Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, tha se gazetarja Alsu Kurmasheva do të lirohet, teksa raportohet për një këmbim masiv të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit.
Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë, ishte dënuar nga një gjykatë ruse në korrik me gjashtë vjet e gjysmë burgim.
“Mirëpresim lajmin për lirimin e menjëhershëm dhe i jemi mirënjohës Qeverisë amerikane dhe të gjithë atyre që punuan pa ndalur për përfundimin e trajtimit të padrejtë të saj nga Rusia”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Capus.
“Alsuja u shënjestrua sepse është gazetare amerikane, e cila thjesht po tentonte të ndihmonte pjesëtarët e familjes së saj që janë brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë gabim dhe sigurisht nuk e meritoi trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga më të dashurit e saj dhe kolegët”, shtoi ai.
Kurmasheva ka shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane, dhe është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë.
Gazetarja e Shërbimit të Tatar-Bashkirit të Radios Evropa e Lirë ishte dënuar nga një gjykatë ruse për “përhapje të informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse.
Alsu Kurmasheva ishte ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.
Një regjistrim i tillë është i detyrueshëm sipas një ligji rus që synon të shënjestrojë gazetarët, aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që nuk kanë qëndrime të njëjta me pushtetin.
Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera më 1 gusht kanë nisur një këmbim masiv të të burgosurve, në atë që pritet të jetë këmbimi më i madh i këtij lloji që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Bloomberg, Sky News, CNN, dhe media të tjera perëndimore, duke cituar burime, raportuan se këmbimi po ndodh më 1 gusht, pasi nuk dihej vendndodhja e disa të burgosurve politikë të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, duke nxitur spekulime se ata po bëheshin gati për këmbim.
Asnjë zyrtar qeveritar në Uashington, Moskë apo gjetkë nuk ka komentuar mundësinë e një këmbimi; megjithatë, analistët më 1 gusht vunë në dukje shenjat që sugjeronin se atë që mund të jetë më i madhi i këtij lloji që nga Lufta e Ftohtë.
Disa media amerikane raportuan se gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe ish-marinsi amerikan, Paul Whelan, po ashtu do të lirohen, sikruse edhe aktivisti opozitar Vladimir Kara-Murza, që ka shtetësi ruse dhe britanike.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar lirimi i tyre.
Spekulimet për këmbimin e të burgosurve u rritën ditëve të fundit pasi avokatët mbrojtës të disa të burgosurve të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, thanë se nuk ishin në dijeni të vendndodhjes së klientëve të tyre, një situatë që rëndom ndodh kur të burgosurit zhvendosen. Në mesin e tyre përfshien Kara-Murza dhe aktivisti tjetër opozitar, Ilya Yashin.
Olga Karlova, avokate e ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, tha më 31 korrik se ajo nuk e di se ku është klienti i saj dhe se autoritetet në burgun në rajonin Mordovia ku ai ishte i burgosur, i kanë injoruar kërkesat për të konfirmuar nëse ai ndodhet në burg.
Whelan, i cili po vuan një dënim me burgim prej 16 vjetësh për spiunazh që ai dhe Uashingtoni e mohojnë, është një nga më se 10 shtetasit amerikanë që aktualisht mbahen nëpër burgjet ruse, të akuzuar ose të dënuar për akuza që variojnë nga posedimi i drogës dhe vjedhja e deri te tradhtia dhe spiunazhi.
Në shumë raste, akuzat kundër amerikanëve, të cilat përfshijnë reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe redaktoren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, janë etiketuar nga punëdhënësit e tyre ose nga Qeveria amerikane si të sajuara ose të motivuara politikisht.
Disa nga dënimet tejkalojnë atë që ekspertët ligjorë thonë se do të ishte normale.
Më herët gjatë 1 gushtit, presidenti i REL-it, Capus, tha se gazetaria nuk është krim duke shprehur shpresën që të liroheshin gjithë të burgosurit politikë dhe gazetarët që po mbaheshin padrejtësisht.
“Tre gazetarëve të tjerë të Radios Evropa e Lirë që po mbahen padrejtësisht pas hekurave – dy në Bjellorusi dhe një në Krimenë e kontrolluar nga Rusia – u themi se nuk jeni të harruar. Radio Evropa e Lirë do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar lirimin tuaj dhe për t’ju ribashkuar me familjet tuaja”, tha ai.
Vetëm disa orë pasi u zbulua zhdukja e Whelanit, avokati mbrojtës i Kara-Murzait, një shtetas i dyfishtë ruso-britanik, tha se atij nuk iu lejua të hynte në burgun e Omskut për të parë klientin e tij, i cili vitin e kaluar u dënua me 25 vjet burgim për tradhti dhe akuza të tjera.
Më 1 gusht, një grup avokatësh rusë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut të njohur si Pervy Otdel postuan një mesazh në Telegram duke vënë në dukje gjurmën e fluturimit të një aeroplani Antonov që më parë ishte përfshirë në këmbime të tjera të burgosurish.
“Një aeroplan An-148, i cili dyshohet se ishte përdorur për këmbimin e mëparshëm të të burgosurve politikë, u ngrit nga Kaliningradi në Moskë më 1 gusht”, tha Pervy Otdel.
Avioni, me numrin RA-61727, u nis më pas për në Moskë, tha grupi, gjë që “mund të tregojë se këmbimi i të burgosurve politikë ka ndodhur në kufirin me Poloninë”.
Të dhënat nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, konfirmuan lëvizjet e avionit, ndërsa media ruse, Agenstvo, raportoi se disa avionë specialë të Qeverisë ruse ditët e fundit kanë udhëtuar drejt dhe nga rajonet ku gjenden burgjet në të cilat mbahen disidentët.
Ndërkohë, katër rusë të akuzuar ose burgosur në Shtetet e Bashkuara janë zhdukur nga një bazë të dhënash e të burgosurve që operohet nga Byroja Federale e Burgjeve të SHBA.
Në mesin e këtyre katër të burgosurve është Vladislav Klyushin, një sipërmarrës TI i lidhur me Kremlinin që vuan një dënim shumëvjeçar për akuza për tregti të brendshme, dhe Aleksandr Vinnik, i cili kohët e fundit u deklarua fajtor për akuzat për pastrim parash dhe ka qenë i lirë në pritje të dënimit.
Këmbimi më i madh i të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë ndodhi në vitin 2010 dhe përfshinte gjithsej 14 persona.
Në atë këmbim, Shtetet e Bashkuara liruan 10 rusë, përfshirë edhe Anna Chapman.
Sergei Skripal, një oficer i inteligjencës ushtarake ruse i dënuar për spiunazh për Britaninë, ishte në mesin e katër personave të liruar nga Moska.