Kompania ruse Gazprom posedon rezervat më të mëdha të naftës ekuivalente dhe sipas parashikimeve të kompanisë GlobalData deri në 2020 do të mbetet prodhuesi më i madh botëror i gazit natyror
MOSKË – Kompania ruse Gazprom posedon rezervat më të mëdha të naftës ekuivalente dhe sipas parashikimeve dhe analizave të kompanisë GlobalData deri në vitin 2020 do të mbetet prodhuesi më i madh botëror i gazit natyror.
Sipas GlobalData, në mesin e kompanive kombëtare botërore Gazprom, Rosneft, Statoil, ONGC, Ecopetro, Petrobras dhe Petronas, gjiganti i naftës në rezerva ka 84.5 miliardë fuçi naftë ekuivalente.
“Pas Gazpromit, vijon Rosneft me 37.3 miliardë fuçi të naftës ekuivalente. Kompanitë kombëtare ruse janë liderë edhe në aspektin e prodhimit deri në vitin 2020”, njoftoi GlobalData.
Pritet që Gazprom deri në vitin 2020 të rrisë prodhimin e gazit natyror nga 3.333 milionë fuçi naftë ekuivalente në 3.591 milionë.
GlobalData thekson se një tjetër kompani ruse Rosneft mund të rrisë prodhimin nga 2.064 milionë fuçi naftë ekuivalente në vitin 2018 në 2.235 milionë ndërsa Ekopetrol kolumbian mund të shkurtojë prodhimin nga 194 milionë në 175 në vitin 2020. aa
Kemi Badenoch është bërë liderja e re e konservatorëve dhe gruaja e parë me ngjyrë në krye të kësaj partie të madhe politike në Britani të Madhe.
Ajo e ka fituar garën me premtimet për ta kthyer partinë në parimet themelore.
Badenoch, 44-vjeçare, zëvendëson ish-kryeministrin Rishi Sunak, dhe është zotuar për ta udhëhequr partinë në një periudhë rigjenerimi, pas humbjes në zgjedhjet e përgjitshme të korrikut në Britani.
Në krye të Partisë Konservatore, Badenoch pritet të sfidojë, çfarë quan ajo, të menduarit institucionalist të majtë, dhe që është koha të mbrohen parimet e fjalës së lirë dhe tregut të lirë.
Badenoch është liderja e pesë e konservatorëve prej mesit të vitit 2016.
Ajo i ka fituar 57 për qind të votave brenda partisë, në rundin e fundit të garës që ka zgjatur një muaj.
Ajo e ka mposhtur në fund ministrin për Imigrim, Robert Jenrick, i cili i ka fituar 43 për qind të votave.
Kryeministri laburist i Britanisë, Keir Starmer, e ka mirëpritur fitoren e saj, duke thënë se “liderja e parë me ngjyrë e një partie të Uesministerit, përbën moment krenarie për shtetin tonë”.
Vetë Badenoch ka thënë publikisht se nuk preferon të ketë fokus në racën e saj.
E pyetur në Partinë Konservatore më herët gjatë viti se si do të ndihet nëse bëhet gruaja e parë me ngjyrë në krye të partisë, ajo ka thënë se dëshiron që “ngjyra e lëkurës të mos ketë më shumë rëndësi sesa ngjyra e flokëve apo e syve”.
Me një fillim jo shumë të lehtë të laburistëve në udhëheqje të shtetit, disa konservatorë besojnë secilën herë e më shumë se mund të kthehen në pushtet në zgjedhjet e radhës, që do të duhen të mbahen më 2029. REL
Një grua merr pjesë në një ceremoni në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, në përkujtim të ushtarëve të vrarë në një sulm në korrik të 2022-tës, që shkatërroi një ndërtesë ku strehoheshin të burgosurit ukrainas të luftës në Olenivka, Ukrainë.
Todd Prince
Kur amerikanët të votojnë për president më 5 nëntor, vendimi i tyre do të ketë jehonë në të gjithë botën.
Ukraina – mbrojtja e së cilës kundër Rusisë varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike e SHBA-së – mund t’i ndiejë efektet më shumë se çdo vend tjetër i huaj.
Nën presidentin në largim, Joe Biden, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 56 miliardë dollarë vetëm ndihma për sigurinë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ato i kanë dhënë vendit në luftë edhe dhjetëra miliarda të tjera në forma të ndihmës financiare dhe humanitare.
“Faktori më i rëndësishëm që do ta përcaktojë rezultatin e luftës dhe, sigurisht, atë që do të ndodhë në muajt e ardhshëm, janë zgjedhjet në SHBA”, thotë Ruth Deyermond, pedagoge e lartë në Departamentin e Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Rezultati i zgjedhjeve “do të përcaktojë, në fakt, nëse Ukraina do të vazhdojë të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, ose masën se sa do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara”, thotë Deyermond për Radion Evropa e Lirë.
Ish-presidenti republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, kanë shprehur qëndrime shumë të ndryshme për mbështetjen për Ukrainën.
Harris ka thënë se do ta vazhdojë politikën e Bidenit për ta ndihmuar Ukrainën, duke shprehur qartë dëshirën e saj për ta parë Rusinë të mposhtur.
Trump e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta mbajë pjesën më të madhe të barrës në mbështetjen për Kievin kundër pushtimit rus, si dhe e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.
Ai ka refuzuar të komentojë nëse do që Ukraina të fitojë dhe ka pohuar vazhdimisht se nëse zgjidhet, ai do t’i jepte fund luftës shumë shpejt – edhe para se ta merrte detyrën në janar.
“Ndërsa mund të presim që një Shtëpi e Bardhë nën Harrisin do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë si Shtëpia e Bardhë nën Bidenin – sigurisht jo me ndonjë kthesë dramatike sa i përket Ukrainës – Donald Trump e ka bërë shumë të qartë se ai dëshiron të shohë një fund të luftës shpejt”, thotë Deyermond.
“Dhe, ne e dimë se një nga prioritetet e tij afatgjate të politikës së jashtme, një nga pozicionimet e pakta të qëndrueshme në politikën e jashtme që ai ka mbajtur qysh para se të zgjidhej në vitin 2016, ka qenë, siç ka thënë, mirëkuptimi me Rusinë. Kështu që ai do të dëshironte të shihte që lufta të përfundonte shpejt, dhe sipas kushteve të Rusisë, mendoj”, shprehet Deyermond.
Trump ka thënë se kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedimet e paqes “janë të papranueshme” dhe kjo do të thotë se ai ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë se presidentët tjerë.
Ai, po ashtu, ka thënë se Putin nuk do ta pushtonte Ukrainën, nëse ai do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 2017, ai i ka dhënë dritën jeshile SHBA-së për t’i ofruar ndihmë vdekjeprurëse Ukrainës, diçka që paraardhësi i tij, demokrati Barack Obama, ka refuzuar ta bëjë, për shkak të shqetësimeve se mund ta provokojë Moskën.
“Jo më”
Në prill, Trump ka thënë se do të ishte i hapur për diçka si programi i huadhënies – përkatësisht si ai që Shtetet e Bashkuara aplikuan për t’i ndihmuar aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore – në vend të granteve të ndihmës.
Trump ka folur pak për mënyrën se si do t’i jepte fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në një intervistë për Fox News në korrik të vitit 2023, ai ka thënë se do të përpiqet ta shtyjë presidentin rus, Vladimir Putin, të negociojë, duke kërcënuar se do t’i hapë rubinetat e ndihmës për Ukrainën.
Në anën tjetër, ai ka thënë se do t’i bënte presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kërcënuar se do ta ndalojë ndihmën.
“Do t’i thosha Zelenskyt: ‘Jo më! Duhet të bësh një marrëveshje’. Do t’i thosha Putinit: ‘Nëse nuk bën marrëveshje, ne do t’i japim shumë [Zelenskyt]’”, ka thënë Trump.
“Do ta bëja marrëveshjen brenda një dite. Një dite!”, ka thënë ai.
Ukrainasit kanë frikë se çdo trysni për marrëveshje të shpejtë paqeje, do t’i shkonte në favor Rusisë, duke e lënë rreth një të pestën e vendit të tyre nën kontrollin e Moskës dhe duke i mundësuar Putinit që ta shfrytëzonte ndërprerjen e armiqësive për t’i rigrumbulluar forcat e tij për një sulm të ardhshëm.
Fjalë dhe veprime
Në çdo rast, ajo që do të bëjë fituesi kur ta marrë pushtetin, është e paqartë dhe ka një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në veprimet e presidentit të ardhshëm.
Qeveria e Zelenskyt ka qenë shumë e frustruar me administratën Biden, duke thënë se ndihma ushtarake e SHBA-së po i arrin shumë ngadalë dhe me shumë kufizime.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, Biden nuk e ka lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së për të goditur thellë brenda Rusisë.
Ukraina ka ende mungesë të mbrojtjes ajrore dhe municionit dhe kjo bën që Rusia të vazhdojë t’i godasë qytetet dhe infrastrukturën e saj kritike nga qielli, si dhe të avancojë më thellë në rajonin e Donjeckut.
Harris nuk e ka bërë të qartë nëse do të ishte më e rreptë me dërgesat e ndihmave dhe nëse do t’i hiqte kufizimet – gjë e cila është një prej pikave të “Planit të Fitores”, të cilin Zelensky ua ka paraqitur udhëheqësve perëndimorë.
Ajo nuk e ka komentuar as pikën tjetër të rëndësishme në këtë plan – ftesën e shpejtë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n.
Një faktor që do të ndikonte në mënyrën sesi presidenca Trump do të sillej me Ukrainën dhe pushtimin rus, do të ishte përbërja e kabinetit të tij.
Fushata e Trumpit thuhet se është duke shqyrtuar ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, për postin e sekretarit të Mbrojtjes dhe ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien, për sekretar të Shtetit.
Të dy e kanë kritikuar administratën Biden për kufizimin e përdorimit të armëve amerikane dhe kanë kërkuar më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Në një artikull të botuar në gazetën The Wall Street Journal në korrik, Pompeo ka bërë thirrje për krijimin e një programi të huadhënies – prej 500 miliardë dollarësh – për ta ndihmuar Ukrainën që të mbrohet.
Ai, gjithashtu, ka kërkuar që Ukrainës t’i ofrohet anëtarësimi në NATO – për të cilën gjë O’Brien ka thënë këtë javë se “është shumë provokuese në këtë pikë”.
“Viti i diplomacisë”
Një faktor tjetër është Kongresi. Ndërkohë që presidentët kanë ndikim më të madh në politikën e jashtme, legjislatura mund ta detyrojë Shtëpinë e Bardhë që ta rregullojë qëndrimin e saj për çështjen e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
Kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit mund të ndryshojë në zgjedhjet e 5 nëntorit – demokratët mund të fitojnë shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët dhe republikanët në Dhomën e Sipërme.
Kjo do të ishte një situatë më e favorshme për Ukrainën, pasi një Senat i kontrolluar nga republikanët ka të ngjarë ta mbështesë ndihmën për Ukrainën, ka thënë muajin e kaluar për Radion Evropa e Lirë Kurt Volker, i dërguar i posaçëm i Trumpit për negociatat për Ukrainën në vitet 2017-2019.
Ai ka thënë se një program i huadhënies, do të ishte më lehtë të kalonte përmes Kongresit.
“Të arrish mbështetje për shpenzimin e parave të taksapaguesve amerikanë për Ukrainën, është gjithnjë e më e vështirë, por t’i lejosh [ukrainasit] të marrin hua aq sa kanë nevojë për të blerë armë amerikane dhe për të luftuar luftën, nuk duket të jetë e diskutueshme. Mendoj se do të kishte mbështetje masive dypartiake”, ka thënë Volker.
Por, Charles Kupchan, analist në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë ta shtyjnë Ukrainën drejt bisedimeve, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet – pjesërisht për faktin se lufta është duke i ngarkuar burimet perëndimore.
“Do të prisja që viti 2025 të ishte vit i diplomacisë. Unë nuk besoj se kjo ku jemi sot, është e qëndrueshme”, thotë Kupchan.
Sipas tij, ndërprerja e ndihmës për Ukrainën nuk është mënyrë për t’i çuar dy palët në tryezën e bisedimeve.
“Kjo është një ftesë për Putinin që të vazhdojë me të tijën”, përfundon Kupchan.
Një gjeneral rus është arrestuar nën dyshimin për korrupsion. Arrestimi i gjeneral-major Alexander Ogloblin, ish-kreu i departamentit të komunikimeve ushtarake të Rusisë, është arrestimi i fundit i një figure të lartë ushtarake ruse.
Ogloblin po mbahet në paraburgim për dyshimin se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 10 milionë rubla (103,000 dollarë) nga një kompani telekomunikacioni për të siguruar kontratat e ministrisë së mbrojtjes, sipas Komitetit Hetues të Rusisë, raportuar nga gazeta e biznesit Kommersant.
Ogloblin tashmë ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për përvetësim në shkurt 2022 me akuza të veçanta, por u lirua herët pasi dëshmoi kundër ish-eprorit të tij, Vadim Shamarin, i cili ishte zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë. Megjithatë, arrestimi i dytë i Ogloblin pasoi dëshminë e dhënë kundër tij nga Shamarin, sipas Kommersant.
Shamarin u akuzua për marrjen e rryshfetit të prokurimit nga prodhuesi Perm Telefon Fabrika Telta. Ai ndau ryshfetin me Ogloblin, të cilin ai e zbuloi si pjesë të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me hetuesit, sipas Kommersant. Në raportimin e historisë, gazeta New Voice of Ukraine tha se Shamarin mund të ketë kërkuar hakmarrje ndaj ish-vartësit të tij.
Ai tha gjithashtu se ndërsa ish-ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu ende nuk është akuzuar për korrupsion, “është e mundur që dikush prej tyre përfundimisht ta implikojë atë”.
Ministria Britanike e Mbrojtjes (MOD) tha të mërkurën se arrestimi i dytë i Ogloblin sinjalizoi një goditje nga autoritetet ruse kundër ish-zyrtarëve të mbrojtjes që ishin emëruar nga Shoigu, i cili tani është sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
John Foreman, ish atasheu britanik i mbrojtjes në Moskë dhe Kiev, tha se hetimi nga agjencia kryesore e inteligjencës ruse, FSB, po përparon “ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme” përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe se një hetim korrupsioni ka vazhduar për vite me rradhë.
“Shoigu mbetet mjaft i izoluar në NSC (Këshilli i Sigurisë), i mbajtur në një zinxhir të ngushtë dhe i paaftë për të sjellë njerëzit e tij. Askush nuk është plotësisht i sigurt se çfarë po ndodh në të vërtetë”, tha ai.
Deri më tani, nuk ka asnjë shenjë për spastrim të shtabit të përgjithshëm apo kundër figurave të tilla si komandanti i forcave ruse në Ukrainë, Valery Gerasimov.
Andrei Soldatov, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), tha se FSB ka ngacmuar ushtrinë, por deri më tani arrestimet kanë synuar stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe jo gjeneralët dhe oficerët që po luftojnë në Ukrainë.
Ai tha se që nga fillimi i inkursionit të Ukrainës në rajonin e Kurskut të Rusisë, objektivat kryesore ushtarake ishin ish-zëvendësministri i mbrojtjes Pavel Popov dhe Valery Mumindzhanov, zëvendëskomandant i Qarkut Ushtarak i Leningradit.
Në prill, Timur Ivanov, 48 vjeç, një zëvendësministër i mbrojtjes që mbikëqyrte projekte të mëdha ndërtimi të lidhura me ushtrinë, duke përfshirë rindërtimin e qytetit portual të shkatërruar të Ukrainës, Mariupol, u arrestua me dyshimin për marrjen e një ryshfeti të madh – një vepër e dënueshme deri në 15 vjet burg.
Në vazhdimësi, Shamarin, gjeneralmajor Ivan Popov, një ish-komandant i lartë në ofensivën ruse në Ukrainë dhe gjeneral-lejtnant Yury Kuznetsov, kreu i drejtorisë së personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, u arrestuan gjithashtu me akuza për ryshfet.
Në maj, një zyrtar i pestë i ministrisë, Vladimir Verteletsky, nga departamenti i prokurimeve të mbrojtjes, u arrestua dhe u akuzua për shpërdorim detyre që rezultoi në dëme në vlerë prej mbi 70 milionë rubla (776,000 dollarë), tha Komiteti Hetues.
Arrestimet filluan pak para se Putini të fillonte mandatin e tij të pestë dhe të zëvendësonte ministrin e tij të mbrojtjes, Shoigu. bw
Google ka marrë një gjobë prej më shumë se dy undecilion që do të thotë një shifër me 36 zero pasi hoqi llogaritë e drejtuara dhe pro qeverisë nga Youtube. Thënë ndryshe, undecilioni është një trilion i shumëzuar tri herë me veten e tij.
Gjoba që Google ka marrë nga Rusia është më e madhe se i gjithë Prodhimi i Brendshëm Bruto i botës i cili sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar është 110 trilionë dollarë.
Google ka një vlerë prej 2.16 trilionë dollarë dhe duket se me kaq para, nuk do ia dalë ta shlyejë Rusinë. Gjoba gjithashtu rritet për shkak të mospagesës dhe nëse nuk shlyhet për 9 muaj, do të dyfishohet çdo ditë, raporton agjencia ruse e lajmeve, Tass.
Shifra ‘e frikshme’ është rritur pasi Google nuk ka rikthyer llogaritë e Youtube që i përkasin 17 kanaleve televizive ruse, sipas RBC News. Google mund të kthehet në tregun rus vetëm nëse zbaton vendimin e gjykatës.
Çështja u ngrit privatisht në vitin 2020 pasi llogaritë e kanaleve Tsargrad TV dhe RIA FAN u bllokuan nga sanksionet e SHBA-së. Më pas situata përshkallëzoi pas fillimit të luftës në Ukrainë kur Youtube bllokoi llogaritë që i përkisnin Sputnik dhe RT ku u përfshinë edhe autoritetet ruse. sn
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin (majtas) flet gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Mbrojtjes të Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, në Pentagon, më 30 tetor.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se përdorimi i trupave koreanoveriore nga Rusia për ta ndihmuar atë në luftën e saj kundër Ukrainës, është një “përshkallëzim i rrezikshëm dhe destabilizues”.
Duke folur në një konferencë për media në Pentagon mbrëmjen e 30 tetorit përkrah homologut të vet nga Koreja e Jugut, Austin tha se mbi 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë vendosur tashmë në Rusinë lindore.
Disa prej këtyre ushtarëve po zhvendosen në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, dhe janë të veshur në uniforma ruse dhe bartin pajisje ruse. Njësite të tjera nga Koreja e Veriut ndodhen tashmë në Kursk, sipas tij.
Ushtria e Ukrainës e kreu një inkursion të madh në Kursk gjatë gushtit dhe prej atëherë ka nën kontroll qindra kilometra katror territor atje.
Dërgimi e trupave koreanoveriore në Rusi jo vetëm që ka mundësi të zgjasë konfliktin, por gjithashtu mund t’i nxisë të tjerët të marrin masa.
“Ka një numër gjërash që mund të ndodhin”, tha Austin.
Ai shtoi se “gjasat janë shumë të larta” që Rusia t’i përdorë trupat koreanoveriore në luftime.
Austin përsëriti se trupat koreanoveriore duhet të presin të jenë në shënjestër e ushtrisë ukrainase, e cila përdor armë të dhuruara nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, në fushëbetejë, dhe se disa prej tyre ka mundësi ta humbin jetën.
“Nëse ata luftojnë përkrah ushtarëve rusë, atëherë ata po bashkëluftojnë, dhe ne kemi çdo arsye të besojmë se ata do të vriten dhe do të plagosen si pasojë e kësaj”, tha Austin.
Shtetet e Bashkuara po e marrin situatën shumë seriozisht dhe i bëjnë thirrje Kremlinit ta ndryshojë kursin.
Ambasadori i Moskës në Kombet e Bashkuara tha në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork më 30 tetor se bashkëpunimi ushtarak i Rusisë me Korenë e Veriut nuk shkel ligjin ndërkombëtar dhe nuk është “i drejtuar kundër vendeve të treta”.
Vasily Nebenzya gjithashtu mohoi lajmet se trupat koreanoveriore janë të pranishme në vijën e parë të luftës.
“Këto deklarata për ushtarët koreanoveriorë në frontin tonë nuk duhet të habisin askënd, sepse janë gënjeshtra të hapura”, tha Nebenzya, duke akuzuar Uashingtonin dhe Londrën për “dezinformim”.
Koreja e Jugut ka paralajmëruar se Pheniani do të merrte mësime të vlefshme nga trupat e tij dhe do të shihte luftën moderne duke ndihmuar Rusinë, dhe kjo do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Seulin.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, tha në një konferencë për shtyp me Austin se ai nuk beson se dislokimi do të shkaktojë luftë në Gadishullin Korean, por mund të rrisë kërcënimet e sigurisë pasi Koreja e Veriut me gjasë do të kërkojë teknologji ushtarake ruse në këmbim të dërgimit të trupave.
Kjo mund të përfshijë armë bërthamore taktike dhe teknologji për raketa balistike ndërkontinentale.
Ndërkohë, diplomati i lartë i Koresë së Veriut mbërriti në Moskë për bisedime, që sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, mund të përfshijnë diskutime për dërgimin e trupave shtesë dhe se çfarë do të marrë Koreja e Veriut në këmbim. REL
Izraeli miratoi të hënën një ligj të hënën që ndalon a agjencinë e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë, UNRWA që të operojë në vend. Ligji mund të ndikojë në punën e saj në Gazën e shkatërruar nga lufta.
Ligjvënësit që hartuan ligjin cituan, siç u shprehën, “përfshirjen e disa punonjësve të UNRWA-s në sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe faktin që punonjës të saj ishin anëtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura.
Ligji ka alarmuar Kombet e Bashkuara dhe disa nga aleatët perëndimorë të Izraelit, të cilët druhen se kjo masë do të përkeqësojë më tej situatën e rëndë humanitare në Gazë, ku Izraeli lufton prej një viti kundër militantëve të Hamasit. Masa ligjore e ndalimit të veprimtarisë nuk i referohet operacioneve në territoret palestineze apo gjetkë.
“Punonjësit e UNRWA-s të përfshirë në aktivitete terroriste kundër Izraelit duhet të mbahen përgjegjës. Duke qenë se shmangia e një krize humanitare është po ashtu thelbësore, ndihma e qëndrueshme humanitare në Gazë duhet të vazhdojë tani dhe në të ardhmen,” shkroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në mediat sociale pas votimit.
“90 ditët përpara hyrjes në fuqi të ligjit dhe më pas ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të siguruar që Izraeli të vazhdojë të lehtësojë ndihmën humanitare për civilët në Gazë në një mënyrë që nuk kërcënon sigurinë e Izraelit”, shtoi ai.
Parlamenti miratoi gjithashtu një shtesë në ligjin e ri sipas së cilës autoritetet izraelite nuk mund të kenë më kontakte me UNRWA-n, por mund të bëhen përjashtime në të ardhmen.
Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë UNRWA, e cilësoi votimin një “precedent të rrezikshëm” që kundërshton kartën e OKB-së dhe shkel detyrimet e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar.
“Kjo është e masa e fundit në kuadrin e fushatës për diskreditimin e UNRWA -s dhe goditjes së rolin të saj në ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve për refugjatët palestinezë,” shkroi ai në platformën e mediave sociale X.
Agjencia e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë, UNRWA , ka dhjetëra mijëra punonjës dhe ofron arsim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë për miliona palestinezë në Gazë, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri.
Prej kohësh ajo ka patur marrëdhënie të tensionuara me Izraelin, por ato janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gazë dhe Izraeli ka kërkuar vazhdimisht që UNRWA të shpërbëhetd dhe që përgjegjësitë e saj të transferohen tek agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara.
OKB-ja tha në gusht se nëntë punonjës të UNRWA-s mund të kenë qenë të përfshirë në sulmin e 7 tetorit dhe ishin shkarkuar. Një komandant i Hamasit në Liban, i vrarë muajin e kaluar në një sulm izraelit, rezultoi të kishte punuar për UNRWA-n. Një tjetër komandant i vrarë në Gazë javën e kaluar kishte qenë punonjës i ndihmave të OKB-së. UNRWA konfirmoi se të dy ata kishin qenë punonjës të agjencisë.
Pentagoni thotë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10 000 trupa për t’u trajnuar në Rusi. “Ne besojmë se DPRK-ja ka dërguar rreth 10,000 ushtarë për t’u trajnuar në Rusinë lindore”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh, duke iu referuar inicialeve të emrit zyrtar të Koresë së Veriut.
“Një pjesë e ushtarëve tashmë janë zhvendosur më afër Ukrainës dhe ne jemi përherë e më të shqetësuar se Rusia synon t’i përdorë ata në luftime ose për të mbështetur operacionet luftarake kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën”, shtoi ajo.
Më herët, NATO-ja konfirmoi se trupa koreano-veriore janë dërguar në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe se një pjesë e tyre është dislokuar në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat e Kievit ndërmorën një sulm të befasishëm në gusht dhe ku ende mbajnë nën kontroll një pjesë të territorit.
“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë e Indo-Paqësorit dhe atë Euro-Atlantike,” u tha gazetarëve në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, pasi zyrtarët dhe diplomatët e NATO-s u informuan nga një delegacion i zbulimit i Koresë së Jugut, si edhe nga zyrtarë ushtarakë.
Zoti Rutte tha se vendosja e 3,000 trupave të Koresë së Veriut përfaqësonte “një përshkallëzim të ndjeshëm” të angazhimit të Phenianit në “luftën e paligjshme të Rusisë” në Ukrainë, një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një “zgjerim të rrezikshëm” të luftës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut ishte një shenjë e “dëshpërimit në rritje” nga ana e presidentit rus Vladimir Putin.
“Mbi 600,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e Putinit dhe ai nuk është në gjendje ta përballojë agresionin ndaj Ukrainës pa mbështetje të huaj”, tha zoti Rutte.
Pentagoni nuk dha më shumë hollësi mbi trupat apo pajisjet që Koreja e Veriut ka dërguar bashkë me trupat. Kur u pyet nga Zëri i Amerikës se çfarë aftësish shtetesë kanë trupat, zonja Singh tha se “ishin forca shtesë në fushën e betejës”.
“Nëse shohim trupat e DPRK-së që lëvizin në dhe drejt vijës së frontit, ata janë bashkëluftëtarë në luftë”, paralajmëroi ajo.
Kremlini i kishte hedhur poshtë njoftimet për trupat e Koresë së Veriut si “lajm të rremë”. Por Presidenti Putin nuk e mohoi javën e kaluar që trupat e Koresë së Veriut ndodheshin aktualisht në Rusi dhe tha se i takon Moskës të vendosë se si t’i dislokonte ato si pjesë e një pakti sigurie të mbrojtjes reciproke që ai ka nënshkruar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në qershor.
Në kundërshtim me komentet e presidentit rus, një përfaqësues i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara në Nju Jork i karakterizoi javën e kaluar njoftimet për vendosjen e trupave të Phenianit në Rusi si “thashetheme të pabaza”.
Goditje me dronë
Në frontin e betejës, ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat ruse sulmuan gjatë natës me 100 dronë duke vënë në shënjestër zona në të gjithë vendin.
Forcat ajrore ukrainase thanë se rrëzuan 66 dronë, shumica mbi rajonet Cherkasy, Khmelnytskyi dhe Kiev. Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi gjithashtu dronë mbi Chernihiv, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kirovohrad, Mykolaiv, Poltava, Rivne, Ternopil dhe Zhytomyr.
Guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha në Telegram se sulmet ruse goditën ndërtesat e banimit në qytetin Kherson, duke vrarë të paktën dy persona.
Në Kharkiv, zyrtarët njoftuan për sulme me bomba dhe granata ruse, përfshirë sulme që dëmtuan një ndërtesë apartamentesh dhe një shtëpi.
Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov tha në Telegram se të paktën 13 persona u plagosën në sulmet ndaj tre lagjeve të qytetit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të hënën se shkatërroi 21 dronë ukrainas. Ministria tha se mbrojtja ajrore ruse shkatërroi 13 dronë mbi rajonin Belgorod, gjashtë mbi Byransk, një mbi Voronezh dhe një mbi Kursk. Guvernatori i Voronezhit Alexander Gusev tha se dronët dëmtuan dy biznese dhe plagosën dy persona.
Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Reuters dhe Associated Press
Një shtëpi e rrënuar nga bombardimet izraelite në Han Junis, në jug të Gazës, 25 tetor 2024.
Më shumë se 43.000 palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës, tha të hënën Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Kjo shifër përfshin edhe 96 të vdekurit që u dërguan në spitalet e Gazës në dy ditët e fundit, tha kjo Ministri, e cila udhëhiqet nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite e ka kryer një operacion në veri të Gazës, përfshirë ndaj një spitali, gjatë kësaj fundjave. Ushtria tha se i arrestoi 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjes në spitalin “Hamal Adwan” në Beit Lahiya, të premten.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e akuzoi Izraelin se i ka arrestuar 44 pjesëtarë burra të stafit të spitalit.
Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se spitali, ku po mjekoheshin rreth 200 pacientë, u dëmtua shumë nga sulmi.
Izraeli i ka sulmuar disa spitale në Gazë gjatë luftës njëvjeçare, duke thënë se Hamasi dhe militatë të tjerë i përdorin ato për qëllime ushtarake. Zyrtarët mjekësorë palestinezë i mohojnë këto akuza dhe e akuzojnë ushtrinë se po i rrezikon civilët.
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazës, ku është duke e kryer një ofensivë të madhe tash e tri javë.
OKB-ja tha në fillim të këtij muaji se të paktën 400.000 njerëz ndodhen në veriun e Gazës dhe se kriza e urisë është rritur, pasi sasitë e ndihmës humanitare janë pakësuar në muajin e fundit në këtë pjesë të vendit.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën 43.020 njerëz janë vrarë dhe 101.110 të tjerë janë plagosur prej se nisi lufta më 7 tetor 2023. Ajo nuk tregoi sa ishin civilë e sa militantë.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe u futën vrullshëm matanë kufirit, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë. REL
Telefoni juaj paralajmëron, dridhja fillon dhe lëkundjet intensifikohen. Fotot bien nga muret, objektet fluturojnë nëpër dhomë.
Por për njerëzit në bregdet, lëkundjet janë shumë më të këqija, si për ata që jetojnë në Seattle të Uashingtonit.
Njerëzit përgjatë bregdetit tani kanë 10 deri në 30 minuta për t’u larguar përpara se një valë gjigante të përfshijë Paqësorin Veriperëndimor.
Gjatë një ose dy orëve të ardhshme, cunami përmbyt disa rrugë.
Përfundimisht, humbjet totale ekonomike do të kapnin vlerën e mbi 134 miliarda dollarëve, duke e vendosur atë si një nga fatkeqësitë natyrore më të kushtueshme në historinë e SHBA-së.
Kjo skenë është një skenar i rastit më të keq të një megatërmeti që godet Paqësorin Veriperëndimor.
Bëhet e ditur se departamenti i emergjencave ka shpenzuar dekada duke u përgatitur për një megatërmet.
Megjithatë, ata thonë se rajoni nuk është gati për një të tillë.
“Të jesh plotësisht, plotësisht dhe plotësisht i përgatitur është e pamundur”, tha Robert Ezelle, drejtori i divizionit të menaxhimit të emergjencave të Departamentit Ushtarak të Uashingtonit.
Brenda katastrofës së madhe që mund të shpërthejë në brigjet e Paqësorit Veriperëndimor
Rreth 160 kilometra në det të hapur nga Paqësori Veriperëndimor, thellë nën shtratin e detit, dy pllaka tektonike po krijojnë tension që mund të shpërthejë në çdo moment.
Në një rajon të quajtur zona e subduksionit Cascadia, pllaka oqeanike Juan de Fuca po rrëshqet nën pllakën e Amerikës së Veriut.
Ndërsa pllaka vazhdon të shtyjë, rritet stresi, shkruan yahoonews. “Është tmerrësisht e qetë”, tha Harold Tobin, sizmologu shtetëror i Uashingtonit dhe drejtor i Rrjetit Sizmik Veriperëndimor të Paqësorit.
“Fakti që nuk prodhon as tërmete të vogla në ndonjë masë të konsiderueshme, na bën të besojmë se është plotësisht i mbyllur”, shtoi ai.
Por, shkencëtarët si Tobin kanë frikë se pa çlirimin e tensionit përmes tërmeteve më të vogla, zona e Cascadias ka më shumë gjasa të shpërthejë në një tërmet “megathrus” – ose shkurt megatërmet – me një magnitudë rreth 9 ballë.
“Do të jetë fatkeqësia më e keqe natyrore që vendi ynë ka parë ndonjëherë”, tha Ezelle.
Kjo është arsyeja pse disa e quajnë atë “Big One”.
Mesatarisht, zona e nënshtrimit të Cascadias prodhon një tërmet të madh çdo 200 deri në 500 vjet. Më i fundit ishte në vitin 1700.
Sa i madh është “Big One”?
Shkalla e Rihterit, e cila mat magnitudën e tërmetit, është logaritmike, jo lineare. Kjo do të thotë se një tërmet me magnitudë 9 lëshon rreth 32 herë më shumë energji se një magnitudë 8, por rreth një milion herë më shumë se një magnitudë 5.
Gjëja më e afërt në kujtesën njerëzore me “Big One” ndodhi në vitin 2011 në Japoni, kur vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 9.
Ai gjeneroi një cunami që arriti 130 metra lartësi, përmbyti mbi 1931 kilometra vijë bregdetare dhe la mijëra njerëz në det. Së bashku, tërmeti dhe cunami vranë rreth 18,500 njerëz.
Është e vështirë të imagjinohet fuqia e një tërmeti me magnitudë 9, por Sismic Sound Lab, një grup shkencëtarësh të Universitetit të Kolumbisë, krijuan një video që përpiqet ta përcjellë atë përmes zërit.
Videoja e animuar tregon çdo tërmet në Japoni nga viti 2008 deri në vitin 2014, shoqëruar me tinguj të vëllimeve të ndryshme.
Një zhurmë normale e sfondit të tërmeteve me magnitudë 4, 5 dhe 6 i jep vendin një bumi me zë të lartë, ngjarjes Tohoku të vitit 2011..
Për vite pas ngjarjes së Tohokut, Japonia u godit nga të tjera tërmete, duke përfshirë një me magnitudë 7.1 në vitin 2021.
Po kështu, në Paqësorin Veriperëndimor, të tjera lëkundje pas një megatërmeti mund të vazhdojnë për muaj, ndoshta edhe vite.
Pasojat e “Big One”
Shkencëtarët, departamenti i Ezelle dhe Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave kanë zbuluar se në ditët pas megatërmetit, pjesa më e madhe e Oregonit dhe Uashingtonit mund të jenë pa energji elektrike, internet, shërbim celular ose ujë të pijshëm.
Në zona të caktuara, mund të kalojnë më shumë se dy javë para se të arrijë ndihma, sepse rrëshqitjet e dheut, shembjet e urave dhe dëmtime të tjera në rrugë mund ta bëjnë të pamundur udhëtimin.
Si Oregon ashtu edhe Uashingtoni këshillojnë që të gjithë banorët të kenë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe ilaçe në dispozicion për të paktën dy javë.
Ndryshe, Japonia ka qenë në dijeni për rrezikun e saj nga tërmetet gjigante dhe cunami për shekuj.
Është një nga kombet më të përgatitura në Tokë. E megjithatë, tërmeti i vitit 2011 për të ishte shkatërrues.
Në të kundërt, Paqësori Veriperëndimor mësoi për rrezikun e paraqitur nga zona e nënshtrimit të Cascadias vetëm në vitet 1980.
“Përgatitja për këtë është si të përpiqesh të zbrazësh një pishinë të përmasave olimpike me një lugë çaji”, tha Ezelle.
Shkenca mund të ndihmojë në përgatitjet për “Big One”
Një strategji më e përballueshme për të shpëtuar jetë është ndërtimi i një sistemi që dërgon paralajmërime të hershme në telefon – gjë që tashmë ndodh për shumë tërmete, por nuk është një garanci.
Sa më shpejt të paralajmërojë telefoni, aq më shumë kohë kanë njerëzit të strehohen. Një tjetër strategji është vendosja e kabllove me instrumente sizmike në fundin e detit.
Ndërkohë, Tobin dhe studiues të tjerë po punojnë për të hartuar strukturën e fajit. Studimi i tyre i fundit mund të ketë zbuluar disa lajme të mira: Zona e nënshtrimit të Cascadia mund të shpërthejë në segmente ose tërmete më të vogla dhe jo të gjitha menjëherë si një ngjarje gjigante.
Por cili skenar do të ndodhë në të vërtetë – një i madh apo i shumëfishtë – mbetet i paqartë. bw
Narges Mohammadi, aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut, e cila është e burgosur, është transportuar në një spital në Teheran, pasi për më shumë se dy muaj po përballet me probleme shëndetësore, tha bashkëshorti i saj më 27 tetor.
Narges Mohammadi është fituese e Çmimit Nobel për Paqe.
“Pas pothuajse për nëntë muaj iu mohua trajtimi mjekësor, Narges Mohammadi më në fund është hospitalizuar falë mbështetjes së aktivistëve të sektorit civil dhe të drejtave të njeriut të Koalicionit Lironi Nargesin, dhe presionit nga komuniteti ndërkombëtar dhe mediat”, shkroi Taghi Rahmani në X.
Rahmani, i cili jeton në Paris, shtoi se vonesa e dërgimit në spital, “si dhe vitet e kaluara në burg dhe në izolim, kanë shkaktuar dëm të madh në shëndetin e Nargersit”.
Narges Mohammadi, 52-vjeç, në 20 vjetët e fundit është burgosur vazhdimisht.
Ajo aktualisht po vuan një dënim prej 12 vjetësh burgim, në burgun Evin të Teheranit, pasi u dënua për “përhapje të propagandës”. REL
Qindra palestinezëve në Jeruzalemin lindor do t’u prishen shtëpitë ose do të dëbohen, duke bërë që kolonët hebrenj të përfitojnë nga situata. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein njofton nga Jeruzalemi se të dy palët thonë se i kanë blerë shtëpitë në rrugë ligjore.
Palestinezi Fakhri Abu Diab ka lindur në këtë shtëpi 62 vjet më parë, në lagjen e quajtur Bustan ose kopshti, në zonën Silwan të Jeruzalemit lindor.
Në fillim të këtij viti, autoritetet izraelite e shembën shtëpinë e tij, nën pretekstin se ishte zgjeruar pa leje.
“Tani, fëmijët dhe nipërit jetojnë me qira. Shtova një dhomë me sallon dhe banjo dhe ata ma shemben shtëpinë. Nuk kam se ku të shkoj, do të jem i pastrehë”, thotë për Zërin e Amerikës, palestinezi Fakhri Abu Diab, banor i Jeruzalemit lindor.
Zoti Diab thotë se ai dhe fqinjët në Jeruzalemin lindor janë përpjekur vazhdimisht që të marrin lejet e ndërtimit, por Izraeli pothuajse gjithmonë i mohon kërkesat e tyre. Ai thotë se deri tani janë shembur 10 shtëpi dhe pritet shembja e rreth 100 të tjerave në lagjen e tij. Qeveria izraelite thotë se toka do të përdoret për të ndërtuar një park arkeologjik.
Në lagjen tjetër, Batn Al Hawa, situata është më komplekse.
Hebrenjtë e Jemenit u vendosën këtu në fund të shekullit të 19-të, por u larguan pas trazirave arabe në vitet 1930.
Sipas ligjit izraelit, pronat e Jeruzalemit që ishin fillimisht në duart e hebrenjve mund t’u kthehen izraelitëve, edhe nëse palestinezët që e blenë tokën duhet të dëbohen.
Aktivisti palestinez, Zuhair Rajabi thotë se qeveria ka urdhëruar dëbimin e tij dhe të pronarëve të 87 shtëpive të tjera në lagje, të cilat më parë ishin nën pronësinë e një fondi filantropik për hebrenjtë jemenas.
“I kemi blerë shtëpitë, nuk i kemi vjedhur, kemi dokumente. Çdo familje ka dokumentat e blerjes. Në rastin tim, babai e bleu këtë shtëpi në vitin 1966, dhe jetojmë këtu që nga ajo kohë. Në vitin 2015, unë dhe vëllezërit u tronditëm kur morëm urdhrin e dëbimit. Për çfarë?”, shtron pyetjen zoti Rajabi.
Zoti Rajabi thotë se ai dhe fqinjët ngacmohen shpesh nga rreth 40 familje të kolonëve hebrenj që janë shpërngulur në lagje, të mbrojtur nga rojet e sigurisë të financuara nga qeveria.
Ai thotë se organizata e kolonëve hebrenj, “Ateret Cohanim”, i ofroi shuma të mëdha parash për t’u larguar, por ai refuzoi.
Përfaqësuesit e shoqatës “Ateret Cohanim” thonë se nuk ka asgjë të paligjshme në përpjekjen për të blerë prona dhe për të rivendosur një prani hebraike në këtë zonë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Daniel Luria, drejtor ekzekutiv i shoqatës “Ateret Cohanim”.
“Në thelb, ky është djepi i mbretërve dhe profetëve të popullit hebre, këtu lindi historia dhe trashëgimia. Kjo është qendra e Jerusalemit dhe e botës hebraike”.
Grupet izraelite të të drejtave të njeriut janë përpjekur t’i mbrojnë palestinezët e Jeruzalemit lindor, të cilët përbëjnë pothuajse 40% të popullsisë së qytetit, përballë urdhrave të qeverisë izraelite për dëbimin e tyre dhe shembjen e shtëpive. Grupet thonë se përpjekjet kundër palestinezëve janë shtuar gjatë vitit të kaluar pas fillimit të luftës në Gazë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Aviv Tatarsky të organizatës joqeveritare izraelite “Ir Amim”, e cila përpiqet të mbrojë të drejtat palestineze në Jerusalem.
“Po gjejmë mënyra për të bllokuar veprimet e qeverisë izraelite, por çekuilibri i pushtetit nuk është në favorin tonë”.
Ndërsa Izraeli përballet me konflikte në shumë fronte si Gaza, Libani, Jemeni dhe Irani, Jeruzalemi ka qenë relativisht i qetë. Por shtimi i prishjes së shtëpive dhe dëbimi i palestinezëve mund të çojë në rritjen e tensioneve në qytet.
Elon Musk, pronari miliarder i kompanisë SpaceX që ka fituar kontrata qeveritare dhe një aleat kyç i kandidatit republikan për president Donald Trump, ka qenë rregullisht në kontakt me presidentin rus Vladimir Putin në dy vitet e fundit, raportoi gazeta Wall Street Journal.
Një person që është në dijeni të çështjes, i cili foli në kushte anonimiteti, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se zoti Musk dhe zoti Putin kanë pasur kontakt përmes telefonatave. Burimi nuk dha detaje shtesë në lidhje me shpeshtësinë e telefonatave, kur janë kryer apo përmbajtjen e tyre.
Elon Musk, njeriu më i pasur në botë që zotëron kompaninë Tesla dhe platformën e mediave sociale X është kthyer në një zë të fortë të së djathës amerikane. Ai ka dhënë miliona dollarë për fushatën e zotit Trump dhe e ka kthyer platformën e njohur dikur si Twitter në një rrjet që ka shumë mbështetës së Trumpit, por po ashtu edhe teori konspracioni, ekstemistë dhe propagandues rusë.
Kontaktet e zotit Musk me zotin Putin ngrenë pikëpyetje të sigurisë kombëtare, duke patur parasysh se kompanitë e tij punojnë për qeverinë dhe po ashtu nënvizojnë shqetësimet mbi ndikimin rus në politikën amerikane.
Çfarë duhet të dini:
Mbi çfarë biseduan ata
Elon Musku dhe Vladimir Putini kanë folur vazhdimisht për çështje personale, çështje të lidhura me biznesin dhe gjeopolitikën, raportoi gazeta Wall Street Journal të enjten, duke cituar shumë zyrtarë dhe ish zyrtarë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Rusi.
Gjatë një bisede, Presidenti Putin i kërkoi Elon Muskut të mos aktivizonte sistemin e tij satelitor Starlink mbi Tajvan si një favor për presidentin kinez Xi Jinping, i cili ka forcuar lidhjet me Putinin, raportoi gazeta. Udhëheqësit Putin dhe Xi janë takuar më shumë se 40 herë që nga viti 2013.
Rusia ka mohuar zhvillimin e një bisede të tillë. Në vitin 2022, zoti Musk tha se kishte folur vetëm një herë me Putinin, përmes një bisede telefonike të zhvilluar 18 muaj më herët, me temë hapësirën. Ambasada e Kinës në Uashington tha të premten se nuk “ishte në dijeni të hollësive” të ndonjë kërkese të bërë nga Putini në interes të Kinës. Kompania X dhe Tesla nuk iu përgjigjën kërkesave për një koment.
Çfarë do të thonë këto biseda për sigurinë kombëtare
Marrëdhënia e zotit Musk me Presidentin rus Putin ngre pikëpyetje mbi sigurinë kombëtare, duke mbajtur parasysh miliarda dollarët që i janë dhënë përmes kontratave qeveritare kompanisë SpaceX , një partner kritik i NASA-s dhe projekteve satelitore të qeverisë.
Po ashtu, zoti Trump është zotuar t’i jape zotit Musk një rol në administratë, nëse fiton zgjedhjet e muajin të ardhshëm.
Kreu i çdo kompanie nënkontraktore qeveritare të madhe në fushën e mbrojtjes do të përballej me pikëpyetje të ngjashme nëse do të zhvillonte biseda private me një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Amerikës, thotë Bradley Bowman, ish-asistent profesor në Akademinë Ushatarake West Point dhe këshilltar për sigurinë kombëtare në Senat, i cili tani shërben si drejtor i lartë i Qendrës për Fuqi Politike dhe Usharake pranë Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.
Zoti Bowman tha se koha kur ishin zhvilluar bisedat telefonike, siç raportohet nga gazeta Wall Street Journal, dhe ndryshimi i pikëpamjeve të zotit Musk mbi Ukrainën paraqesin një “rastësi shqetësuese”.
“Politika e qeverisë amerikane është të përpiqet të izolojë Vladimir Putinin dhe Elon Musku po e dobëson në mënyrë direkte një gjë të tillë”, thotë zoti Bowman. “Çfarë po bën Putini me anë të Muskut? Putini po përpiqet të pakësojë izolimin e tij ndërkombëtar dhe të ndikojë në politikën e jashtme amerikane.”
Kërkesa e Putinit lidhur me rrjetin satelitor Starlink si një favor për Kinën ka të ngjarë të marrë vëmendje, duke pasur parasysh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin dhe shqetësimet për partneritetin në rritje mes Kremlinit dhe Pekinit.
Kompania e automjeteve elektrike Tesla e zotit Musk e ka në Shangai fabrikën më të madhe të prodhimit jashtë Shteteve të Bashkuara, Gigafactory Shanghai.
Zoti Musk ka krijuar marrëdhënie të ngushta me udhëheqësit më të lartë kinezë.
Ai ka bërë deklarata miqësore rreth Kinës dhe ka sugjeruar që Tajvani t’i japë një lloj kontrolli Pekinit duke u bërë një rajon i veçantë administrativ.
Moska po shton lidhjet edhe me kundërshtarë të tjerë të Amerikës. Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për dërgimin e raketave balistike në Iran dhe ka deklaruar se Koreja e Veriut dërgoi trupa në Rusi, ndoshta për të luftuar në Ukrainë.
Sa i përket Ukrainës, pikëpamjet e zotit Musk kanë ndryshuar që nga koha kur filimisht mbështeti Kievin pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në 2022 dhe i mundësoi sistemin Starlink për komunikime.
Më pas, në 2023, ai refuzoi të lejonte Ukrainën që të përdorte sistemet satelitore të internetit Starlink për një sulm të befasishëm ndaj ushtarëve rusë në Krime.
Po ashtu, ai paraqiti një propozim për t’i dhënë fund luftës, sipas së cilës Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga plani për anëtarësimin në NATO dhe do duhej t’i jepte Rusisë kontroll të përhershëm në Krimesë, të cilën e pushtoi në 2014. Plani shkaktoi zemërim tek udhëheqësit ukrainas.
Një person që është në dijeni të bisedimeve mes zotit Musk dhe zotit Putin tha për gazetën Wall Street Journal se nuk ka asnjë provë që kontakti mes të dyve përbën një problem të sigurisë së Shteteve të Bashkuara.
I pyetur për kontaktet mes zotit Musk me zotin Putin, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve të premten se nuk kishte ndonjë informacion për të dhënë.
CIA, Pentagoni dhe Agjencia për Siguri Kombëtare thanë se nuk kishin ndonjë koment. Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për deklaratë.
Lidhjet e ngushta të të Elon Muskut me Donald Trumpin
Së fundmi Elon Musku u shfaq në një tubim të Donald Trumpit, me një kapelë ku shkruhej slogani “Make America Great Again” dhe paralajmëroi se nëse zoti Trump humbet garën, “këto do të ishin zgjedhjet e fundit”.
Vitin e kaluar, zoti Musk u tall përmes një memeje, lidhur me kërkesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për ndihmë për vendin e tij dhe në muajin shkurt tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërprisnin ndihmën ndaj Ukrainës, sepse ajo nuk mund të fitonte.
Ish Presidenti Trump, i cili ka vlerësuar udhëheqjen e Putinit dhe ka kritikuar aleancën e NATO-s dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, ka ngritur pikëpyetje se çfarë do të ishte i gatshëm të pranonte në negociata të mundshme mbi për të ardhmen e Ukrainës, në ras se rizgjidhet President.
Rusia konfirmon zhvillimin e një bisede
Të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi poshtë raportimin e Wall Street Journal si “informacion absolutisht të rremë”.
Zoti Peskov tha se zoti Putin dhe zoti Musk kanë zhvilluar një “bisedë telefonike as shumë të shkurtër as shumë të gjatë” para vitit 2022 që ishte “më tepër e natyrës prezantuese” dhe se të dy folën për “teknologjitë vizionare, zgjidhjet teknologjike për të ardhmen”.
“Pas kësaj, zoti Musk nuk pati më kontakte me Putinin”, tha zoti Peskov, duke e hedhur poshtë artikullin e gazetës si politik.
Inteligjenca ushtarake e Ukrainës i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se nuk do të komentonte në lidhje me komunikimin mes Vladimir Putinit dhe Elon Muskut.
Komentet