Gazetari i njohur gjerman, Michael Martens, që raporton për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, ishte i ftuari i mbrëmjes në SYRI TV.
Gazetari u pyet nga moderatorja Armela Ferko në lidhje me çështjen e pranimit të Kosovës në Këshillit të Europës.
Ai pranoi ekzistencën e një letre nga Gjermania, Franca dhe Italia për këtë çështje.
‘Ajo që mund të them se unë kam dëgjuar të njëjtën gjë, nuk e kam parë letrën origjinale, por e kam dëgjuar.
Ka disa forca në kancelarinë gjermane që nuk u pëlqen që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Europës.
Është një shumicë e qartë brenda parlamentit gjerman, të cilit janë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, por ka disa forca që nuk janë të kënaqura me këtë.
Këshilltari kryesor i zotit Scholz, i cili ka qenë i stacionuar në këtë rajon, që ka qenë kundër përfshirjes së Kosovës si anëtare në Këshillin e Europës,’ tha Martens.
Sipas tij, strategjia është që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës në qershor.
‘Nga informacionet më të fundit që kam nesër, në axhendë nuk do të diskutohet çështja e Kosovës.
Duket se ka një strategji tani që Kosova tani të dërgojë një draft të statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për të vërtetuar që qeveria e Kosovës nuk është kundër krijimit të këtij asociacioni.
Gjermania herë pas here është shprehur duke thënë se duhet të integrojmë Ballkanin Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova. Kjo është theksuar veçanërisht nga kancelari Scholz pas sulmit të Rusisë në Ukrainë. Tani është mundësia për ta bërë këtë.
Pas një muaji, në qershor do pranohet Kosova. Mendohet se kjo është strategjia e këtyre personave që mbështesin pranimin e Kosovës si anëtare të Këshillit të Europës,’ tha Martens.
Sipas tij, Kosova është mësuar me faktin që gjithmonë duhet të plotësojë kushte që nuk lidhen fare me procesin. Kjo ndodhi edhe me çështjen e liberalizimit të vizave, por po ndodh tani edhe me çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Europës.