Plot 86 vjet pasi gazetarit gjerman Carl von Ossietzky i akordohej çmimi Nobel për Paqe, përsëri ky çmim është në duart e dy kolegëve të tij. Ishte viti 1935, një kulmim i njëkohshëm i diktaturës nazifashiste dhe diktaturës komuniste sovjetike, dy diktaturave nga më gjakataret e njerëzimit, përballë të cilave liritë njerëzore, demokracia dhe paqja ndiheshin fatalisht të rrezikuara.
Ky çmim i sivjetëm ndaj dy kolegëve të Carl von Ossietzky, njëherësh dy kolegëve tanë ka një semantikë jo më pak të rëndësishme se 86 vjet më parë. Kanë plotësisht të drejtë ata që mendojnë se ky çmim i jepet gazetarisë, pushtetit të katërt, i jepet gazetarisë së vërtetë, lideres së vërtetë të opinionit publik. I jepet sot, kur opinionit publik e drejta e tij themelore për informim sa më të plotë, sa më të vërtetë dhe sa më të larmishëm i mohohet përditë e më shumë nga rritja e autoritarizmit, e censurës, rritja e trysnisë, përfrikësimeve ndaj gazetarëve dhe mediave. I jepet sot, kur opinionit publik i mohohet kjo e drejtë përditë e më shumë nga vërshimi i informimit të pavërtetë, qëllimi i të cilit është komprometimi i misionit të mediave profesionale ndaj opinionit publik, krijimi i një hendeku sa më të madh midis opinionit publik dhe gazetarisë së vërtetë. Këtë hendek e krijon, e nxit, e ushqen, e sponsorizon me të gjitha mjetet e tij të pafundme politika autoritariste dhe oligarkitë.
Nobeli i sivjetëm përkoi me 15 vjetorin e vrasjes së Anna Politkovskajas, kur ende, as sot e kësaj dite porositësit e vrasjes së saj nuk janë dënuar. Prandaj u komentua si një çmim që asaj i mungoi sa ishte gjallë. Dmitry Muratov ua ka dedikuar çmimin Anna Politkovskayas, Yury Shchekochikhinit, Igor Domnikovit “dhe miqve e kolegëve të mi të vdekur”. “Natyrisht, është e rëndësishme dhe e mrekullueshme që përpjekjet tona janë vërejtur. Mirëpo shpresoj që ky çmim të tërheqë vëmendje botërore dhe të ndikojë në ndryshim të situatës, ashtu që ata që kanë urdhëruar vrasjen e Anna Politkovskaya të identifikohen, dhe Qeveria të mos pengojë hetimet në çështjet ku janë të përfshirë burokratë shtetërorë,” deklaroi Muratov.
Ky çmim iu dha dy gazetarëve ngaqë nuk iu është dhënë dot dy opozitarëve: lideres së opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya dhe liderit të opozitës ruse Aleksei Navalny, ka komentuar dikush tjetër.
E vërteta është se shpresat që demokracinë e vërtetë do ta sjellë sot opozitarizmi politik janë të venitura ndoshta sa asnjëherë më parë. Ndërrimet në pushtet kanë sjellë zëvendësimin e një autokracie me një tjetër, zëvendësimin e një demagogjie të sofistikuar me një demagogji tjetër më të sofistikuar. Opinioni publik është më i çorientuar se kurrë. Më shumë se kurrë ai është i zemëruar dhe më shumë se kurrë nuk di ndaj kujt të shfryjë zemërimin.
Në një kohë kur të gjitha pushtetet e tjera janë të rreshtuara në një front kundër mendimit të lirë, kundër gazetarisë dhe mediave të pavarura, bastion i fundit i demokracisë është pikërisht gazetaria e vërtetë. Ajo që bëjnë kolegët e dikurshëm të Carl von Ossietzkyt, kolegët e sotëm të Maria Ressa dhe Dmitry Muratov. Një gazetari e tillë mund të udhëheqë drejt opinionin publik, mund të lartësojë shoqërinë për një opozitarizëm të pakompromis, qëllimi i të cilit nuk është vetëm marrja e pushtetit, por, mbi të gjitha demokracia, sistemi i krijimit të shanseve të barabarta për të gjithë.
Censurë e plotë në Shqipëri ndaj çmimit të sivjetëm Nobel për Paqe ndaj një gazetareje dhe ndaj një gazetari. Asnjë studio nuk ia kushtoi një ndërkohë sado të vogël për të debatuar pse Nobeli për Paqe sivjet shkoi te kolegia e tyre, te kolegu i tyre. Dhe për të pyetur cili apo cila gazetar apo gazetare në Shqipëri, cila media në Shqipëri e meriton të çmohet, të vlerësohet për shërbimin që ia ka bërë e ia bën fjalës së lirë, informimit të drejtë e të pavarur.
Nobeli i sivjetëm për Paqe merr kuptim të veçantë, sa rrallëkund sot në shoqëritë bashkëkohore, pikërisht në Shqipëri, ku mungon liria dhe pavarësia e mediave, pra mungon profesionalizmi i vërtetë. Regjimi, duke ndërthurur mjetet e ashpra me mjetet e buta, ka mbytur me sukses pushtetin e katërt. Pushtetet e tjera, të shndërruar në një të vetëm dhe të përfshirë në një dorë të vetme, kanë triumfuar kundër pushtetit të pavarur të mediave dhe kundër demokracisë në Shqipëri.
Prandaj kolegët e koleget në Shqipëri, më shumë se kudo, duhej të kujtoheshin për kolegen e tyre Maria Ressa dhe kolegun e tyre Dmitry Muratov, fituesit e sivjetëm të Nobelit për Paqe.
Në kohën kur gazetaria profesioniste ndodhet në një udhëkryq ekzistencial, të jetë apo të mos jetë, e rrezikuar nga klientelizmi, nga amatorizmi profiter, nga oligarkët dhe krimi i organizuar, ne e shohim Nobelin e Paqes ndaj dy kolegëve tanë si mbështetje për çdo gazetar me integritet në shërbim të së vërtetës dhe të opinionit publik.
Nobeli i Paqes për Maria Ressa dhe Dmitry Muratov është një nderim për gazetarët shqiptarë Ali Ukaj, Enver Maloku, Xhemal Mustafa, Besim Kastrati, Shefki Popova, Bardhyl Ajeti… të vrarë nga dora barbare, kur as vrarësit dhe as ideologët e vrasjeve nuk kanë dalë edhe sot e kësaj dite përpara drejtësisë.
Nobeli i Paqes për Maria Ressa dhe Dmitry Muratov është një mbështetje për të gjithë ne gazetarët profesionistë që e ushtrojmë me integritet profesionin tonë në kushte shumë të vështira kur Edi Rama ka uzurpuar çdo pushtet dhe po ashtu ka shtrirë tentakulat edhe në diasporë!
Pa liri të shprehjes nuk mund te jetë as sistemi demokratik dhe as liritë themelore të njeriut.
Komentet