Fatmira Nikolli – Kryetarja e Autoritetit për Dosjet e ish- Sigurimit të shtetit, Gentiana Sula, bën rezymenë e vitit që lamë pas, duke u ndalur te ngjarjet që e shenjuan atë. “Fjala që e përmbledh është se kemi qenë produktiv, kemi prodhuar, kemi realizuar, por nuk ka qenë vit i thjeshtë, sepse tërmeti dëmtoi disa prej objekteve që ne punojmë, arkivin te Shkolla e Qenve, zyrat tona këtu. Megjithatë pozitive qe ndihma e qeverisë suedeze nga ana strukturore, që këtë vit mendojmë ta bëjmë gati”,-thotë Sula.
VERIFIKIME
Ajo ndjen të nevojshme të sqarojë edhe njëherë, dy shtyllat kryesore të punës së Autoritetit, që gjatë vitit që shkoi është përballur edhe me verifikimin e emrave të sistemit të drejtësisë.
“Dy kanë qenë objektivat kryesorë, përditshmëritë e institucionit, ridimensionimi i viktimës, heqja e baltës, e kthimi i dinjitetit të hequr dhe e dyta lustracioni moral. Institucioni nuk është institucion lustrimi. Komuniteti politik ka vendosur të na bëjë një institucion informimi”, thotë ajo. Sipas Sulës, shumë institucione kanë kërkuar informacion pranë Autoritetit. “Do ishte mirë që të ishin të gjitha. Do ishte e udhës që çdo kandidat për pozicione të larta të kalonte nga ne. Për reformën në drejtësi të gjithë emrat që kanë kaluar kanë qenë kandidatë për funksione drejtuese në KLGJ, KLP, Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të lartë. Çdo emër për këto pozicione është verifikuar nga ne”, sqaron kryetarja e Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.
Megjithatë, Sula, bën dallimin mes verifikimit të emrave në dosjet e Sigurimit nga institucioni që ajo drejton dhe vendimmarrjen për ta, nga institucionet të tjera të shtetit shqiptar, kur thotë se “që të gjesh dokument në fondin i ish-Sigurimit është informacion, por i takon atyre që merren me analizën për rolin që ka pasur personi. Vetë ekzistenca e institucionit ka fuqi të madhe parandaluese”. Me këtë, Sula lë të kuptohet, se Autoriteti bën vetëm verifikimet, ndërsa vendimet merren nga institucione të tjera.
Në vazhdën e verifikimeve, kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, ndalet edhe te Policia e Shtetit. “Kemi verifikuar të gjithë emrat për vetingun e policisë, kundrejt rolit që kanë pasur në Sigurimin e Shtetit”, thotë ajo.
Megjithëkëtë, 2019-a ka qenë një vit i gjatë. Edhe për shkak të ndjeshmërisë publike ndaj reformës në drejtësi, në debate është përshirë edhe Autoriteti i Dosjeve, për çka ajo ndalet. “Mendoj që kemi qenë shumë konsekuent dhe integritet maksimal. Nuk kam ndjerë kontestim publik për ndonjë nga vendimet tona. Subjektet janë të lirë t’i drejtohen gjyqit dhe ne kemi 8 gjyqe të hapura”.
DREJTËSIA E RE
Ndërsa prej vitesh hidhen themelet e drejtësisë së re, Shqipëria ende nuk ka arritur të lajë hesapet me të kaluarën. Trupat e 6 mijë shqiptarëve të zhdukur në diktaturë, nuk dihet ende ku janë dhe familjet vijojnë kërkimin e dëshpëruar.
“Te ekspozita e fundit në dhjetor, shfaqëm profilet e të zhdukurve dhe familjeve dhe përpjekjeve për t’i dhënë drejtim. Ekspozuam për herë të parë me një instalacion të madh të hartës vendvarrimet e vend ekzekutimet e fshehta që janë raportuar përmes aplikacioneve. Aplikacioni ka rreth 73 vendvarrime që janë të qarta dhe aplikacione i individëve ka 600 persona që kanë dhënë të dhëna për familjarët e tyre të zhdukur”,-thotë ajo.
NGERÇI LIGJOR
Ngërçi i madh që pengon ende gërmimet për gjetjen e trupave të të ekzekutuarve nga regjimi komunist është ligjor. Demokracia e 30 viteve nuk ka mundur të sigurojë leje për gërmime dhe mundësi identifikimi të eshtrave.
“Kombet e Bashkuara kanë ardhur dhe kanë bërë raport shqetësues që institucionet nuk po munden ta trajtojnë këtë çështje, edhe si qytetare edhe si titullare është e pafalshme që institucionet nuk po arrijnë ta gjejnë një zgjidhje të mirë ligjore e teknike. Nuk bëhet fjalë vetëm për viktimat e komunizmit, por edhe për një kapacitet institucional që mungon. Cila është mundësia e institucioneve, mjekësisë ligjore, policisë shkencore, si veprojnë institucione në ansambël e prokuroria që ta bëjnë këtë”- tregon kryetarja e Autoritetit të Dosjeve.
Sula e ka parashtruar problemin në parlament dhe në prokurori, duke ju sjellë edhe shembullin polak.
“Është pozitive që edhe në parlament, vumë re po ndiqet dhe janë të shqetësuar dhe kërkojnë që ti japin zgjidhje sa më parë. Edhe prokurorët janë të shqetësuar që nuk ia dalin dot dhe në analizë të përbashkët, është evidentuar që mungojnë përkufizimet e trupave të pagjetur të komunizmit dhe detyrimet të përcaktuara me ligj. Në Poloni, drejtori i institucionit si i jonë ka kompetencë dhe prokurorë që lëshojë leje për gërmime, investigimin e rastit, lëshojnë urdhrat e gjetjes dhe u referojnë policisë shkencore” shpjegon ajo.
Por a do të gjendet zgjidhje pas 30 vitesh, ndërsa institucionet ngrenë supet për moskompetencë? Për Sulën, “nuk na duket e pamundur. Pala polake u shpreh e gatshme të vijë të bëjë një punëtori me gërmim në vend. Por është një partner si Komisioni Ndërkombëtar i të Zhdukurve dhe këtë vit uroj të ecim një hap para qoftë me kërkime arkivore. Jo vetëm te ne, por në të gjitha arkivat e rrjetit”.
DEBATI I 5 MAJIT
Ndërsa 5 maji ringjalli zërat e dyzuar mbi raportin me të shkuarën, Sula, kërkon një zgjerim të perceptimit mbi dëshmorët. “Do doja që publiku ta shohë përgjigjen time si përgjigja e një veprimtareje në fushën e memories. E shoh që ka punë të munguara për memorien. 5 maji është dita e dëshmorëve vihet re që ka inerci për fokusimin vetëm të dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore. Gjë që nuk mendoj se është e nevojshme, sepse koncepti i dëshmorit është më i gjerë se kaq, bëhet fjalë për të gjithë ata që japin jetën për liri, në mbrojtje të sovranitetin, gjuhës, sigurisë publike, ata që luftuan për jetën e Kosovës, dhe jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Mendoj ta ngremë lart lavdinë e dëshmorëve edhe të Luftës së Dytë Botërore, por pa lënë mënjanë asnjë dëshmor”, propozon ajo.
Përtej emrave, ajo që duket e domosdoshme është edhe mënyra se si i njohim dhe si na janë prezantuar. Pyetja e madhe mbetet, nëse historiografia komuniste vlen më sot. “Vë re që në memorien e Luftës së dytë Botërore, kemi mbetur te format dhe narrativat e para 1990-ës ndërkohë që kanë kaluar 30 vjet. Pyes ata që mund të bëjnë diçka. A mendojnë se janë mjaftueshme mesazhet e dhëna dikur, në format e dikurshme për rininë e sotme? Do doja të kishim publikime të reja, dokumentarë të rinj, të vinin në fokus ngjarjet e lavdishme, rezistencën antifashiste, të vërteten të besueshme”. Për Gentiana Sulën, rishikimi duhet të nisë që nga institucionet shtetërore e zyrtare, që ende ruajnë formën e përmbajtjen e vjetër: “Në muzetë e rretheve vë re narrativa të vjetra e të ideologjizuara, do ishte me nder të atyre që kanë bërë sakrificën sublime të sillen në logjikën e kohës e në kontekstin e një shoqërie demokratike, që ka pluralizëm. Por jo vetëm dëshmorët komunist. Kohët e fundit flitet edhe për britanikët që kanë vdekur në Shqipëri. Të mos mbetemi peng i narrativës ideologjike”.
Studiuesi Erald Kapri ka propozuar që si ditë dëshmorësh të jetë ajo e vrasjes së Isa Buletinit dhe jo 5 maji, që shënon vrasjen e Qemal Stafës, pjesë e Partisë Komuniste. Sula gjen vend për reflektim. “Mund të ishte edhe 7 prilli, ka pasur ide të tjera. Mund të kërkohet për një datë me domethënie kombëtare, mund të jetë datë përbashkuese, por mund të mbetet edhe 5 maji. Qemal Stafa është një figurë idealiste, që kërkon progres shoqëror, ka sakrifikuar jetën”.
MENDIMI POLITIK I SË MAJTËS
Por figurat e Luftës së Dytë botërore mbeten të debatueshme edhe për shkak të pozicionimit të tyre politik në kohë të errëta. Perceptimi i përgjithshëm e njeh të majtën e kohës vetëm si komuniste, ndërsa studime të fundit, po tregojnë të kundërtën. “Në përgjithësi ata që janë formuar në diktaturë, meqë mendimi ndryshe ishte herezi, është krijuar ideja që njerëzit kanë menduar të gjithë në rresht, por vihet re që ka njerëzve me ngritje intelektuale dhe me mendime për vendin, janë filozofë. Vëmë re që ka pasur larmi të mendimit politik në elitë ndaj na lindi ideja ta zbërthenim mendimin politik, nisim me Musinenë (Kokalarin) që shpërfaqi mendim të fortë politik socialdemokrat. Bëmë dy projekte, mendimi politik i së majtës dhe për të majtën na u përgjigj ‘Fridrih Ebert dhe janë përzgjedhur 10 figura që po zbërthehen nga studiuesit”, tregon Sula.
Me rastin e 100-vjetorit të Tiranës kryeqytet, në fokus është elita e harruar që vuajti nën regjimin komunist. Ajo thotë se do të hidhet dritë mbi figurat e intelektualëve që u lanë në hije e u persekutuan, janë Mustafa Greblleshi, gazetari Xhemal Farka, janë klerikë që janë vendosur në Tiranë, janë gra e burra nga 300 familje të dëgjuara. Një përkujtim i figurave më të qenësishme tiranase, do të rrëzojë edhe paragjykimet dhe perceptimin e krijuar për to nga letërsia e propaganda komuniste. “Tirana kryeqytet, 50 vite i pati në diktaturë dhe ka pasur konfiskime e shfrytëzime. Ka pasur zënie hapësirash, spostim elitash për t’i bërë vend elitës së re që okupoi skenën politike, e kërkoi që kjo propagandë të ishte e egër për komunitetit vendas. Në kushtet e mungesës së fjalës së lirë, ishte një zë i padëgjuar ky komunitete”,-shprehet Sula.
Por ajo që i vështirëson projektet dhe jehonën në opinionin publik, mbetet izolimi dhe masat e marra për shkak të pandemisë së koronavirus. “Kemi improvizuar e kemi qenë fleksibël. Pjesa e takimeve publike natyrisht që do lihet për një kohë tjetër, për Tiranën kishim parashikuar një ekspozitë, që do të ndodhë në formë virtuale”, tregon ajo.
PARALELE QË TAKOHEN
Si titullare e një institucioni që merret me dokumentet mbi presionin, mungesën e lirisë dhe mohimin e të drejtave, ajo gjen paralele të së shkuarës komuniste, me të tashmen pandemike. “Bëhen, bëhen paralele. Por janë për shkaqe të ndryshme. Prevalon e drejta e jetës,. Unë vetëm jam biologe. Është e përkohshme, ndodh në kontekstin e një shoqërie demokratike, por natyrisht nuk mund të mos ta kujtojë të shkuarën”, shprehet Sula. Dhe në kushtet kur mbyllja ka qenë më e ashpër për moshat e treta, Autoriteti ka marrë një nismë për t’ju gjendur pranë ish të përndjekurve politikë në vend, si një prej shtresave më të prekura nga izolimi i dykohshëm. “Ajo që na erdhi në mendje që në fillim kur ndodhi izolimi dhe kur u pa që Covidi targeton moshën e tretë, ata për ne janë të rëndësishëm se janë kujtesa. Ata që punojnë me ne duhej të izoloheshin dhe nuk e meritojnë se e kanë vuajtur, por menduam për një mënyrë. Vendosëm t’u blejmë latptopë që të jeni produktivë”. Sula është shpresëplotë për të ardhmen.
Komentet