Voal- Televizioni satelitor al-Jazeera njoftoi dje se një gazetare amerikane dhe një gazetar francez, bashkë me reporterë të tjerë vendës, kanë humbur jetën në Homs, kur ndërtesa ku ndodheshin, në lagjen Bab Amro, është bërë objektiv i artilerisë. Burimet e përmendura nga televizioni ishin disa veprimtarë siranë. Gazetarët perëndimorë Marie Colvin, amerikane e Sunday Times e fotografi francez Remi Ochlik. Të dy, ka raportuar Omar Shaker, janë vrarë nga një bombë që ka rënë mbi një qendër shtypi të ngritur nga kryengritësit në lagjen Bab Amr, rrethuar nga besnikët e regjimit që nga 4 shkurti.
VIDEOREPORTERI I VRARË
– Në mesin e mbi 40 viktimave civile të bombardimeve në Homs është edhe Rami al-Said, një video-blogger i njohur 27 vjeçar që dokumentonte drejtpërdrejt përshkallëzimet e tmerrëshme të dhunës nga ana e besnikëve të regjimit të Bashar al-Assad në disa lagje të qytetit kryengritës. Rami ka vdekur nga humbja e gjakut prej plagëve që ka marrë bashkë me tre miq të tjerë, pak çaste pasi pamjet që ka filmuar ai nga bombardimet në rajonin Bab Amro ishin transmetuar nga BBC, Skynews e al-Jazeera.
TREGON NJË DËSHMITAR
Një dëshmitar ka thënë për Reuters, në telefon, se banesa ku ata gjendeshin është goditur nga gjyle të artilerisë, dhe se gazetarët pastaj janë kapur nga një raketë kur ata po përpiqeshin të largoheshin nga banesa që po bombardohej. Të dy ishin gazetarë me përvojë nga lufta në Lindjen e Mesme dhe në pjesë të tjera të botës.
MARIE COLVIN ISHTE REPORTERE TRIME
– Marie Colvin ishte 54 vjeçe, dhe konsiderohej një nga reporterët e luftës me më shumë përvojë në botë. Ajo i ka pasyruar nga terreni të gjithë konfliktet kryesore ndërkombëtare. Në 20 vitet e fundit ajo ka qenë në shumë luftëra dhe revolta, përfshirë Irakun, Ceçeninë, Intifadën Palestineze dhe dhunën në Sri Lanka, ku më 2001 ka mbetur e plagosur rëndë nga një cifël granate dhe ka humbur një sy, prej asaj kohe ajo e mbante syrin të mbuluar me bendë. Atë vit mori çmimin se e dërguara më e mirë e shtypit britanik në ngjarjet botërore.
FITUES I WORLD PRESS PHOTO
– Remi Ochlik, 28 vjeç, fotograf free-lance për media të ndryshme si Le Monde, Paris Match, Time Magazine e The Wall Street Journal, më 2005 kishte krijuar agjencinë e tij fotografike Ip3 Press. Lindur në Thionville, në lindje të Francës, ka mbuluar më 2011 revolucionet në Tunizi, Egjipt e Libi. Vitin e shkuar ka fituar Gran Prix Photo Jean-Louis Calderon për tri fotoreportazhe. Më 10 shkurt, Ochlik ishte në mesin e fituesve të World Press Photo, çmimit më prestigjioz të fotogazetarisë, për një foto të shkrepur në Lib gjatë revolucionit. Remy Ochlik, vetëm pak javë më parë, kujtonte në një artikull në javoren Paris Mach ditën e fundit të përshkuar në Homs me reporterin Gilles Jacquier, edhe ai i vrarë në Sirir më 11 janar. (corriere)/Përktheu: Elida Buçpapaj
23 shkurt 2012
Komentet