Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar akuzat e Gazment Bardhit ndaj vëllait të kryeministrit të vendit, Edi Rama, Olsi Ramës.
Lala u shpreh se dosja Xibraka nuk është hetuar si duhet dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka thënë në vitin 2017 se ndërhyrja e policisë në Xibrakë ka qenë e nxituar dhe jo efektive duke krijuar dyshime për gjithë çështjen.
Ajo shtoi se indicia se vëllai i kryeministrit dhe një trafikant droge kanë përdorur të njëjtin automjet është e mjaftueshme që dosja penale të hapet sërish, teksa rikujtoi rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri që u zbulua nga autoritetet për shkak të sistemit TIMS.
Lala theksoi se Olsi Rama po ashtu rezulton se ka pasur lidhje me Amant Josifin, i cili është i kërkuar nga autoritetet spanjolle, ndërsa shtoi se ka dyshime të arsyeshme se vëllai i kreut të qeverisë shoqërohet me eksponentë të krimit të organizuar, duke përbërë indicie të mjaftueshme për ta hetuar atë.
“Dosja Xibraka nuk është hetuar si duhet, këtë e dimë tanimë. E vetmja pyetje që natyrshëm më vjen është se përse pikërisht ky denoncim në këto momente, gjë që duhet ta sqarojë zoti Bardhi. Opozita flet prej vitesh për implikime të mundshme të Olsi Ramës.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në vitin 2017 ka thënë se nisur nga provat e marra në hetim shpreh mendimin se ndërhyrja e policisë në Xibrakë ka qenë e nxituar dhe jo efektive pasi në laborator nuk u gjet produkti i gatshëm dhe gjëra të tjera, por vetëm gjurmë. Duke qenë se në Xibrakë po derdheshin lëngje provash.
Nuk kam konfirmuar ato që thotë zoti Bardhi për TIMS, por Tahiri u vu nën hetim penal vetëm sepse mjeti i tij ishte përdorur nga disa persona që u shpallën fajtorë për trafikun e drogës. Mjafton vetëm ky fakt që dosja penale të hapet nga SPAK, sepse nuk ka pasur asnjë përgjigje se çfarë është bërë me këtë dosje penale.
Duhet të kemi parasysh se prokurori që ka pasur këtë dosje është graduar në prokuror të përgjithshëm të Shqipërisë. Këtu nuk e kemi marrë përgjigjen. Nuk dua t’i hyj nëse Olsi Ram ka lidhje, por ka indicie të mjaftueshme për të hapur çështjen.
Kur një automjet përdoret nga vëllai i kryeministrit dhe një herë tjetër nga një trafikant droge, këtu lë të dyshosh përtej propagandës politike që këtu ka një indicie që duhet hetuar.
Mendoni se një polic në Shqipëri ka guximin për të ngritur tabelën për të ndaluar vëllain e kryeministrit? Saimir Tahiri shkroi prapa hekurave për Audin, Bardhok Pllanaj u fsheh në makinën e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Sot nuk mund të them nëse Olsi Rama ka mbajtur në mjetin e tij persona të skeduar, por kryeministrit sot ka një përgjegjësi morale nëse provohet lidhja e vëllait të tij, kryeministri ka përgjegjësi politike dhe vëllai penale.
Nuk mund të përdoret makina e vëllait të kryeministrit nga një trafikant për të hyrë e për të dalë nga vendi. Operacioni u shkatërrua që në gjenezën e vetë, gjermanët ndërprenë komunikimet me prokurorinë shqiptare sepse ajo po dekonspironte hetimet.
Kam trajtuar rastin e Amant Josifit, i cili më rezulton me lidhje me vëllain e kryeministrit dhe sot është personi më i kërkuar i autoriteteve spanjolle, ndërsa prokuroria shqiptare nuk e ka sqaruar ende pozicionin e Olsi Ramës. Unë po ashtu kam dyshime të arsyeshme që vëllai i kryeministrit shoqërohet me eksponentë të krimit të organizuar, kjo përbën indicie për ta hetuar. Nuk mund të ngre gishtin e akuzës, por mund të kërkoj hetim nga prokuroria shqiptare nga këto indicie”, u shpreh ajo.