Alsu Kourmasheva, gazetare e Shërbimit Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë (REL), është nderuar me Çmimin Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit për vitin 2024 nga Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), në një ceremoni të mbajtur në Nju Jork më 21 nëntor.
Kurmasheva, e cila u lirua nga burgu në Rusi rishtazi pasi i kaloi 288 ditë në paraburgim, e falënderoi CPJ-në për përpjekjet e komitetit për ta siguruar lirimin e saj.
“Gazetaria nuk është krim”, tha ajo, duke shtuar se më shumë se 20 gazetarë janë duke u mbajtur në burgjet e Rusisë.
Kurmasheva shtoi se çmimin ia ka kushtuar kolegëve të saj që janë ende në burg, përfshirë gazetarëve të REL-it, Ihar Losik dhe Andrey Kuznechyk në Bjellorusi, Vladislav Yesypenko në Krimea, dhe Farid Mehralizada në Azerbajxhan.
“Kolegët e mi nuk janë thjesht statistika. Sikurse unë, edhe ata janë qenie njerëzore dhe kanë familje, të cilat i duan ata dhe u mungojnë. Ka dhjetëra gazetarë të tjerë në burgjet ruse. Ata duhet të lirohen menjëherë”, tha Kurmasheva.
Këtë çmim e fituan këtë vit edhe gazetarja palestineze Shorouq al-Aila, gazetarja nga Guatemalan Kimi de Leon, dhe gazetarja hulumtuese nigeriane Samira Sabou, të cilët u nderuan për guximin e tyre për t’u përballur me përndjekjen.
Kurmasheva, me shtetësi ruse dhe amerikane, ishte ndaluar qershorin e vitit 2023 teksa po priste të kthehej në Pragë nga Kazani. Autoritetet ai konfiskuan të dy pasaportat dhe telefonin. Ajo u lirua nga ndalimi, por iu ndalua largimi nga shteti.
Pas pesë muajsh pritje për një vendim për rastin e saj, Kurmasheva u gjobit me 109 dollarë për dështim që të regjistronte tek autoritetet ruse pasaportën e saj amerikane.
Në pamundësi që të largohej nga Rusia, në tetor Kurmasheva u arrestua, u dërgua në burg dhe u akuzua se nuk ishte deklaruar si “agjente e huaj”.
Dy muaj më vonë, ndaj saj u ngrit akuza për shpërndarje të lajmeve të rreme për ushtrinë ruse.
Në korrik, një gjykatë në Kazan, e dënoi Kurmashevën me gjashtë vjet e gjysmë burgim.
Më 1 gusht, ajo u lirua gjatë këmbimit të të burgosurve, së bashku me shtetasit amerikanë, Evan Gershkovich dhe Paul Whelan.REL