Voal – Genc Pollo ka bërë sot një shkrim në gazetën “Rilindja Demokratike”, ku sulmon ashpër ambasadorin e SHBA-së, Donald Lu dhe atë të BE-së, Romana Vlahutin.
Ai thotë se ata kanë mbështetur një projekt monstruoz për reformën në drejtësi
“Sipas të thënave privatisht nga këta deputetë socialistë, propozimi ishte konceptuar e hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Ky propozim mori përkrahje publike nga këta ekspertë ndërkombëtarë si edhe nga ambasadorë të rëndësishëm, por u rrëzua në masë 85% nga Komisioni i Venecias përmes opinionit të përkohshëm të mesit të dhjetorit. E njëjta gjë ndodhi edhe me opinionin përfundimtar pak muaj më vonë.
Me shumë të drejtë, pasi në shumë aspekte ishte një propozim monstruoz. Dhe nuk ka shpjegim nga ekspertët autorë për këtë rrëzim venecian. Për ekspertët shqiptarë kam dëgjuar që u ishte premtuar një post në një nga institucionet e reja që do të krijoheshin; pra kishin “arsye” për t’i pëlqyer qeverisë. Ndërsa për të tjerët nuk e di nëse ka qenë shkak naiviteti, inkompetenca apo neglizhenca”, shkruan Pollo.
Sipas tij, ambasadorët po poshtërojnë deputetët, duke iu thënë votojeni këtë projekt sa më shpejt.
“Deklarata se propozimi aktual duhet votuar pa u lexuar janë vetëposhtëruese për një deputet; por edhe nëse jepet një këshillë e tillë ajo është gjithashtu poshtëruese. Por nëse palët do jenë konstruktive dhe këtu kam ndërmend palët e mazhorancës, mendoj që do ishte e mundshme që të arrihej një paketë amendimesh kushtetuese para pushimeve parlamentare të verës.
Për mua personalisht dhe pushimet mund të anulloheshin e të vijonte puna në qoftë se do kishim nevojë për më shumë kohë. Por do ishte për mua e papranueshme që për shkak të një kalendari të paracaktuar të votonim një reformë kushtetuese jocilësore, ndoshta edhe me ndonjë aspekt të dëmshëm”, shkruan ai.
Në fund, Pollo shkruan se diplomatët në Tiranë jo gjithmonë kanë kërkuar konsensus, por atyre iu është tërhequr veshi nga Brukseli dhe Berlini.
Ai i cilëson ata si jo dinjitozë, pasi nuk kanë reaguar ndaj lajmeve se deputetët që nuk do të votojnë reformën në drejtësi, nuk do të lejohet të udhëtojnë në SHBA:
“Dhe një çështje të fundit, zotërinj ambasadorë, propaganda e kryeministrit ka insinuar sikur një votë kundra propozimit për ndryshime kushtetuese mund të shoqërohet me një refuzim vize për deputetin. Unë personalisht nuk do doja ta këmbeja votën pro për një deformim të Kushtetutës së Republikës me një pullë në pasaportën time çfarëdo që të shkruhej mbi të. Por mendoj që dhe ju do t’i kishit përfaqësuar në mënyrë pak më shumë dinjitoze demokracitë pluraliste që ju kanë dërguar në Tiranë sikur ta kishit përgënjeshtruar këtë insinuatë.
Dhe së fundi, fare më vjen mirë edhe për nevojën, e shprehur nga zoti ambasador, për konsensus në këtë reformë. Fatkeqësisht nuk ka qenë gjithmonë ky rasti i diplomatëve të Tiranës. Por këta janë korrigjuar nga politikanë të rëndësishëm në Bruksel, Berlin e kryeqytete të tjera, të cilët kanë insistuar për konsensus politik në këtë përçapje. Dhe nuk ke nevojë për njohuri e pjekuri politike të madhe për të kuptuar e thënë se Kushtetuta nuk ndryshohet aq kollaj sa interjeri i zyrës. Shpresoj që nëse ndodh, në rastin fatkeq, që të miratohen ligjet kushtetuese me shumicë kushtetuese të blerë siç ishte rasti i shumicës së cilësuar me 3/5, kjo nuk do të duartrokitet nga diplomatët e nderuar”.
Komentet