Në një intervistë për “Panorama”, Pollo sqaron edhe rolin e ndërkombëtarëve në proces dhe mesazhet e përcjella nga Ambasada e SHBA-ve për deputetët e Kuvendit.
Deputeti demokrat i cilëson si të papranueshme mesazhet që ambasada nisi për deputetët, duke theksuar se masat për të cilat flitej në ato tekste janë të rezervuara për terroristët dhe kriminelët.
Pollo flet edhe për debatet në Grupin Parlamentar të PD-së, duke sqaruar se votat e demokratëve që u vetëdeklaruan pro reformës, dobësuan pozitat e negociatorëve të PD-së.
“Çdo betejë ka kosto, pavarësisht se mbyllet me fitore a disfatë. Për fatin e mirë të PD-së e të shtetit ligjor, kjo betejë u mbyll me fitore. Ndërsa deklarimi publik i votës pro reformës pikërisht në momente kritike të vendimmarrjes, mendoj se i dobësoi pozitat e negociatorëve të PD-së e deputetëve të opozitës në komision. Z. Xhafaj, në anën tjetër të tryezës, e kishte kollaj t’u thoshte mos na kërkoni kaq shumë, se dy-tri vota i morëm e tri-katër do t’i marrim dhe e miratojmë edhe pa ju. Fatmirësisht, siç e dimë tashmë, në fundore nuk e dhanë këtë efekt negativ”, thotë Pollo për “Panoramën”.
I pyetur lidhur me nje sms kercenues qe i shkoi disa deputeteve nga ambasada amerikane se do te kishin penalitete nese nuk votonin reformen, Pollo shprehet “Vota e deputetit përcaktohet në trekëndëshin interesi i zonës zgjedhore-linja e partisë-bindja vetjake. Këtë e kemi mësuar nga leximi i Letrave të Federalistit të Etërve Themelues të Amerikës e nga traktate të iluministëve europianë. Të shtosh kërcënimin si kënd të katërt është fyese. Të kërcënosh me masa që rezervohen për terroristët e kriminelët është e papranueshme. Por edhe e padobishme e kontraproduktive. Nuk ishte mjet që realizon qëllimin, siç edhe e tregoi akordi i të enjtes pasdite e votimi i të premtes pa gdhirë. Duke reaguar, ndoshta mbrojta dinjitetin e atyre që nuk mundnin a nuk donin të flisnin”.
Komentet