Më pyeste një mik, me të cilin po udhëtonim së bashku se çfarë mundësish kemi sot për t’u zhvilluar. Dhe unë iu përgjigja thjesht: Na kanë rënë në dorë tre zogj dhe ky është fat. E di që s’rrinë gjatë, jo. Ikin dhe fluturojnë menjëherë, të trembur. Pastaj fjala e urtë thotë se zogu nuk rri në pëllëmbën tënde me orë e ditë të tëra, derisa ty të të dalë gjumi, jo! Prandaj dhe na duhet të hapim sytë e t’i shohim mundësitë e arta që kemi në dorë.
Gazifikimi i Shqipërisë
Ka kohë që është midis nesh. Hidhen batuta, bëhet ironi, kritika dhe thuhen edhe barsoleta. Por e vërteta është ndryshe: TAP dhe gazi që po zbarkon në vendin tonë të vogël kërkon strategji kombëtare, konsensus dhe mendje të hollë, pasion dhe energji të jashtëzakonshme. Sigurisht është temë e gjerë dhe kjo që po ju them vlen sa për një nxitje. Gazifikimi i Shqipërisë do të thotë zhvillim i madh dhe i qëndrueshëm: aklimatizim i ri i qyteteve dhe fshatrave, dhe dhjetëra (pse jo edhe qindra) termocentrale-gazi me fuqi të mrekullueshme eksporti, politikë konsensuale, guxim, kapacitete të larta mendore dhe financiare, iniciativë krijuese, shembull vetjak, vullnet, ndershmëri e thjeshtësi për këtë mundësi të artë zhvillimi, me anë të koncesioneve mjaft të rëndësishme, sjellje e bukur dhe energji e patjetërsueshme. Një nga mendjet e ndritura që ka punuar në këtë sektor thotë se gazifikimi i Shqipërisë do të thotë gati tre milionë punëtorë (që do të thotë gjithashtu që gjithë të larguarit të rikthehen në atdhe, por të vijnë të huajt për të punuar, duhen të paktën dhjetë vite të mrekullueshëm dhe mbi 300 firma punuese apo edhe koncesione të fuqishme ekonomike në këtë fushë, duke gjeneruar mbi 10 miliardë dollarë… Inxhinierët dhe ekonomistët le të mprehin lapsat dhe të ëndërrojnë duke kalkuluar. Qoftë edhe vetëm për kaq ia vlen një politikë me konsensus të lartë, frymë bashkëpunimi për të hartuar dhe arritur strategjinë kombëtare dhe gjithëshqiptare…
Fermat ala «Uka Farm»
Mundësia jonë e dytë e artë : zhvillimi i hovshëm dhe i lartë me fermat. TOTALISHT ME SYTË NGA BUJQËSIA DHE BLEGTORIA ! Jo thjesht të kthejmë sytë, po edhe të nxitojmë me një pikësynim të jashtëzakonshëm. Doni të bindeni sa e thjeshtë është? Atëherë shkoni urgjent dhe vizitoni «Uka Farm» në Laknas dhe vështroni në sy apo edhe bisedoni me të mrekullueshmin, të madhin Prof. Dr. Rexhep Uka. Dhe do ta shihni me sytë tuaj se ç’mundësi e sekrete fshihen! Aty është zdrukthi nën të cilin duhet të kalojnë të gjithë. Padyshim të gjithë! Sepse e kemi dhe ja, nuk ia dimë vlerën! Një realitet që flet fare qartë. Një drejtim i tillë arrihet brenda katër vitesh, me kapitale të një sinergjie të papritur dhe të jashtëzakonshme. Drejt eksporteve të mëdha bio, drejt një prodhimi me shije krejt të veçantë, që sigurisht arrihet me vullnet, dëshirë, por mbi të gjitha me konsensus për një strategji të re. «Uka Farm» është strategjia kombëtare e bujqësisë shqiptare. E shkruar, n dhjetra vllime dhe e pabotuar! Një model i madh, ndaj ejani ta shihni dhe ta besoni se eksporti shqiptar në bujqësi ka për të qenë një shpërthim i mrekullueshëm, i bujshëm dhe do ta lërë mbrapa, shumë vite dritë larg hijen e zezë që krijuan këto kohë të errëta. Miliarda dollarë fshihen nën punën tonë, djersën, krijimtarinë, guximin dhe artin e duarve tona, dritën e së ardhmes së afërt dhe një rezervë e hatashme për rrugën e tretë…
Turizmi shëtitës
Fare e thjeshtë, or mik. Unë nuk e kuptoj si e kemi lënë padore këtë mundësi e artë! Turizëm shëtitës më këmbë, me biçikletë, me motoçikletë, me pajtonë, patina, kalërim, slita dhe aq e aq forma të tjera. E para studiohen, projektohen dhe «ndërtohen» rrugëkalimet, itineraret (qindra e qindra anekënd Shqipërisë dhe viseve shqiptare! 1001 rrugëkalime ose itinerare përshkruan në studimin e tij voluminoz Prof. Dr. Arqile Bërxholi!), vendet e afërta të bujtinave shqiptare ku ka biçikleta, motorë, ushqim, veshje, fusha sportive e kalërimi, mjedise kulturore, biblioteka, tregues për vendet dhe pikat e kulturës dhe të trashëgimisë. Kjo do të thotë se ministria e turizmit merr në dorë energjinë krijuese duke i dhe hov zhvillimit të madh. Ky projekt përfshin programe gjithëvjetore, nxitje të biznesit, projekte koncesioni, arkitektonikë zhvillimore dhe kudo sërish në formë të qartë dhe të pandërprerë përcaktimin e rrugëve, bujtinave, në mënyrë të detajuar. Dhe shumë shpejt turizmi shumëdimensional do të jetë i pranishëm çdo ditë të vitit. A ka një kokë e gjitha kjo? A do një grup ekspertësh? Prof. Dr. Arqile Bërxholi (i ndjerë) ka lënë pas thesare të shkruara për këtë mundësi të artë, ku fshihen miliona e miliona dollarë që hidhen poshtë në mënyrë të poshtër. Lexojeni veprën monumentale të Profesorit të nderuar «Treva e Gjirokastrës» dhe do të bindeni se për çfarë flasim. Një mrekulli e fshehur kaq keq dhe fatalisht një dëm që bie e rëndon gjithnjë e më shumë me apati të çuditshme mbi jetën tonë. Si nuk pashë e dëgjova një ministër a deputet të fliste për këtë mundësi të jashtëzakonshme zhvillimore. Duhet vetëm një shkëndijë. Le ta ndezim atë!
Tiranë, më 03. 06. 2017
Komentet