Një vit më parë, më 24 shkurt 2022, Vladimir Putini ndërmori pushtimin e Ukrainës, me qëllim për të fshirë nga harta e botës, Ukrainën, fqinjen e përhershme të Rusisë dhe për ta shfarosur popullin ukrainas. Ky ishte një veprim i përshkallëzuar nga ana e presidentit rus, i paprovokuar nga Ukraina, një veprim i rrezikshëm jo vetëm kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Ukrainës, por edhe kundër paqes në Evropë e në botë dhe kundër rendit të sotëm botëror.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Ukrainë gjatë këtij viti, zhvillime që janë një përshkallëzim i veprimeve të Rusisë që nga viti 2014 me aneksimin e paligjshëm të Krimes dhe nxitjen e luftës separatiste në lindje të Ukrainës, ndaj të cilave reagimi i bashkësisë ndërkombëtare nuk ishte në përputhje me rrezikshmërinë që përmbanin këto veprime.
Lufta e Putinit ka shkaktuar që nga 24 shkurti i kaluar mijëra viktima të pafajshme në Ukrainë, largimin e miliona civilëve nga vendi i tyre, si dhe humbje ushtarake për të dyja palët e përfshira në konflikt. Kreu i Kremlinit, i përballur me humbje të sigurtë në fushën e betejës, ka shkatërruar gjithçka rrafsh me tokën, duke e përballur botën me katastrofa ekologjike. Rezistenca heroike fillestare e Ukrainës, si dhe kundërofensiva e mëvonshme e suksesshme, reagimi i fuqishëm i Perëndimit, uniteti i madh i dëshmuar në këtë reagim, e kanë tërbuar Putinin dhe e kanë zhytur atë në një humnerë pa kthim, ku po e merr me vete vendin dhe popullin rus. Skenarët apokaliptikë me të cilët Putini po kërcënon Perëndimin dhe mbarë njerëzimin, do të shndërrohen në bumerangë të pashmangshëm për kreun e Kremlinit dhe përkrahësit e tij.
Ne përshëndesim të gjitha masat që Perëndimi me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatët e tyre në gjithë botën, kanë marrë dhe po marrin për t’i dhënë përgjigjen e duhur Putinit dhe Moskës dhe një përkrahje të fuqishme e të pakursyer ndaj Zelenskyt dhe Kievit.
Ne jemi të vetëdijshëm se në Ukrainë vendoset jo vetëm fati i ukrainasve, jo vetëm fati i i lirisë, demokracisë, paqes, përparimit të ukrainasve, por edhe fati i gjithë botës së lirë dhe i popujve të saj.
Ndjenjat tona më të thella të admirimit dhe të dashurisë ua shprehim popullit të Ukrainës, luftëtarëve heroikë e të paepur ukrainas, Kievit dhe Presidentit Volodymyr Zelesky në luftën e tyre të drejtë për të çliruar të gjitha territoret e pushtuara nga rusët që nga viti 2014 dhe për t’ia rikthyer sovranitetin e plotë dhe të ardhmen e sigurt të vendit në Bashkimin Evropian dhe në hapësirën perëndimore!
Nderimet tona më të larta dhe përuljen tonë pa fund ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Ukrainës, ndaj të gjithë atyre që derdhin gjak, japin jetën në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, sovranitetit, demokracisë së Ukrainës! Urojmë që gjaku i tyre, jetët e tyre të flijuara për atdheun të bëhen dritë, paqe, përparim dhe begati për të ardhmen e Ukrainës dhe popullit të saj! Ne ua kushtojmë atyre të gjitha e lulet e botës të kësaj pranvere që po vjen dhe që është e pandalshme sikurse është e pandalshme e ardhmja e lumtur dhe paqësore e Ukrainës!
Duke pasqyruar drejtpërdrejt dhe me profesionalizëm të rrallë në terren luftimet e zhvilluara në Ukrainë kanë dhënë jetën 43 kolegë, punonjës të mediave nga Ukraina, Evropa dhe shumë vende të botës, si dhe janë plagosur shumë të tjerë. Pikëllimi ynë i jashtëzakonshëm për kolegët tanë, ngushëllimi ynë për të gjitha familjet dhe të dashurit e tyre është njëkohësisht përbetim që të qëndrojmë me të njëjtin dinjitet dhe profesionalizëm në misionin tonë të pasqyrimit të së vërtetës!
Kolegë ukrainas, të cilët janë detyruar të largohen për shkak të luftës në atdheun e tyre, po qëndrojnë përkohësisht në vende të ndryshme perëndimore. Gjithë përkrahja jonë për këta kolegë në përmbushjen e misionit të shenjtë për të vërtetën e Ukrainës!
Disa kolegëve ukrainas iu ka dhënë strehë Republika e Kosovës. Ne jemi krenarë për këtë vendim të Kosovës, e përshëndesim me gjithë zemër dhe iu urojmë kolegëve tanë e të gjithë ukrainasve të larguar për shkak të luftës, kthim të shpejtë e të mbarë në Ukrainën e lirë!
Unioni i Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë të Diasporës (UGSHPD) e dënon me forcë pushtimin rus në Ukrainë dhe i bën thirrje Perëndimit, bashkësisë ndërkombëtare që, krahas përgjigjes së përshtatshme ndaj barbarisë putiniane, të krijojë pa vonesë Gjykatën Ndërkombëtare për të vënë në bankën e të akuzuarit autorin dhe bashkautorët e krimeve brutale të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera kundër popullit Ukrainës. Kriminelët e Kremlinit duhet të japin llogari për të gjitha krimet e kryera. Rusia duhet të dëmshpërblejë Ukrainën deri në centin e fundit. Vetëm paqja me drejtësi të plotë në Ukrainë do të jetë zgjidhja më vendimtare për të ardhmen e Ukrainës, për të ardhmen e Demokracisë në botë.