 mijë emrave kandidatë në zgjedhjet e 18 qershorit, i pamundur si kohë, shpëtojnë ata që kanë kaluar “Mezinin” dhe “Bezhanin” Kush do të verifikohet, informim dhe për funksionet partiake..administrimi i 212.000 dosjeve të ndryshme të ish-sigurimit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosje hetimore gjyqësore, 21.000 dosje të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijera regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative. Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish –sigurimi i Shtetit ne nje Shqiperi qe asokohe nuk i kalonte 3 milionët. Pra janë këto statistika që flasin vetë për ekzistencën e dosjeve të ish sigurimit të shtetit, të krijuara në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.
A keni bërë një inventar të arkivit që do të shërbejë për të zbardhur këtë të kaluar, për të mundësuar hapjen reale të dosjeve, cilat janë pritshmëritë, pasi jo pak herë është thënë dhe shkruar se dosje s’ka, dosjet janë zhdukur, janë djegur në 97-te, nuk ka mbetur gjë mëneper ato te ashtuquajtura dosje.
Duke përfituar nga rasti, me lejoni t’ju falenderoj për mundësimin e realizimit të kësaj interviste, që do të jetë e fokusuar në zbatimin korrekt, profesional dhe teknik, dhe padyshim larg ngjyrimeve politike, të detyrimeve dhe përgjegjësive ligjore që ligji 45/2015 i ngarkon Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AUTORITETI).
Sikundër ju evidentoni në pyetjen tuaj, për të zbardhur të kaluarën e herët, për të mundësuar hapjen reale të dosjeve të ish sigurimit te shtetit, jam besim plotë për integritetin e procesit dhe administrimin e tij. Theksoj që kjo është një sfidë për institucionin që drejtoj, është një proces që për nga vetë natyra e tij, përfshin jo vetëm Autoritetin si organ përgjegjës, por të gjithë aktorët e përfshirë në të.
Për t’iu përgjigjur pyetjes, mund të themi se: objektii punës sonë do të jetë administrimi i 212.000 dosjeve të ndryshme të ish-sigurimit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosje hetimore gjyqësore, 21.000 dosje të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijera regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative. Kjo masë përbën në total rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish –sigurimi i Shtetit ne nje Shqiperi qe asokohe nuk i kalonte 3 milionët. Pra janë këto statistika që flasin vetë për ekzistencën e dosjeve të ish sigurimit të shtetit, të krijuara në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991.
Do rikuperohen nga kerkimet arkivore te dhena nga dosjet qe jane demtuar.
Bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” Autoriteti mbledh, ruan, administron, përpunon, dhe përdor dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to. Pra e parë në këtë këndvështrim Autoriteti, në mirëkuptim me autoritetet publike dhe arkivat, pse jo dhe me persona fizik dhe juridik privat që disponojnë të dhëna nga kjo kategori dosjesh, do të bëjë cka është e mundur për rikuperimin e tyre.
Le te themi qe eshte krijuar nje institucion i memories, ku një nga pjeset thelbesore eshte dhe hapja e arkivave qe deri me sot kane qene te mbyllura.
Për realizimin e këtij qëllimi, që në krye të herës në nenin 1/d të Ligjit nr. 45/2015, është përcaktuar në mënyrë taksative, detyrimi i autoriteteve publike dhe arkivave për venien në dispozicion, për qëllime të zbatimin të këtij ligji, të dokumenteve të disponuara prej tyre, për të vazhduar më tej me procedurat për ushtrimin e të drejtës nga cdo person i interesuar që i lind kjo e drejtë, për informimin mbi dokumentet e ish sigurimit të shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent.
Do te mundesohet berja transparente e ngjarjeve te dhunshme te diktatures, mund te themi se nuk ka kufij ligjore per te zbardhur dokumentacionin e se shkuares ne kete drejtim.
Sic theksova dhe më sipër, transparenca dhe profesionalizmi do të legjitimojë veprimtarinë e këtij institucioni në përgjithësi dhe bërja publike e ngjarjeve të dhunshme në vecanti për aq sa e lejon legjislacioni në fuqi. Por ajo që dua të theksoj, për t’i dhënë dhe përgjigje pyetjes, ështe se Autoriteti nuk vihet në lëvizje kryesisht, por vihet në lëvizje vetëm me kërkesën e paraqitur nga personat e interesuar, ku përfshirja në këtë target–grup, është e kufizuar vetëm për ato subjekte që parashikon ligji 45/2015, që janë: “të prekurit”, “palë e tretë”, “bashkëpunëtorë të ish-sigurimit të shtetit” dhe të “favorizuarve”, sipas përkufizimeve të dhëna në nenin 3 të ligjit 45/2015, si dhe të afërmit e të vdekurve apo të zhdukurve, sipas radhës së përparësisë së përcaktuar në ligjin e sipërcituar.
Autoriteti sipas ligjit do të lejojë dhe përdorimin e dokumentave që nuk përmbajnë të dhëna personale mbi të prekur apo palë të treta, për të qartësuar fatin e të humburve, të të zhdukurve, dhe të rasteve të pasqaruara të vdekjeve, si pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të dhunshme të kohës së diktaturës.
Gjithashtu Autoriteti vihet në lëvizje me kërkesë nga institucionet kushtetuese, autoritetet publike dhe subjekte të tjera, për verifikimin. Në këtë kontekst Autoriteti u krijon akses dhe u lëshon dokumente insitucioneve përkatëse, në masën dhe për qëllimet që e lejon ky ligj. Për sa i takon verifikimit të zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes së tyre në detyrë mbi bazën e kërkesë së paraqitur nga institucionet kushtetuese dhe autoritet publike, lejohet venia në dispozicion e dokumentave dhe përdorimi i tyre deri më 31 mars 2020.
Nga publikimet e deritanishme, duket sikur persekutimi ka vazhduar, eshte folur vetem per bemat e ish udheheqjes komuniste, do te kete nje trajtim tjeter, privatesia e viktimave nuk eshte marre thuajse fare ne konsiderate.
Duke marrë të mirëqenë përcaktimin tuaj, mendoj se fryma e ligjit zgjeron hapësirat për subjektet verifikuese lidhur me ekzistencën apo jo të informacioneve në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale: cka duhet të them është dhe verifikimi i figurës së zyrtarëve para emërimit dhe ngritjes në detyrë, apo kandidatëve për t’u zgjedhur deputetë, kryetar bashkish dhe kryetarë këshilli qarku.
Një nga parimet që udhëhiqet Autoriteti gjatë ushtrimit të detyrave funksionale që i ngarkon Ligji 45/2015, por jo vetëm, është dhe mbrojtja e të drejtës për jetën private dhe të dhënave personale, dhe në këtë kuadër Autoriteti merr masa për kufizimin pjesërisht të të drejtës për informim të kërkuesit, duke marrë në konsideratë Ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”,dhe Ligjin nr.9887, datë 10.03.2008, i ndryshuar, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Në rastet kur vetë personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur përpara vdekjes me shkrim vullnetin për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera objektive, atëherë informacioni nuk i jepet kërkuesit.
Gjithashtu kur dokumentet ose dublikatat, përvec informacioneve personale mbi kërkuesin, përmbajnë edhe të dhëna për të prekur apo palë të tjera, merren masat përkatëse duke i bërë të palexueshme të dhënat personale për këtë kategori personash.
Si mund te njihen subjekte te ndryshme nga autoriteti juaj, me dosjen e tyre personale, sa mundesi do te kene te mesojne cdo detaj rreth ketyre ngjarjeve.
Subjekte që ju lind e drejta të njihen me dosjet e tyre personale janë ato që parashikon ligji 45/2015. Është kusht që kërkesa për të marrë informacion për dokumentin, për shqyrtimin apo marrjen e tij në dorëzim të bëhet me shkrim, të cilës i bashkëlidhet edhe kopje e kartës së ID, dhe, në rastin e një përfaqësuesi me prokurë të posaçme, edhe prokurën përkatëse. Për ti ardhur në ndihmë kërkuesit, Autoriteti ka përgatitur formularë-tip, ku plotësohen në mënyrë të saktë të dhënat e identitetit të kërkuesit dhe informacioni që kërkon t’i jepet, dhe kjo i vjen në ndihmë procesit.
Do të jetë trupa e Autoritetit, që mbi bazën e kërkesës së paraqitur nga subjekti përkatës, do të shqyrtojë dhe vlerësojë dokumentacion e administruar dhe mbi këtë bazë do të vendosë për dhënien e informacionit kërkuesit, duke vendosur rast pas rasti edhe për dokumentet që përmbajnë të dhëna personale, referuar zbatimit korrekt të legjislacionit në fuqi në këtë drejtim.
Ka rrisk qe kjo hapje dosjesh te keqperdoret nga subjekte e individe te caktuar, duke publikuar te dhena e materiale per te perndjekur, qe mund te jene rekrutuar ne kushtet e dhunes, tortures apo presioneve te ndryshme te mbijeteses se familjes.
Ligji përcakton se kërkuesit i njihet e drejta për t’u njohur me dokumentet kur ai ka cilësinë e të prekurit, palës së tretë, bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-sigurimit të shtetit, ose është një përfaqësues më prokurë i këtyre të fundit, apo i afërt me familjen e të vdekurit apo të zhdukurve. Sic e kemi trajtuar edhë më lart, Autoriteti vendos kufizime në rastin kur në dokumentet ekzistuese përmenden emra në cilësinë e të prekurve apo palëve të treta, duke i bërë këto dokumente dublikatë të palexueshme. Gjithsesi kur në dokumentacion arkivor ka të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale ato bëhen të palexueshme për kërkuesin.
Me heret keni deklaruar se ka ngjarje si e Malesise se Madhe, e postribes, e Qafe Barit, e Spacit, revolta qe kane pasur humbje jetesh njerezore, por nuk jane trajtuar te plota, jane nje pjese e rendesishme per tu bere transparent keto episode.
I qëndroj deklarimit të bërë dhe shpreh bindjen se në morinë e dosjeve që do të administrojë Autoriteti dhe nga kqyrja e dokumenteve të përfshira në këto dosje të ish–sigurimit të shtetit, do të gjenden, prova, gjurmë, fakte dhe grup fakte që do të hedhin dritë mbi këto ngjarje jo njerëzore që i rëndojnë në vite shtetit shqiptar të periudhës diktatoriale.
Ekspertiza krahasuese, ndihma apo asistenca qe keni mundesuar ne kete proces.
Jemi në fazën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me institucione të tjera të rëndësishme që kanë disponuar dosjet e ish-sigurimit të shtetit, kanë kryer procesin e arkivimit të dokumentacionit, kanë bërë klasifikimin dhe deklasifikimin e këtij dokumentacioni sipas rastit dhe që kanë eksperencë dhe përvojën e duhur në këtë drejtim. Gjithsesi nuk mund të lë pa përmendur përvojën e shtetit Gjerman dhe atij Bullgar në këtë fushë , me të cilët jemi në kontakte të vazhdueshme për ecurinë e këtij procesi dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të krijuara.
Jo pak nga punonjesit e sigurimit, punetore dhe bashkepunetore te kesaj strukture kane arritur te perfshihen edhe ne administrate pas viteve 90 dhe sot, disa syresh edhe neper ambasada sherbime diplomatike ne Shqiperi.
Janë nenet 29 dhe 30 të Ligjit nr. 45/2015, që përcaktojnë respektivisht se:
1.Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruarose ngritur në detyrë, në institucione të rëndësishme, përfshirë këtu edhe drejtues të përfaqësive diplomatike, referuar dispozitave të sipërcituara.
2.Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet, çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.
Për rastin e parë, Autoriteti i përgjigjet institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë, përkatësisht nëse:
a) ka qenë ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm;
b) ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
c) figuron ose jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Në rastin e dytë, kur kërkesa është paraqitur nga subjektet, Autoriteti i informon ato, nëse figurojnë si:
a) anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i
Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;
b) bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, apo denoncues ose dëshmitar i akuzës në proceset të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
c) persona me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.
Me pak fjalë më duhet të them se Autoriteti vihet në lëvizje vetëm atëherë kur kërkohet nga subjektet që legjitimohem sipas këtij ligji, në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyra dhe për kandidatët që zgjidhen deputet, kryetar bashkie dhe kryetar këshilli qarku.
Ligji i ri sa e ka zgjeruar objektin e verifikimit, ne nivel politik, dhe administrate, cilet institucione e kane detyruese.
1. Institucionet që kanë detyrimin t’iu verifikohet pastërtia e figurës së zyrtarit kandidat për t’u emëruar ose ngritur në detyrë, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale janë:
a) President i Republikës;
b) anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlershme me to;
c) anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve; ç) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
d) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
dh) prefektë;
e) drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës;
ë) drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;
f) drejtues të përfaqësive diplomatike; g) guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të Bankës së Shqipërisë;
gj) anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike;
h) Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar;
i) Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare;
j) çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Jemi perpara zgjedhjeve, ndonese ka pasur dy komisione pastertie figure, ai Mezini dhe Bezhani, serish kane çare rrjeten edhe te paverifikuar, partite politike mund ta bejne kete serisht si kontroll, dhe ju i keni kapacitetet e verifikimit ne kohen e duhur duke dhene garanci per pasterine e certifikuar.
Autoriteti ka detyrimin t’iu përgjigjet edhë kërkesave të paraqitura në lidhje me ekzistencën të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale nga këto subjekte:
a) kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë,
b) kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku,
c) Subjekteve të tjera (p.sh. subjekte zgjedhore të regjistruara në zgjedhje),
Sigurisht referuar ligjit 45/2015,Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare” i njohur si komisioni Mezini, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, i njohur si komisioni Bezhani, dhe këto veprime lehtësojnë administrimin e procesit të subjekteve- objekt verifikimi nga Autoriteti.
Është i vërtetë fakti se stafi teknik i Autoritetit është i mangët dhe se jemi në hapat e para të rekrutimit të tij, mbështetur në kriteret dhe procedurat e ligjit për nëpunësin civil.Por ajo që është më e rëndësishmja është koha e limituar e paraqitjes së kërkesave për kandidatët që zgjidhen deputet, duke i’u referuar zgjedhjeve të radhës. Nga informacioni që kam, në periudhë zgjedhore KQZ duhet të administrojë për zgjedhjet e Kuvendit rreth 8 mijë kandidatura (lista shumëmërore për kandidat për deputet), të cilat subjektet zgjedhore i paraqesin për miratim në KQZ jo më vonë se 50 ditë para ditës së zgjedhjeve.
Duke marrë në konsideratë faktin se KQZ-ja për zhvillimin e procedurave për regjistrimin e kandidatëve sipas listave shumemërore të paraqitura nga subjektet zgjedhore të regjistruara i duhen 10 ditë për marjen e vendimit përkatës, faktin që informacioni që grumbullohet e duhet të përpunohet është tepër masiv edhe për Autoritetin, e për rjedhojë edhe koha për përfundimin e procedurës deri në marrjen e vendimit të Autoritetit rast pas rasti duhet të jetë jo më shumë se 10 ditë, e bën komplekse situatën e paraqitur dhe e vështirëson atë, nisur nga fakti që e gjithë procedura duhet të mbyllet në kohën e duhur. Jam e mendimit se kjo kërkon një rregullim ligjor në Kodin Zgjedhor apo në Ligjin 45/2015.
Opozita ka kontestuar perberjen e Autoritetit duke pretenduar se nuk ka pasur perfaqesues te saj, ndonese duhet te ishte ajo qe duhej ta kishte bere kete proces shume kohe me pare, ka nje hapesire dyshimi se forca politike qe eshte vazhdimesi e PP, te beje transparence dosjesh, mund te jeni e paragjykuar.??
Më lejoni të them se, fakti i përbërjes së anëtarëve të Autoritetit, ku tre prej tyre vijnë nga shtresa e të përndjekurve politike dhe më kryesorja që e gjithë trupa e Autoritetit ka plotësuar kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur anëtar i Autoritetit, janë faktorë determinantë për transparencën, integritetin dhe rregullshmërinë që do të shoqërojnë procesin nga fillimi deri në fund dhe s’ka vend për paragjykime.
Ju vini vete nga shtresa e te perndjekurve dhe drejtoni kete autoritet qe ka arkivin e mekateve te diktatures, nje ndjesi personale dhe e perfshire nga nje pjese politike qe ende vijon.??
Fakti i bërë prezent nga ju, më krijon bindjen se kanë marrë vendimin më të mirë për të drejtuar Autoritetin, me përgjegjshmëri, me objektivitet dhe paanshmëri, në ushtrimin me kopetencë të detyrave që më ngarkon ligji 45/215. Më duhet të them se ndërtimi i besimit të publikut në integritetin e këtij procesit sa delikat dhe aq domethënës, do të jetë faktor kyç në ecurinë dhe veprimtarinë e institucionit që unë drejtoj.
Së fundmi, më lejoni të them se në këtë aspekt, pasqyrimi nga ana e mediave me realizëm i çdo zhvillimi të veprimtarisë së Autoritetit, por dhe nga mënyra si media e përcjell zhvillimin e tij në çdo etapë, mbi bazën e njohjes dhe interpretimit të mirë të ligjit, larg anshmërive dhe ndikimeve, padyshim është kontribut shumë i çmuar që forcon besimin publik dhe demokracinë në vend.
Komentet